Pikëpamje | BE

Kosova në stol në Strategjinë e BE-së për Zgjerim për Ballkanin Perëndimor

Nga - 30.01.2018

Projekt-dokumenti i BE-së prioritetizon radhën për integrim evropian.

Viti 2018 do të zbulojë një agjendë të re për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian planifikon të ndërmarrë tre aktivitete të rëndësishme në raport me Ballkanin Perëndimor, me një perspektivë dhe përmbajtje plotësisht të re.

 

“Perspektivë e Besueshme e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor” parashikon që Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova të lëvizin drejt anëtarësimit të plotë në BE, brenda një kornize sa më të përshtatshme kohore. Mirëpo, disa prej tyre do të lëvizin më shpejtë se të tjerat.    

Në gjysmën e parë të vitit, BE-ja parashikon disa aktivitete në raport me Ballkanin Perëndimor: Në shkurt, BE-ja do të publikojë Perspektivën e Besueshme të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor (që aktualisht është në formë të projektit); në prill, BE-ja do t’i publikojë raportet gjithëpërfshirëse shtetërore  për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe në maj do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Sofje.

 

Në vitin 2014, Procesi i Berlinit, iniciativë kjo e udhëhequr nga Gjermania me qëllim të nxitjes së lidhjes dhe komunikimit në Ballkan, kryesisht u pa si një zëvendësim i dobët i integrimit në BE. Tani, me publikimin e ardhshëm të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së, kjo frikë do të zvogëlohet pjesërisht.

Është paraparë që ngjarjet të promovojnë dhe ta trasojnë rrugën për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (WB6), në mënyrë që ato të anëtarësohen në Bashkimin Europian.  Pas skepticizmit shumëvjeçar ndaj zgjerimit, Komisioni i BE-së papritmas ndryshoi kursin. Ai tani e dëshiron Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Po ashtu, përgatitja do të shtrihet edhe brenda planfikimit të buxhetit të BE-së për periudhën 2019-2025, i cili do të përfshijë më tepër programe zgjerimi dhe asistenca financiare për shtetet që aplikojnë.

 

Të preferuarit

Projekt-strategjia i cilëson shtetet e Ballkanit Perëndimor si partnerë, duke deklaruar se “Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës, që edhe gjeografikisht është i rrethuar me shtetet anëtare të BE-së.  Banorët e BE-së dhe të rajonit kanë një trashëgimi të përbashkët, një histori dhe të ardhme të definuar me mundësitë dhe sfidat e përbashkëta”. Pavarësisht trashëgimisë dhe sfidave të përbashkëta, dokumenti përcakton një kornizë të qartë vetëm për dy shtetet kandidate, duke nënvizuar se Mali i Zi dhe Serbia mund të jenë të gatshme për anëtarësim deri në vitin 2025.

Dokumenti propozon që katër shtetet e tjera – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova – deri atëherë të avancojnë ndjeshëm në rrugëtimin e tyre drejt Europës. Strategjia i përcakton të preferuarit, “me kusht që të gjitha standardet të jenë përmbushur, ajo ofron përmbylljen e të gjitha negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë, deri në vitin 2023”. Thënë praktikisht, të dy këto shtete, e Mali i Zi në veçanti, kanë shënuar një përparim të ndjeshëm në kapitujt e negociuar. Mirëpo, vendosja e të preferuarëve është në kundërshtim me deklaratën e komisionerit të Drejtorisë së Përgjithshme për Negocim të Fqinjësisë dhe Zgjerimit (DGE Near), Johannes Hahn, i cili bën thirrje për një zgjerim ‘në bllok’.  Ai mund edhe të mos ketë menduar për gjashtë shtetet, por të paktën për katër prej tyre, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Malazezët janë nervozuar me faktin se janë ‘paketuar’ së bashku me Serbinë, e cila është disa hapa prapa dhe së cilës ende i duhet zgjidhur çështjet më të vështira bilaterale, ndërsa Gjermania dhe Austria e kundërshtojnë përcaktimin e të preferuarve. Zyrtarët në Berlin presin që Maqedonia dhe Shqipëria – të cilat zyrtarisht janë “shtete kandidate”, pavarësisht faktit se nuk kanë nisur ende negociata formale për anëtarësim – të shënojnë një përparim të madh dhe ta arrijnë Serbinë.

 

Reformat

Raportet e progresit për shtetet do t’i definojnë detyrat, prioritetet dhe reformat që duhet t’i ndërmarrë secili shtet, në mënyrë që të përparojë drejt anëtarësimit.

 

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Junker, gjatë adresimit të tij vjetor të vitit 2017, nënvizoi: “Nëse dëshirojmë më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë, atëherë ne po ashtu duhet të kemi një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se nuk do të ketë zgjerim të mëtutjeshëm gjatë mandatit të këtij komisioni, e as të këtij Parlamenti. Asnjëri shtet kandidat nuk është i gatshëm. Mirëpo, pas kësaj periudhe Bashkimi Europian do të jetë me numër më të madh shtetesh se 27. Gjatë negociatave, kandidatët për anëtarësim duhet t’i kushtojnë prioritet maksimal sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave fundamentale”.

 

Junker i nënvizoi vetëm tri fusha të përmirësimit; ndrëkaq strategjia e re shton edhe konkurueshmërinë, bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin, si ”fusha vendimtare” për “reforma bindëse”.

 

Pritet që Shqipëria dhe Maqedonia t’i fillojnë negociatat shumë shpejt; kjo e para “duhet të arrijë një implementim bindës në pesë fushat me prioritet kyçe, duke përfshirë këtu reformat aktuale në gjyqësor”. Maqedonia ndërkaq duhet të ketë rezultate të prekshme të reformave dhe të zgjidhë “çështjen e emrit” me Greqinë.

 

Dokumenti është i paqartë për sa u përket prioriteteve dhe kornizave kohore të shteteve të tjera lidhur me procesin e integrimit në BE. Ai ofron hapjen e negociatave për anëtarësim për Bosnjë e Hercegovinë, por jo para vitit 2023.  Gjithashtu nuk jep fare datë për Kosovën.  

Përderisa strategjia tingëllon si një plan premtues për sa i përket hyrjes eventuale në BE, proceset e aderimit janë të paqartësuara ngase ka shumë përjashtime të cilat mund ta vonojnë procesin. Strategjia bën thirrje për reforma që do t’i transformojnë shoqëritë e Ballkanit, bashkë me liderët dhe qytetarët, përmes supozimeve dhe ofrimit të “aspiratave evropiane”. Disa qeveri mund të mos i bëjnë ato, por gjithsesi do të duhen të tregojnë shpejt nëse kanë vullnet për ndërrim të kursit.  

 

Ku është Kosova në këtë strategji?

Strategjia i referohet Kosovës vetëm në kontekstin e dialogut me Serbinë, si një pikëreferim për pranimin e Serbisë. Strategjia nuk ofron asnjë përkufizim lidhur me statusin e një shteti kandidat për anëtarësim.

Strategjia vë në dukje se deri në fund të vitit 2019, Serbia duhet t’i mbyllë standardet e përkohshme që ndërlidhen me Kapitullin 35, i cili lidhet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ajo bën thirrje për “një normalizim të plotë dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, duke shtuar se “një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në formën e një marrëveshjeje detyruese ligjore është çështje urgjente dhe vendimtare për perspektivën europiane të Kosovës dhe të Serbisë…”

Projekti tutje thekson se më së voni deri në fund të vitit 2018, Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë “një normalizim gjithëpërfshirës, i cili duhet të hapë rrugën për një përparim të mëtutjeshëm e thelbësor për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian”. Nëse është kështu, nuk ka perspektivë të BE-së për Kosovën pa një normalizim të plotë dhe njohje (de facto) nga Serbia; edhe nëse Kosova e transformon qeverisjen, institucionet, sundimin e ligjit dhe ekonominë. Ky duket të jetë mjeti kyç për heqjen e barrierave për në BE.

Përderisa liderët e Kosovës dhe Serbisë parashikojnë ‘finalen e madhe’, pakkush beson se liderët serbë e kosovarë mund të arrijnë një marrëveshje që do t’i zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe, dhe që do të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy vendeve. Në skenarin më të mirë, qeveritë edhe mund të merren vesh, por zbatimi do të merrte shumë vite dhe mund të dështojë zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Kujtimet janë ende shumë të freskëta; historia e fundit e negociatave tregon se Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë marrëveshje në letër, por dështojnë në zbatimin e tyre.

Strategjia dështon në adresimin e sfidave të brendshme me të cilat ballafaqohet BE-ja në raport me Kosovën, por edhe me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Pesë shtetet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, duke e bërë të pamundur që Komisioni të paraqesë perspektivën për aplikimin e Kosovës për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Strategjia vë në dukje se “MSA-ja, e cila ka hyrë në fuqi që nga viti 2016, është mjeti kyç për t’i ndihmuar Kosovës në përparimin e saj në rrugën drejt Unionit”. Mirëpo, ajo s’ka se si të jetë më e paqartë. Ajo nuk i referohet fare Programit të Agjendës së Reformave Europiane. Në ndërkohë, Greqia, si shtet anëtar i BE-së, e bllokon Maqedoninë dhe Shqipërinë. Nëse Serbia pranohet sipas kornizës së tanishme kohore, duhet të ekzistojnë dispozita për të parandaluar bllokimin e pranimit të Kosovës nga ana e saj.

Pavarësisht vështirësive dhe realitetit, Kosova nuk ka kohë për të humbur. Ajo duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të siguruar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila i zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet e saj me Serbinë. Traktati duhet të përfshijë anëtarësimin e plotë në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare dhe një rrugë të qartë drejt BE-së. Poaq e rëndësishme është që qytetarët e Kosovës të kërkojnë reforma, forcimin e institucioneve, nxitje të zhvillimit ekonomik dhe zbatimin e sundimit të ligjit. Kosova duhet të kërkojë përgatitje për statusin e shtetit kandidat, ndërkohë që BE-ja duhet ta presë atë.

BE-ja ofron një agjendë ambicioze, angazhuese por edhe sfiduese për të preferuarit e saj. Bashkimi Europian duhet të sigurojë se kësaj radhe strategjia do të funksionojë. Institucionet në Bruksel dhe shtetet anëtare duhet t’i bëjnë thirrje kapitalit dhe vullnetit të tyre politik ta ndihmojnë Ballkanin Perëndimor në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale, në trajtimin dhe njohjen e të kaluarës dhe në ofrimin e ndihmës për arritjen e një pajtimi të plotë. BE-ja më nuk mund të jetë e paqartë ose e paanshme; BE-ja duhet t’i kërkojë Beogradit që t’i zgjidhë (dhe zbatojë) mosmarrëveshjet dypalëshe me Prishtinën, duke përfshirë këtu edhe njohjen (de facto) e Kosovës.

Ftesa e shteteve të Ballkanit Perëndimor për pjesëmarrje në formësimin e vendimeve në nivel të BE-së, ftesë kjo e mirëseardhjes, duhet t’i përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (WB6) dhe nuk duhet të varet nga progresi i deritanishëm i proceseve të anëtarësimit. Politikat që ndërlidhen me çështjet e përgjithshme, punët e jashtme, sigurinë, mbrojtjen, energjinë, transportin ndikojnë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e jo vetëm në ato të preferuarat. Pavarësisht asaj se kush ndodhet në krye e kush në fund të listës, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me një sërë problemesh. Rrjedhimisht, nuk ekziston një zgjidhje e pjesshme e problemeve kryesisht të zakonshme të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është një thirrje paralajmëruese për elitat dhe qytetarët e rajonit. Papritmas, BE-ja ka vendosur që ta zgjasë dorën, megjithëse vetëm pjesërisht dhe në mënyrë tejet selektive. Mirëpo, popujt e Ballkanit Perëndimor kanë një afat të papërcaktuar kohor, brenda të cilit duhet të transformojnë qeverisjen, ekonominë politike, mentalitetet dhe shoqëritë e tyre. A do të jenë të gatshëm ta bëjnë ndryshimin? Tani ka nevojë për veprim.

Ky artikull u shkrua fillimisht për Balkans Policy Research Group (BPRG). Është i shkruar në bazë të projekt strategjisë së BE-së për zgjerim. Pritet të ketë amendamente që nuk janë substanciale për strategjinë para publikimit më 6 shkurt, 2016.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Naim Rashiti
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO