Biseda | Art

Lebibe Topalli: Muralet tona i kundërvihen zymtësisë së betonizimit

Nga - 14.08.2024

Bashkëthemeluesja e MuralFest flet për artin pamor dhe ndërthurjen e tij me identitetin urban e gjinor.

Qytetin e Ferizajit e kam pasur të fiksuar në mendje si një qytet ku mund të shkosh “me kry punë” — si një vend tranzit. Duke qenë prej qytetit të Lipjanit, kujtoj se lidhjet me Ferizajin kanë qenë kryesisht industriale, deri diku, edhe shëndetësore. Si urë lidhëse mes të dy qyteteve ishte segmenti hekurudhor Fushë Kosovë—Han i Elezit. Stacioni i trenit në Lipjan mbushej me udhëtarë qysh nga ora 7:00 e mëngjesit, me gra, burra e fëmijë — shqiptarë, romë e ashkali, që shkonin në Ferizaj, me kry punë. 

Disa për tregti, ndonjë përfitim të paktë material, disa për të marrë shërbime shëndetësore publike falas që ofroheshin në Ferizaj e i mungonin Lipjanit. Dy-tri herë më ka rënë edhe mua ta marr këtë udhë sa isha nxënëse. Treni linte shije të hidhur — fytyra të ngrysura që nguteshin, njerëz të hallosur që mezi mbërrinin deri tek ulëset e ndara si me dorë, vagonët për pasagjerët romë e ashkali veç, ato për shqiptarët veç.  

Për kohë të gjatë, Ferizajin e kam asociuar me këto ndjenja ngulfatëse dhe ngjyrë të përhimtë. Por, ky qytet ka ndërruar ngjyrë falë artisteve si Lebibe Topalli, bashkëthemeluese dhe udhëheqëse e MuralFest, organizatë që synon të jetë një platformë shprehëse e kauzave sociale përmes artit në mur. MuralFest, tash e nëntë edicione, është shndërruar në festival të përvjetshëm të Ferizajit, teksa qyteti tashmë është strehë e rreth 150 muraleve të dala nga ky kolektiv.

Studiuesi francez, Michel de Certeau, thotë se ecja e qytetarëve nëpër rrugët e qytetit përbën një nga aktet më rezistente kundrejt urbanizmit të ashpër, të thurrur nga strukturat e pushtetit, të cilat ndërtojnë metropole vetëm sa për të parë shoqërinë nga lart-poshtë. Por hapat, thotë Certau, kanë mundësinë t’iu ikin këtyre vëzhgimeve, duke u bërë simbol i sfidimit të hartës së urbanizmit të zbrazëtive. Këta hapa i ka inkurajuar arti i MuralFest, duke e bërë ecjen në qytet  jo vetëm akt të kalimit prej pikës në pikë, por edhe si përvojë të këndshme kundruese, pasuruese. 

Themelimit formal të këtij kolektivi në vitin 2016 i kanë paraprirë disa nisma komunitare të artisteve të Ferizajit, të cytura nga shpresa edhe dëshira për t’i kontribuar ndryshimeve të identitetit lokal, urban. Një ekip kreativ i të rinjve dhe të rejave, gumëzhijnë sipër lokalit të njohur ferizajas “N’dritare”, ku ndodhen zyret e MuralFest. Qysh prej aty, ky kolektiv, udhëhequr nga Lebibe Topalli, ka krijuar vegëza të ndërlidhjes së artit të tyre të rrugës me përditshmërinë e kontekstin shoqëror lokal të qytetarëve të Ferizajit. 

K2.0 foli me Lebibe Topallin, për të parë në retrospektivë e prospektivë punën mbrapa krijimit të këtyre vegëzave të shprehjes artistike, si dhe për ndërthurjet identitare, urbane e gjinore me artin pamor.

Mural nga Rema Salihu, në kuadër të edicionit “Her spotlight”. Fotografia: MuralFest

K2.0: Si u ngjiz dëshira për t’u shprehur përmes artit pamor te një vajzë 17-vjeçare, refugjate nga Ferizaji?

Lebibe Topalli: Me art jam lidhë qysh në luftë, si një vajzë refugjate nga Kosova në një kamp refugjatësh në Turqi. Krejt çka kam ditë me ba gjatë kohës sa kemi qëndru aty, ka qenë me gjetë lapsa apo ngjyra të ujit edhe me e pikturu realitetin e atyshëm. Si çdo njeri, po ma merr mendja, që këqyrë me gjetë diçka me hupë vëmendjen gjatë luftës. E pikturoja shatorin, kampin, në përgjithësi objektet që m’rrethonin. Komuna edhe stafi përgjegjës i kampit aty më patën organizu ekspozitën time të parë publike, atë të një refugjateje që pikturonte. Ka qenë e mahnitshme për mu, puna ime e parë në hapësina publike. 

Prej aty, s’i jam nda më artit, edhe pse në kohë lufte arti s’është llogaritë primar, e madje as pas saj. Kam pikturu edhe kur jemi kthy në Kosovë, pas luftës, tmerrin që e kam gjetë. I pikturoja objektet që ishte duke i rujtë KFOR në Ferizaj. Njerëzit më këqyrshin çuditshëm, nuk e kuptonin se çka jam duke ba unë, çikë, e re, në hapësina publike. Ka qenë një kontekst tepër i ndjeshëm. 

Pas një kohe, u regjistrove në fakultet të arteve në Maqedoni. Qysh rrodhi ky vendim? 

Nuk më patën pranu për pikturë në Universitet të Prishtinës. Por isha e vendosun me e ndjekë këtë drejtim, e dashuroja artin. Nana, duke e pa vendosmërinë time më tha: “Në Tetovë po flitet për njëfarë universiteti, shko provoje”. 

U kanë periudha menjëherë pas luftës, viti 1999, kur s’ke pasë mundësi me nxjerrë dokumente, e mu më ka pasë kalu afati i pasaportës jugosllave atëherë, ndërkaq pasaportat e UNMIK dolën më vonë [viti 2000]. Për të shku në Maqedoni, e kam pasë marrë pasaportën e motrës sime. I pata dredhë floktë, siç i kishte ajo, për me shku n’Tetovë vetë, pa kanë kurrë [më parë], menjëherë pas luftës, me dokumente të saj. 

Përfundova duke u pranu në fakultet. Dy vjet të tana kam udhëtu me ato dokumente, derisa u pajisa me pasaportë të Kosovës, vonë pas luftës.

Lebibe Topalli në fillet e karrierës së saj. Fotografia: Arkivi i Lebibe Topallit.

Si ishte konteksti kur fillove të bësh art në Ferizaj? Cilat ishin reagimet e para të ferizajasve kur të shihnin në skele, duke ndërhyrë në hapësirë publike?

Edhe pse artiste e re, menjëherë pata gjetë mënyra për me e kanalizu punën, sepse pas luftës, shpërthyen bizneset në Ferizaj. Njerëzit filluan me investu në reklama. U kthyen edhe shumë nga diaspora me jetu në Ferizaj, filluan me investu në qytet. 

Por përkundër që kisha punë, ka pasë raste kur jam dëshpëru shumë, se mendësia ka qenë tejet e vështirë me e përballu. Kam kalu nëpër provokime e paragjykime të ndryshme. Më kanë randu me fjalë e ngacmime, merrja komente tejet të vrazhda. Kur e mendoj tash, them kaq e fortë kam qenë!

Ka pasë momente kur mendojsha me e lanë krejt këtë punë. Është dashtë me ia riafirmu vetes tanë kohën që krejt çka jam duke ba, është që jam duke punu me majtë veten për studime, kështu që e gjejsha forcën, hipsha në skele e në krana, kurrë s’jam nalë, përkundër fjalëve të randa. 

Fokusi im ka qenë gjithmonë qyteti i Ferizajit. Si sot më kujtohet murali jem i parë i përmasave më të mëdha. Ka qenë një mural për komunën, që uronte vitin e ri të parë pas luftës. Pata bë një pano të madhe, që shkruante “Gëzuar Viti i ri në liri”, krahas një pikture. 

Qëllimi ka qenë, qysh atëherë, i qartë: me i dhanë ngjyrë qytetit të Ferizajit.

Pastaj bashkëthemelove MuralFest. Si u bë bashkë MuralFest, në ekip dhe kauzë?

Para themelimit të MuralFest, kishim nisë tashmë disa nisma artistike të vogla në hapësirat publike. Atë kohë, në të 2000-tat e hershme, isha në krye të shoqatës artistike “Zef Kolombi” në Ferizaj, me të cilën formuam një grup artistësh të rinj dhe filluam të pikturojmë nëpër disa pjesë të qytetit, siç ishte trafoja e vjetër dhe objekte betoni rreth rrugëve. 

Qëllimi ka qenë qysh atëherë i qartë: me i dhanë ngjyrë qytetit të Ferizajit. Kjo iniciativë u mirëprit, brenda e jashtë qytetit, gjë që na motivoi me kalu nga projektet e vogla në realizimin e veprave më të mëdha artistike në hapësira publike. 

Duke bë plan për një festival, më kujtohet që i pata thanë Naim Feratit, drejtorit të atëhershëm komunal për kulturë, rini dhe sport, që andërr e kam me punu në pesë mure njëkohësisht, edhe përnjëherë me i hjekë pesë skele, me e pa se qysh shndërrohet qyteti. Kjo andërr u bë, tash po punojmë në 10 skele, njëkohësisht.

Kështu kemi fillu MuralFestin, me një ekipë të organizatave e individëve artistë kryesisht, të cilët, disa ende janë pjesë e kolektivit të MuralFestit. Mua më zgjodhën si drejtoreshë. Edicioni i parë ishte nën menaxhimin e shoqatës së artistëve “Zef Kolombi” prej ku pastaj u pavarësuam si organizatë jo-qeveritare në nëntor të vitit 2016, ndërkaq bashkëthemeluese ishin Pranvera Sylejmani dhe Antigona Heta. 

Kemi ba çmos për këtë kolektiv, që funksionon më tepër në kuadër të dashnisë për art, sesa nga çfarëdo tendence financimi a qëllimi material. MuralFest u lind si rrjedhojë e këtyre nismave të vogla, mirëpo zhvillimin tutje ia atribuoj komunitetit të artistëve dhe këmbënguljes së kolegeve të mia, artisteve gra.

Artivistët/et e MuralFest Fotografitë: MuralFest

Sa është formësuar identiteti i MuralFestit krahas kauzave dhe temave të përvitshme që i keni përzgjedhur nëpër edicionet tuaja? Nga jashtë, duket se shpesh MuralFest po perceptohet tashmë si një kolektiv aktivistësh, të cilët po ndërthurrin revoltën qytetare me artin pamor. A është ky imazhi që keni dashur të krijoni për ekipin tuaj?

Ne funksionojmë tejet mirë së bashku, si një trup artistësh. Qëllimshëm, të rinjtë e MuralFest i quajmë Artivista — aktivistë përmes artit.  Ata janë të gatshëm për çfarëdo ndërhyrjeje, mjafton me i thirrë. Janë tejet të orientuar me i dhanë art komunitetit. Këtë ndërthurje e vërej sidomos tek vajzat artiste të Ferizajit, pjesë e MuralFest. Kam përshtypjen se ndërhyrjet në hapësira publike përmes artit pamor po u japin mundësinë të shprehin të qenit e tyre, në formë revolte, si gra e vajza të kësaj shoqërie, në mbështetje të njana-tjetrës. 

Natyrisht, nuk mendoj që artistikllëku ka gjini. Thjesht, nga shkëmbimi i përvojave me vajzat artiste në Ferizaj, po e vërej se ato janë më të gatshme e më këmbëngulëse të ndërthurin aktivizmin me artin, ndërkaq djemtë janë më hezitues në këtë aspekt. 

Ata sikur janë tërësisht komodë aty ku janë, ndoshta ndihen rehat me pozitën e tyre në shoqëri. Nuk e ndiejnë nevojën me reagu apo me mbështetë diçka, siç e ndiejnë vajzat, për shkak të pozitës së tyre më të cenuar.

Në mungesë të hapësinave horizontale të dedikuara për gratë, intervenojmë në hapësina vertikale, duke i vënë ato në qendër të artit tonë.

Në një vend si Kosova, ku hapësirat publike janë skajshmërisht të kufizuara për gratë, qysh nga faza të planifikimit të tyre urban e deri te përdorimi i tyre, qysh është me qenë artiste vizuale grua, që disi, po i rikrijon këto hapësira?

I kemi sfidu stereotipet gjinore, jo vetëm gjinorëzimin e hapësinave publike. Me pa vajza në skele, ka qenë diçka e pamendume për kontekstin shoqnor ferizajas. Tash më nuk është qaq e jashtëzakonshme, e kemi thy këtë barrierë. Por gjithmonë dikush duhet me bartë barrën e ndryshimeve. Jam e lumtun që unë i kam tejkalu fjalët e paragjykimet, e tash vajzat e reja bëjnë art nën kushte pak më të lehtësuara, përkundër që edhe ato ende përjetojnë ngacmime seksuale. Të paktën në Ferizaj, mund të them se puna jonë nëpër hapësina publike është normalizu. Ky nuk është domosdo rasti për vajzat artiste vizuale në komuna të tjera, ku ende vajzat artiste përjetojnë ngacmime seksuale.

Ne kemi dashtë me e sfidu edhe planifikimin e gjinorëzur urban, në disa murale, duke dashtë t’i portetizojmë gratë, në forma surreale, pasi s’i shohim mjaftueshëm të përfaqësuara në forma reale. Në mungesë të hapësinave horizontale të dedikuara për gratë, intervenojmë në hapësina vertikale, duke i vënë ato në qendër të artit tonë.  

Murali “Nyje” nga Dëbora Hetemi. Fotografia: MuralFest
Mural nga Virginia Bersabé, në kuadër të edicionit “Fragments of Utopia”.
Fotografia: MuralFest

Si ndërlidhen identiteti juaj si artiste me identitetin tuaj gjinor? A e redukton kreativitetin në fushën e artit pamor konteksti social e kulturor, i cili gratë tenton më shumë t’i mbajë brenda sferës private?

Është vështirë me navigu si artiste grua në shoqninë tonë. Identitetet tona gjinore luajnë rol tejet të fuqishëm në këtë pjesë. Por njeriu duhet me vendosë, çka po don me pasë prioritet.

Fatmirësisht, fmijtë e kanë pasë gjyshen me u kujdesë për ta, përkundër që nanën e tyne e kanë pasë në shumë raste jashtë. Në një rast, vajza më pat pyetë nëse e du më shumë punën apo ata, fëmijtë. Nuk u pata përgjigjë fare…nga mërzia. Jam mundu tan kohën mos me e dërgu presionin që e kam ndi në punë, në shtëpi. 

Tash pasi kanë kalu disa vite, shpesh them, ndoshta tash duhet me lanë festivalin, se është ba boll. Po mandej them, çka mundem me ba tjetër? Arti është pjesë e identitetit tim tashmë, s’mundem me u shkëputë. Veç kisha dashtë që kur flitet për artistët, me u pa prapavija edhe bagazhi i artisteve gra, këto lloj sfidash e mundi i tyre afatgjatë. 

Ështe e vështirë me ba një art kaq specifik si arti i rrugës, në një vend që s’ka fort kulturë arti, brenda një qyteti me mendësi pak më të ngushtë. Shtojau këtyre, të qenit grua artiste brenda kësaj shoqnie, që tenton me iu kundërvu barrierave kulturore, prezente në çdo hap që e bajmë.

Murali “Në hijen e dritës” nga Lebibe Topalli. Fotografia: MuralFest

A po mbërrin arti juaj ta prekë vetëdijen e burrave e grave të Ferizajit?

Qasja e festivalit tonë si tanësi, synon që qytetarët gra e burra t’i targetojë disi si në një mënyrë graduale, duke tentu me i vetëdijësu përmes artit. Ne e konsiderojmë që ndryshimet sociale, duan kohë me ndodhë. Edhe arti ynë si i tillë, disi e përcjellë transformimin e identitetit kulturor e shoqnor të Ferizajit, ndër vite. Edhe ne vetë kemi ndryshu, bashkë me Ferizajin. Kur e shohim sa kanë evolu veprat tona, në krahasim me artin tonë të mëhershëm, e vërejmë sa jemi rritë. Qytetarët po ashtu janë duke ndryshu, e duke u formësu, krahas artit tonë. Gjithkund, arti është pasqyrë e shoqnisë, edhe e ndryshimeve të saj. 

Filozofi Henri Lefebvre thekson se hapësirat e qytetit nuk janë fikse e të pandryshueshme, por lëvizin ndërmjet idesë dhe realitetit, mendimit dhe praktikës, si vepër arti dhe jo produkt i thjeshtë i strukturave ekonomike apo politike. A po shndërrohet qyteti në një vepër arti për kolektivin e MuralFestit, si kundërvënie ndaj këtyre strukturave? 

Qëllimi ka qenë pikërisht ky, me art, me e mbushë Ferizajin me rrëfime të qytetarëve. Historikisht, Ferizaji si qytet nuk ka pasë ndonjë pikë identifikuese, që me tërhjekë njerëz e turizëm. Ka qenë një qytet industrial, e madje ende identifikohet si qytet i biznesit. Qyteti ka qenë dhe vazhdon me qenë i mbushun me beton dhe ndërtime. S’kemi pasë reflektim serioz të kolektives e trashëgimisë kulturore. Po, e kemi pasë muralin e kamarierit tek hotel “Lybeteni” qysh prej të 61-tës, mirëpo tanë kohën e kemi pytë veten, çka përtej tij? 

Qysh me u identifiku qytetari me qytetin e vet, ku me i prehë sytë? Prandaj, na kemi dashtë me e shndërru qytetin e Ferizajit në qytet të storieve, që qytetarët me qenë të rrethum me art të sojit që nuk i mohohet askujt, edhe me u identifiku me të. 

MuralFest angazhon qytetetarët/et në planifikimin e veprave të tyre. Fotografia: MuralFest

Ferizaji tashmë njihet edhe si qytet i muraleve. Murali i  kamarierit është bërë shenjë identifikuese e qytetit. Edhe disa nga muralet tuaja ndoshta do të shndërrohen me kohë në trashëgimi kulturore të Ferizajit, si shprehje e identitetit kulturor të qytetit. Sa është në rrezik të cenohet një transformim i këtillë i artit në trashëgimi kolektive nga vrazhdësia e komerciales dhe burokracisë? 

Konteksti lokal i vetëdijes kulturore ende duhet të zhvillohet, në lidhje me artin dhe trashëgiminë kulturore. Konkretisht në lidhje me muralin e kamarierit, ne kemi pasë raste të mbulimit të muralit nga reklamat dhe materialet promocionale. Kjo gjë ka ndodhur edhe në fillim të këtij viti. Fatmirësisht, këtë vit kolektivisht kemi reagu, edhe reklama është hjekë nga pronari i objektit ku ndodhet murali, i cili është objekt privat. Këtë vit kemi qenë më në kontakt me fuqinë tonë si kolektiv artistik kundrejt mbrojtjes së artit në shoqëri. Por, nganjëherë e kam përshtypjen sikur kjo nuk po mjafton. 

Ende ndihemi sikur jemi të padukshëm, edhe s’po mbërrijmë me pasë mjaftushëm forcë sa me kontestu të bëma të këtilla, private e institucionale.

Murali “Rruga” nga Pranvera Sylejmani. Fotografia: MuralFest

Sa i përket muraleve tona, natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm që nuk llogariten të gjitha si trashëgimi shpirtërore e materiale. Disa madje, si pasojë e pozitës ku ndodhen kanë fillu të zbehen me kalimin e kohës. Por janë disa prej tyre, që kanë vlerë shpirtërore, e që do duhej të  vlerësohen prej profesionisteve të kësaj fushe si të denja për t’u ruajtur. Flas për shembull për muralin, të cilin e kemi bërë në kuadër të edicionit “HOME” të MuralFestit, autore e të cilit është Pranvera Sylejmani, tek hekurudha e Ferizajit. Murali paraqet stacionin e trenit, vendin ku refugjatët kosovarë përmes të njëjtit stacion janë nisë si refugjatë të luftës dhe janë kthyer si të tillë, kur ka mbaru lufta. Janë nisë me dhimtë e janë kthy me shpresë, në të njëjtën pikë. Për këso muralesh që rrëfejnë historinë, do të ishte mirë të krijohet një praktikë ruajtjeje. 

Duam që muralet tona disi të ngadhënjejnë mbi ndërtimet e qytetit, mbi betonin, duke e sfidu zymtësinë e tyre.

Si i përzgjidhni hapësirat në të cilat e reflektoni artin e juaj? Meqenëse secili edicion ngërthen një kauzë, a bëhet përzgjedhja e hapësirave duke synuar qëllimshëm vende që e “vlojnë” edhe e përcaktojnë diskursin publik?

Jo domosdo, sepse nganjëherë për shkaqe të ndryshme edhe nuk marrim leje nga banorët të bëjmë muralet në hapësirat që i caktojmë. Zakonisht artistët vetë i përzgjedhin lokacionet, duke i marrë parasysh edhe kushtet infrastrukturore që duhen për ta bë muralin. Të bëhet mani pak kjo, tanë kohën jemi duke ecë nëpër rrugë e duke skanu me sy vende ku mund të bëjmë art. Ka pasë edhe raste kur kemi zgjedhë hapësira publike të targetuara, për të ngritë diskutimin mbi disa çështje të caktuara. 

Cilin e shihni si qëllimin më esencial të muraleve tuaja? 

Ne jemi të bindun që qyteti reflekton qytetarët, është zgjatim i yni. Prandaj, duam që muralet tona disi të ngadhënjejnë mbi ndërtimet e qytetit, mbi betonin, duke e sfidu zymtësinë e tyre. 

Qëllimi jonë është të reflektojmë ndryshimin gradual të vetes, dhe të qytetit, herë të revoltuar e herë duke festuar identitete të ndryshme qytetare, kulturore, gjinore, përmes artit. 

Ne kemi dashtë t’i ofrojmë art secilit qytetar të Ferizajit, ta shndërrojmë qytetin në një galeri urbane. Askush mos me qenë i privum prej artit, as edhe personat e pastrehë, të cilët qëndrojnë nëpër nënkalime të Ferizajt. Nëpër këto nënkalime, muralet i kemi bë duke mendu edhe për ta. Edhe mesazhi është perçu. Qytetarët janë mishnu me muralet tona, nuk i dëmtojnë, i ruajnë. Ne pikërisht këtë kemi dashtë — që çdokush me pasë të drejtë me e shiju artin tonë. Kështu është pas inspiru edhe edicioni ynë “Fragments of Utopia”, për të gjetë mënyra të rikrijimit të Ferizajit, nga një qytet utopik i andrrave edhe imagjinatave tona, në një qytet real, me ngjyra, të jetueshëm për krejt.

 

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

Imazhi i ballinës: Nga arkivi i Lebibe Topallit

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.