Konteksti Podcast | Të Drejtat e Grave

Lëvizja #MeToo mbërrin në Ballkan

Nga - 18.02.2021

Lëvizja globale po e përjeton momentin e vet në rajon.

#MeToo në Ballkan tashmë ka filluar. Lëvizja po e përjeton momentin e vet në rajon, ku shumë gra po ngrisin zërin dhe po e zbulojnë publikisht që janë viktima të abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale.

Muajin e kaluar aktorja serbe Milena Radulović deklaroi publikisht që ishte përdhunuar nga ish-profesori, njëherësh aktor dhe udhëheqës i shkollës së dramës ku ajo kishte studiuar aktrimin, Miroslav Mika Aleksić. Ai u arrestua shpejt dhe ndërkohë edhe gra të tjera iu bashkuan akuzave ndaj tij. Ai tani akuzohet për tetë përdhunime.

Me mijëra gra nga i tërë rajoni i dolën në solidaritet Milena Radulović-it me slloganin “Nisi sama” (Nuk je vetëm). Kjo u përcoll edhe me krijimin e një platforme online “Nisam trazila” (“Nuk e kam lypë”) nga një grup aktoresh në Sarajevë.

Lëvizja #MeToo filloi në 2006, kur aktivistja amerikane Tarana Burke filloi aktivizmin nën slloganin e famshëm për të ndihmuar gratë afrikano-amerikane të cilat kishin përjetuar dhunë seksuale dhe për të rritur ndërgjegjësimin e përhapjes së abuzimeve dhe sulmeve seksuale në shoqëri. 

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, #MeToo gjeti njohje globale pas postimit që u bë viral në Twitter të aktores Alyssa Milano — ajo është një nga gratë që ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit për akuzat e sulmeve seksuale kundër producentit të Hollivudit Harvey Weinstein.

Në këtë episod të podkastit “Konteksti” flasim me dy aktiviste feministe, Adelina Berishën dhe Iliriana Banjskën, për dinamikat e #MeToo në rajon duke kontekstualizuar lëvizjen botërisht, dhe se çfarë mundësie mund të ofrojnë ngjarjet e fundit për një lëvizje në Kosovë.

Autore: Dafina Halili / K2.0.
Të ftuara: Adelina Berisha, menaxhere programi në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Iliriana Banjska, redaktore menaxhuese në K2.0.
Miksimi i zërit: Studio 11.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Produksioni: Dibran Sejdiu / K2.0.

Ky podkast është realizuar me mbështetjen e National Endowment for Democracy. Pikëpamjet e shprehura në të nuk përfaqësojnë ato të NED.