Me 22 tetor në zgjedhjet lokale të zhvilluara në Ferizaj, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Agim Aliu, arriti të merrte 39.2 për qind të votave i ndjekur nga kryetari aktual i komunës dhe njëherësh kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muharrem Svarqa që fitoi 31.3 për qind të votave.
Ky rezultat do t’i përballë dy kandidatët në balotazh me 19 nëntor, duke bërë kështu që të përsëritet një garë e vjetër mes tyre, ajo e balotazhit të zgjedhjeve lokale të 2013-ës. Asokohe, Aliu në balotazh kishte hyrë si kandidati më i votuar në raundin e parë, por Svarqa në koalicion me AAK-në kishte arritur të përmbyste rezultatin në balotazh dhe të fitonte të drejtën për udhëheqjen e Ferizajt për katër vitet e fundit.
Svarqa edhe për këtë balotazh ka përdorur strategjinë e para katër viteve e cila edhe i kishte siguruar fitoren duke bërë koalicion, por kësaj radhe me AKR-në.
Në anën tjetër, Agim Aliu nuk ka zyrtarizuar ndonjë koalicion, por që kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Danush Ademi ka dalë haptazi në mbështetje të tij.
Fushata elektorale mes dy kandidatëve është zhvilluar me tone të ashpra. Aliu ka akuzuar për qeverisje të keqe dhe nepotizëm kryetarin aktual. Svarqa në anën tjetër ka akuzuar shpeshherë kundërkandidatin e tij, se garës për kryetar të Ferizajt i është futur pa dëshirën e tij dhe se ai do të punojë fuqishëm që të mos lejojë që PDK-ja ta merrte nën udhëheqje qytetin.
Svarqa e ka bazuar fushatën e tij në ato që i ka cilësuar si punë të mira që ka kryer gjatë këtij mandati. Njëra prej pikave të cilën e ka përmendur vazhdimisht ka qenë edhe ‘‘largimi i krimit të organizuar nga qeverisja lokale’’ duke aluduar në PDK-në, pastaj tërheqja e investime nga qeveria apo donatorët e jashtëm, investimet në infrastrukturë dhe reformimin e administratës komunale.
Edhe pse disa herë është shprehur se qeverisja e tij nuk është përcjellur nga asnjë skandal, në fakt kjo nuk qëndron. Akuzat se ai ka shpërblyer personat e tij të afërt me tenderë kanë shpërthyer gjatë këtyre katër viteve.
Daja i Svarqës është përmendur në disa raste, siç është dhënia e tenderit për pastrimin e rrugëve nga bora, apo edhe akuzat nga biznesmeni Ismet Kamenica, i cili ka thënë se daja i kryetarit Svarqa e ka sulmuar fizikisht dhe i ka kërkuar ‘‘haraq’’ në këmbim të lejes së ndërtimit.
Svarqa ka akuzuar vazhdimisht se PDK-ja me Agim Aliun ka manipuluar votat gjatë këtyre zgjedhjeve, ku ka potencuar se janë blerë votat, sidomos të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Dy kandidatët gjatë fushatës në përgjithësi më shumë janë marrë me njëri-tjetrin sesa që kanë ofruar zgjidhje për problemet që prekin qytetarët. Planprogramet e tyre në shumë pika janë të ngjashme, si projekti për subvencionimin e kamatave të bizneseve që është përsëri premtim, si nga kryetari aktual ashtu edhe nga sfiduesi i tij.
Lehtësira për biznese, në këmbim të vendeve të reja të punës
Svarqa programin e tij e ka të bazuar në zhvillimin ekonomik, duke potencuar vazhdimisht se numri i bizneseve gjatë qeverisjes së tij është dyfishuar. Ai ka përmendur se do të vazhdojë me projektin që tashmë aplikohet nga komuna për subvencionimin e kamatave të agrobizneseve, ku ka theksuar se për këtë projektin tashmë janë ndarë 600 mijë euro.
Mirëpo në këtë drejtim nuk ka dhënë ndonjë shifër konkrete se sa është rritur numri i vendeve të reja të punës, dhe nëse vazhdojnë të jepen këto subvencione gjatë katër viteve të ardhshme dhe se cilat do jenë efektet e saj, respektivisht sa vende të reja të punës do të krijoheshin.
Duke përmendur zhvillimin ekonomik të qytetit gjatë katër viteve të fundit dhe rritjen e bizneseve, Svarqa është shprehur se me këtë ka ndikuar edhe menaxhimi i mirë i parasë publike.
Gjithashtu, Svarqa ka premtuar se në rast se fiton edhe një mandat në krye të komunës ka në plan që zhvillimin ekonomik ta orientojë drejt bizneseve të vogla familjare, dhe se pikërisht përmes subvencioneve do t’u ndihmojë atyre.
Në anën tjetër, Aliu ka theksuar se është e rëndësishme që ai të kthehet në krye të Ferizajt edhe për shkak se kështu do të vazhdonte ‘‘bashkëpunimin e mirë me bizneset e qytetit’’. Ai ka premtuar se do të krijojë fondin e punësimit që do të ndihmojë komunitetin e biznesit, por që nuk ka dhënë ndonjë shifër se sa do të jetë shuma financiare që do të përmbajë ky fond.
Subvencionet janë pikë e rëndësishme edhe e planit të Aliut, ku premton se bizneset do të kenë ndihmë financiare nga buxheti vetanak i komunës, dhe subvencionimin e kamatave të bizneseve e përmend edhe ai. Sipas tij, roli i komunës do të jetë që të krijojë kushte për bankat të cilat do të konkurrojnë që të ofrojnë kredi, dhe që bizneset të jenë përfituesit në këtë mes.
Ai ka premtuar edhe ndërtimin e një parku memorial në bjeshkët e fshatit Jezerc që, sipas tij, do të ndikojë në turizëm dhe mbetet e vetmja mbështetje për këtë fushë pasi do vazhdohet të mbështetet edhe më tej. Mirëpo, nuk ka dhënë detaje shtesë për këtë projekt dhe vlerën e mbështetjes financiare për fushën e turizmit.
Investimet në infrastrukturë
Gjatë fushatës elektorale Svarqa ka përmendur vazhdimisht tërheqjen e investimeve për disa nga projektet e tij në fushën e infrastrukturës, ku vetëm Ministria e Infrastrukturës ka investuar më shumë se 20 milionë euro. Ai thekson se në po të njëjtën mënyrë do të vazhdohet të punohet në përmirësimin e infrastrukturës në qytet.
Një ndër projektet më të mëdha në Komunën e Ferizajt është ndërtimi i sheshit para objektit të Komunës, i cili ende nuk ka përf unduar. Svarqa ka thënë se punimet janë në përfundim dhe se zgjatje e puneve ka ardhur për shkak të kërkesës së tij që ato të jenë kualitative.
Ndërtimi i stadiumit të qytetit me shumë prej 10 milionë eurosh është një prej pretimeve të tij, pastaj investimet për trajtimin e ujërave të zeza, asfaltimin e rrugëve si dhe ndërtimin e shkollave të cilat do jenë në fokus të qeverisjes së ardhshme, sipas tij.
Përkundër kësaj, prej 45 fshatrave të komunës, 31 prej tyre përballen me probleme të kanalizimit dhe ujit të pijshëm. Në kuadër të kësaj, Svarqa problemin e ujit të pijshëm mendon ta zgjidhë me hapjen e puseve nëpër fshatrat e Ferizajt.
Sa u përket investimeve në ujësjellës, ai vetëm i ka përmendur ato dhe nuk ka dhënë detaje shtesë se kur do të ketë zgjidhje të problemit të ujit. Në disa fshatra investimet për rregullimin e ujësjellësit kanë filluar qysh prej vitit 2011, por nuk kanë përfunduar asnjëherë.
Ndërsa sa i përket ujërave të zeza ai ka theksuar se është duke u zhvilluar një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore ku do të ndërtohet një impiant për grumbullimin e tyre.
Svarqa ka përmendur ndërkaq se janë në plan investimet për asfaltimin e disa rrugëve që prekin mbi 15 fshatra, pastaj asfaltimin e rrugëve ‘‘Brahim Ademi’’ dhe ‘‘Driton Islami’’ brenda qytetit, asfaltimin e rrugës që lidh Ferizajn me Vitinë, ndërtimin e një nënkalimi tek fshati Varosh dhe projektet e tjera që janë në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës.
Aliu në anën tjetër investimet në infrastrukturë i ka të orientuar në planin e quajtur ‘‘Bashkimi i Qytetit’’ të cilën mendon ta realizojë në tri faza. Brenda saj do të bëhet vazhdimi i ndërtimit të nënkalimit ekzistues që kalon në rrugën ‘‘Ahmet Kaqiku’’, pastaj ndërtimi i mbikalimit mbi hekurudhën e qytetit. Ndërsa, atë që e ka quajtur edhe si ‘‘projekti kryesor i bashkimit të qytetit’’, ai e parasheh ndërtimin e nënkalimit i cili do t’i lidhte dy pjesët e qytetit dhe projekti në fjalë do të përfundonte në tri faza të ndryshme, të financuar nga buxheti i komunës.
Investimet infrastrukturore nga ana e Aliut parshihen edhe në kanalizime dhe ujësjellës ku premton se çdo fshat dhe lagje e qytetit do të ketë qasje në to. Përkundër kësaj, ky plan nuk jep detaje shtesë sensa do jetë kostoja apo për çfarë periudhe kohore do të realizohen ato.
Mirëpo projektin për nënkalim të propozuar nga Aliu, Svarqa e ka quajtur vetëm premtim elektoral sepse hekurudha është në pronësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ndërhyrjet aty nuk mund të bëhen nga komuna. Ai ka thënë se është duke bërë një studim të fizibilitetit dhe në bazë të së cilit do të veprohet.
Arsimi dhe shëndetësia
Njëri prej premtimeve kryesore të kryetarit aktual ka qenë edhe ndërtimi i spitalit të qytetit, projekt ky që ishte iniciuar edhe nga Aliu në kohën sa udhëhiqte me Komunën. Svarqa ishte arsyetuar se ky projekt nuk është realizuar për shkak të zvarritjeve procedurale dhe të ndikuara politikisht kundër tij. Ai theksonte se komuna ka kryer obligimet e saj dhe linte fajin tek Ministria e Shëndetësisë, ku ndër të tjera edhe akuzonte PDK-në se ka pasur gisht në këtë zvarritje.
Përkundër akuzave të Svarqës, në kohën kur ishte në plan ndërtimi i spitalit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Ismet Rrahmani i cili po ashtu vjen nga LDK-ja. Ministria disa herë kishe anuluar tenderin, por që përfundimisht në mars të këtij ia kishte ndarë atë tri kompanive por që prapë nuk kishin filluar punimet e spitalit.
Agim Aliu në anën tjetër ndërtimin e spitalit në Ferizaj e ka si njërin nga premtimet në fushën e shëndetësisë. Ai premton se brenda mandatit do të përfundojë ndërtimi i tij, si dhe parasheh edhe ndërtimin e Qendrës Diagnostike e cila do të kryente funksionin për incizime dhe ekzaminime, që sipas tij mungojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF).
Ai premton edhe investime në infrastrukturë në QMF-të, pajisjen e tyre me mjete të nevojshme, si dhe ndërtimin e tri QMF-ve të reja, por pa specifikuar se në cilat lokacione do të ndërtohen ato. Ndër të tjera, ai u premton banorëve të fshatrave që nuk kanë QMF se mjekët do të vijnë t’i vizitojnë ata nëpër shtëpitë e tyre.
Sa i përket fushës së arsimit bie në sy se të dy kandidatët e kanë si premtim zhvendosjen e shkollës fillore ‘‘Gjon Serreçi’’ nga objekti ekzistues, që njëherësh është shkolla me numrin më të madh të nxënësve në Ferizaj.
Svarqa në fushën e arsimit premton se do të vazhdojë edhe më tutje me shpërndarjen e shujtave për nxënësit e klasave të para deri në të pestat, si dhe thotë se po mendohet që kjo praktikë të përdoret edhe për nxënësit deri në klasat e nënta. Gjithashtu pjesë e programit të tij është edhe heqja e shpenzimeve të ushqimit dhe udhëtimit për personelin mësimor, ku ndër të tjera ai për ta premton se do të paguajë edhe pagat jubilare.
Ai premton se do të ndërtohet edhe objekti i ri i gjimnazit ‘‘Shaban Shabani’’, pastaj janë në plan edhe disa objekte tjera shkollore, sepse komuna ka krijuar hapësira për ndërtimin e tyre.
Aliu në anën tjetër tha se prioritet i qeverisjes së tij është formimi i një këshilli, i cili do të identifikonte disa profesione dhe në bazë të kësaj do të bëhej e mundur hapja e disa drejtimeve të reja profesionale. Sipas tij, kjo do të duhej të paraprihej nga depolitizimi i sistemit arsimor, ku ndër të tjera do të formoheshin këshillët e prindërve për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollës.
Gjithashtu ai premton edhe krijimin e një fondi të veçantë i cili do t’i dedikohej pastërtisë së shkollave, pastaj edhe ndërtimin e një objekti të ri shkollor, të digjitalizohen ditarët shkollorë dhe të rritet siguria në shkolla..
Megjithatë, u mbetet qytetarëve të Ferizajt me 19 nëntor, që me votën të zgjedhin kryetarin e tyre për katër vitet e ardhshme. Opsionet e tyre janë dy kandidatë të cilët tashmë janë të sprovuar në qeverisjen e njërit prej qyteteve më të zhvilluar ekonomik në Kosovë. Të dy kandidatët kanë ofruar opsione se si mund të zgjidhen problemet që prekin qytetarët, por ajo që bie në sy është se projektet e tyre nuk i kanë i përcjellur me detaje shtesë që do të tregonin se sa janë kostot, kur pritet të zbatohen ato, apo edhe argumentet se si ato projekte do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Ilustrimi: K2.0.