Blogbox | Diaspora

Kur u ngjason dallëndysheve

Nga - 20.07.2021

Në Shqipëri janë dy gjëra që nuk ndryshojnë që nga jugu në veri; dallëndyshet dhe plagët e mërgimit.

Një prej mëngjeseve të këtij pushimi veror, teksa deti Jon ma përqafonte trupin, pashë dallëndyshe që rrotulloheshin mbi kokën time. Kishte diç specifike te këta zogj që më kapte vëmendjen dhe gati, gati më hipnotizonte, por nuk e kuptoja ende se çfarë. Dukej sikur ato fluturonin duke ndjekur melodinë e ndonjë kënge të vjetër shqiptare, por nuk e dija se cila këngë ishte ajo. Në vend që të insistoja në gjetjen e kësaj melodie, e lejova veten të përhumbem në vallëzimin e tyre. Vetëm pas dhjetë ditësh, në fund të pushimin veror, do të kuptoja pse ndihem aq e lidhur me dallëndyshet.

Ishte dita e pestë e udhëtimit tonë dhe tani ndodheshim në Lumra. E vendosur në mes të një sërë plazhesh të mrekullueshme, Lumra ofron më të mirën e dy botëve për adhuruesit e natyrës. Gjatë ditës mund të kënaqesh me freskinë e detit Jon përderisa sodit malet që ngrihen sipër tij. Në fund të ditës mund të shijosh një perëndim magjepsës të diellit. Në horizont duket një diell plotësisht i kuqdhe të jep ndjesinë se nuk gjendesh më në Tokë, por në ndonjë planet magjik. E në fund krejt, atëherë kur bie nata, mund të ngresh çadrën për fjetje nën drunjtë shekullorë të ullirit, e të bisedosh me pronarin e asaj toke.

Pronari i tokës ku ne vendosëm çadrën quhej Gjergj. Gjergji është ndër ata njerëz të cilët nuk mund të jetojnë pa det sepse aty gjejnë qetësinë shpirtërore që është aq e duhur për shpirtin njerëzor. Tek tregonte për jetën e tij dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri, Gjergji thotë një shprehje të cilën ka kohë që e kërkoj: “Gyrbeti është sëmundja e shqiptarëve.” Gjergji ka kaluar gjysmën e jetës së tij në Athinë, mirëpo zemrën çdo herë e ka pasur tek Lumra. Më dukej sikur Gjergji kuptonte me lehtësi gjërat që i ndaja me të sepse ashtu si ai, edhe unë kam kaluar gjysmën e jetës larg Kosovës. Përderisa ai tregon për krizat e identitetit që shpesh shkaktohen nga migrimi, unë shoh dallëndyshe në prapavijë dhe e kuptoj që ato janë me ne edhe në këtë pjesë të udhëtimit.

Tek tregonte për jetën e tij dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri, Gjergji thotë një shprehje të cilën ka kohë që e kërkoj: "Gyrbeti është sëmundja e shqiptarëve."

Unë shoh dallëndyshe edhe dy ditë më vonë, edhe pse tashmë jemi në Vërmosh, në fshatin më verior të Shqipërisë. Aty takoj vendas, shumica e të cilëve janë mbi moshën 60 vjeçare. Njëherë mendoj që mosha e tyre është një rastësi, por më vonë e kuptoj që shumica e të rinjëve të Vërmoshit jetojnë në mërgim. E takuam Cekën, një grua 70 vjeçare, e cila na tregoi për familjen e saj. Kishte 3 vjet që nuk i kishte parë tre prej fëmijëve të saj sepse ata jetojnë në ShBA. Ajo thotë që është e uritur për një bisedë me të rinj dhe vazhdon të tregojë detaje për jetën e saj në Vërmosh.

Kur u ndamë nga Ceka, mendova që e vetmja gjë e trishtueshme në këtë vend është ajo që nuk është më; rinia që ka ikur! Mendova prapë për Cekën dhe jetën e saj, përderisa unë dhe partneri im prisnim të na shërbehet darka në Shirokë. Tavolina jonë ishte vetëm disa metra larg brigjeve të liqenit të Shkodrës. Edhe pse është hera e parë që vij këtu, çdo gjë më duket e njohur. I tregova partnerit tim për këtë ndjenjë, duke kërkuar me ngulm të kuptoj përse ndihem aq rehat në çdo plazh, mal, fshat, qytetzë e qytet të Shqipërisë. Përderisa bisedonim, mbi tavolinën tonë fluturonin dallëndyshe dhe ato sollën  përgjigjen që kërkoja.

E vetmja gjë e trishtueshme në këtë vend është ajo që nuk është më; rinia që ka ikur!

Në ate çast, ndieva që e gjithë mirësia e shqiptarëve që takova në këtë udhëtim më përshkoi trupin. Mirëpo, me këtë mirësi ndieva edhe dhimbjet e tyre. Në çdo skutë të Shqipërisë dhe Kosovës që kam vizituar dëgjoj tregime të mërgimit të mbushura me mall e lotë. Secili tregim shpalos një aspekt të ri të identitetit shqiptar dhe identitetit tim hibrid. Edhe unë isha, e gjithmonë do jem, një mërgimtare. Në Shqipëri, pra, janë dy gjëra që nuk ndryshojnë që nga jugu në veri; dallëndyshet dhe plagët e mërgimit. Jugu dhuron detin e veriu malet, por lidhen përmes tregimeve të migrimit dhe mërgimtarëve që kanë mall për këto toka. Ndoshta dallëndyshja, atëherë, është zogu ynë i vërtetë kombëtar.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona /K2.0