Njohësi i aviacionit flet për udhëtimin ajror të Kosovës dhe mospajtimeve rreth ndarjes së kodeve.
Nëse diçka ka të bëjë me aviacionin komercial dhe ish-Jugosllavinë, me shumë gjasë Luka Popović ka shkruar për të. Popović është themelues i “EX-YU Aviation News”, një webfaqe që i kushtohet lajmeve lidhur, normalisht, aviacionin në të gjithë ish-Jugosllavinë.
I lindur në Australi, Popović e krijoi webfaqen 16 vjet më parë, në vitin e fundit të gjimnazit. Ai u shpërngul në Beograd për studimet universitare në vitin 2009, ku edhe diplomoi për shkenca politike, marrëdhënie dhe çështje ndërkombëtare, në vitin 2013. Për një kohë punoi si gazetar transmetues për BBC dhe tani punon për një revistë britanike që mbulon ngjarjet e aviacionit, teksa njëherit e mban “EX-YU Aviation News” krejt i vetëm.
Për Popović, asnjë lajm nuk është i parëndësishëm, prej hollësive lidhur me takimin e drejtorit ekzekutiv të aeroportit të Podgoricës me “Ryanair”, pasi “Ryanair” njoftoi për planet për t’i pezulluar pothuajse të gjitha fluturimet nga Podgorica, gjatë sezonit dimëror 2024-2025, deri në parashikimet se cilat aeroporte të ish-Jugosllavisë kanë kapacitet më të madh të planifikuar për gushtin e vitit 2024. Webfaqja pati 2.3 milionë shikime në korrik të vitit 2024.
Lexuesit/et e “EX-YU Aviation News” janë kryesisht merakli të aviacionit dhe profesionistë/e të industrisë. Jo secilit person i bëjnë menjëherë përshtypje përmbajtjet lidhur me zvogëlimin e numrit të pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, që burojnë nga problemet me motorët e avionëve të familjes “Airbus A320”, të cilët kanë detyruar Wizz Air — linjën ajrore hungareze që është një nga më të mëdhatë në Shkup — të ndalojë një numër të madh avionësh dhe kësisoj të reduktojnë fluturimet. Por për ata që janë të interesuar për lajme të tilla, webfaqja është një strofull informacioni dhe u jep mundësi lexuesve/eve që t’i shikojnë prirjet politike, ekonomike dhe sociologjike përmes këndvështrimit të industrisë së aviacionit.
Për shembull, një artikull së fundmi mbuloi Shoqatën e Turizmit të Kantonit të Sarajevës, e cila lëshoi thirrje publike për linjat ajrore që të prezantojnë linja të reja për në Sarajevë, duke ofruar subvencionim për këto linja. A krijohet apo jo një lidhje e drejtpërdrejtë ajrore mes Sarajevës dhe, le të themi, Roterdamit, mund të mos përbëjë interes të madh publik, megjithatë thirrja ka rëndësi. Është reflektim i përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve lokale për të tërhequr turistë në Sarajevë dhe angazhim për të investuar para publike në formimin e linjave të reja ajrore, për ta rritur fluksin e turistëve ndërkombëtarë që vijnë në Sarajevë.
Komentet e lexuesve, që shoqërojnë çdo artikull, shpesh përmbajnë po aq njohuri dhe analiza të dobishme sa vetë artikujt. Për shembull, një artikull i publikuar më 16 gusht 2024 lidhur me Air Serbia, që njoftoi për një rrugë të re për në Nice, mori mbi 100 komente që në ditën e parë. Disa komentues spekuluan se kjo ishte një linjë e mundshme për rusët e pasur, që udhëtojnë përmes Serbisë për në Rivierën Franceze, ose për turistët kinezë që fluturojnë për në Nice, përmes Beogradit, për ta kapur njërin prej fluturimeve direkte të “Air Serbia” për në tri qytete të ndryshme në Kinë. Të tjerë ankoheshin për faktin që “Air Serbia” zgjodhi Nice në vend të Manchester, me gjasë për shkak se qytetarët/et serbë/e nuk mund të udhëtojnë pa viza në Mbretërinë e Bashkuar: “S’ka udhëtim pa viza për serbët/et në Angli. Faleminderit Britani e Madhe që nuk i lejon serbët të shpenzojnë paratë e tyre turistike në Angli”.
Rubrika “Vintage” e webfaqes përmban një sërë fotografish të avionëve të vjetër, aeroporteve dhe materialeve promovuese për “Jugoslovenski Aerotransport”, ose JAT, linja e vjetër ajrore jugosllave. Një shembull është një reklamë shumëgjuhëshe e viteve të ’80-a, që u drejtohet komuniteteve të diasporës në ShBA, “Ejani dhe vizitoni vendin tuaj të vjetër” duke siguruar që “Në aeroplanin tonë tashmë mund të gjeni cep të këndshëm e të rehatshëm të Jugosllavisë”. Pjesa më e madhe e tyre janë nga arkivi personal i Popović, që e ka trashëguar nga xhaxhai i tij, i cili ishte fotograf zyrtar i JAT.
Po ashtu, për ata që kanë kureshtje të flaktë se si është të udhëtosh nga Niš në Tiranë me Air Serbia, nëpërmjet Beogradit ose udhëtime të tjera të panumërta specifike për në ose nga rajoni, rubrika “Raportime nga Udhëtimi” ka përshtypje të hollësishme të udhëtimit që shkruhen nga lexuesit. Këto shpesh përmbajnë rrëfime të këndshme të tilla si “Të jem i sinqertë, kabina në fakt ishte në gjendje të tmerrshme, por si adhurues i aviacionit mund të them se e shijova çdo minutë” për fluturimin nga Beogradi në Tiranë me një aeroplan “ATR 72 31-vjeç” turboprop me dy motorë të “Air Serbia”.
K2.0 bisedoi me Popović për të mësuar prej tij rreth gjendjes së industrisë së aviacionit në të gjithë ish-Jugosllavinë, rreth asaj se si është ta udhëheqësh një webfaqe unike lajmesh, me lexues shumë aktiv dhe të informuar dhe se çka e bën të veçantë industrinë e aviacionit komercial në Kosovë.
K2.0: Cili ishte rrugëtimi yt drejt krijimit të “EX-YU Aviation News?” Nga buroi idea për webfaqen?
Luka Popović: Shumë anëtarë të familjes sime kanë punuar në aviacion, kështu që jam rritur i rrethuar me të. Gjithmonë kam dëgjuar historitë e tyre nga puna dhe më kanë interesuar gjithmonë. Kam pasur privilegjin të udhëtoj shumë kur isha i ri dhe kjo ka pasur ndikim. S’je thjesht duke i dëgjuar këto histori, i përjeton edhe vetënë fluturime, ku e sheh se si funksionon gjithçka e kështu me radhë.
Jam lindur në Australi dhe kam jetuar atje për një kohë të gjatë. Isha në vitin e fundit të gjimnazit kur e fillova “EX-YU Aviation News”. Ishte në vitin 2008, kështu që tani kanë kaluar 16 vjet. Ishte me të vërtetë diçka e momentit. S’kisha ndonjë plan për ta rritur. Sidomos në atë kohë, interneti ishte ende në fazat e hershme. S’ke menduar të fitosh para prej saj dhe gjëra të tilla.
Më interesonte aviacioni në nivel botëror, por në këtë rajon, nuk gjeja dot ndonjë lajm. Shumica e lajmeve rreth aviacionit publikoheshin në mediet më të popullarizuara dhe nëse dije pak rreth aviacionit, mund ta vëreje se personi që e kishte shkruar lajmin, s’ia kishte as idenë. Kështu që desha ta krijoja një platformë ku mund t’i kesh të gjitha këto lajme, në një vend. Gjithmonë më pëlqente të shkruaja dhe gjuha angleze ishte lënda ime e preferuar, kështu që vendosa t’i bashkoja dy gjërat që më pëlqejnë: aviacionin dhe shkrimin. Webfaqen e krijova brenda natës.
Pavarësisht të gjitha dallimeve dhe gjithçkaje që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit, ende mendoj se ky rajon është i ndërlidhur.
Nuk kisha ndonjë qëllim për ta zgjeruar apo rreth jetëgjatësisë së faqes; thjesht ndodhi. E shijoja. Ishte një hobi. Kështu që thjesht fillova të shkruaj dhe sigurisht, kur fillon të shkruash dhe nis t’i shohësh njerëzit tek reagojnë, sheh që vizitat në faqe po rriten. Sigurisht, fillon e vëren më shumë dhe i kushton më shumë kohë dhe angazhohesh më shumë. Dhe kështu filloi. Në fillim kishte audiencë shumë të vogël, por me kalimin e kohës u rrit. Kuptova se e vetmja mënyrë për ta mbajtur të angazhuar një audiencë, ishte nëse shkruaj në baza ditore, kështu që, që atëherë, për çdo ditë — Dita e Vitit të Ri është e vetmja ditë kur nuk ka asnjë lajm — ka qenë një rrugëtim.
Pavarësisht të gjitha dallimeve dhe gjithçkaje që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit, ende mendoj se ky rajon është i ndërlidhur. Edhe pse tregjet nuk janë të gjitha njësoj, kanë shumë ngjashmëri. Kështu që mendoj se kishte kuptim të krijohej për këtë rajon ish-jugosllav.
Rubrika “Vintage” ka një përmbledhje të madhe fotografish që shfaqin kujdestarë/e fluturimi, avionë dhe grupe të zgjedhura pasagjerësh, si ekipet olimpike jugosllave duke u nisur për garat jashtë vendit. Fotografitë nga arkivi i “EX-YU Aviation News”.
Pse mendoni se njerëzve iu interesojnë këto lloj lajmesh? A janë lexuesit/et të përqendruar/a në ish-Jugosllavi, apo keni një shtrirje botërore?
Ka njëmend shtrirje globale. Natyrisht, tri vendet e para janë nga ish-Jugosllavia: Serbia, Sllovenia dhe Kroacia, ose Kroacia dhe Sllovenia. Por menjëherë pas tyre janë ShBA, Britania e Madhe, Australia. Sigurisht, mendoj se janë vende ku ka diasporë nga ish-Jugosllavia, por me kalimin e kohës kam vënë re shumë audiencë që nuk janë nga ky rajon. Thjesht janë të interesuar për aviacionin.
“EX-YU Aviation News” është e vetmja webfaqe që publikon lajme për aviacion nga ky rajon në gjuhën angleze. Meqenëse është një rajon që nuk mbulohet mirë në mediet botërore të aviacionit, është burimi i vetëm i lajmeve. Faqja ka një buletin javor dhe mund t’i shoh email adresat prej nga njerëzit janë abonuar. Vërej shumë email-adresa nga aeroportet dhe linjat ajrore — tërësisht të huaja— dhe kjo është interesante për mua.
Mendoj se ky rajon me të vërtetë ka një trashëgimi të madhe në aviacion dhe njerëzit mund të jenë më të interesuar për aviacionin në këtë rajon, sesa në pjesë të tjera të Evropës.
Sa i përket arsyes, mendoj se ky rajon me të vërtetë ka një trashëgimi të madhe në aviacion dhe njerëzit mund të jenë më të interesuar për aviacionin në këtë rajon, sesa në pjesë të tjera të Evropës. Mendoj se kjo është për shkak të asaj trashëgimie, sepse aviacioni ishte pjesë shumë e madhe e ish-Jugosllavisë. JAT përbënte një linjë ajrore të fuqishme, e cila për atë kohë ishte me të vërtetë mjaft e suksesshme. Kështu që mendoj se kjo ka të bëjë edhe me të.
Cilat do t’i identifikoje si disa nga ngjashmëritë në tregjet e shteteve që dolën nga Jugosllavia, të cilat i përmende në përgjigjen e mëparshme?
Një nga prirjet është një pjesë e madhe e një segmenti të quajtur t’i vizitosh miqtë dhe të afërmit. Ky është trafik i diasporës. Gjeneron shumë udhëtime në rajon. Vetë tregjet janë pak më ndryshe. Kroacia, për shembull, është treg sezonal, që mbështetet shumë në bregdet. Por është edhe Kosova apo Maqedonia, të cilat mbështeten në atë trafik të diasporës.
Por të gjitha janë të ngjashme në kuptim të, me disa përjashtime, ato nuk kanë transportues kombëtarë. Kjo luan ndikim gjithashtu në trafikun dhe udhëtimin në rajon. Janë tregje relativisht të vogla, që po zgjerohen shpejt. Krejt vonë nisën t’i ofronin transportuesit me kosto të ulët [linja ajrore si EasyJet dhe Wizz Air, të cilat ofrojnë çmime bazë të lira, ndërkohë që kërkojnë tarifa shtesë për gjësende, si bagazhet]. Kjo tash po zhvillohet në rajon, kështu që njerëzit mund të udhëtojnë kudo.
Një nga aspektet më interesante të webfaqes janë seksionet e komenteve, të cilat shpesh janë po aq informuese dhe të mbushura me informacion, sa vetë artikujt e lajmeve. Aty ndodh një diskutim tejet kuptimplotë. Pse mendoni se ndodh kjo?
Po, kjo është një pyetje e mirë. Mendoj se ka të bëjë me faktin që është temë tejet specifike. Njerëzit që lexojnë faqen janë njëmend të interesuar për atë që po lexojnë. Po ashtu, mendoj se moderimi ndikon. Përpiqem që sa më shpejt që të jetë e mundur, ta largoj çdo koment dashakeq ndaj njëri-tjetrit, komentet nacionaliste.
Jam vetëm një njeri dhe pranoj mesatarisht 150 komente në ditë.
Sigurisht, s’mund t’ia dal gjithmonë sepse unë jam vetëm një njeri dhe pranoj mesatarisht 150 komente në ditë. Por kështu disi — nuk dua që kjo të tingëllojë keq — e trajnon audiencën tënde që t’i përmbahet temës, të shkruajë në mënyrë profesionale. Mendoj se ka një lloj ndikimi. Kur filloi faqja, nuk ishte kështu. Kishte shumë më shumë përplasje dhe gjëra të tilla. Por me kalimin e kohës, për shkak të atij moderimi, njerëzit e dinë se nëse shkruajnë diçka që është jashtë temës, komenti i tyre nuk do të qëndrojë aty. Pra, ata ndjekin rregullat dhe pastaj ndodh diskutimi cilësor.
A e udhëheq vetë webfaqen?
Po, vetëm unë. Nuk ka njeri tjetër.
A e bën këtë me orar të plotë apo ke edhe angazhime tjera në jetë?
Kam edhe angazhime tjera, megjithëse kjo është disi si një punë me orar të plotë. Punoj për një revistë britanike, e cila është revistë për ngjarjet e aviacionit. Ka shumë konferenca të aviacionit në mbarë botën dhe prodhojnë një revistë për secilën dhe zakonisht ka të bëjë për analizat e tregjeve dhe gjëra të tilla. Jo në ish-Jugosllavi — nuk janë shumë të interesuar për këtë rajon — por në fakt është mirë për mua, sepse mësoj shumë përmes punës. Nuk kam njohuri për tregun e Mbretërisë së Bashkuar, për shembull, apo Spanjën apo diçka e ngjashme.
Më ka ndihmuar gjithashtu me webfaqen time dhe njohuritë e mia rreth aviacionit dhe kam takuar njerëz nga industria. Ishte zhvillim pozitiv për mua që takova shumë udhëheqës aeroportesh nga e gjithë Evropa. Prezantohesha dhe më pas redaktori im u thoshte: “Dhe po, ai po ashtu shkruan për ‘EX-YU Aviation;” dhe ata përgjigjeshin “po, sigurisht, kemi dëgjuar për të, e lexojmë gjatë gjithë kohës”. Ishte ndjenjë e mirë.
A keni ndonjë tregim interesant gjatë kohës së drejtimit të faqes, ndonjë moment specifik që thua “wow, kjo po ndodh, me këtë faqe që kam krijuar?”
E kujtoj herën e parë kur pashë webfaqen tek citohej në mediet të popullarizuara ndërkombëtare, me të vërtetë u befasova. Dhe më kujtohet në vitin 2014, “Delta”, linja ajrore amerikane, e cila është një nga më të mëdhatë në botë, bëri ankesë në Departamentin e Transportit të ShBA. Ata ishin kundër një marrëveshjeje të përbashkët mes “Air Serbia” dhe “Etihad Airways” për tregun amerikan dhe në dokumentin prej 60-faqesh që ata dorëzuan, duke ofruar hollësi pse janë kundër, cituan një artikull të “EX-YU Aviation News”. Dhe kjo ishte interesante; nuk e pret.
Nga pikëpamja personale, më kujtohet shumë herë, kur shkonim në pushime, veçanërisht në fillim të viteve 2010, teksa përpiqesha ta gjeja një lidhje interneti për t’u kyçur, për të shkruar lajme apo për t’u zgjuar në orën 6:00 të mëngjesit, për shkak të ndryshimit të kohës. Por kjo është jeta. Nëse të pëlqen ajo që bën, mendoj se nuk e vëren. Atëherë kur shikon pas, thua “wow”.
Pra, me artikujt që publikoni, gjithçka vjen nga mbledhja e informatave nga kontaktet e industrisë dhe një sërë burimesh të tjera?
Po, saktësisht, vjen nga burime të ndryshme. Ndonjëherë janë të përmbledhura, në ç’rastshkruhet në artikull nëse vjen nga një burim tjetër. Pjesa tjetër është kryesisht nga kontaktet brenda industrisë. Shumë njerëz, e di, të kontaktojnë për të të treguar çka po ndodh. Thjesht duhet të mbash kontakte të mira gjithkund. Sigurisht, duan të qëndrojnë anonimë, por kontaktet në aeroporte, linja ajrore, madje edhe në autoritetet e aviacionit civil, të gjithë ndihmojnë.
E përmendët se tregu i Kosovës mbizotërohet pjesërisht nga vizitat tek miqtë dhe familjarët. A ka ndonjë faktor tjetër që e bën atë posaçërisht të veçantë, qoftë me biznesin e agjencive të fluturimeve apo ndonjë gjë të tillë që mund ta veçosh?
Po, Kosova është treg shumë i veçantë në Evropë sepse ka këto agjenci fluturimesh që shesin bileta. Ata në fakt prenotojnë linja ajrore dhe avionë. Kjo ekziston kudo, por jo në atë masë sa është në Kosovë. Ke kaq shumë linja ajrore që fluturojnë në linja të planifikuara, por mund të blesh bileta vetëm përmes operatorëve turistikë. Pra, ato nuk shiten përmes linjave ajrore dhe aty është një pjesë e madhe e trafikut. Është shumë unike. Nuk njoh një treg në Evropë ku ndodh kjo. Viteve të fundit, shohim se linjat ajrore me kosto të ulët po bëhen disi më dominuese në treg. Mendoj se me kalimin e kohës ata do t’i kalojnë të gjithë këta operatorë turistikë.
Mendoj se arsyeja është se njerëzit ndihen më të sigurt kur blejnë përmes këtyre operatorëve turistikë. U japin oferta bujare për madhësi të bagazheve, gjë që është shumë e rëndësishme për diasporën, nëse ata sjellin gjësende ose marrin gjëra si ushqimi. Kështu që mendoj se kjo është një nga arsyet pse ndodh, por mendoj se me kalimin e kohës, mbizotërimi i tyre do të zbehet dhe do të tejkalohet nga linjat ajrore me kosto të ulët. Siç po e shohim tashmë. “EasyJet” është tashmë linja ajrore më e madhe atje; “Wizz Air” është shumë i madh.
Dhe e mira është se me heqjen e vizave [në janar të viti 2024 u hoqën kufizimet e vizave për kosovarët/et, që udhëtojnë për afat të shkurtër në zonën Shengen], mendoj se trafiku do të rritet. Siç ka ndodhur me të gjitha vendet e tjera ku ka qenë rasti i njëjtë. Tashmë po shohim për nga statistikat përmes numrit të pasagjerëve që po ndodhë.
Po, numri i pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës po rritet dhe katër porta të reja janë shtuar këtë verë. A mendon se EasyJetët dhe Wizz Airët e botës mund t’i kalojnë agjencitë turistike për shkak të lehtësisë së rezervimit të atyre biletave përmes internetit?
Pikërisht. Janë më të qasshme. Më shumë vizitorë të huaj do të vijnë në Prishtinë dhe të vizitojnë për turizëm. Nuk ia kanë idenë për këto agjenci. Pra, ata do të kalojnë përmes “EasyJet”. Mund të jesh një transportues i trashëguar [linjë ajrore kombëtare si “Turkish Airlines” ose “Austrian Airlines” që i paraprin liberalizimit të industrisë së aviacionit komercial] gjithashtu. Me kalimin e kohës, ndikimi i agjencive do të zbehet.
JAT lidhi Jugosllavinë me pika të largëta si Los Angeles dhe Sidney. Rubrika “Vintage” e “EX-YU Aviation News” përmban reklama nga fushata reklamuese botërore të JAT dhe fotografi të zyrave rezervuese në vende si Kajro dhe Nju Jork. Fotografitë nga arkivi i EX-YU Aviation News.
Si e sheh të ardhmen e aviacionit komercial në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe lëvizjeve kundër fluturimeve, shpesh në Evropën Perëndimore, në kontekstin e ish-Jugosllavisë?
Nuk mendoj se politikat e gjelbra janë një përqendrim shumë i madh në këtë rajon. Ndoshta në Slloveni. Por nuk mendoj se kjo do të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Nuk mendoj se njerëzit dinë aq shumë për ndikimin e aviacionit në këtë zonë.
Mendoj se zemërimi ndaj industrisë së aviacionit në Evropë në këtë drejtim është i pavend. Industria e aviacionit ka qenë në fakt një nga industritë që ka bërë më shumë për t’i zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike, ndërkaq ka industri të tjera që nuk bëjnë asgjë lidhur me të. Për shembull, anijet e industrisë së lundrimit ndotin shumë më tepër se avionët, por askush nuk e problematizon. Kështu që, po, aviacioni është problem për sa i përket mjedisit, por ka bërë shumë më shumë se industritë e tjera.
A ke hasur ndonjëherë në njerëz, të cilët, kur u tregoje për webfaqen, s’ia kanë idenë se çka është kjo ose nuk e kuptojnë pse kjo është interesante për njerëzit, pse dikush do të shpenzonte kohën duke u marrë me këtë? Cila është përgjigjja jote për njerëzit që thonë “Njëmend, këtë interes ke?”
S’mund të them se kam takuar shumë njerëz që kanë reaguar asisoj. Mund të jetë sepse shumica e njerëzve me të cilët kam shoqëri e pëlqejnë aviacionin [qesh]. Por, e di, nuk po përpiqem të mburrem apo diçka, por mendoj se faqja ka qenë e suksesshme. Dhe nëse e ke krejt këtë punë prapa vetes, atëherë nuk e vë në dyshim. Ia del ta krijosh një diçka që është relativisht e suksesshme.
Ka pasur njerëz që më kanë pyetur “Pse nuk e zgjeron? Pse nuk e mbulon një zonë më të madhe? E di se mund të fitosh më shumë nga reklamat” ose të ngjashme, por mendoj se nuk kam interes apo kohë t’i mbuloj edhe rajone të tjera, si Bullgaria dhe Rumania. Nuk kam kontakte atje për ta mbuluar si duhet.
Për sa i përket vetë faqes, do të më pëlqente nëse do të mund ta kisha një artikull në javë për çdo vend të ndryshëm, por është thjesht e pamundur. Disa tregje janë më të mëdhenj se të tjerët, disa janë më të hapur për të diskutuar aviacionin publikisht se të tjerët. Fatkeqësisht nga Kosova nuk kam aq shumë artikuj sepse është një treg më i vogël. Më pak gjëra ndodhin kur nuk ka linjë ajrore kombëtare. Aty krijohen më pak lajme. Por sa herë që ka lajme, patjetër që e mbuloj dhe e publikoj.
A ke ndonjë aeroport të preferuar në rajon?
Ndonëse jam nga Serbia, nuk ngazëllehem kur linja ajrore kombëtare fillon fluturimet këtu ose aty. Nuk më bën përshtypje, që të jem i sinqertë.
Jo, me të vërtetë jo. Nuk kam linja ajrore apo aeroporte të preferuara. Jam plotësisht imun ndaj asaj që po ndodh në rajon. Mundohem disi të anashkaloj sepse mendoj se kjo është mënyra më e mirë për ta shkruar një artikull të balancuar. Ndonëse jam nga Serbia, nuk ngazëllehem kur linja ajrore kombëtare fillon fluturimet këtu ose aty. Nuk më bën përshtypje, që të jem i sinqertë.
Pra, nuk jeni duke organizuar ndejë për ta festuar linjën e re të “Air Serbia” për në Guangzhou?!
Po, pikërisht [qesh].
Jam kureshtar për rubrikën e arkivit të faqes dhe idenë e jugonostalgjisë përmes këndit të aviacionit. E përmendët më herët se si, në kulmin e vet, JAT ishte një linjë ajrore kombëtare shumë e suksesshme. Ato pamje në faqe a janë dorëzuar nga lexuesit që duan t’i ndajnë ato në këtë komunitet? Apo i mbledh vetë?
Shumica e tyre janë nga xhaxhai im, i cili ishte fotograf zyrtar i “Jugosllav Airlines” në vitet ’70-a dhe ’80-a. Ata kishin, mendoj, dy fotografë që i përcillnin të gjitha këto ngjarje, në të gjitha mediet, materialet promovuese. Kam plot fotografi dhe i kam publikuar, sepse mendoj se historia e linjës ajrore është me të vërtetë interesante, por edhe i gjithë peizazhi i aviacionit në Jugosllavi në atë kohë ishte me të vërtetë interesant dhe shumë i zhvilluar, veçanërisht për një vend komunist dhe një vend të Evropës Lindore. Mendoj se ishte mjaft e mahnitshme.
Për herë të parë publikova një foto të vjetër në pjesën anësore të webfaqes, ndoshta 10 vjet më parë. Supozohej të ishte thjesht një pamje statike. Nuk duhej të ndryshohej çdo javë, por vërejta se shumë njerëzve u pëlqente. Dhe pastaj thashë pse jo t’i ndryshojmë ato çdo javë dhe të shkruajmë pak për historinë dhe doli me të vërtetë e suksesshme dhe vura re se ka aq shumë jugonostalgji për atë epokë, sa që rezultoi me të vërtetë e suksesshme.
Xhaxhai i Popović, një fotograf i aviacionit në vitet e ’70-a dhe ’80-a, dokumentoi gjithçka, nga Gracija Merković, pilotja e parë komerciale femër në Jugosllavi, tek ndryshimet në garderobat e kujdestarëve/eve të fluturimit e deri te një koncert i kantautorit të njohur, Arsen Dedić në fluturimin e vitit 1979 JAT për në Nju Jork. . Fotografitë nga arkivi i EX-YU Aviation News.
Po lidhur me lexueshmërinë, a është e qëndrueshme? Apo ka ngjarje të caktuara që e ndikojnë lexueshmërinë?
Kanë qenë disa ngjarje që e rritën shumë lexueshmërinë dhe sollën disa lexues të rinj. Ngjarja e parë e madh ka qenë kur “Air Serbia” filloi me “Etihad” [në vitin 2013, JAT, i cili atëherë quhej “JAT Airways” dhe “Etihad Airways”, një transportues me bazë në Abu Dhabi, u pajtuan ta riemëronin “JAT Airways” si “Air Serbia”, me “Etihad” që mori 49% të pronësisë dhe të drejtat e menaxhimit për pesë vjet]. Një tjetër ishte kur “Adria” falimentoi [“Adria Airways”, transportuesi flamurmbajtës i Sllovenisë, shpalli falimentimin në 2019]. Ishte ngjarje e madhe.
E treta ishte Covid. Mendova se gjatë asaj kohe lexueshmëria do të binte, por në fakt ishte krejt e kundërta. U dyfishua gjatë asaj periudhe, edhe pse komente kishte shumë më pak. Mendoj se kjo ishte për shkak se njerëzit ishin krejtësisht të dëshpëruar, kështu që nuk donin të përfshiheshin në diskutime. Por lexueshmëria në fakt u rrit dhe e rëndësishmja është që çdo herë ajo lexueshmëri mbeti edhe pas ngjarjeve. Lexueshmëria është mjaft e qëndrueshme tani.
Sigurisht, e vërej kur ka tema me të vërtetë interesante ose të rëndësishme, lexueshmëria rritet, por është kryesisht për një ose dy ditë dhe pastaj kthehet në normalitet. Nuk është sezonale; është e qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Çka kam vënë re është se gjatë fundjavave, është pak më e ulët se zakonisht, gjë që mendoj sepse shumë njerëz e vizitojnë faqen nga vendi i tyre i punës. Por edhe në fundjavë tash, dikur kishte një dallim shumë më të madh ndoshta disa vite më parë, tash edhe gjatë fundjavës, ndonjëherë lexueshmëria është edhe më shumë sesa gjatë një dite pune. Krejt varet nga çka ka në lajme.
E di se cilat lajme do të bëjnë bujë, çka do të lexohet. Fatkeqësisht, për disa vende, e di se jo shumë njerëz janë të interesuar dhe do të ketë lexueshmëri më të ulët, por përgatitesh për këtë dhe e di saktësisht se çka do të lexohet. Mendoj se kjo është për shkak se, pas 16 vitesh, e kupton se çka u pëlqen njerëzve. Janë disa tregje për të cilat edhe më shumë njerëz nga tregje tjera janë të interesuar; nuk janë vetëm vendasit që duan t’i lexojnë ato. Dhe pastaj, ka edhe lajme për të cilat njerëzit, në mbarë botën, duan të lexojnë.
Ndonjë shembull i ndonjë ndodhie ku e ke vërejtur se lexueshmëria do të jetë veçanërisht e lartë? A ka një çështje të përgjithshme apo një temë që është veçanërisht tërheqëse?
Në përgjithësi, linjat e reja përbëjnë lajme që lexohen. Cilado qoftë linja e re, gjithmonë do të marrë shumë lexueshmëri. Njerëzit janë me të vërtetë të interesuar për këtë. Ka gjithashtu shumë lexueshmëri në lajmet ku tregjet e ndryshme brenda ish-Jugosllavisë ndërlidhen. Një artikull rreth disa tregjeve në përgjithësi lexohet shumë mirë. Kështu, për shembull, e bëj një artikull mujor se cilat do të jenë nivelet e kapacitetit në çdo aeroport për muajin e ardhshëm. Për çdo muaj merr lexueshmëri, sepse të gjithë duan të lexojnë për të, për tregun e tyre.
Dhe po ashtu, të gjitha lajmet kundërthënëse ku e di se njerëzit do të shprehin reagim të fortë në një mënyrë ose në një tjetër, zakonisht ato rezultojnë me shumë lexueshmëri.
Me çfarë lloj kundërthëniesh kemi të bëjmë?
Ishte ky artikull së fundmi për, përsëri, “Air Serbia”. Kroacia vendosi ta parashtrojë një ankesë për një marrëveshje për ndarjen e kodit, mes “Air Serbia” dhe “JetBlue” [e cila do ta lejonte linjën ajrore amerikane “JetBlue” të shesë ulëseh në fluturimet e “Air Serbia” mes Serbisë dhe Kroacisë dhe Serbisë dhe Italisë] dhe e dija menjëherë se kjo do të lexohej. U lexua më shumë se artikulli i gjatë i ditës dhe në një moment m’u desh t’i mbyllja komentet, se nisi të dilte pak jashtë kontrolli.
Komentet me të vërtetë më mahnitin ndonjëherë…
Po [qesh].
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze.
Imazhi i ballinës: Fotografia nga arkivi i EX-YU Aviation News.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.