Para pak ditësh, zbulova se ka diçka që quhet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.
Edhe pse si qytetare e Bosnjës e Hercegovinës kam jetuar në një vend që ka kaluar nëpër “procesin e demokratizimit” të udhëhequr nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë gjatë 20 viteve të fundit, kurrë më parë nuk kisha dëgjuar për këtë ditë. Edhe tani, nuk e kuptoj plotësisht se me çfarë ka të bëjë.
Për të mësova në të njëjtën ditë kur po marshoja bashkë me mijëra njerëz në Vjenë, Austri, pas katastrofës së fundit në Lesbos të Greqisë, ku kampi Moria sapo ishte djegur. Njerëzit përreth meje po brohorisnin “Tullë pas tulle, mur pas muri, kalanë e Evropës rrëzojeni”, dhe “Kemi vend”. Ata po i referoheshin faktit se BE-ja dhe pjesa tjetër e Evropës ka vend të mjaftueshëm për t’i pranuar të gjithë ata që migrojnë për çfarëdo arsyeje, dhe se këta njerëz nuk duhet të jetojnë në kampe të tejmbushura e poshtëruese si ai në Lesbos.
Protesta të ngjashme po mbaheshin njëkohësisht në qytete tjera të BE-së, dhe marshet vazhduan gjatë ditëve në vijim, me të njëjtat kërkesa dhe thirrje. Po të përmblidheshin në një fjali të vetme, ajo do të ishte: e duam një Evropë tjetër, që është e hapur për të gjithë. Dhe kjo fjali vjen nga populli — demosi — i BE-së.
Një ditë pas marshit në Vjenë më erdhi një email. Ishte një deklaratë dërguar shumë gazetarëve në të gjithë botën dhe përmbante një mesazh nga liderët e BE-së.
Në letër, Përfaqësuesi i Lartë/ Zëvendëspresidenti Josep Borrell dhe Zëvendëspresidentja Dubravka Šuica, theksojnë se njerëzit në të gjithë botën po protestojnë, “shpesh duke rrezikuar veten”, për demokracinë.
“Nga Hong Kongu në Liban, nga Bjellorusia në Sudan, prapa titujve dhe shifrave qëndrojnë njerëz të guximshëm dhe kurajozë nga të gjitha prapavijat. Ne shprehim nderimin tonë për ta dhe e ndajmë të njëjtin përkushtim ndaj demokracisë”, shkruanin ata.
Sentimenti, natyrisht, është për t’u lavdëruar, por formulimi i deklaratës shquhet për atë që lë jashtë.
Në të nuk përmendet as edhe një vend i vetëm në BE, edhe pse protesta të natyrave të ndryshme dhe nga grupe të ndryshme ndodhin pothuajse çdo ditë në shtetet që e përbëjnë atë. A nënkupton kjo se këta liderë nuk e dëgjojnë zërin e njerëzve të cilët i paguajnë dhe që në mënyrë demokratike i kanë zgjedhur? Janë të shumtë ata që kërkojnë më shumë demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave të njeriut, njëjtë si njerëzit në rrugët e Hong Kongut, Libanit, Bjellorusisë, dhe Sudanit.
Dhe, sikurse në Hong Kong apo Bjellorusi, dhuna policore nuk është e pazakontë, madje as në BE.
Parisi është vetëm një nga kryeqytetet e BE-së ku dhuna policore gjatë protestave është bërë pothuajse normë. Në Bruksel, në zemër të Bashkimit Evropian, njerëzit janë viktima të brutalitetit policor dhe racizmit. Dhe në rrugët e Athinës, “vendlindjen e demokracisë”, Amnesty International ka tërhequr vërejtjen për “probleme sistematike në policinë greke në lidhje me dhunën dhe pandëshkueshmërinë endemike”; njerëzit atje po mbrojnë të drejtën e tyre për protestë pasi qeveria greke së fundi prezantoi një ligj të ri, në përpjekje për ta kufizuar atë.
Pastaj në ishullin Lesbos njerëzit janë të ngujuar pa mundësi për t’u larguar apo për të jetuar një jetë normale, duke kërkuar për vite të tëra asgjë më pak se lirinë. Po, ata nuk janë qytetarë të BE-së, por janë të njëjtit njerëz të cilëve u është thënë pa ndërprerë se Perëndimi nënkupton demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Duke pasur këtë parasysh, kam përshtypjen se Šuica dhe Borrell me të drejtë theksojnë se “polarizimi po rritet, ndërsa besimi i njerëzve në institucionet dhe praktikat demokratike po dobësohet”. Vetëm se nuk jam e sigurt nëse ata janë të vetëdijshëm sa serioze është kjo situatë brenda vetë BE-së.
Mbase është koha të fillojnë ta bëjnë pikërisht atë që e thonë.
Përreth meje atë ditë, në kryeqytetin e një prej shteteve anëtare të BE-së, mund të shihja dhe dëgjoja se ka shumë njerëz aty që nuk u besojnë liderëve të tyre dhe kërkojnë ndryshim.
Më bëri përshtypje, gjithashtu, se si dukej që askush nuk i dëgjonte ata.
Pas tetë muajsh në Sarajevë, e izoluar në Bosnjë e Hercegovinë për faktin se kam pasaportën e gabuar e cila nuk demonstron rezistencën time ndaj COVID-19 (njerëzit me pasaporta të BE-së ende mund të udhëtojnë më lehtë se ata me pasaporta nga pjesa tjetër e Evropës), më në fund e kisha gjetur mënyrën për të bërë një udhëtim të shkurtër. Në Vjenë, pas dhjetë ditësh karantine të obliguar, pata mundësinë të takohesha me njerëz nga shtete të ndryshme anëtare, akademikë, avokatë, aktivistë dhe të tjerë nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile.
Për tri ditë biseduam për kufijtë e mbyllur dhe mungesën e demokracisë në Evropë dhe në të gjithë botën. Disa nga ta ishin të zemëruar, disa të lodhur nga betejat e vazhdueshme kundër vendimeve të padrejta të bëra nga institucione të ndryshme, disa të mërzitur, disa të zhgënjyer. Për shumë nga ta këto frustrime vinin nga fakti se liderët e tyre nuk i dëgjonin se çfarë kishin për të thënë.
Është i njëjti dëshpërim që e kam parë prej vitesh në Ballkan, apo për të cilin dëgjoj nga njerëzit që i takoj, të cilët nisen drejt BE-së pasi e lënë Marokun, Algjerinë, Libinë, Sudanin, Eritrenë, apo ndonjë vend tjetër.
Dhe në deklaratën e liderëve të BE-së nuk mund të gjendet pikërisht ky fakt se aktualisht njerëzit nuk po dëgjohen, pavarësisht pohimit të tyre se: “Duhet të dëgjojmë dhe të ndërtojmë besim”.
Mbase është koha të fillojnë ta bëjnë pikërisht atë që e thonë.
Por kjo nuk do të ndodhë. Të paktën jo së shpejti.
Liderët i informuan qytetarët e tyre se po punojnë në atë që quhet “Plani i Veprimit për Demokraci Evropiane” dhe detyra është “luftimi i dezinformatave, adaptimi ndaj zhvillimit të kërcënimeve dhe manipulimeve zgjedhore, si dhe mbështetja e medias së lirë dhe të pavarur në BE”.
Ata po ashtu u shkruan qytetarëve se “pa demokraci, paqe dhe stabilitet, zhvillimi afatgjatë dhe përparimi nuk mund të ekzistojnë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi pionierët e tyre”.
Për mua, e gjithë kjo tingëllon njëjtë si shumë nga premtimet boshe të bëra në vendin tim përgjatë dy dekadave të dhimbshme të procesit të demokratizimit. Të njëjtat fjalë boshe që përsëriten vit pas viti. Ndonjëherë nga zyrtarët e huaj në Bosnjë — të cilët na demokratizojnë — e herëve të tjera nga politikanët të cilët po demokratizohen.
Demokracia po ashtu imponohet kur nuk vjen me të vërtetë nga poshtë lart.
Sot i shohim rezultatet në Bosnjë, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit, ku demokracia, bile dhe vetë nocioni i saj, mezi mbijeton.
Ndoshta ka migruar si shumë nga qytetarët e vendeve tona? Apo mbase është kthyer mbrapsht nga kufijtë e BE-së e rrahur, e zhveshur dhe e lënë në pyjet afër Velika Kladuša, diku në Serbi, duke kërkuar ndihmë. E trajtuar njëlloj si gjithë ata njerëz të lënë në kufijtë e shteteve “vërtet” demokratike, si Greqia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Sllovenia dhe Austria.
Nga këndvështrimi im prej Ballkanit, diçka është seriozisht gabim në BE. Zërat e lartë dhe të qartë që jehuan përgjatë Vjenës atë ditë, duke tërhequr vërejtjen për kontradiktat në politikën kufitare të BE-së, nuk dëgjohen. Apo më mirë të themi injorohen.
Momentalisht, më shumë se 16,000 njerëz në Ballkan janë zyrtarisht të regjistruar si njerëz në lëvizje — numri i vërtetë i tyre është shumë më i lartë. Ata janë në vende të ndryshme, duke ëndërruar për kalimin e kufijve drejt BE-së, pa u lënduar. Shumë nga ta vijnë nga shtete që aktualisht po demokratizohen, vende ku metoda të ndryshme përdoren për ta imponuar demokracinë — sepse si çdo sistem apo besim, demokracia po ashtu imponohet kur nuk vjen me të vërtetë nga poshtë lart.
Në disa vende përdoret madje edhe forca ushtarake. Si në Bosnjë dhe Kosovë, ku intervenimi ushtarak ishte i nevojshëm për të ndalur krimet që po kryheshin në vitet e ’90-ta, por ku sot, pas më shumë se 20 vitesh nga përfundimi i luftërave, forcat ushtarake ndërkombëtare janë ende të pranishme për ta ruajtur demokracinë dhe paqen. Neve na është dashur të mësohemi me faktin se demokracia jonë nënkupton ushtarë të huaj të armatosur nëpër rrugë.
Kjo mjafton për të pyetur nëse demokracia ekziston në të vërtetë.
“Demokracitë” e tilla si kjo në të cilën jetoj, që krijohen në këtë mënyrë, pa përfshirje të vërtetë të popullatës në ndërtimin e një sistemi që funksionon, janë shpesh të rrejshme dhe nuk ofrojnë kushte të mira të jetës për qytetarët, ku ata do të mund të jetonin, të dashuronin dhe të jetonin lirshëm. Prandaj ne ikim. Migrojmë.
Vihemi në kërkim të demokracive “të vërteta”, si ato të premtuara nga BE-ja.
Por këto qeveri demokratike më pas vendosin se kush është migrant “i mirë” dhe kush “i keq”. Të mirët do të kenë qasje në azil apo në treg të punës. Ata që nuk janë “të mirë” mbesin të ngujuar në kampin Moria në Lesbos apo në ndonjë ishull tjetër grek.
Nëse kanë mjaftueshëm “fat”, disa nga ta do të arrijnë në Ballkan, ku Moria të reja po krijohen apo veçse janë gati. Si në kufirin e Bosnjës me Kroacinë, ku me mijëra njerëz janë lënë me vetëm kujdesin më elementar, apo edhe pa të. Nocioni i të drejtave të njeriut ka pak kuptim në këtë zonë kufitare.
Moria ishte kamp me mbi 13,000 njerëz të futur në një hapësirë të paraparë për 3,000 vetë. Një vend ku nuk kishte të ardhme. Madje edhe kur u dogj, e vetmja përgjigje nga BE-ja demokratike për gjithë vuajtjen e njerëzve ishte ndërtimi i një Morie të re, i një kampi të ri në Lesbos, ku njerëzit detyrohen, përsëri, të jetojnë në strehimoret e UNHCR-së — dhjetë në një tendë.
Kjo nuk ishte përgjigje vetëm ndaj njerëzve që janë detyruar të jetojnë në kushte të tmerrshme në Moria, por edhe ndaj atyre të cilët po marshojnë dhe po kërkojnë një BE tjetër dhe kufij të hapur.
Përjetimi i një ferri pas tjetrit në kufijtë e BE-së dhe brenda vetë kalasë së saj në vende si Moria, mjafton për të pyetur nëse demokracia ekziston në të vërtetë.
Por pastaj më bie ndërmend që BE-ja mund të jetë e zëshme, shumëngjyrëshe, e lirë dhe e hapur.
BE-ja në të cilën bëra pjesë për pak orë atë ditë (dhe me shtetësinë e pasaportën time të Bosnjës, kjo ishte më e shumta që mund të merrja) sigurisht që tregoi shenja pozitive të shpresës. Dhe dërgoi mesazhe shumë më ndryshe se ato në deklaratën për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë nga blloku i liderëve.
Andaj, mbase BE-ja duhet të kalojë nëpër procesin e demokratizimit? T’u kthehet rrënjëve themelore dhe të fillojë të ndërtohet nga poshtë lart.
Kësaj radhe, ne, njerëzit e demokratizuar nga e gjithë bota, do të mund të kontribuonim — nëse na lënë brenda — bashkë me njerëzit që marshojnë dhe thërrasin se “kemi vend”. Mbase ne do të bënim një punë më të mirë.
Imazhi i ballinës: Nidžara Ahmetašević / K2.0.