Pikëpamje | Ambient

Kur ksenofobia dhe ambientalizmi ndërthuren

Nga - 13.06.2024

A do të na çojë rritja e së djathtës ekstreme në më shumë eko-fashizëm?

Partitë e së djathtës së fortë dhe ekstremit të djathtë kanë siguruar më shumë ulëse se kurrë më parë në zgjedhjet e vitit 2024 për Parlamentin Evropian (PE). Këto parti, janë anëtare të grupeve Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe Identitet dhe Demokraci (ID), do t’i kenë afërsisht 25% të ulëseve, krahasuar me 20%, sa i kishin në mandatin e kaluar. Ky ndryshim në pushtet mund të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen në Bashkimin Evropian (BE) dhe në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë viteve të fundit, ekstremi i djathtë ka lulëzuar në aspektin elektoral në të gjithë BE, duke ndryshuar dukshëm peizazhin politik të Evropës. Partitë e së djathtës së fortë dhe ekstremit të djathtë janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në një numër në rritje të shteteve të BE. Partia Vëllezërit e Italisë, e kryeministres italiane Giorgia Meloni, fitoi zgjedhjet e vitit 2022 në Itali, ndërsa Partia e Lirisë e Geert Wilders fitoi shumicën e ulëseve në parlamentin holandez në vitin 2023.

Disa politologë/e ia atribuojnë rritjen e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në Evropë pjesërisht krizës aktuale të kostos së jetesës, e cila karakterizohet nga pabarazitë ekonomike në rritje. Kjo krizë ka krijuar pakënaqësi, të cilat, lëvizjet e ekstremit të djathtë i kanë shfrytëzuar me sukses, pasi disa votues/e janë skeptikë/e rreth asaj nëse partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë përfaqësojnë në mënyrë efektive interesat e tyre përballë pabarazisë në rritje dhe ankthit ekonomik.

Lëvizjet e ekstremit të djathtë shpesh e përdorin si mjet pasigurinë ekonomike për t’ua hedhur fajin migrantëve për pamjaftueshmërinë e vendeve të mira punës dhe rëndimit të mirëqenies, kësisoj duke e drejtuar elektoratin kah partitë e krahut të djathtë. Parti të tilla i përdorin këto ndjenja, duke kritikuar partitë e mëdha për keqmenaxhim të migrimit dhe dështim që t’u shërbejnë interesave të popullit. Ata gjithashtu avokojnë për rritjen e mbrojtjes ekologjike, duke fajësuar migrimin për pasojat supozuese në mjedis.

Qendra politike në rrezik

Në këtë kontekst, partitë e mëdha shqetësohen për humbjen të votave ndaj lëvizjeve populiste dhe të ekstremit të djathtë. Udhëheqësit nga e majta socialdemokrate deri tek e djathta kristiandemokrate në shumë vende të BE janë përgjigjur me ligje të reja të rrepta të migrimit, duke dëshmuar angazhimin e tyre ndaj adresimit të kontrollit të migrimit që nxit rritjen e lëvizjeve të ekstremit të djathtë.

Për shembull, presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e portretizon veten si centrist, mbështeti një projektligj të rreptë të migrimit, të miratuar nga parlamenti francez me mbështetje të konsiderueshme nga partia Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen. Projektligji mund të shihet si përafrim me të djathtën ekstreme, ose si një përpjekje për ta shuar kritikën, që thotë se qendra politike nuk po bën mjaftueshëm për migrimin në një kontekst politik të brendshëm në të cilin Le Pen duket e gatshme të garojë seriozisht për presidencë në zgjedhjet e vitit 2027. Ligji parasheh masa të ashpra si ulja e përfitimeve të mirëqenies për migrantët.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, socialdemokrat, ka shprehur gjithashtu mbështetje për politika më të ashpra të migrimit. “Duhet të fillojmë deportimin e [migrantëve] në një shkallë të gjerë”, u shpreh Scholz. Ricarda Lang, bashkëdrejtuese e Partisë së Gjelbër në Gjermani dhe partnere e koalicionit të Scholz, ka bërë thirrje që qeveria të hartojë një plan “për t’i shmangur ardhjet gjithnjë e më shumë njerëzve”. Kjo ndodhi në një kontekst ku Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë, që dyshohet zyrtarisht për ekstremizëm nga sistemi gjyqësor gjerman, ka korrur sukses elektoral. Lang ka argumentuar më tej se në vend të “drejtimit të gishtit”, koalicioni duhet të bëjë “çkado që mund të bëjë” për ta mposhtur AfD në zgjedhje.

Duke legjitimuar artikulimin radikal që lidhet me esktremin e djathtë, udhëheqësit/et politikë/e të partive të mëdha mund t’i inkurajojnë vetë forcat që mundohen t’i luftojnë.

Megjithatë, ekziston mundësia që përpjekjet e partive të mëdha për ta ndryshuar pozicionin e tyre lidhur me migrimin me shpresën se do ta frenojnë votën ekstremiste, do të mund të rezultojnë në dështim, duke forcuar më tej të djathtën radikale. Duke legjitimuar artikulimin radikal që lidhet me esktremin e djathtë, udhëheqësit/et politikë/e të partive të mëdha mund t’i inkurajojnë vetë forcat që mundohen t’i luftojnë.

Nevoja për përgjigje më strategjike dhe gjithëpërfshirëse është e dukshme, duke ftuar këto palë të marrin në konsideratë ndërlikimet afatgjata të veprimeve të tyre. A do të munden këto premtime për një qëndrim më të ashpër ndaj migrimit dhe azilit, t’i trajtojnë në mënyrë efektive shqetësimet e elektoratit pa inkurajuar më tej ngritjen e së djathtës ekstreme?

Rritja e ambientalizmit të ekstremit të djathtë

Teksa efektet e ndryshimeve klimatike po bëhen çdoherë më vështirë të shpërfillshme, pasojat e rënda të ngrohjes globale kanë ndikuar te një numër në rritje i votuesve, veçanërisht në mesin e brezave të rinj. Kjo vjen në një kohë kur votuesit/et e rinj/reja janë gjithnjë e më shumë të pakënaqur/a me opsionet ekzistuese politike dhe po u drejtohen partive më të reja, përfshirë ato të ekstremit të djathtë, që ndërlidhin problemet e strehimit të papërballueshëm me migrimin.

Ngjashëm, teksa ambientalizmi është bërë çështje e lidhur me të majtën politike, ndryshimet e vazhdueshme politike po sfidojnë supozimin se çështjet mjedisore janë shqetësim vetëm i së majtës. Partitë e ekstremit të djathtë po përqafojnë gjithnjë e më shumë shqetësimet ekologjike, duke paraqitur versionin e tyre të një ideologjie të gjelbër, që i bën jehonë retorikës në fillim të shekullt XX, nga mendimtarë të tillë si Madison Grant, i cili e ndërlidhi ruajtjen e mjedisit me eugjenikën, ndarjen racore dhe politikat kufizuese të migrimit.

Ndërthurja e ideologjisë së ekstremit të djathtë dhe ambientalizmit quhet “eko-fashizëm” ose “nacionalizëm i gjelbër”. Sipas studiueses, Iris Beau Segers dhe studiuesit, Manès Weisskircher, kjo ideologji është ndërtuar mbi themelet e nativizmit, etnonacionalizmit dhe ksenofobisë, duke ndërlidhur nocionet e pastërtisë së supozuar mjedisore me “pastërtinë” brenda “rigjenerimit të një komuniteti të imagjinuar” bazuar në homogjenitet racor.

Megjithatë, partitë e ekstremit të djathtë, pavarësisht se janë në dijeni të çështjeve ekologjike, kundërshtojnë konventat ndërkombëtare për ndryshimet klimatike dhe preferojnë të përqendrohen në argumentet demografike, për t’i justifikuar ligjet ksenofobike kundër migrantëve të racializuar.

Megjithatë, partitë e ekstremit të djathtë, pavarësisht se janë në dijeni të çështjeve ekologjike, kundërshtojnë konventat ndërkombëtare për ndryshimet klimatike dhe preferojnë të përqendrohen në argumentet demografike, për t’i justifikuar ligjet ksenofobike kundër migrantëve të racializuar. Ndryshe nga ambientalizmi i së majtës, në të cilin zgjidhjet sistematike kërkohen përmes përgjigjeve të politikave që përparojnë drejtësinë klimatike dhe dekarbonizimin e ekonomisë, vizioni mjedisor i ekstremit të djathtë bazohet në etnonacionalizmin, sepse është i mbushur me fraza të pastërtisë racore dhe supremacisë së bardhë që i kornizon migrantët si forca pushtuese që lë gjurmë ekologjike.

Disa parti populiste radikale të djathta përqafojnë nacionalizmin e gjelbër duke bërë thirrje për mbrojtje mjedisore në nivel lokal. Partitë vënë theksin në ruajtjen e burimeve natyrore për popullsinë vendase dhe kundërshtojnë migrantët duke i cilësuar si kërcënim ekologjik. Disa parti të ekstremit të djathtë bëjnë propagandë eko-fashiste, duke e përmendur migrimin si shtytësin kryesor për degradimin e mjedisit. Për këtë arsye ata mbrojnë masa më të rrepta kundër migrimit. Për shembull, në Francë, Le Pen ka pohuar se migrantët “nuk kujdesen për mjedisin” sepse nuk kanë një “vendlindje”, ndërsa Jordan Bardella, presidenti i Tubimit Kombëtar, i ka ndërlidhur kufijtë me mbrojtjen e mjedisit. “Kufijtë janë aleati më i madh i mjedisit”, u shpreh Bardella në vitin 2019.

Shtetet e pasura në Veriun Global tani po shpenzojnë dy herë më shumë në militarizimin e kufijve të tyre, sesa për të investuar në veprim klimatik.

Urgjenca e çështjes së migrimit klimatik shpesh vihet nën hije nga përqendrimi në demonizimin e migrantëve dhe fortifikimin e kufijve. Në këtë mënyrë, udhëheqësit/et e ekstremit të djathtë përdorin eko-kufijtë si teknikë për ta ndërthurur kontrollin e migirimit me mbrojtjen e mjedisit, duke i kornizuar refugjatët klimatikë si kërcënim ekologjik, duke i arsyetuar kështu shpenzimet në rritje për politika që synojnë të forcojnë “Fortesën Evropë”. Shtetet e pasura në Veriun Global tani po shpenzojnë dy herë më shumë në militarizimin e kufijve të tyre, sesa për të investuar në veprim klimatik.

Banka Botërore parashikon se do të ketë mbi 216 milionë migrantë klimatikë të zhvendosur brenda vendit deri në vitin 2050 dhe popullsitë në Jugun Global do ta bartin peshën kryesore të katastrofës klimatike. Më e rëndësishmja, parashikimi i Bankës Botërore përqendrohet në zhvendosjen e brendshme, e jo te njerëzit që zhvendosen në vende të reja. Masat më të ashpra të migrimit në Veriun Global mund të nënkuptojnë se individët më të prekur nga ndryshimet klimatike do të detyrohen të përshtaten brenda kufijve të vendit të tyre të origjinës, veçanërisht për shkak se shqetësimi i lidhur me klimën nuk njihet si bazë për të kërkuar azil sipas Konventës së Refugjatëve të vitit 1951.

Qeverisja nën masa sigurie, e nxitur nga frika e lëvizjeve masive të migrantëve për shkaqe që lidhen me klimën, do të çojë më tej kriminalizimin dhe kufizimin e njerëzve në nevojë. Realitetet e ashpra të ndryshimeve klimatike, duke përfshirë shkretëtirëzimin, mungesën e ujit, përmbytjet dhe nxehtësinë ekstreme, i detyrojnë njerëzit t’i braktisin shtëpitë dhe komunitetet e tyre. Komunitetet më të varfra dhe të cenueshme janë të prekura joproporcionalisht e njëkohësisht kanë gjithnjë e më pak vende për të kërkuar strehim në një epokë ku kufizimet ndaj migrantëve po bëhen gjithnjë e më të rrepta. Ironia trishtuese është se partitë e ekstremit të djathtë mund t’i arsyetojnë kufizimet e tilla duke u thirrur në shqetësime mjedisore, luks që ata që ikin nga katastrofa klimatike nuk do të mund ta kenë.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.