Pikëpamje | Turizmi

Letër nga Ksamili

Nga - 24.08.2023

Krijimi i rendit në mes të kaosit.

Ksamil, Shqipëri, 2017.

Në një rrugicë të fshehur, pranë rrethrrotullimit kryesor të Ksamilit, një derë në formë harku e mbuluar me hardhi të purpurt bougainvillea ta zë syrin. Pranë shkurres bougainvillea, një punishte e vogël që shet punime artizanale është e zbukuruar me një mozaik të zogut të parajsës, një imazh ikonik i parkut arkeologjik të Butrintit, i cili është nën mbrojtjen e UNESCO.

Kur hyra për herë të parë brenda asaj prone, më kaploi një ndjenjë e rendit dhe qetësisë. Oborri i këndshëm dukej si një oazë e qetë, ndryshe nga çdo gjë tjetër që kisha parë në Ksamil. Kopshti rrethonte shtëpinë dy-katëshe të Agur dhe Suzana Kapo, banorë të Ksamilit që nga fillimi i viteve 2000.

Biznesi kryesor familjes Kapo është ofrimi me qira i disa dhomave për turistët gjatë verës. Për ta plotësuar periudhën jo-sezonale, ata krijojnë vepra artizanale gjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar materialet vendase dhe duke shfaqur pamje të gërmadhavee të Butrintit.

Ishte shkurrja bugainvillea ajo që më tërhoqi drejt shtëpisë, por janë kopshti, çifti dhe dashuria e tyre për punishten e tyre ato që më bëjnë të kthehem ndër vite.

Ndjenja e rendit dhe rregullit në pronën e familjes Kapo është në kontrast të thellë me çrregullimin dhe ndërtimet e pafundme në pjesën tjetër të Ksamilit, që karakterizohet nga rrugë të papërfunduara, ndërtesa të pambaruara dhe të rrënuara pranë hoteleve të reja me shkëlqim, mungesë pemësh dhe hijesh, si dhe restorante e klube të shtrenjta buzë detit. Shpesh pyes veten pse qyteti vazhdon të duket si punë e pakryer  qe tridhjetë vjet pas fillimit të migrimit dhe turizmit. Dhe si është e mundur që njerëzit si Kapo vazhdojnë të lulëzojnë në mes dhe pavarësisht kaosit?

Ksamili është shndërruar me shpejtësi nga një bregdet i paprekur, në një “fshat socialist model” dhe zonë ushtarake, në një destinacion turistik.

Historia e jetës së familjes Kapo është e ndërthurur me zhvillimet kontradiktore urbane në Ksamil. Është histori që flet për valët e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe për shndërrimin e Ksamilit nga një bregdet i paprekur, në një “fshat socialist model” dhe nga zonë ushtarake, në një destinacion turistik. Kjo është po ashtu histori e punës së emigrantëve, zgjuarsisë dhe krijimtarisë sipërmarrëse që janë zhvilluar si antidotë ndaj kushteve të pasigurta dhe të vështira të jetesës në rivierën jugore shqiptare.

Një oazë midis kaosit

Po hulumtoja rreth hovit të ndërtimit në rivierën jugore kur u njoha për herë të parë me kopshtin e familjes Kapo, në verën e vitit 2015. Shumica iu referuan qytetit me emrin Kabul, kryeqyteti afgan që në atë kohë i vërshonte lajmet për bombardimet e veturave dhe sulmet ushtarake. Shtëpitë ndërtoheshin në çfarëdo trualli që mund të zaptohej, nuk kishte plan urbanistik, disa shtëpi ishin gjysmë të përfunduara për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore ose mungesës së parave. Një bastisje për ndërtime “joformale” kishte shkatërruar rreth 200 shtëpi të tilla, me ç’rast një pjesë e madhe e rrënojave mbetën aty. Rrugët ishin kryesisht të pashtruara, shumë prej trotuareve të pakta ishin të mbuluara me plehra.

E kam vizituar rregullisht familjen Kapo që nga viti 2015. Sa herë që i vizitoj vërej ndryshime. Në vitin 2015, në pronën e tyre nuk kishte shumëçka pos rezidencës personale të familjes. Në vitin 2017, veranda në katin e dytë u kthye në një apartament shtesë për turistët. Në vitin 2022, Kapot kishin instaluar pajisje të reja në dhomat e turistëve.

Edhe Ksamili ka ndryshuar. Një shëtitore e re i dha qytetit hapësirë për ritualin e xhiros së mbrëmjes, një element i rëndësishëm i urbanitetit mesdhetar. Restorantet e lira në qendër të qytetit plotësojnë nevojat e familjeve turistike me buxhet të ulët, nga Kosova, Maqedonia dhe Polonia, ndërsa restorantet luksoze buzë detit joshin të moshuarit italianë dhe francezë.

Gjatë vizitës sime të fundit, u ula një mbrëmje tek punishtja, për të biseduar me Suzanën, gjersa ajo ngjyroste lëvozhgat e vezëve për magnetët që po i punonte. E pyeta se si e ndërtuan shtëpinë.

“U vendosëm këtu në fillim të viteve 2000. Blemë një truall. Pa letra, kështu funksiononte në atë kohë. Dhe pastaj filluam ta ndërtonim shtëpinë, pak nga pak”, tha ajo, “Na u desh një vit për ta ndërtuar katin e parë. Katin tjetër dhe dekorimet i shtuam më vonë”.

Suzana Kapo punon në punishten e artizanaleve të familjes. Fotografia: Smoki Musaraj.

Procesi i ndërtimit të shtëpisë  “pak nga pak”, duke shtuar një kat, një apartament, një dekorim, kohë pas kohe, gjatë disa viteve, pasqyron një model të përhapur të ndërtimit informal në Shqipëri. Emigrantët e brendshëm shpesh ndërtojnë shtëpitë e tyre pa marrë kredi bankare dhe përfshirjen e ndonjë arkitekti/eje apo inxhinieri/eje. Është proces ndërtimi i çrregullt, i formësuar nga flukset e parregullta dhe të paparashikueshme të remitancave dhe punët afatshkurtra në zonë.

Pasiguria dhe paparashikueshmëria në ndërtim i nënshtrohet edhe natyrës së paqëndrueshme të shtetit dhe sundimit të ligjit. Banorët e Ksamilit shprehin mosbesim të thellë ndaj shtetit. “Shteti është, shteti nuk është”, thotë Aguri. Legalizimi dhe të drejtat pronësore vazhdojnë të mbesin punë të papërfunduara në vend, 30 vjet pas rivendosjes së të drejtës në pronë private.

Shumica e ndërtesave informale në Ksamil janë legalizuar, pra kanë marrë tapitë e ligjshmërisë. Këto valë legalizimi shpesh ndodhin pak para zgjedhjeve, duke shërbyer si mekanizëm për blerjen e votave. Megjithatë, procesi i legalizimit ka qenë i pabarabartë dhe i paplotë. Disa shtëpi ende nuk kanë tapi dhe, siç shpjegoi Aguri, “kur një parti e re vjen në pushtet, ajo mohon të drejtat e atyre që i kanë marrë këto legalizime më herët”. Konfliktet pronësore që lindin nga këto mospërputhje midis ligjit dhe praktikës shpesh kanë vënë ballë për ballë fqinjin kundër fqinjit, të afërmit kundër të afërmit.

Të ardhurat e paqëndrueshme dhe mosmarrëveshjet pronësore kontribuojnë në peizazhin e pazgjidhur të Ksamilit, të cilin Francesco Vietti e përshkruan si peizazh post-socialist, me mbetjet e qytetit socialist ende në pah, por të pushtuara nga valët e shumta të ndërtimeve dhe rrënimeve të pas të të ‘90-ve.

Nga zonë ushtarake në destinacion turistik

Ndryshe nga fshatrat përreth, që e gjurmojnë historinë e tyre përgjatë brezave të shumtë të vendbanimeve njerëzore, Ksamili është produkt i eksperimentimit social të shekullit XX, inovacionit bujqësor, mbikëqyrjes së qeverisë dhe migrimit masiv.

Qyteti është i vendosur në detin Jon, përtej një kanali të ngushtë nga Korfuzi, vetëm pak kilometra nga kufiri tokësor shqiptaro-grek. Deri në mesin e shekullit XX, Ksamili ishte tufë e pabanuar gjiresh, kodrash dhe ishujsh të vegjël. Në vitet e ’60-ta, pas një vizite nga ish-diktatori Enver Hoxha dhe lideri sovjetik Nikita Khrushchev, u hartua një plan për ta ngritur një “fshat socialist model”.

I vendosur shumë afër kufirit me Greqinë, Ksamili ishte zonë ushtarake nën regjimin komunist.

Fshati u ndërtua nga anëtarët/et e një kooperative të sapothemeluar — shumë prej të cilëve ende jetojnë në Ksamil — të ardhur nga fshatrat malore të Tepelenës dhe zona të tjera të thella. Anëtarët/et e kooperativës, por edhe punëtorët/et e detyruar/a, mbollën dhe mirëmbajtën ara të ullinjve e agrumeve. Gjurmët e arave vërehen në skaj të qytetit edhe sot e kësaj dite, megjithëse shumica u mbuluan nga ndërtimet e reja.

I vendosur shumë afër kufirit me Greqinë — një vend me të cilin Shqipëria ishte zyrtarisht në luftë, gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX — Ksamili ishte zonë ushtarake nën regjimin komunist. Lëvizja ishte e kufizuar dhe të gjithë ishin nën vëzhgim.

Banorët e hershëm përshkruajnë rojtarët që patrullonin fshatin vazhdimisht gjatë natës, patrullat kufitare, tensionin e vazhdueshëm. Statusi i zonës ushtarake bëri që Ksamili të jetë i paarritshëm për popullsinë e përgjithshme të Shqipërisë. Kishte një hotel turistik në pronësi të shtetit, por vetëm zyrtarët e nivelit të lartë kishin qasje.

Në vitet e ’90-ta, me rënien e sistemit komunist, Ksamili u shndërrua në një qytet krejtësisht të ri. Familja Kapo ishin disa nga të ardhurit e parë të rinj në vitet 2000 dhe ata e kanë përjetuar rritjen e fshatit nga 2,000 në 9,000 banorë.

Familja Kapo identifikohen si çamë, një grup etnik me origjinë shqiptare, që u spastrua etnikisht nga Greqia veriore. Shumë nga fshatrat përreth kanë qenë historikisht të banuara nga çamët. Pas heqjes së rregullave të rrepta të qëndrimit në vitet e ‘90, shumë prej këtyre banorëve çamë u shpërngulën në Ksamil. Të tjerë banorë të rinj erdhën nga i gjithë vendi.

Emigrantët e brendshëm, ata të vjetrit dhe këta së fundmi, sollën identitete të shumta fetare dhe shtëpi adhurimi fetar në Ksamil. Kjo llojllojshmëri etnike, rajonale dhe fetare është veçori unike që e dallon qytetin nga fshatrat e tjerë turistikë të rivierës jugore, si Dhërmiu dhe Vuno/Jale, ku dominojnë kishat ortodokse. Familja Kapo, të cilët janë myslimanë dhe kanë banuar në rajon për breza të tërë, mendojnë se Ksamili u përket më shumë njerëzve si ata, sesa emigrantëve të fundit të ardhur nga zonat e largëta.

Ksamili është kthyer në destinacion turistik ndërkombëtar, i njohur për ujërat dhe plazhet mahnitëse. Fotografia: Creative Commons.

Një nga arsyet pse Ksamili u zhvillua kaq shpejt në dy dekadat e fundit është mungesa e banorëve historikë. Ndryshe nga vendet ku pronarët e tokave para komunizmit, ose pasardhësit e tyre, kishin pretendime për tokat që ishin sekuestruar nga shteti, statusi i pazgjidhur më herët i Ksamilit nënkuptonte se ishte i hapur për njerëzit, që të uzurponin toka dhe të ndërtonin vendbanime.

Një industri e turizmit filloi të lulëzojë në rajon pasi kufizimet për hyrjen në zonë u larguan. Krahas buxhetit nga turizmi, që vjen prej plazheve, në vitin 1992, Parku Kombëtar i Butrintit u shpall vend i trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO dhe filloi të tërheqë turistë/e ndërkombëtarë/e. Butrinti ka shërbyer edhe si burim frymëzimi dhe ndërmarrësie për njerëzit si Kapot.

Burri prej guri

“Siç tregon emri im, Gur”, më tha duke bërë shaka në njërin prej takimeve tona të para, “Kam punuar me gurë që kur isha 16 vjeç”.

I lindur dhe rritur në fshatin Markat, jo shumë larg Ksamilit, ai emigroi në Greqi në vitet e ’90-ta, ashtu si shumica e njerëzve në rajon në atë kohë. Atje punoi në ndërtimtari për 10 vjet dhe mori zanat si murator dhe në ndërtim të fasadës.

“Grekëve nuk u pëlqejnë shqiptarët”, theksoi Suzana, “por e vlerësuan punën e Agurit dhe e paguan mirë”. Pasi kishte fituar mjaftueshëm përvojë dhe pak para, Aguri u kthye në Shqipëri, kryesisht sepse Suzana dëshironte të vendosej në Ksamil, ku punonte si mësuese e matematikës dhe fizikës.

Në fillim të viteve 2000, Aguri punoi në ndërtimtari në Ksamil dhe ndihmoi në ndërtimin e rreth 30 shtëpive. “Vetë isha inxhinier, projektues dhe zhvillues”, tha ai. “I mora planet greke të ndërtimit dhe i punova këtu. S’kishte rregulla apo plane. Thjesht kopjuam njëri-tjetrin”.

“Të gjitha shtëpitë e bukura në qytet u ndërtuan nga investimet e emigrantëve, të atyre që kanë emigruar në Itali apo Greqi”, tha Suzana.

Ishin vite ndërtimesh të shfrenuara në të gjithë Shqipërinë dhe banorët e Ksamilit nxituan ta ndërtonin një kulm mbi kokë, ta zinin një truall, ta përfundonin ndërtimin e një shtëpie, që pastaj të legalizohej. Pas ca kohësh, lindi kërkesa për dekorime artistike. Aguri filloi të pranonte kërkesa për ndërtimin e shatërvanëve, skulpturave, madje edhe mozaikëve të ngjashëm me ata që zbukurojnë punishten e tij dhe shtëpinë.

Ashtu si shumica e shtëpive të vetë-ndërtuara në Ksamil, familja Kapo mishëronte punën e emigrantëve. “Të gjitha shtëpitë e bukura në qytet u ndërtuan nga investimet e emigrantëve, të atyre që emigruan në Itali apo Greqi”, tha Suzana. “Të gjitha kursimet e mia prej kohës sa isha emigrant i investova në shtëpi”, tha Aguri.

Ekonomia e remitancave ka qenë burim i rëndësishëm i stabilitetit të të ardhurave për shqiptarët, të cilëve u mungonin mundësitë tjera. Siç theksojnë akademiket Julie Vullnetari dhe Nataša Gregorič Bon, remitancat e dërguara nga emigrantët përmbajnë shumë më tepër se thjesht para. Ato shpesh përfshijnë të mira materiale, ekspertiza, shije dhe stil, madje edhe dashuri. Shumica e vëllezërve dhe motrave të Agurit dhe Suzanës kanë emigruar jashtë vendit, në Greqi, Itali dhe Shtetet e Bashkuara. Rrjetet familjare transkombëtare si këto ofrojnë rrjet sigurie në momente pasigurie dhe krizash.

Një pasion për Butrintin dhe artizanatin

Aguri nuk u trajnua si zanatli, e gjitha filloi si hobi. Me kalimin e viteve, teknikat që kishte mësuar i barti te anëtarët e tjerë të familjes. Parimet që udhëheqin zanatin e Agurit janë se produktet e tij duhet të jenë të punuara me dorë dhe të përdorin materiale vendore. Sot, Aguri dhe familja prodhojnë një gamë të gjerë objektesh duke përdorur rërë nga laguna aty afër, gurë nga rajoni dhe guaska nga deti Jon.

Përveç punishtes në pronën e tij, Aguri shet punimet e tij artizanale në tregun e artizanëve të Butrintit së bashku me shitës të tjerë. Në vitin 2017, Fondacioni “Butrint” ia kaloi shtetit menaxhimin e parkut, i cili rriti tarifat për shitësit. Atë verë, Aguri ishte tepër i irrituar, pasi brengosej se artizanët vendas do të largoheshin nga parku.

Deri në vitin 2022, Aguri ishte shumë më i lumtur. Falë udhëheqjes së tij, artizanët kishin krijuar një shoqatë artizanësh, e cila kryen kontrollin e cilësisë dhe është zë për shitësit.

Pavarësisht ndjenjës së stabilitetit të lëkundur, Aguri shqetësohet se planet e ardhshme për zhvillimin e Butrintit, në një vend të trashëgimisë kulturore globale, mund t’i anashkalojnë artizanët vendas. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, i cili menaxhon Butrintin që nga viti 2020, ka shprehur përkushtimin e vet ndaj turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të ekonomive lokale, por projekte të tjera të ngjashme zhvillimi në Shqipëri përjashtojnë dukshëm bizneset vendase si artizanët, të cilët, prej përvojës sime, janë disa nga ciceronët turistikë më të mirë kulturorë të zonës arkeologjike.

Familja Kapo shesin produktet e tyre në tregun e artizanëve në Parkun Kombëtar të Butrintit. Fotografia: Smoki Musaraj.

Në zanatin e tyre, ata vendosin imazhet dhe simbolikën e shumë kulturave të përfaqësuara në gërmadha. Në tregun artizanal mbizotërojnë pamjet nga Pagëzimorja (e Butrinitit). Shitësit ma shpjeguan kuptimin e imazheve të ndryshme të riprodhuara nga mozaiku i Pagëzimores —  zogu i parajsës, burimi i pagëzimit. Me gjithë vizitat e mia të shumta, nuk e kam parë kurrë vetë mozaikun, sepse pjesën më të madhe të kohës është i mbuluar me rërë për t’u mbrojtur nga kushtet atmosferike. Por ndihem sikur e kam përjetuar përmes ndërveprimeve të mia me artizanët/et.

Kur vizitova Ksamilin për herë të fundit në vitin 2022, Suzana dhe djali i tyre, Redoni, i ishin bashkuar punishtes. Suzana punonte me mozaikë nga lëvozhgat e vezëve, Redoni merrej me mozaikët prej guri. Aguri kalonte shumicën e kohës në gdhendjet e gurit. Përkushtimi ndaj punishtes vjen jo vetëm nga dëshira për të sjellë me shumë fitime, por edhe nga dëshira për kreativitet, në një botë që priret drejt etheve të fitimit të parave dhe është e mbushur me pasiguri dhe paqëndrueshmëri.

Punishtja gjithashtu e mban gjallë familjen gjatë jashtë periudhës jo-sezonale. “Dimri këtu është si varrezë”, tha Aguri herën e parë që e takova. “Shkoj në një kafene dhe jemi vetëm tre persona”. Në vitin 2022, gjërat nuk kishin ndryshuar shumë, “Dimri është pak i vështirë”, theksoi Suzana. “S’ke se çfarë të bësh. Njerëzit largohen, restorantet mbyllen. Kështu që kohën e kaloj duke punuar këto artizane çdo ditë”.

Gjatë bisedave me Agurin dhe Suzanën përgjatë viteve, dhe së fundmi me Redonin, e kam kuptuar se si puna artizanale është pasion që e ndihmon familjen të krijojë vazhdimësi dhe qëndrueshmëri në mes të shumë ndryshimeve dhe pasigurive.

Paradokset e Ksamilit — një destinacion turistik, bukuria natyrore e të cilit kohët e fundit është krahasuar me Maldivet, në kontrast me pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë e jetës së banorëve të qytetit — vazhdojnë ta formësojnë jetën ekonomike dhe sociale të qytetit. Pikërisht kundër këtij peizazhi paradoksesh, familja Kapo ka arritur ta gdhendë oazën e tyre të paqes, krijimtarisë dhe prosperitetit modest.

Imazhi i ballinës: Creative Commons.