Më 27 dhe 28 Prill 1999, Ushtria Jugosllave dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë zhvilluan famëkeqin “Operacioni Reka” në perëndim të qytetit të Gjakovës. Gjatë këtij operacioni, pjesëtarët e forcave serbe vranë të paktën 350 civilë — në atë që sot njihet si Masakra e Mejës — ndërsa dëbuan mijëra të tjerë në Shqipëri. Për shumicën e civilëve të vrarë, shkaku i vdekjes ishte plaga me armë zjarri, kryesisht në kokë, duke sugjeruar që viktimat nuk kishin vdekur në luftim, por si rezultat i vrasjeve të stilit të ekzekutimit jashtë situatave të luftimit.
Mbetjet mortore të 309 viktimave, së bashku me mbi 500 viktima të masakrave tjera, u gjetën në vitin 2001 në varret masive të fshehta në Batajnicë, periferinë e Beogradit. Masakra e Mejës sot konsiderohet si krimi më i rëndë kundër civilëve i kryer gjatë luftës në Kosovë, dhe ndër më të rëndat e të gjitha krimeve të kryera në vitet 1990 në luftërat në ish-Jugosllavi. Prandaj jo rastësisht, Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur në Kosovë shënohet më 27 Prill.
Lush Krasniqi, i mbijetuari i “Operacionit Reka”, rikonstrukton ditën e masakrës së Mejës dhe rrëfen për luftën e tij të vështirë për të marrë vesh për fatin e të dashurve të tij e të mbi 350 viktimave tjera të asaj masakre, dhe për përpjekjet e jashtëzakonshme për t’i varrosur denjësisht.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky podcast është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.