Gjerë e gjatë | LGBTIQ+

“Na jemi gra dhe nuk dëshirojmë me u plakë si burra”

Nga - 08.08.2022

Dy gra transgjinore që gjetën strehë te njëra-tjetra, kur shumica ua refuzoi praninë.

Anna dhe Barbie me vrull nisën të më tregonin copa të ndodhive që shpalosin se si zuri fill shoqëria e tyre. Një buzëmbrëmje nëntori, rreth dy vite më parë, kishin qëlluar në mesin e miqve të përbashkët në tavolinën e një kafeneje të Prishtinës.

Do të ishin takuar disa ditë më herët, po të mos ishte një ndërrim-mendje e çastit të fundit.  

Në ditën e fundit të tetorit të 2020-ës, për Halloween, Barbie do të performonte në një shfaqje drag të mbyllur, të cilën e kishte bashkëorganizuar e ku Anna ishte regjistruar si pjesëmarrëse. 

Por, Anna nuk u paraqit. Pak para shfaqjes, ajo kishte ndërruar mendje dhe kishte vendosur të shkonte në një ngjarje publike queer në qendrën sociale Termokiss në Prishtinë. Aty, për herë të parë, Anna ishte paraqitur publikisht e veshur si grua, apo siç rrëfeu vetë ajo, “plotësisht vetja ime”.

“Prandaj gjithë e lidhi Halloween me takimin pas disa ditëve me Barbien”, tha Anna një pasdite prilli të këtij viti kur i takova atë dhe Barbien. “Më kujtohet kur jemi prezantu, unë e disha çka jam, por ende s’kisha za e fuqi me qitë jasht çka jam dhe veç i kam thanë: ‘Jam gjithçka dhe përtej’”. 

Duke iu bashkuar entuziazmit me të cilin Anna e tregonte fillimin e shoqërisë së tyre, Barbie shtoi: “Ka qenë shumë e lehtë me Annën. Energjia ka qenë aty”, duke treguar se si “Shumë shpejt kemi fillu të thirremi me emrat [Anna e Barbie] si tash”. 

Rrëfimin e vazhdoi menjëherë Anna, “Bash si po e përmendi emrin sot, jam prezantu edhe atë natë, edhe pse atëherë ende nuk jam identifiku publikisht me Anna. Por tash u bo boll. Le të ma nin zanin edhe mu pak, se u bo kohë e gjatë”.

*********

Muajt që rrodhën pas takimit të tyre të parë, i gjetën këto dy gra duke ia dëftuar njëra-tjetrës ballafaqimet dramatike me jetën, të cilat gjer atëherë i kishin strukur brenda vetes me aq shumë kujdes. Ngujimi gjatë pandemisë Covid-19 tashmë i kishte zhvendosur thuajse të gjitha fragmentet e jetës brenda mureve të shtëpisë, gjë që Anna dhe Barbie e mirëpritën. 

Mblidheshin në banesën që Anna e kishte marrë me qira, pasi u shpërngul nga Prizreni për t’i filluar studimet në sociologji dhe kështu filluan rutinën e tyre të bisedave të pandëprera të gjata e të gjalla, që i kishin pritur prej kohësh. 

Këmbenin rolet, herë të folëses e herë të dëgjueses e në fund të natës rreshtoheshin para pasqyrës duke bërë grim dhe ndërruar paruke, take e fustane. Për herë të parë, asnjë veprim nuk iu vinte i pazakontë. 

Sa më shumë kohë që kalonin bashkë, aq më shumë zbulonin ngjashmëri tek njëra-tjetra. Sa më shumë që zbërthenin copëza të përvojave të tyre të rrëmujshme, aq më shumë merrnin kuptim ngjarjet që dikur u dukeshin të pashpjegueshme. 

“E kemi pa që jemi në rrugëtim të njëjtë. Që nuk jemi vetëm”, pati thënë Anna. 

Një natë, Barbie i dha zë një mendimi të kahmotshëm, që më herët nuk kishte guxuar ta jetësonte me fjalë: “Jam transgjinore”, diçka që Anna veç e kishte ditur.

Barbie kishte takuar vajza transgjinore edhe më herët, por për të, Anna ishte e para që e kishte pranuar veten si të tillë dhe që dëshironte ta jetonte veten si grua. 

“Kur e kam taku Annën, e kam pa që nuk është e pamundur, që Anna ka vullnet t’i nënshtrohet tranzicionit dhe që mund të jetë e mundshme edhe për mu. Që mund ta bëj edhe unë. Përmes bisedave me të kam kuptu më shumë dhe kjo ka ndiku me pranu veten”, tha Barbie.

*********

Seksi biologjik që iu caktua të dyjave në lindje ishte ai mashkullor. Anipse asnjëherë nuk ishin ndier rehat me trupat e tyre, mendonin se çka i bënte queer ishte orientimi seksual e jo identiteti gjinor. Shumë gra të reja transgjinore, sidomos në vendet ku dukshmëria e grave transgjinore është e mangët, para se të vetëidentifikohn si gra e vajza e fillojnë rrugëtimin e identifikimit si djem gej ose biseksualë.

“Kur je ende e re dhe nuk ke aspak qasje në çështjet transgjinore, as që e mendon se mund të jesh gru. Në fakt, për ty është mjaft që je djalë gej dhe për ty është gjëja më e keqe që mundesh me e pasë, e le ma me mendu për identitet gjinor”, tha Barbie. “E shtyn veten me seksualitet dhe e zhduk pjesën e identitetit gjinor”, pati shtuar Anna.

Kur kthehen te kujtimet e vagullta të fëmijërisë, ato e përshkruajnë veten të ngashënjyera me lodrat, që tradicionalisht konsiderohen të vajzave — kukulla, sidomos kukulla me flokë sa më të gjata apo lodra ku mund të improvizonin grimosjen.

Çdo përpjekje për ta shprehur identitetin gjinor të vajzës u këput me rreptësi kur Anna kishte hyrë në shkollë.

Por kërshëria e tyre për lodra të tilla përplasej me rrezikun nga refuzimi i atyre që i kishin përreth. Nganjëherë u duhej të mjaftoheshin me çfarëdo lodre, qoftë një makinë e vogël, që në ndonjë rast e përdornin si mburojë shpëtimi nga shikimet e ngrysura të të tjerëve.

“Dhe më mirë një lodër, që ka qenë më e preferueshme për djemtë, sesa asnjë lodër. Edhe ti si fëmijë e ke vërejtë që je tu e bë familjen të palumtur me kërkesat tua dhe veç e ndal veten”, tha Barbie.

Barbie i numëroi në gishta hapësirat e sigurta që i mundësuan ikje të përkohshme nga përditshmëria e zorshme për t’u përshtatur si djalë. Për të, vizitat në shtëpinë e gjyshërve përbënin strehë rehatie. Gjyshi i blinte kukulla, ngaqë pëlqimin për to e shihte si tekë të pasherr fëmijërore.

Për Annën, nëna e saj ishte aleatja më e mirë. Ajo i ujdiste fustanet miniaturë për kukullat e saj më bollëk. Madje, në shtëpinë e saj kishte njëfarë pranimi edhe për shprehjen e identitetit gjinor nëpërmjet flokëve më të gjata, rrobave e deri tek çantat për vajza. Por çdo përpjekje për ta shprehur identitetin gjinor të vajzës u këput me rreptësi kur Anna kishte hyrë në shkollë. 

“Vendosi mësuesja që flokët më të gjata janë keq, që rrobat janë keq dhe atëherë ia nisi edhe familja të bënte presion”, tha Anna.

As për Barbien duke qenë fëmijë me disa tipare të vërejtshme feminine shkolla nuk kishte qenë më pak e hidhur. Aty ajo ishte vazhdimisht shënjestër e bullizmit. Një rast i rrallë dhe i veçantë kur Barbie ishte ndierë në harmoni me veten kishte ngjarë diku në klasën e katërt ose të pestë të fillores.

“Shoqet filluan të vallëzonin me “Rude Boy” të Rihannes. Unë mbeta se filluan të bënin me flokë dhe gjeste më feminine, në thonjëza po e them. Dhe arsimtarja po ma ban me kry, si konfirmim që unë mundem mu bashkangjitë. Ka qenë ndjenjë e mirë, që nuk po më gjykon. Dhe unë gati sa nuk fillova me ba drag show. Një gjest i vogël, por që m’ka bë të lumtur për një kohë”, kujton Barbie.

Ndërkohë Anna nuk ishte më shumë se 10-vjeçe kur kurreshtja për të kuptuar pse trupi i saj në rritje nuk po u ngjante atyre të vajzave tjera të klasës e çoi tek leximet e para që ia shpjegonin dëshirën e fortë për ta paraqitur veten identitetin gjinor ndryshe prej seksit biologjik. 

“Isha ende fëmijë. Një fëmijë që ka hyrë shumë herët në pubertet. Fantazojsha se si kam mu shndërru në vajzë. Kur nuk ndodhte gjë, fillova të hulumtoj pse nuk jam duke u bërë vajzë”, tha Anna. 

Por, trysnia nga një rreth i tërë për t’iu përshtatur normave dhe roleve gjinore ishte më e fortë dhe më e prerë se orvatjet e vetmuara të saj për ta përvetësuar identitetin gjinor të vajzës. Me shpresë të fashitur dhe emocionalisht e rraskapitur, Anna përqafoi maskulinitetin e skajshëm, duke u munduar të gjejë qetësi nga ndjenja shtytëse që diçka nuk është në rregull me të. Prezantohej e vishej si djalë, thellonte zërin dhe përpiqej të zhdukte njëherë e përgjithmonë çdo gjë feminine në të.

“Pata kalu në maskulinitet toksik. Sillesha si djemtë macho. Shkojsha edhe në ushtrime që mu dukë me muskuj sa më te zgjeruar. Ka qenë ose djalë ose s’ka mbrapa”, tha Anna.

Kjo kundërpërgjigje e Annës është rezultat i transfobisë së vazhdueshme me të cilën përballen personat transgjinorë në Kosovë e përtej. Më shumë se një dekadë më parë, Edona James një grua transgjinore kosovare doli publikisht dhe rrëfeu se si e kishte kryer operacionin kirurgjik për ricaktim të seksit. Për Annën dhe Barbie-n, Edona ishte gruaja e parë transgjinore që e kishin parë në televizion, apo kudo. 

“Unë vazhdimisht e imagjinojsha veten me flokë të gjata, të kuqe, sepse atë kohë ka qenë në trend mi ly flokë e kuqe. Unë dojsha me qenë një nga vajzat, por s’e kam ditë që është e mundshme dhe e kam humbë shpresën. Deri kur e kam pa Edona James”, tha Barbie.

Kur daljet publike shoqërohen me mospranim, gjuhë të urrejtjes e mijëra kërcënime, siç kishte ndodhur në rastin e Edona James edhe dukshmëria transgjinore bëhet një kujtesë e rreziqeve te vazhdueshme. Për dy vajzat e reja, shpjegimi i vetes përmes Edonës nuk mund të kishte tjetër perspektivë, pos asaj pikëlluese.

“E pata pa tërë atë urrejtje për Edonën. Unë tashmë kam qenë pak bullied, edhe si vajzë edhe si gej; më thirnin me fjalë nënçmuese për personat gej. Kur ka dalë Edona, atëherë më kanë asocu edhe me të… dhe jam mundu me ndryshu”, tha Barbie.

“Edhe unë kam mendu që jam e vetmja dhe kur e kam pa Edonën, që qenka dikush si unë, tu e jetu jetën qysh ndihesh vetë. Por pastaj kam pa reagimet dhe kam thanë, po e nali krejt, po e shtypi”, tha Anna.

*********

Anna dhe Barbie kaluan vitet e adoleshencës si dy djem të zakonshëm larg flokëve të gjata, grimit, fustaneve, uniformave shkollore për vajza, e çfarëdo gjëje që përbënte rrezik t’i feminizonte. Parehatinë, trazimin, frikën e mërzinë, që e luftonin në izolim dhe vetmi, e arsyetonin si një fazë kaluese të pubertetit. 

Në kulm të përpjekjes për ta përvetësuar identitetin gjinor të burrit të ri, madje u bë model në biznesin e modës, sëmundja dhe më pas vdekja tronditëse e nënës e ktheu Annën mbrapa në kohë. Vuri në mëdyshje të gjithë jetesën e vet, duke gjurmuar ëndrrat e dikurshme të vajzës së vogël.

“Fillova me njoftë veten se u pata lodhë shumë. Nuk disha më kush jam. Në fakt nuk isha asgjë, derisa u rilidha me fëmjën brenda vetes, me Annën fëmijë. Çfarë kisha shtyp në Annën e vogël, që nuk po e ndi veten rehat tash. E rigjeta vajzën brenda meje dhe kësaj here e mbajta”, tha Anna. 

Anna e filloi tranzicionin shoqëror –– kur një person transgjinor fillon të prezantohet me emër, përemra, sjellje e shprehi që përputhen me identitetin gjinor –– me një grup të ngushtë të miqve, por shumë shpejt u bë një nga fytyrat më të veçuara të kulturës drag e aktivizmit LGBTQ+ në Kosovë. “Ngadalë, deri kur kam mbërri te identiteti, te pjesa ku ka qenë problemi kryesor. Pak nga pak, fazë pas faze, me dashtë veten për çka jam dhe nuk jam pishman. Ka qenë një rrugëtim i bukur, e gjithë kjo, rishpikja e vetes”, thotë Anna.

Kjo ishte periudha e njoftimit me Barbie-n, emri i së cilës kishte filluar të marrë jehonë në skenën e gjallëruar drag. 

Performancat në shfaqjet drag nën petkun e një kostumografie thellësisht feminine e angazhimi i përbashkët me personat tjerë LGBTQ+ e kishin ndihmuar Barbien të kuptojë që dëshiron të perceptohet më shumë si një vajzë, sesa si një djalë gej. 

“Më vonë e kupton që nuk ka të bëjë me një copë materiali që e ke në trup. Është përtej kësaj, sepse e kupton që trupi dhe shpirti është i gruas. Që kurrë nuk jam ndierë rehat apo i bukur mjaftueshëm si djalë dhe që gjithnjë e kam qitë në pah disi vajzën”, tha Barbie. 

“E kur i sheh vajzat e gratë tjera, të duket që ato kanë diçka që ti e dëshiron aq shumë, por që nuk mundesh [ta kesh] shkaku i shoqërisë ku jeton. Të duket që ato po jetojnë jetën tënde”, tha Anna.

Megjithëse shfaqjet drag ishin ndër ngjarjet më vendimtare për të dyja që ta afirmonin identitetin e tyre gjinor, Anna dhe Barbie zemëroheshin shpesh kur dikush i reduktonte në të qenit mbretëresha drag. 

“Trans dhe drag janë dy gjëra të ndara dhe nuk duhet të perzihen”, tha Barbie, duke iu referuar dallimit në mes identetit personal gjinor dhe drag-ut si paraqitje e përkohshme artistike.

“Të dyjave na pengon, kur ne shkojmë si audiencë në shfaqjet drag dhe prapë vinë direkt dhe na pyesin: ‘A ke me performu sonte?’, A po t’dukem drag? Kur perceptohem vetëm si drag queen, perceptohem si asgjë, por si drag queen. Si një burrë me perikë”.

Ato kuptuan që gratë transgjinore përjetojnë shumë më shumë dhunë.

Gjersa Anna dhe Barbie zbulonin veten përmes njëra-tjetrës dhe shoqërisë, që gjithnjë e më shumë po zhvillohej, njëherazi dy gratë e reja zotëruan ngadalë feminitetin e tyre edhe në sferën publike. Kur dy shoqet e gjata dhe të pashme dilnin bashkë në ndonjë kafiteri apo bar të natës, kokat kureshtare zgjateshin dhe vrojtonin në drejtim të tyre. 

“‘Kqyr sa të gjata këto dyja’, shpesh na thonë”, tha Barbie. “Që thonë te na, me ta mbushë derën”, e ndërpreu Anna duke qeshur.

Ato pohuan që paraqitja e tyre feminine si cisgra kur identiteti gjnor përputhet me seksin që i eshtë caktuar në lindje që i kursente nga gjuha e urrejtjes gjatë lëvizjeve të tyre rutinore. 

“Kjo është diçka që nuk ndodh me transgjinoret që duken më maskuline. Ato marrin komente negative. Por ka shumë qika trans që nuk dalin në publik se kanë frikë që mos i shajnë dhe ndihen të kërcënuara”, tha Barbie.

Pasiguria dhe frika nga sulmet transfobike i kishin shoqëruar gjatë edhe Annën dhe Barbien. Veç kësaj, ato kuptuan që gratë transgjinore përjetojnë shumë më shumë dhunë, meqë ato perceptohen si burra, të cilët duan të jenë gra, brenda një sistemi tashmë patriarkal, që favorizon burrat e i shtypë gratë.

Në raste të ndryshme, edhe vetë burrat transgjinorë, njëherit aktivistë për të drejtat LGBTQ+, kanë thënë që familjet, shoqëria dhe institucionet përgjithësisht kanë miratim më të madh për personat, të cilëve u është caktuar seksi biologjik femëror në lindje, por identifikohen si burra në të gjitha sferat jetës.

“Burrat me karakteristika feminine shihen shumë keq, sepse shoqëria e sheh gruan keq, e sheh të dobët. Njëjtë edhe neve na sheh, të dobët. Kur është në pyetje një djalë transgjinor e ka më lehtë gjithmonë. Por me qenë vajza transgjinore, ti shikohesh si një person i dobët”, tha Barbie.

“Ne duhemi me luftu pse jemi trans dhe pse jemi gra. E kur je gru transgjinore në këtë shoqëri, thonë që je një burrë i çuar dëm. Prandaj është shumë e rëndësishme që feministet të jenë aktiviste edhe për vajzat transgjinore”, tha Anna.

Përbuzjen dhe diskriminimin, gratë transgjinore, por edhe burrat transgjinorë, e hasin veçanërisht në vend të punës, ose gjatë kërkimit të tyre për punë. Për të përballuar shpenzimet si studente dhe banore e re në Prishtinë, Annës i është dashur një punë. Ajo kishte aplikuar në dhjetëra vende të punës dhe në shumicën e rasteve ka hasur në paragjykim, fyerje dhe kërcënime për dhunë. 

“Ka pasë raste kur në intervista kanë thënë ‘dil jashtë’ ose ‘s’po du kësi njerëz me punu te unë’. Unë veç kam dashtë një punë, por nuk u intereson sa je e kualifikuar apo çka studion. Automatikisht je jashtë”, tha Anna.

“Problemi është që nuk kanë vizibilitet [personat] LGBTQ që punojnë, ti ke “closeted” LGBTQ [që nuk e kanë bërë publik orientimin seksual ose identietin gjinor] që punojnë”, tha Barbie.

Në prill, Anna punonte si kamariere në një nga kafenetë në qendër të Prishtinës në përpjekje për pak siguri ekonomike, që e kishte aq të rëndësishme edhe për tranzicionin hormonal të saj. Bashkë me Barbien kishin vendosur t’ia fillojnë sa më shpejt terapisë për zëvendësim të hormoneve, që nënkuptone marrje të estrogjenit shtesë, si një hap i parë që identiteti i tyre biologjik të jetë në vijë me atë gjinor. 

Sistemi shëndetësor në Kosovë nuk ofron përkujdesje shëndetësore për personat trangjinorë. Shumica e spitaleve publike dhe private nuk ofrojnë terapi hormonale për personat transgjinorë, duke i shtyer ata të kërkojnë opsione për terapi hormonale jashtë vendit. Kjo nënkupton shumë shpenzime shtesë.

Përmes terapisë hormonale, Annës e Barbit gradualisht do t’u ndryshonte zëri, ndërsa fytyra do t’u merrte tipare më feminine. Feminizimi i fytyrës do t’ua zvogëlonte edhe disforinë gjinore gjendja që manifestohet si shqetësim dhe ankth që e shoqëron mospërputhjen në mes gjinisë së përjetuar dhe seksit të caktuar në lindje. 

Anna e Barbie shpesh kanë përjetuar disfori gjinore, ndër të tjera, kur ishin të vetëdijshme që nuk po perceptohen si gra dhe që tiparet e tyre maskuline po marrin vëmendje të madhe tek të tjerët. 

“Është ende luftë me veten, kur vjen dikush me të thanë ‘a je lezbike, a je djalë, a çka je?’”, tha Anna.

“Shpesh jam ndi edhe jorehat mu prezantu si gru, kur kam pasë flokë të shkurtra, ose me rroba që janë më maskuline”, tha Barbie.

Në një moment Anna dhe Barbie i bënë pyetje njëra tjetrës Nëse shoqëria do të ishte më pranuese ndaj fluiditetit gjnor dhe gjinisë jo-binare, a do të kishin ende disfori gjinore dhe a do të kishin nevojë për tranzicion? 

“Në fund të ditës kur e sheh trupin tënd para pasqyrës trishtohesh sepse është anatomi e djalit. Fustanet e grimi janë shpikje, sende që i ka bërë shoqëria. Fustani është vetëm një copë materiali, por çështja nuk është te një rrobë e caktuar, por si rrin ajo rrobë në trupin tënd. Prapë ke konstrukt djali dhe kjo ta ndikon rehatinë brenda. Na jemi gra dhe nuk dëshirojmë me u plakë si burra”, tha Barbie.

“Ne dëshirojmë terapinë për zëvendësim hormoneve dhe ndryshimet fizike që vijnë me të, e sidomos stabilitetin mendor që vjen me të. Shëndeti mendor i transgjinorëve është tërësisht i anashkaluar në Kosovë, te familja, te shoqëria, te shteti”, tha Anna. 

Duke e përjetësuar debatin e moçëm në mes sociologëve e akademikëve, Anna ishte e bindur që pikërisht dëshira për t’iu përshtatur një gjinie rrezikonte përforcimin e stereotipeve regresive dhe normave problematike shoqërore. Ajo kundërshtonte pritshmëritë e zakonshme gjinore duke përvetësuar edhe pamje androgjene kur paraqitja fizike përbën njëkohësisht karakteristika feminine dhe maskuline.

“Nuk të definon se si dukesh dhe na që dalim si androgjen mendoj që bëjmë aktivizëm, sepse personat transgjinorë që janë në tranzicion kanë shumë huti dhe duhet me ua bë më të lehtë me pranu veten. E tjertë në mënyrë të qetë i edukojmë që problemi është te vetë ata, dhe pasiguria e tyne që mundohen me projektu te ne. Rrugës mund të thonë diçka, por kur je ti rehat me veten, s’kanë çka me të ba. Ti je mbi ta”, tha Anna.

*********

Në pasditen e 22 korrikut, komunitetit LGBTQ+ iu dha një lajm i rëndë. Anna, 22-vjeçare, vrau veten. Ajo u varros të nesërmen, me emrin me të cilin ishte pagëzuar në lindje –– që e kishte luftuar tërë jetën e vet.

Barbie po përpiqet të gjejë kuptim dhe po i kërkon përgjigjet tek takimet e fundit me Annën dhe te shprehja e saj e fytyrës; tek një ndër telefonatat e fundit, ku Anna i kishte thënë se ia kishte zgjedhur dhuratën për ditëlindjen e 21-të, që Barbie do ta festonte së shpejti; tek trishtimi i saj që kishte arritur ta fshihte me aq mjeshtëri, tek gjërat që i kishte thënë e sidomos tek të pathënat. 

Mendjen e çon tek shëndeti i rënduar mendor nga shtypja dhe diskriminimi, depresioni që askush nuk ia kishte vërejtur, ankthi nga disforia gjinore, pikëllimi i patejkaluar për vdekjen e nënës, mosbesimi që mund ta kryejë me sukses tranzicionin, mosbesimi që ndonjëherë mund të bëhet mirë përgjigja mund të jetë tek të gjitha bashkë. 

“Ka lënë shumë pikëpytje. Me një anë më bën që me vazhdu edhe luftën e saj. Por si mundem me vazhdu luftën e dikujt që nuk është më këtu?! A do të mundem unë për vete me vazhdu luftën? Nuk di, përveç asaj që me qenë gru transgjinore është vetë luftë. Unë du me vazhdu këtë luftë, që mos me fitu ata që nuk e dojnë jetën e lirë. Dhe sidomos me ju tregu vajzave si Anna, që e meritojmë me vazhdu”, tha Barbie.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0