Blogbox

Me rrnu n’katun

Nga - 09.11.2021

Me jetu në katun asht’ me ditë me u kënaq me pak.

Njëjtë si para dhjetë pranverave, kur jam kanë veç fëmijë, as sot me kanë katunar/e nuk asht’ lehtë. Dita nisë fort herët, e madje verës, kur punët në fushë janë në vlugun ma të madh, ajo nuk mbaron që tjetra me fillu. Gjumi bahet luks.

Me kanë katunar/e asht’ me e pritë agimin tu ua mbajtë gjallë shpirtin të mbjellunave me nji cikërr uji, pa çka se as për me pi nuk ki mjaftueshëm. Me u zgju me kangën e gjelit e krismën e shatit n’arën pranë dritares tane. Me derdhë djersë në po ato ara, me po atë shati, për gati nji gjysëmviti të tanë, veç që në fund, kokrra breshëni a gja e egër me t’i humbë të tana si mos t’ishin rritë kurrë para syve tu, e ti me e përbi edhe njiherë me “shnosh kofshim”. 

Me kanë katunar/e asht’ me i ngi me fli e djath elitën rizzotiane të shehrit të madh kur të vijnë fundjavave me marrë ajër, ani pse unë e ti katunari/ja jem i/e dashtun s’kemi me u rritë kurrë në sytë e tyne, e kanë me vazhdu me na i mveshë epitetet ma të poshtra. 

Katunar/e me kanë asht’ me të marrë për budallë paria e shtetit. Me të ardhë në oborr tu u zgërdhi me të thanë për votë, afër rrjedhës së kanalizimit që të patën premtu para katër vjete që kanë me e ndreqë. Qysh të premtuen dje e sot n’prag të zgjedhjeve lokale. Qysh kanë me të premtu sërish pas 4 vjete. Përditë ma shumë shtëpi, përditë ma pak njerëz. 

Unë ende këtu jam, në Lendinë, bashkë me katunarët që i mshelin sytë, veshët e gojën, edhe rrnojnë. Rrnesë i thançin. 

Ilustrimi: Arrita Katona/K2.0.

“E moj çikë, parja e fitume me djersë ka kimet” thojke baba. Unë — me 12 vjet jetë në supe — veç kambët e bame qull, e duert e tij që dridheshin prej të ftohtit shihja. Në atë sekond për pesë vjet rritesha. Ani pse të vegjël në moshë, donim me ua ngjitë dorën, me u tregu që në krejt këto jemi bashkë. Pak a shumë nji “falemners” sa grima për sakrificat që banin përditë për ne. Mblidhnim çkado që shitej — këpurdha, kaça, hekura — gjithçka. A,B, C-t e tregut i kemi mësu në shpi thuaja përnjiherë me bashkësitë e numrave në shkollë. 

Iknim fshehtë nanave e vazhdonim me i ladru livadhet e katunit me ka nji qese a thes në dorë derisa jemi bindë se nuk kemi lanë gja të marueme prej hekuri pa e mbledhë n’atë dhé. Nëse për me i mbushë thasët na u kanë dashtë disa ditë, po aq ditë janë dashtë me e bindë dikand prej familjes që me na i dërgu në vendet ku ato janë shitë — iu kemi dhimbtë. Paret që i kemi fitu, shumicën e herave numëroheshin veç në gishtërinjt e njanës dorë. Por pak ka pasë rëndësi kjo. Me jetu në katun asht’ me ditë me u kënaqë me pak. 

Fitimin e madh na e binte fundvera — koha kur kaçat pjeken. Kryet në dritare tuj pa borën kah bjen, e nji filxhan me çaj në dorë, mundet me kanë pamja e parë që ju parafytyrohet shumë prej juve kur kaçat përmenden. Duar të vockëla, të gërvishtuna e me gjak prej therrave, asht’ gja e parë që më bjen në mend mu. 

Çaj kemi pi veç të bjeshkës, e kaçat i mbledhnim me bollëk me i shitë. Thasë të bardhë të miellit në krah — që, dorën në zemër, ishin ma të mëdhenj se na vetë — e niseshim herët për udhë, për me u shpërnda ma vonë, qysh kur vesë e parë e mëngjesit bjen, nëpër ultësinat e kodrat e mbushuna me çuba. Kjo ka vazhdu edhe pas drekës, në pikë të diellit, e deri në muzg. Çdo ditë. Deri kur kaça nuk gjenim ma. 

Edhe bareshë jam kanë, e punë tjetër ma shumë s’kam dashtë. As këta që e kam sot, ani pse edhe këtu arat copë përditshmërie i kam. Në ato livadhe, tuj ruejt lopët, kam mësu ma shumë biologji se prej secilit mësues biologjie që kam pasë. Kam pa se sa të vogël jemi në tanë atë zinxhir, e sa të mëdhenj, mjerisht, na duket vetja. 

Mandej, ka pasë ditë kur kam fluturu prej gëzimi sa herë që nji prej lopëve të mia ka fillu me pjellë në livadh, e jam thy në mijëra pjesë sa herë që ndonji prej tyne ka ngordhë. Secilën herë jam lutë për ato — qysh nji fëmijë lutet — kujt s’kam ditë, ama prapë lutë jam. 

Ilustrimi: Arrita Katona/K2.0.

Kur te këqyrsh, me kanë katunar/e njimend nuk asht’ lehtë, ama ma mirë nuk ka. 

Mbyllini sytë e paramendojeni nji ditë vere me sofra të shtrueme me bukë, djath e spec të kopshtit. Aty-këtu pjata e ulëse të zbrazëta të njerëzve ma të dashtun që ma s’janë mes nesh, e të gjeneratave të reja të familjes që po rriten e mezi presin me i mbushë ato. Nji mori këpucësh para derës. Lodra në secilin qosh të oborrit. Të qeshuna që kumbojnë fort prej kudo. 

Zatën, shpia asht’ ma shumë se veç 4 rena tulla.  

Mandej, muzge të freskëta e misër i pjekun që të bajnë me mendu që parajsa e vërtetë asht’ këtu, në Tokë, pranë e brenda secilit prej nesh. Ma shumë se misër i pjekun, asht’ mall i shuem mes njerëzve që dikur kanë luejt bashkë kilikerash e me llastik.

Tingujt që krijohen prej përzierjes së reçelit — koha e tij, ajvarit e turrshive, për ne katunarët/et, pos Bajram e Pashkë janë.

Net të gjata të dimnit, me llambën e vajgurit mbi krye, tuj shëtitë prej cepit në cep të tokave tona e tuj kapërcy kufinj me tregime prej luftës së fundit. Lamtumira në gryka mali e ritakime në kampet e refugjatëve që rikthehen në jetë e në kohë prej nanës e gjyshes me aq mjeshtëri sa të magjepsin. E çka ma mirë se prekjet e lehta të çiftelisë mbushin zbrazëtinë e heshtjen e ranë që pason.

Tash, dilni jashtë, çojeni kryet nalt, e ndieni flladin e lehtë që vjen prej bjeshkëve të bekume, e na bjen të fala të të parëve tanë prej matanë majave e krojeve të moçme. Miliona copëza rrëfimesh të dashunisë e vajit të mbetuna veç legjendë e atyne maleve, të sjelluna si jehona bashkë me erën për mu e ty. Për krejt neve.

Përralla e jetës në katun i ngjan rreshtave të Migjenit — kur perdet e kuqe lëshohen, dritat e teatrit veç te hjeka shkojnë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona/ K2.0.