Gjerë e gjatë

“Kurrë s’e kisha imagjinu se kjo iu ndodh edhe burrave”

Nga - 27.10.2022

Burrat që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës kërkojnë ndihmë pas dy dekadash.

Një ditë, diku pesë vite më parë, Arbeni u ndal para objektit banesor përballë Parkut të Qytetit në Prishtinë dhe çoi shikimin drejt ballkonit të katit të parë, ku ndodhen zyrat e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Merr frymë thellë, mendoi me vete, ec pak hapa, trokit në derë dhe ja ­morën fund dy dekada izolimi.

Arbeni, tash në fund të të tridhjetave, iu afrua derës, teksa mundohej t’i rendiste fjalët në mendjen e tij. Nuk kishte vendosur ende nëse do të prezantohej me emrin e tij të vërtetë apo me pseudonim.

Shikoi përreth lagjes së panjohur dhe fytyrave që s’i njihte që ecnin rrugës e as nuk e vërenin. Ndodhej larg fshatit të tij, por tmerrohej prej mendimit  se mos e njihte dikush, se mos i dilte në shesh sekreti (Arbeni është pseudonim, i vendosur për ta mbrojtur privatësinë e tij).

Pastaj e kapi paniku. Vrapoi drejt parkut, u ul në stolin e parë që i doli përpara, priti t’i qetësoheshin rrahjet e shpejta të zemrës dhe u kthye në shtëpi.

Pas disa muajsh provoi përsëri. Ndodhi e njëjta skenë: djersë të ftohta në ballë, drithërima dhe dridhje, zemra që i rrihte shpejt, ikje në të njëjtin stol dhe kthim në fshat.

Në përpjekjen e tij të tretë, më në fund ia doli të hynte brenda dyerve të qendrës.

Pasi hyri brenda, ndau me personelin e qendrës rrëfimin se si një pjesëtar paramilitar serb gjatë Luftës në Kosovë në pranverën e vitit 1999 e kishte përdhunuar, kur ishte 17 vjeç. Ishte e hera e vetme që i kishte treguar dikujt tjetër përveç prindërve dhe vëllezërve e motrave.

Shtëpia e Arbenit ndodhet afër rrugës kryesore të një fshati që ka përjetuar disa nga mizoritë më të rënda gjatë luftës. Ai i pa fqinjët e të afërmit duke vdekur, shtëpitë që u kthyen në rrënoja dhe shpërthimet e granatimet ditë e natë.

Shtëpitë pranë rrugëve kryesore prireshin të ishin caqet e para të sulmit, kështu që familja e Arbenit u strehua përkohësisht në një shtëpi diku një kilometër larg, ku dhjetëra njerëz u fshehën së bashku dhe ndanë qullin e paktë prej gruri që nëna e Arbenit e bënte nga ai pak grur që e bluanin në një mulli kafeje. Të rrethuar nga trupa prej të gjitha anëve, shumë shpejt u mbaroi edhe ushqimi.

“Ishim krejt të rraskapitun dhe të frikësum. Veç pritshim me ndërru jetë, ose prej forcave serbe, ose prej urisë”, tha Arbeni. “Pastaj i gjithë gruri u harxhu”.

Një ditë, një valë heshtjeje ra në të gjithë fshatin. Arbeni e shfrytëzoi këtë qetësi dhe shkoi në shtëpinë e familjes, për të mbledhur thasë me grurë e për t’i sjellë te grupi. Me të hyrë në shtëpi dëgjoi krisma. Dy paramilitarë hynë me forcë dhe e shtynë Arbenin përtokë dhe ai ra mbi thasët me grurë. Pastaj njëri prej atyre burrave e përdhunoi.

Arbeni ishte në dijeni që përdhunimi përdorej kundër grave dhe vajzave. Kishte parë forcat serbe që vinin natën i merrnin gratë e vajzat nga shtëpitë e tyre dhe i kthenin në mëngjes të zhveshura dhe të mbuluara me mavijosje. 

Por, tha ai, “Kurrë s’e kisha imagjinu se kjo iu ndodh edhe burrave”.

Për një kohë të gjatë, Arbeni ishte i bindur se ishte i vetmi burrë që kishte qenë viktimë e dhunës seksuale. Para se të fillonte t’i vijonte seancat e terapisë në QKRMT, s’gjente fjalë për ta përshkruar atë që i kishte ndodhur e as t’i binte në fije asaj që kishte ndodhur.

Arbeni është njëri nga 67 burrat, sipas të dhënave të fundit të marra nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, të cilët njihen ligjërisht nga shteti si viktima të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Deri më tani, shteti këtë status ua ka dhënë 1,305 grave.

Dhuna seksuale gjatë luftës

Dhuna seksuale në luftë s’është diçka e re, por vetëdija për mënyrën se si ajo përdoret si armë lufte është. Ky mendim doli nga lëvizjet feministe të viteve të ’70-ta, të cilat argumentuan se përdhunimi nuk është krim që nxitet nga dëshira seksuale, por një mjet që burrat e përdorin për të ushtruar pushtet dhe dominim.

Ndonëse gratë dhe vajzat janë më shpesh viktima të dhunës seksuale në luftë dhe në paqe, të kuptuarit e përdhunimit si akt dominimi ndihmon në shpjegimin e dukurisë dhe motiveve të përdhunimit të burrave dhe djemve në rrethana lufte. 

Përdhunimi në luftë dhe format e tjera të dhunës seksuale janë mjete për ta bërë të pafuqishme dhe për ta poshtëruar viktimën (të cilësdo gjini) dhe familjet dhe komunitetet e tyre, veçanërisht në mjedise kulturore ku përforcohen normat patriarkale ose idetë e maskulinitetit për nderin dhe pastërtinë kur është fjala për përvojën seksuale. Kur kryhet në mënyrë sistematike apo të hapur, ka efektin e mëtejshëm të krijimit e ndjenjës së frikës dhe cenueshmërisë midis viktimave të mundshme.

Që në ditët e para të luftës në Kosovë, në kampet e refugjatëve gratë kosovare filluan të ofronin dëshmi për përdhunime në grup, të kryera nga forcat serbe. Vlerësohet se në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 1999 janë përdhunuar rreth 20,000 njerëz. Menjëherë pas luftës, organizata si Human Rights Watch, natyrën sistematike të krimeve e ndërlidhën me strategjinë më të gjerë të regjimit të Milošević për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Arbeni tha se kur i tregoi babait për përdhunimin, ai ia ktheu: “Jam i lumtur që je gjallë bir. Mund të të kishin vrarë. Këtë ua bëjnë edhe të tjerëve dhe pastaj i vrasin”.

Kurrë nuk ishte i sigurt nëse fjalët e babait rrodhën nga të dëgjuarit e historive tjera apo nga një baba zemërplasur që përpiqej ta ngushëllonte djalin e tij të traumatizuar. Meqenëse Arbeni asnjëherë nuk u arrestua apo nuk u mor në mbajtje dhe përdhunimi ndodhi në shtëpinë e tij pa dëshmitarë, kurrë nuk dëgjoi apo pa se edhe burra të tjerë po abuzoheshin seksualisht.

Arbeni e mbajti të fshehur për një kohë të gjatë përvojën e tij traumatike nga nëna, vëllezërit e motrat. Sigurohej që të mos ia gjenin ilaçet kundër ankthit ose kundër depresionit; gjithmonë dilte jashtë për t’i pirë ilaçet.

“Sa herë që kam dalë jashtë, kam mendu: “Ma mirë me e vra veten”, tha ai. “Pastaj gjatë natës kam përjetu të njëjtën andërr të keqe, çdo natë. Ata… tu e bo atë punë. U çojsha çdo mëngjes i mbulum në djersë, si me ma hedhë dikush një kovë me ujë. Kam ra me fjetë tu u lutë me vdekë dhe tu u zgju çdo ditë me atë dëshirë”.

Rrëfimet si ky i Arbenit janë në qendër të një projekti kërkimor që do të botohet së shpejti, i kryer nga QKRMT dhe Universiteti i Leuven në Belgjikë. 

“Hulumtimi sugjeron që dhuna seksuale si armë e luftës u drejtohet të gjithëve, edhe pse “tradicionalisht“ vetëm gratë janë perceptuar si target”, tha Feride Rushiti, drejtore ekzekutive e QKRMT-së. “Por në praktikën e ngjarjeve dhe raportimeve globalisht ka raste po aq të shumta të burrave, djemve madje dhe të fëmijëve”.

Në vitin 1998 dhe 1999, Rushiti punonte me misionet ndërkombëtare në Shqipëri, ku intervistoi gra në kampet e refugjatëve, të cilat i kishin mbijetuar dhunës seksuale në Kosovë. Burimet i treguan asaj për nivelin e dhunës seksuale në qendrat e paraburgimit dhe burgjet ku të burgosurit shqiptarë, pothuajse shumica burra, ishin arrestuar, rrahur dhe torturuar ilegalisht.

Ajo ishte e vetëdijshme për dhunën seksuale ndaj burrave dhe djemve, që ndodhi gjatë diktaturave apo luftërave në Kili, El Salvador, Greqi dhe në të gjithë ish-Jugosllavinë. Çfarë qe e paqartë ishte se sa i zakonshëm ishte ky krim.

Disa studime tregojnë se dhuna seksuale ndaj burrave mund të jetë jashtëzakonisht e lartë në raste lufte apo konflikti. Në El Salvador, 76% e të burgosurve politikë burra me të cilët studiuesit folën raportuan se kishin përjetuar një formë të torturës seksuale. Nga burrat që mbaheshin në një kamp të përqendrimit afër Sarajevës gjatë Luftës në Bosnje, 80% pranuan se kishin vuajtur një formë të abuzimit seksual.

Njohuritë e Rushitit, veçanërisht për Bosnjën e afërt dhe dhunën seksuale që ndodhi atje gjatë luftës, nënkuptonin se ishte pak a shumë e sigurt se disa burra dhe djem shqiptarë të Kosovës ishin viktima. Vite përpara se raportet e para nga të mbijetuarit burra të arrinin në QKRMT, ajo dhe personeli i saj si organizatë, ishin gjithmonë të kujdesshëm në përdorimin e termave neutralë ndaj gjinisë në deklaratat e tyre publike dhe private, për të mos nënkuptuar se vetëm gratë ishin viktima.

Më pas, në vitin 2018, QKRMT dhe organizata të tjera që punojnë me të mbijetuarat/rit e dhunës seksuale të kohës së luftës filluan të dëgjojnë më shumë histori të dhunës seksuale ndaj burrave.

Duke filluar nga ai vit, të mbijetuarat/rit e dhunës seksuale që lidhen me luftën, kishin të drejtë për të aplikuar për statusin e viktimave përmes një komisioni verifikues qeveritar, i cili u jep viktimave të drejtën për një pension mujor prej 230 eurosh. Kjo njohje zyrtare dhe mbështetje financiare, inkurajoi dhjetëra burra t’i tregojnë historitë e tyre dhe të kërkojnë ndihmë në organizatat e viktimave. Numri i grave të mbijetuara që kërkuan ndihmë te organizatat po ashtu u rrit.

Komisioni qeveritar i verifikimit u krijua në vitin 2017 dhe filloi punën vitin pasues. I përbërë nga nëntë përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile, komisioni vlerëson kërkesat për status zyrtar si viktimë e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Komisioni do të jetë aktiv deri në shkurt të vitit 2023. 

“Fakti që shteti e njeh dhimbjen tënde dhe ta validiton të kaluarën tënde, të shkëput sadopak nga vorbulla e traumës dhe të vendos në një pozicion tjetër”, tha Rushiti.

Veprore Shehu, drejtore ekzekutive e Medica Kosova, një organizatë me seli në Gjakovë, që punon me të mbijetuarat/it, ka vërejtur efektet e mbështetjes së shtetit.

“Nga pikëpamja emocionale dhe psikologjike, kjo njohje shtetërore të bën ta kuptosh se ajo çfarë ndodhi nuk ishte faji yt dhe se shteti e njeh këtë dhunë si mjet dhe strategji lufte”, tha ajo.

Deri më tani, rreth 50 burra janë paraqitur në QKRMT si të mbijetuar të dhunës seksuale. Më shumë se 10 janë paraqitur në Medica Kosova dhe rreth 20 në Medica Gjakova, organizatë tjetër me bazë në Gjakovë që punon me të mbijetuarat/it.

“Në fillim vjen njohja dhe më pas e pranojnë nevojën për mbështetje psikologjike”, tha Selvi Izeti, psikologe në QKRMT.

T’u dalësh në ndihmë të mbijetuarve

Gjykata Ndërkombëtare Penale i njeh përdhunimin, skllavërinë seksuale, prostitucionin e detyruar, shtatzëninë e detyruar, sterilizimin ose abortin e detyruar, gjymtimin seksual dhe torturën seksuale si forma të dhunës seksuale.

Dhuna seksuale e kryer ndaj burrave në zonat e konfliktit mund të marrë shumë forma. Ekziston përdhunimi oral ose anal, ndonjëherë i kryer me një objekt, si dhe sterilizimi i detyruar, si kastrimi ose lloje të tjera të gjymtimit seksual. Ekziston gjithashtu lakuriqësia e detyruar (shpesh e shoqëruar me kërcënime ose përqeshje), masturbimi i detyruar dhe dhuna gjenitale, që mund të përfshijnë goditje elektrike ose trauma e shkaktuar nga goditjet e dhunshme në testikuj ose penis.

Shehu nga Medica Kosova thotë se shumica e burrave që kërkojnë mbështetje psikologjike dhe sociale nga organizata e saj, kanë vuajtur nga një kombinim i të paktën dy llojeve të abuzimit  shpesh nga përdhunimi dhe goditjet në organet gjenitale. 

I mbijetuari burrë më i ri në moshë i dhunës seksuale gjatë luftës me të cilin ka punuar psikologja e QRKMT-së, Izeti, është një burrë që ishte vetëm 11 vjeç kur u dhunua. Bashkë me nënën e tij u morën dhe u mbajtën në një shtëpi, ku të dy u përdhunuan. Më vonë forcat serbe ia gjymtuan organet gjenitale djalit. Medica Gjakova është në dijeni të një incidenti tjetër ku nënë e bir janë mbajtur të robër dhe janë dhunuar.

“I mbijetuari më i vjetër me të cilin punoj aktualisht është rreth 70-vjeçar”, tha Shpresa Frrokaj, psikologe në Medica Gjakova. “Imagjinoje një i moshuar që tash është në pension dhe flet për këtë për herë të parë në jetën e tij. Jam e vetmja me të cilin ka folur. Kurrë s’ia ka përmendur askujt”.

Psikologët dhe studiuesit me të cilët K2.0 foli, pajtohen se njëra nga arsyet pse dhuna seksuale ndaj burrave dhe djemve nuk u raportua për kaq shumë kohë, është se shumë nga organizatat që merren me të mbijetuarat/it e dhunës seksuale u krijuan qartazi si organizata për të drejtat e grave, të përqendruara në të mbijetuarat gra. Prej organizatave në Kosovë, vetëm QKRMT kishte ekspertizë për të punuar me burra dhe përvojat e tyre traumatike për shkak të torturës.

“Të gjithëve na u desh të ndiqnim trajnime shtesë pasi Komisioni verifikues filloi punën dhe filluam t’i pranonim të mbijetuarit e parë burra të dhunës seksuale që vinin për të kërkuar ndihmë”, tha Frrokaj.

Një çështje shtesë që ia mundëson dhunës seksuale ndaj burrave të ikë pa u vënë re është se punëtorët humanitarë në terren, që punojnë pas luftës, janë të trajnuar kryesisht për të punuar me gra të mbijetuara.

“Ekziston një dritare mundësie për të folur që në fillim. Dhe nëse nuk ndodh, bëhet më e vështirë”, tha Heleen Touquet, profesore-vizitore në Universitetin e Antwerp dhe studiuese e lartë në Universitetin e Leuven, e cila hulumton dhunën seksuale ndaj burrave dhe djemve në zonat e konfliktit.

Ajo tha se punonjësit humanitarë mund të mos regjistrojnë lloje të caktuara të traumave te burrat, ose mund të mos dinë t’ua shtrojnë burrave pyetjet e duhura, që do të nxisnin raportim të dhunës seksuale. Në raste të tjera, të mbijetuarit burra që kanë kontaktuar një psikiatër janë ndierë të stigmatizuar sepse jo të gjithë profesionistët kanë marrë trajnimin e duhur për të punuar me ta.

Shumë burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë iu dëmtuan organet gjenitale dhe më vonë nuk ishin në gjendje të bëheshin prindër.

Përveç kësaj, dhuna seksuale shpesh klasifikohet vetëm si torturë. Për shembull, edhe pse gjymtimi gjenital është formë e përhapur e dhunës seksuale që e vuajnë shumë djem dhe burra në zonat e konfliktit, aktivistët dhe studiuesit që kanë punuar drejtpërdrejt me të mbijetuarit vërejnë se elementi seksual i dhunës shpesh anashkalohet, si nga organizatat humanitare ashtu edhe nga vetë viktimat. Touquet tha se shumë të mbijetuar kroatë të dhunës seksuale gjatë luftës në vitet e ’90-ta u goditën në organe gjenitale, por prapë i referoheshin aktit vetëm si torturë.

“Kjo është dhunë seksuale dhe ka pasoja të rënda për shëndetin riprodhues”, tha ajo.

Sipas organizatave me të cilat bisedoi K2.0, shumë burra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë, të cilëve iu dëmtuan organet gjenitale nga trauma e fortë ose shkarkimet elektrike, më vonë nuk ishin në gjendje të bëheshin prindër.

Touquet tha se dhuna që rezulton në reduktimin e qëllimshëm të kapacitetit riprodhues për një grup të synuar ose etni mund të shihet si “një lloj i dhunës gjenocidale”.

Një formë tjetër e zakonshme e dhunës seksuale e përdorur nga forcat serbe në Kosovë ishte detyrimi i njerëzve të dilnin dhe rrinin zhveshur në publik një lloj poshtërimi që shpesh nuk njihet si lloj i dhunës seksuale.

“Ka qenë një rast kur një çift, bashkëshorti dhe bashkëshortja janë detyruar të zhvishen dhe të qëndrojnë të zhveshur, teksa forcat serbe vetëm i kanë shikuar”, tha Izeti. “Ose një rast kur një numër të madh të burgosurve i kanë zhveshur në oborr të burgut”.

Anna Di Lellio, studiuese dhe sociologe, e cila është bashkëautore e një prej studimeve kryesore që tregon modelin e dhunës seksuale që forcat serbe përdorin sistematikisht, bashkë me vrasjet masive, si dhe djegien dhe plaçkitjen e pronës, dëgjoi një sërë rrëfimesh gjatë punës së saj në terren për burrat që u detyruan të rrinin zhveshur.

“Po intervistoja gra nga Drenica për një projekt tjetër, ato thanë se në këtë fshat, trupat serbe, para se t’i mblidhnin burrat, i detyronin të vallëzonin lakuriq”, tha ajo. “Kjo është dhunë seksuale. Është poshtëruese. Pastaj, i futën burrat në kamionë, u zhdukën dhe i vranë”.

Ajo thotë se këto lloj rrëfimesh ilustrojnë se si krimi i dhunës seksuale margjinalizohet në hierarkinë e asaj që është krimi më i rëndë i luftës humbja njerëzore.

“Burrat janë më të cenueshëm gjatë luftës sepse vriten. I kujtojmë si të vrarë, por jo të sulmuar seksualisht. Nuk e kujtojmë poshtërimin kundër dinjitetit të personit”, tha Di Lellio.

Abuzimi seksual në paraburgim

Lufta e Bosnjës vendosi një moment historik në drejtësinë ndërkombëtare duke e kategorizuar përdhunimin zyrtarisht si një krim kundër njerëzimit. Jo vetëm që e vuri dhunën seksuale ndaj grave dhe burrave në radarin e gjykatave dhe organizatave ndërkombëtare (që rezultoi në hetimin e parë të OKB-së për dhunën seksuale ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës), por gjithashtu vuri theksin te fakti se dhuna seksuale shpesh ndodh edhe në qendrat e paraburgimit dhe në burgje.

Ndërkohë në Kosovë, ende nuk dihet shkalla e saktë e dhunës seksuale ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës. Palët e interesuara po presin deri në përfundimin e mandatit pesë-vjeçar të Komisionit të Verifikimit përpara se ta nxjerrin një përfundim më të gjerë për nivelin e saj. Por është e qartë se, ngjashëm si në Bosnje, sulmet seksuale ndodhën shpesh në qendrat e paraburgimit, qofshin ato burgje, stacione policore apo mjedise të improvizuara. Ofruesit e shëndetit mendor me të cilët bisedoi K2.0 theksuan se kjo u ka ndodhur më shumë se gjysmës së të mbijetuarve burra me të cilët punojnë.

“Është evidente se shumë burra janë dhunuar seksualisht gjatë arrestimeve dhe ndalimeve arbitrare”, tha Selvi Izeti.

Ajo dha shembullin e një të mbijetuari me të cilin punon, i cili u largua nga një kolonë refugjatësh dhe u mbajt në një qendër paraburgimi të improvizuar brenda një shitoreje. Mbushur me dhjetëra burra të tjerë (ai i tregoi asaj se numëroi 99 të arrestuar), në fund kur u dërgua për t’u marrë në pyetje, ku edhe u dhunua seksualisht.

Nuk i tregoi kurrë askujt për abuzimin, as nuk ka parë apo dëgjuar për të tjerë që janë abuzuar seksualisht, por Izeti dhe burri nuk besojnë se ai ishte i vetmi në grup që e përjetoi këtë. 

Disa prova sugjerojnë se dhuna seksuale ndaj burrave dhe djemve shqiptarë të Kosovës në qendrat e paraburgimit dhe burgje ndodhën që prej para luftës. Bazuar në intervista dhe hulumtime, Touquet gjeti prova se policia jugosllave në Kosovë ka përdorur dhunë seksuale ndaj njerëzve në stacionet policore në vitet e ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta gjatë periudhave të trazirave politike. 

“E sheh këtë dinamikë të dëshirës për ta shtypur këtë nacionalizëm në Kosovë dhe më pas i shënjestron burrat e rinj, studentët e rinj dhe veçanërisht kjo i demobilizon ata, i demotivon”, tha Touquet.  

Ajo tregoi për një raport të Amnesty International nga viti 1993 që përfshin një certifikatë mjekësore nga Prizreni që thekson se një burrë, pasi u ndalua nga policia, u pranua në spital “për shkak të lëndimeve (çarje) në testikulin e majtë, e shkaktuar nga goditjet me shkop gome”. Burrit më vonë iu desh të hiqte testikulin me operacion. 

“Në Kosovë është tejet e qartë se kjo është pjesë e repertorit të dhunës — dhunë që e kanë përdorur para luftës dhe dhunë që e kanë përdorur gjatë luftës”, tha Touquet.

“Dhuna seksuale ndaj të burgosurve politikë ishte sistematike”

Behxhet Shala

K2.0 bisedoi me tre persona që janë mbajtur si të burgosur politikë në periudhën e vonë jugosllave për abuzimin seksual ndaj të burgosurve shqiptarë të Kosovës. Të gjithë thanë se janë në dijeni se disa burra janë abuzuar seksualisht në burgjet jugosllave.

“Njësoi si dhuna seksuale ndaj grave, që ishte sistematike gjatë luftës së fundit, dhuna seksuale ndaj të burgosurve politikë ishte po ashtu sistematike”, tha Behxhet Shala, ish i burgosur politik dhe drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), organizatë për të drejtat e njeriut, e themeluar në vitin 1989, më e vjetra në Kosovë.

Shala thotë se të burgosurit politikë shpesh i zhveshnin përpara se të merreshin në pyetje për ditë të tëra. “Kjo u bë diçka normale për aktivistët politikë”, tha ai.

Në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të KMDLNj-së, Shala ka dëgjuar rrëfime të burrave të cilët i detyronin të vendoseshin në pozita poshtëruese teksa ishin të zhveshur, burrave të cilëve u janë goditur organet gjenitale apo kanë përjetuar shok nga shkarkimet me rrymë, si dhe burra që janë përdhunuar nga të dënuar të tjerë me urdhër të rojeve të burgut.

KMDLNj ka mbledhur disa rrëfime të burrave që janë abuzuar seksualisht gjatë luftës në burgjet famëkeqe të Smrekonicës, Lipjanit dhe Dubravës dhe në qendrat më të vogla të paraburgimit dhe stacionet policore.

“Që nga përfundimi i luftës kemi pasur disa raste për të cilat kemi diskutuar këtu, por nuk i kemi regjistruar sepse [viktimat] nuk kanë dashur të mbesin në dosje”, tha Shala.

“Hera e vetme kur ndihem si para lufte” 

Tek pas vitit 2018 Bekimi tregoi për herë të parë historinë e të qenit i sulmuar seksualisht gjatë luftës. Ashtu si shumica e burrave të tjerë që treguan historinë e tyre, edhe ai filloi të fliste kur vendosi të kërkonte ndihmë dhe të njihej si viktimë e luftës. Si Arbeni, edhe ai shkoi tek zyrat e QKRMT-së disa herë para se ta gjente kurajon për të hyrë më në fund; kujton se iu deshën të paktën gjashtë përpjekje para se të hynte.

Në pranverën e vitit 1999, Bekimi (pseudonim) u arrestua në vendlindjen e tij, i akuzuar si bashkëpunëtor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe u mbajt në një stacion policor. Teksa ishte duke qëndruar në radhën e gjatë të të arrestuarve, duke pritur për t’u marrë në pyetje, dy zyrtar policorë e kapën dhe e futën në një tualet, ku njëri nga zyrtarët e policisë e përdhunoi.

Po atë ditë e burgosën nën akuzat për terrorizëm. Në fund të luftës u transferua në Serbi përpara se të lirohej nga qeveria jugosllave në vitin 2001, kur Beogradi miratoi një projekt-ligj për amnistim të disa qindra shqiptarëve të burgosur.

“Të gjitha ato burgime dhe tortura, por mendjen e kisha veç në atë ditë në polici”, tha ai. “Kurgjo s’është me të rreh”. 

Për herë të parë në dy dekada, seancat e terapisë në QKRMT u dhanë pak prehje Bekimit dhe Arbenit.

“E ndien një lehtësi kur flet me dikë që e di se çka ke përjetu dhe je i sigurt se nuk ka me folë”, tha Bekimi.

“Nganjëherë kur flas këtu për këtë dhe ndihem se më kanë kuptu”, tha Arbeni, “ndiej një lloj çlirimi të shkurtër dhe madje si rehati. Është hera e vetme kur ndihem si para luftës”.

Por secila ndjenjë e lehtësimit është e përkohshme, pasi ndjenja e poshtërimit dhe ankthit i ndjek në jetën e tyre të përditshme. Kjo ndjenjë ishte aq e fortë sa që Bekimi, me gjithë problemet financiare, pas luftës u shpërngul në një qytet tjetër nga frika se rrethi i tij do ta kuptonte se çka i ndodhi.

Të dy burrat përballen me mendime vetëurryese dhe të padëshiruara, që i shqetësojnë në publik dhe në vendin e punës. Si rezultat, të dy janë ballafaquar me vështirësi që t’i mbajnë vendet e punës.

“Kur shoh dy njerëz që flasin, menjëherë mendja më shkon se po flasin për mu. Se po tallen me mu. Se e dinë”, tha Bekimi. Ai shqetësohet aq shumë saqë shpesh është larguar papritur dhe pa shpjeguar dhe më pas nuk ka shkuar në punë për disa ditë. Kjo ka gjasë ta çojë drejt shkarkimit nga puna.

Shqetësimi i Bekimit se të tjerët mund ta shikojnë me përbuzje nuk është thjesht reagim ndaj traumës së tij; e ka të njohur faktin se shumë gra të mbijetuara të dhunës seksuale në Kosovë u shpërfillën dhe u braktisën nga bashkëshortët dhe familjet e tyre, u nënçmuan dhe u refuzuan nga fqinjët dhe komunitetet e tyre.

“Shpesh kam dëgjua burra që flasin aq rëndë për gratë që janë përdhunuar”, tha Bekimi. “’Me siguri vetë e kanë lyp’, thoshin ata”.

Edhe pse edhe burrat e edhe gratë që i kanë mbijetuar dhunës seksuale mund të përjetojnë turp, frikë, depresion apo mendime vetëvrasëse, puna e Izetit me të mbijetuarat/it tregon se të mbijetuarit burra të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës janë viktima të stereotipeve dhe presioneve specifike gjinore. Ata mund të ngurrojnë më shumë se gratë të flasin për përvojën e të qenit të viktimizuar, sepse kjo mund të mos përkojë me pritshmëritë rreth fuqisë mashkullore.

Teksa grave me të cilat ajo punon u nevojitet pak kohë për të filluar të flasin për përvojat e tyre traumatike, burrat zakonisht tërë seancës së parë ia kushtojnë torturës fizike dhe shmangin të folurit për dhunë seksuale.

“Burrat e kanë më të vështirë të të shohin në sy. Identiteti i tyre gjinor u kërcënohet duke u ndierë të zhburrëruar dhe të feminizuar”

Selvi Izeti

“Burrat fillojnë të flasin për dhunën seksuale tek në fund të seancës së parë. Është shumë e vështirë për ta që ta verbalizojnë atë”, tha ajo. “Gratë të shikojnë drejt në sy dhe flasin. Burrat e kanë më të vështirë të të shohin në sy — i kthejnë sytë anash ose shikojnë poshtë. Identiteti i tyre gjinor kërcënohet duke u ndierë të zhburrëruar dhe të feminizuar”.

Izeti tha se ky dallim lidhet me ndjenjat e fajit. Gratë me të cilat punon priren të mos e fajësojnë veten dhe e kuptojnë dhunën që ka ndodhur si diçka jashtë kontrollit të tyre. Është shoqëria, ose familjet, ose burrat ose baballarët që ua ngarkojnë fajin grave dhe e shohin përvojën e grave si të turpshëm. Burrat, nga ana tjetër, e përbrendësojnë turpin dhe mendojnë se janë fajtorë që janë përdhunuar ose abuzuar, ose se nuk kanë qenë në gjendje të jenë “mjaftueshëm burra” për ta mbrojtur veten.

Kryerësit, tha Touquet, “përdorin tabunë që ekziston në shoqëri dhe i bëjnë njerëzit ta bartin turpin për gjithë jetën”.

Bekimi dhe Arbeni thonë se janë ndierë “më pak burra” dhe “të zhburrëruar” jo vetëm lidhur me sulmet e tyre, por edhe kur betejat e tyre me traumën e mëvonshme i kanë penguar për të funksionuar në jetën normale kur kanë pasur vështirësi për t’i mbajtur familjet e tyre, për t’u lidhur me gratë e tyre ose për t’u kujdesur për prindërit e tyre të moshuar dhe fëmijët e tyre. Bekimi fajëson veten se djali i tij nuk kaloi provimin pranues në universitet.

Pavarësisht këtyre sfidave, Bekimi mendon se gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës ndodhen në gjendje edhe më të rëndë. 

“Besoj se burrat i gjykojnë edhe ma shumë. Por megjithatë, unë vij këtu [në QKRMT] pa më pyet se ku po shkoj, sepse burrat zakonisht dalin pa tregu saktësisht se ku po shkojmë”, tha Bekimi. “Imagjinoje, një grua që vjen këtu, që duhet t’u tregojë të gjithëve në familje kur dalin jashtë. Veç imagjinoje se si është për ato që s’mund të lëvizin askund. Ato as nuk mund të kërkojnë ndihmë”.

Di Lellio thotë se rrëfimi i luftës çlirimtare burrërore nuk lë hapësirë për histori që kërcënojnë t’i feminizojnë burrat.

Touquet ka intervistuar edhe civilë edhe luftëtarë burra të mbijetuar të dhunës seksuale nga e gjithë bota dhe ka vërejtur se veteranët e kanë më të lehtë të flasin për përvojën, sepse përfshirja e tyre në luftë u ofron atyre një narrativë burrërore të patriotizmit dhe vetëflijimit që e bën dhunën seksuale që e pësuan më pak kërcënuese për burrërinë e tyre.

Megjithatë, ajo tha se narrativa për civilët dukej kësisoj, nëse “ke ikur dhe je dhunuar, atëherë je një burrë [i dobët] dhe ka kaq shumë turp”.

Në kontekstin e Kosovës, Di Lellio thotë se rrëfimi i luftës çlirimtare burrërore “nuk lë hapësirë  për cenueshmëri” ose për histori që kërcënojnë t’i feminizojnë burrat.

Di Lellio thekson se Memoriali i Reçakut, që përkujton masakrën ndaj 45 shqiptarëve nga forcat serbe, është ndërtuar krejt së fundmi dhe gjithmonë ka qenë nën hije të historisë së Prekazit, ku kreu i UÇK-së Adem Jashari dhe familja e tij luftuan deri në vdekje kundër forcave serbe. Rrëfimi dominues është “rezistencë deri në vdekje”, tha ajo, “epike dhe heroike. Jo një histori e njerëzve që u kapën dhe u vranë. Aq më pak ndonjë histori e burrave që u kapën dhe u abuzuan seksualisht”. 

Ky kontekst politik dhe kulturor mund ta kushtëzojë mënyrën se si të mbijetuarat/rit përfshihen dhe përpunojnë përvojat e tyre, argumentojnë Touquet dhe një bashkëautore në një raport të fundit. Sa i përket Arbenit dhe Bekimit, ata thonë se nuk do të jetonin në heshtje dhe izolim po të mendonin se përvojat e tyre do të dëgjoheshin pa gjykim e pa përqeshje.

Vetëm kërkojnë, tha Bekimi, që “njerëzit të mos tallen me ne, të mos na shohin me paragjykim. Veçanërisht burrat, sepse nëse [burrat] do të ishin mirëkuptues si gratë, betohem se do të shfaqesha në TV dhe do të flisja për atë çka ka ndodhë”.

 

Feature image: Dina Hajrullahu / K2.0.