Në pjesën e fundit të librit, rrëfimi i Hehir është utopik dhe distopik njëkohësisht. Ai “ëndërron” për çka kishte parë dhe dëgjuar në Srebrenicë, se si të rënët ngrihen dhe përqafohen nën shiun e luleve të Srebrenicës, si shenjë e triumfit të jetës dhe dashurisë. Ndërsa, fill pas kësaj atmosfere, në kapitullin e fundit, toni i rrëfimit bëhet i zymtë dhe mbytës. Përpara syve të Hehir shfaqet Mustafa duke qarë, baza e OKB-së, koloneli holandez që pi verën e Mladić ndërsa ky i fundit qesh dhe bërtet “gratë dhe fëmijet në të majtë, burrat në të djathë”. Gjithçka duket se kërcet dhe thyhet, por askush nuk dëgjon, derisa autori zgjohet dhe na zgjon edhe ne nga makthi i tij.
Mbi të gjitha, “Lulet e Srebrenicës” është një libër për të mos harruar. Siç me të drejtë thotë historiani Alexander Etkind, “nëse dështojmë të vendosim drejtësi për krimet kundër njerëzimit, nuk ia mbërrijmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, dështojmë të mbajmë zi për krimet, atëherë në gjendemi në post-katastrofë. Në një botë të tillë, e shkuara na përndjek, na përçan dhe vret të ardhmen”.
Më shumë se dy dekada nga spastrimet etnike dhe gjenocidi në Bosnjë, ka një tendencë të hapur për të mohuar krimet kundër njerëzimit në Ballkan, për të revizionuar historinë dhe për të paraqitur faktet në mënyrë alternative. Presidenti serb Aleksandar Vučić është kujdesur personalisht për të udhëhequr fushatën e mohimit të gjenocidit në Ballkan. Në këtë kurth, mesa duket përsëritës, ka rënë edhe Perëndimi. Jo shumë kohë më parë, shkrimtari austriak Peter Handke, i cili ka mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë u vlerësua më çmimin Nobel në letërsi.
Pavarësisht gjenocidit në Ballkan, dënimeve nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Luftë në ish-Jugosllavi dhe mijëra artikujve, raporteve dhe librave shkencorë mbi masakrën në Srebrenicë, duket se harresa është një sëmundje e pashërueshme edhe për qytetërimet me kujtesë të fortë historike. Kësisoj, “Lulet e Srebrenicës” është një përpjekje për të dekonstrukuar edhe njëherë kuptimin tonë mbi krimet kundër njerëzimit, të shkuarën dhe harresën.
Hehir dhe Frankum kanë shkruar një libër për rëndësinë dhe fuqinë e vendeve të tragjedisë njerëzore mbi kujtesën. Nuk mund të kujtosh masakra si Srebrenica pa kuptuar shkallën e vërtetë të gjenocidit ndaj boshnjakëve myslimanë. Në këtë kuptim, autorët kanë gdhendur një rrëfim për të ardhmen, në mënyrë që e shkuara të kuptohet dhe të mos përsëritet.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0