Shtyp | Vitet ’90

Fjala e kryeredaktores

Nga - 26.04.2016

Vitet ’90 janë pjesë e dhimbshme e historisë së fundit, por një vështrim më i përafërt na ndihmon të kuptojmë identitetin tonë modern.

Gjithnjë e kam parë vetën si pjesë të një gjenerate që buron dhe u formësua nga vitet 1990. Në prag të fillimit të asaj dekade, isha shumë e re ta mbaja mend rënien e Murit të Berlinit, kur besohej se demokracia kishte korrur fitore në mbarë pjesën tjetër të Evropës, dhe shumë njerëz padjallëzisht besonin se kjo do t’i hapte një kapitull të ri projektit politik evropian i cili ishte “në ndërtim e sipër”. Isha gjithashtu shumë e re ta mbaja mend ngritjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet, si dhe fjalimin e tij në Gazimestan më 1989. Në këtë vend, ai e konfirmoi projektin e tij politik nacionalist I cili përveç se hoqi dyshimet se Jugosllavia ishte gati të shpërbëhej, shumë shpejt edhe u bë premisë mbi të cilën do të kryheshin fushatat e spastrimit etnik.

Mirëpo më kujtohet një natë e vitit 1990, kur isha 6 vjeçe dhe e mora lugën dhe tenxheren dhe dola në ballkon bashkë me dy motrat e mia më të mëdha, për ta goditur tenxheren dhe për t’i shkundur çelësat. Kjo ishte njëra prej shumë mënyrave përmes së cilave shprehej protesta në atë kohë. Tingulli metalik dëgjohej anembanë lagjes sonë në Prishtinë, dhe me shumë gjasë iu shtua kakofonisë së pakënaqësisë në mbarë qytetin; momentet e ngjajshme janë po ashtu pjesë e kujtimeve të njerëzve të tjerë në lidhje me dekadën në të cilën po hynim.

Në retrospektivë, nuk kam mundur ta kuptoj domethënien e asaj proteste. Por në prag të asaj dekade, isha edhe mjaft e rritur për ta ndjerë ndarjen etnike në shkollë, për të vijuar mësimin nëpër dhomat e ngjeshura të shtëpive — përfshirë edhe shtëpinë time — dhe për ta pasur një ndjesi pasigurie dhe frike ndërsa nëna ime dhe me mijëra prindër të tjerë e kishin humbur punën pasi ishin përjashtuar nga autoritetet serbe.

Në Kosovë, vitet ’90 filluan me vite protestash, dhe përfunduan me vite lufte. Vitet ndërmjet tyre mbahen mend si epoka e rezistencës — periudhë kur shqiptarët e Kosovës shpallën republikën e tyre dhe u organizuan si një sistem tërësisht paralel politik, ekonomik, kulturor e shoqëror, ndërsa iu mohoheshin të drejtat qytetare.

Shenjues të tillë historikë janë të rëndësishëm meqë ofrojnë pika reference sa i përket së kaluarës së vonë të Kosovës. Mirëpo sot, kujtesa kolektive e viteve ’90 tmerrësisht është tkurrur në data, ngjarje e heronj. Ajo i shpërfill rrëfimet shumështresore të cilat do të mund të ndihmonin në kultivimin, formësimin dhe nxitjen e një kuptueshmërie më të gjerë të identitetit të sotëm.

Në të njëjtën kohë, kjo revistë gjithashtu bazohet në besimin se vitet ’90 mishëruan një sere vlerash të cilat në masë të madhe kanë pushuar së mbizotëruari.

Dekada ofron një spektër të tërë përvojash, pikëvështrimesh dhe kuptimesh — rrëfime që në të shumtën e rasteve mbeten në harresë, heshten, shpërfillen apo thjesht margjinalizohen. Këto janë rrëfime të vendimeve të përditshme, vështirësive, aktivizmit e solidaritetit që në masë të njëjtë, në mos më shumë, flasin për faktin se rezistenca ishte gjithashtu personale, dhe se ajo shpërfaqej dhe zhvillohej ndryshe për njerëz të ndryshëm.

Këtë ofron ky numër i revistës, duke i vënë njëkohësisht këto rrëfime brenda kontekstit i cili e hartëzon dhe e rekontekstualizon kornizën e kësaj dekade. Storia jonë kryesore, “Kosova në vitet ’90: Mbijetesa dhe improvizimi”, (faqe 34), mbulon tërë dekadën dhe ofron vështrim të asaj se si qeveria serbe e instrumentalizoi dhe e zbatoi regjimin shtypës dhe se si u përgjigjën shqiptarët e Kosovës. Por kjo storie nuk heziton të kritikojë edhe udhëheqësinë shqiptare, e cila është e rëndësishme nga këndvështrimi i konstelacionit të sotëm të strukturave politike të cilat vazhdimisht orvaten të shtyjnë përpara dhe të imponojnë versionet glorifikuese të “së vërtetës” dhe “historisë”.

Në dritë të kësaj, më 1 tetor të vitit 1997, protestat studentore dhe aktivizmi njëdekadësh i grave duhet të jenë gjithashtu pjesë e referencave kolektive bashkëkohore të politikës së viteve ’90. Storia e parë (“Koha për të vepruar” — faqe 110) f let për protestën e udhëhequr nga studentët e cila kërkonte rezistencë aktive duke u nisur nga një kërkesë e thjeshtë për t’i rihapur hapësirat universitare dhe t’i kthehet secilit sfera publike; storia e dytë (“Duke luftuar shtypjen e dyfishtë” — faqe 116) tregon se si përpjekjet e sotme për t’i thyer barrierat gjinore janë pjesë e një tradite më të gjatë të aktivizmit, ku vitet e ’90 janë tejet domethënëse.

Në të njëjtën kohë, kjo revistë gjithashtu bazohet në besimin se vitet ’90 mishëruan një sere vlerash të cilat në masë të madhe kanë pushuar së mbizotëruari. Vlerat e tilla shpërfaqen në storiet tona të profileve — siç është Fatime Boshnjaku, aktiviste humanitare nga Gjakova, e cila përmes Shoqatës “Nënë Tereza” ndërmori rreziqe të mëdha personale për të organizuar furnizime të ndryshme për fshatrat e komunës së saj (“Dëshmitare e luftës” faqe 100). Koleksioni jonë i fotografive, i mbledhur nga arkivët personalë, të mësimeve nëpër shtëpi private, flet për një solidaritet e vullnetarizëm të hatashëm — pa kurrfarë përfitimi personal — i cili siguroi që arsimi të vazhdonte kur po ndalohej qasja në shkolla (“Mësim në shenjë solidariteti” — faqe 71). Disa zëra opozitarë në Serbi gjatë viteve ’90 gjithashtu nuk duhen anashkaluar, dhe storia jonë “Gratë në të Zeza” i jep një përshkrim atyre të cilët guxuan të kundërshtonin (“Ngjyrat e rezistencës” — faqe 122).

Dy storie tjera sjellin më mend ndikimin e fushatës ajrore të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, intervenim që sinjalizoi fillimin e fundit të luftës në Kosovë, e cila la mbi 13,000 të vrarë ndërsa me mijëra njerëz u përzunë nga shtëpitë e tyre. Të dy storiet vinë nga Ferizaji; e para është një rrëfim i një djaloshi shqiptar i cili po largohej bashkë me familijen e tij në prag të përshkallëzimit të luftës (“Ikja për mbijetesë” — faqe 139); ndërsa storia e dytë paraqet rrëfimin e një djaloshi serb i cili plot me habi po i shikonte dëbimet e shqiptarëve, para se edhe ai vetë të detyrohej të largohej (“Kur lufta vjen në qytet” — faqe 142).

Derisa gjithë këto storie ndodhin brenda sfondit të një regjimi shtypës, ato takohen në një pikë të përbashkët: tek beteja dhe rezistenca për drejtësi sociale, integritet politik dhe barazi qytetare. Për këtë arsye storiet e këtij numri në pak raste shtrihen përtej vitit 1999; ato përfundojnë në atë moment. Duke mos e humbur këtë fokus, shpresojmë se lexuesit do ta gjejnë veten brenda ngjarjeve për të cilat lexojnë, duke i përcjellur individët teksa i kujtojnë përpëlitjet e tyre dhe duke u bërë pjesë e kujtesës të cilën e kanë njerëzit kur e kujtojnë dekadën e shkuar të viteve ’90. Po ashtu shpresojmë të nxisim debat të mëtutjeshëm që përfundimisht çon drejt dokumentimit të shtuar të asaj kohe.

Në vitet ’90, shenja e fitores me dy gishta simbolizoi thirrjen për liri dhe demokraci. Për më tepër, ajo përfaqësoi një formë solidariteti, ndërsa njerëzit që udhëtonin nga njëri qytet në tjetrin shkëmbenin shenja fitoreje me të tjerët të cilët u kalonin pranë. Unë nuk ndjej kurrfarë nostalgjie për vitet ’90 kur më kujtohet se jeta e përditshme bëhej pre e ndonjë forme të shtypjes. Por rëndësia e kësaj dekade në formësimin e kohës ku jemi sot nuk duhet nënvlerësuar.

Së fundmi ka filluar të shfaqet një diskutim më ndryshe rreth asaj se çka simbolizuan vitet ’90 në aspektin e organimizit politik, rezistencës kulturore dhe kohezionit social. Besoj se diskutimet e tilla të cilat g jithashtu kërkojnë të theksojnë përpjekjen për drejtësi sociale, barazi dhe liri individuale, burojnë nga përshtypja se republika demokratike e kërkuar gjatë viteve ’90 nuk u bë realitet pas vitit 1999.

Në njërën anë, gjatë viteve ’90, individi kufizohej në masë të madhe përmes praktikës politike dhe narrativave të pjesëmarrjes për një kauzë më të madhe të pavarësisë, dhe identiteti në masë të madhe tkurrej në definicionin e identitetit nacional. Por në anën tjetër, liritë individuale gjithashtu u kërkuan përbrenda një negociimi të vazhdueshëm ndërmjet ideve dhe praktikave të traditës e modernizmit, komunitetit, familjes e shoqërisë civile.

Negociime të tilla duhen njohur dhe nuk duhen fshirë, sepse ato ofrojnë vizione kuptimplota të së kaluarës. Për më tepër, ato ndihmojnë të kuptohet se “kontrata” ndërmjet një republike dhe qytetarëve të saj kërkon sfidim të vazhdueshëm për të siguruar se diversiteti — qoftë nga këndvështrimi i zërit, përvojave apo i të kuptuarit — ekziston.

Pikërisht këtë synojmë të bëjmë përmes koleksionit tonë të edicioneve të shtypura të revistës. Edicioni debutues “Imazhi” vuri në pah faktin se një debat dhe kritikë më e madhe nga brenda është thelbësore për formësimin e republikës së pavarur të Kosovës. Megjithatë, ky numër gjithashtu kritikoi idenë e Kosovës si një shtet “të posalindur”, e cila narrativë tenton të fshijë çfarëdo lidhje me kujtesat dhe përvojat e së kaluarës.

Ky edicion i dhjetë shënon edhe fundin e këtij koleksioni; ai mbyllet me temën e cila na mundëson t’I vizitojmë sërish disa përvoja dhe t’i vendosim Brenda sferave publike moderne me qëllim që të vazhdojmë debatin lidhur me të ardhmen e republikës.

Si medium, revista Kosovo 2.0 është thirrur në përgjegjësi sociale, duke mos harruar asnjëherë, se qytetarët, dhe rrëfimet individuale, janë dhe duhet të jenë në qendër të çdo mediumi serioz. Puna jonë është bazuar në vendosmërinë për të dokumentuar rrëfimin e Kosovës, por gjithashtu jemi përpjekur ta shtyjmë përpara diskutimin që nuk kufizohet vetëm brenda vendit. Kemi eksploruar njohuri të zhvillimeve të tashme dhe të kaluara në sfera sociale, ekonomike dhe politike në nivel global si dhe në nivele më lokale, përfshirë edhe gërshetimet ndërmjet tyre.

Me këtë përmbledhje, rrëfimet për dhe nga Kosova nuk ekzistojnë brenda një vakumi dhe as nuk shërbejnë për të definuar një vend të pasluftës a një shoqëri në tranzicion. Këto janë rrëfime të përpjekjeve të përditshme politike e sociale me të cilat shoqëritë anembanë globit ballafaqohen shumë e më shumë, duke luftuar njëkohësisht për të drejta individuale në një botë e cila është e polarizuar si kurrë më parë.

Koleksioni Kosovo 2.0 mbështetet në bindjen se mediat janë pjesë e sferës publike, dhe si të tilla, narrativat nuk janë as të përveçme as të njëtrajtshme, por të përbëra nga një grumbull identitetesh e përvojash. Këtë e ofron ky edicion, ashtu sikur edhe të gjitha edicionet e shtypura. Dhe pikërisht kësaj do të vazhdojë t’i përmbahet Kosovo 2.0 si revistë online.