Pikëpamje | Pajtimi

Nevojitet reagim për të ndryshuar (keq)përfaqësimin shqiptar

Nga - 22.10.2020

Tekstet alternative gjithëballkanike të historisë ofrojnë dokumentim të diskutueshëm e të mangët për Kosovën.

Në vitin 1999 OJQ “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe (CDRSEE)”, me seli në Selanik, inicoi projektin “Joint History Project” në mënyrë që mësimdhënësve të historisë në Ballkan t’u ofronin materiale që përmbanin shumë këndvështrime për të njëjtën ngjarje. Për këtë CDRSEE angazhoi historianë nga i gjithë rajoni dhe projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. 

Gjatë hartimit të këtyre teksteve, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Të gjashtë vëllimet u përkthyen nga origjinali anglisht në dhjetë gjuhë (nëntë ballkanike dhe japonisht) e u promovuan në shumë prej kryeqyteteve rajonale, përfshirë edhe Prishtinën më 2018. 

CDRSEE në vëllimet e saj “Projekti i Historisë së Përbashkët” mbi historinë e Ballkanit u përpoq që jo vetëm të rishikonte të mësuarit etnocentrik të historisë, por edhe të stimulonte mendimin kritik dhe debatin, të promovonte diversitetin dhe të pranonte si vuajtjet, ashtu edhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë. 

Gjatë javëve të fundit, në K2.0 publikova një seri artikujsh që kishin për qëllim të përcaktonin shkallën në të cilën CDRSEE kishte arritur këtë qëllim të admirueshëm. Kjo seri e shkrimeve kishte nën objektiv mënyrën si paraqiten shqiptarët në përgjithësi në pesë vëllime të këtij projekti, specifikisht si janë paraqitur ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve? Cilat nga ngjarjet e rëndësishme nuk janë paraqitur fare? Dhe si është dashur të paraqiteshin ato?

Përmbledhje e kritikave kryesore 

Vëllimi i parë “Perandoria Osmane”, ndonëse përveç përplasjeve synon t’i përfshijë edhe bashkëjetesat e të nënshtruarve me sundimtarët osmanë për shkak të privilegjeve individuale e kolektive, nuk i paraqet fare as kryengritjet e as bashkëpunimet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane përgjatë pesë shekujve të sundimit të saj në hapësirat e banuara me shqiptarë. Po kështu, nuk i përmend askund qëllimet politike të shqiptarëve, madje as rrymat politike të tyre nën Perandorinë Osmane. Duhet shtuar se i gjithë vëllimi nuk prezenton asnjë krim të forcave osmane ndaj shqiptarëve dhe, ç’është më e keqja, shqiptarët i portreton si mercenarë, plaçkitës, fajdexhinj, përbuzës të grave, të paarsimuar, etj.

Vëllimi i dytë “Kombet dhe Shtetet në Europën Juglindore”, sa u takon raporteve të shqiptarëve me Perandorinë Osmane, sjell vetëm disa momente bashkëpunimi, por as këto madje nuk pasqyrohen drejt. Ndonëse përpiluesit e vëllimit mëtojnë se ndër qëllimet e tyre është t’i paraqesin pakënaqësitë ndaj regjimeve të ndryshme perandorake, nuk sjellin asnjë kryengritje shqiptare gjatë tri dekadave të fundit të sundimit të Perandorisë Osmane. 

Përpiluesit nuk theksojnë askund se synimi i shqiptarëve në këtë kohë ishte një shtet që do t’i përfshinte të gjitha hapësirat e banuara prej tyre, kurse arritja ishte një shtet me më pak se gjysmën e hapësirave të banuara me shqiptarë. Nuk përmenden kund as rrymat politike të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe – në një anë ishin “tradicionalistët myslimanë” që dominonin kryesisht në Kosovë, e në tjetrën “intelektualët autonomistë” që dominonin kryesisht në Shqipëri. Njëlloj, mungojnë të dhënat për dëbimin masiv të shqiptarëve prej Sërbisë nga Sanxhaku i Nishit më 1877-1878, e edhe për shpërnguljen e sërbëve nga Kosova për në Sërbi në periudhën 1878-1912.

Ndonëse sillen pasazhe për djegien e fshatrave dhe eksodin e njerëzve, si dhe të dhëna për të vrarët dhe viktimat e të gjitha vendeve gjatë luftërave ballkanike, asgjë nuk ka për shqiptarët.

Vëllimi i tretë “Luftërat Ballkanike” nuk e jep fare ngjarjen më të rëndësishme të shqiptarëve në prag të luftërave ballkanike – kryengritjen e vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane, e as bashkëpunimin e disa prej liderëve kryesorë kryengritës shqiptarë me përfaqësuesit sërbë në Prishtinë. Vëllimi sjell disa fragmente nga gazetat shqiptare të botuara jashtë vendit, të cilat ndihmojnë për të kuptuar këndvështrimet e ndryshme brenda shoqërisë shqiptare të kohës së luftërave ballkanike, por këto nuk janë të mjaftueshme. Nuk sqarohet askund se shqiptarët në këtë kohë ishin të ndarë: në njërën anë shumica e përfaqësuesve të qyteteve, bejlerët e agallarët që kundërshtonin autonominë, e në tjetrën kryengritësit që synonin autonominë, por që ishin të përçarë, mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë të lidhur me Perandorinë Osmane.

Pjesa që trajton ushtritë dhe civilët e kombësive të ndryshme gjatë luftërave ballkanike, jep vetëm këndvështrimin sërb. Nuk prezenton fare krimet e forcave sërbe e malazeze ndaj civilëve shqiptarë, e madje, përmes disa shembujve, lexuesit i krijohet përshtypja se ato kishin qenë madje shumë korrekte me civilët. Ndonëse sillen pasazhe për djegien e fshatrave dhe eksodin e njerëzve, si dhe të dhëna për të vrarët dhe viktimat e të gjitha vendeve gjatë luftërave ballkanike, asgjë nuk ka për shqiptarët. 

Edhe ky vëllim shqiptarët i portretizon negativisht – për humbjen e forcave osmane gjatë luftërave ballkanike dhe për katastrofat që u shkaktuan, fajësohen shqiptarët, ngaqë thuhet se “u mashtruan nga sërbët, u paguan nga grekët, dezertuan e u dorëzuan.” Për hir të të vërtetës, duhet thënë se në botimin e dytë të këtij vëllimi më 2012 janë bërë disa plotësime, por jo sa e si duhet, dhe për më shumë, vetëm në versionin shqip, e jo edhe në versionet në anglisht dhe gjuhët e rajonit.

Vëllimi i katërt “Lufta e Dytë Botërore” nuk përmban asnjë të dhënë për Kosovën a për shqiptarët jashtë territorit të Shqipërisë, përkatësisht në Jugosllavi.

Vëllimi i pestë “Lufta e Ftohtë (1944-1990)” nuk e përmend askund administrimin ushtarak, dënimin e pushkatimin e kundërshtarëve shqiptarë të regjimit jugosllav, dhunën e terrorin ndaj popullsisë civile shqiptare, sekuestrimin e dhjetëra mijëra hektarëve tokë, gjysma e të cilëve iu është dhënë kolonëve kryesisht sërbë e malazezë, e as dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Nuk theksohet askund se mbas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë në njërën anë vepronte rryma legale, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën rryma e organizuar në organizata ilegale, që e kundërshtonte regjimin jugosllav, e as qëllimet e këtyre dy rrymave. 

Në këtë vëllim, sa i takon rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për autonomi të zgjeruar dhe të drejta të barabarta me popujt e tjerë jugosllav, paraqiten vetëm demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, por sipërfaqësisht e me plot pasaktësi. Nuk ka asgjë as sa u takon avancimeve të Kosovës me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974, por paraqitet industrializimi i Kosovës, ndonëse përciptazi.

Jepen detajisht dëmet materiale të shkaktuara prej sulmeve të NATO-s, por nuk ka absolutisht asgjë për dëmet materiale të shkaktuara prej forcave sërbe.

Në vëllimin e gjashtë “Luftërat, ndarjet, integrimi (1990-2008)” te lufta e Kosovës dhe ngjarjet e ndërlidhura jo vetëm që nuk përmendet askund se ishin krimet e forcave sërbe ndaj civilëve shqiptarë ato që nxitën përleshjet e armatosura, por madje thuhet se ato që sollën emigrimin e popullsisë sërbe ishin sulmet e UÇK-së, çka mandej rezultoi me përforcime të forcave sërbe në Kosovë, e se më pas filluan të vepronin edhe njësi paraushtarake sërbe dhe prandaj popullata shqiptare u arratis ose u dëbua në masë. Thuhet edhe se bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë nga NATO-ja u ndërmor meqë pretendohej se forcat e sigurisë sërbe po kryenin spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës. E vetmja masakër që prezentohet është ajo e Reçakut, madje edhe kjo e cilësuar si kontraverse. 

Sa u takon deportimeve, lexojmë se besohet që mbi 80% e popullsisë kosovare u dëbua nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk mësojmë se kush i dëbonte refugjatët gjatë luftës. Citohen shifra për të vrarët, por as këtu nuk thuhet se cilat ishin formacionet që i kryenin vrasjet. Jepen detajisht dëmet materiale të shkaktuara prej sulmeve të NATO-s, por nuk ka absolutisht asgjë për dëmet materiale të shkaktuara prej forcave sërbe.

Lufta ilustrohet me dy fotografi të dëmeve nga bombardimet e NATO-s nëpër Sërbi, si dhe me dy të refugjatëve shqiptarë të dalë në Maqedoni, nga të cilat njëra jep rreth 20 refugjatë nga Kosova, e tjetra disa punonjës humanitarë duke i ndihmuar refugjatët, të cilët, siç shkruhet aty “po iknin prej mizorive dhe bombardimeve ajrore”. Dominojnë shkëputje komentesh për “agresionin e NATO-s dhe propagandën e ShBA-së”, për rezervat mbi Marrëveshjen e Rambouillet-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, si dhe pamje nga koncerte kundër ndërhyrjes së NATO-s. 

Dy dokumentet më të rëndësishme të vitit 1999 për Kosovën – Marrëveshja e Rambouillet-së dhe Rezoluta 1244 e OKB-së – paraqiten vetëm me nenet që janë përdorë dhe përdoren nga politika zyrtare sërbe. Për më shumë, kur prezentohet rezoluta e OKB-së, autorët i referohen Kosovës me emërtimin sërb “Kosova e Metohija”. Sa u takon mënyrave të përkujtimit të luftës, prezentohen vetëm dy monumente të ngritura në Beograd për viktimat sërbe të NATO-s.

Përvjedhjet e historianëve tanë — nevojitet reagim për ndryshime

Në këto vëllime të CDRSEE-së shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së Kosovës nuk figurojnë fare, e shumë ngjarje paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, jokorrekte, të pasaktë, të njëanshme, e ndonjëherë edhe fyese, sa të krijohet përshtypja se pjesët për shqiptarët dhe Kosovën do t’i kenë hartuar historianë të indoktrinuar me nacionalizëm sërb. Duhet shtuar se mënyra si paraqitet historia e Kosovës në këto publikime nuk i kontribuon aspak misionit të pretenduar të CDRSEE-së për tejkalimin e trashëgimisë së dhimbshme të të kaluarës dhe pajtimin afatgjatë mes popujve ballkanikë dhe se mënyra e prezantimit të historisë së Kosovës duhet të ndryshojë urgjentisht.

Redaktore e përgjithshme e këtyre vëllimeve është profesoresha e historisë Christina Koulouri nga Athina, kurse redaktorë për secilin prej vëllimeve janë prefesorë të historisë nga vendet e Ballkanit të përfshira në këtë projekt. Është e habitshme që ndër komisionet e shumta të këtyre vëllimeve, nga Kosova figuron një anëtar i vetëm te Komisioni i Burimeve, dr. Frashër Demaj nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Duke qenë edhe akademik, Demaj në biografinë e publikuar te uebfaqja zyrtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK) pretendon se është autor i disa kapitujve të këtyre vëllimeve, madje ai ishte ndër panelistët me rastin e promovimit të këtij projekti të CDRSEE-së në Prishtinë.

Këto ditë dr. Demaj ka deklaruar se bashkë me të në këtë projekt, Kosovën e kanë përfaqësuar edhe dr. Jusuf Bajraktari e dr. Fehmi Rexhepi, mirëpo emrat e këtyre dy të fundit nuk figurojnë në gjashtë vëllimet e CDRSEE-së. Sikur dr. Demaj, edhe dr. Bajraktari në biografinë e tij të botuar në uebfaqen e AShAK-ut, pretendon se është autor i disa njësive në këto vëllime. 

Kjo mënyrë e prezantimit e dëmton rëndë imazhin e shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër vendet ku këto tekste do të përdoren si tekste alternative për shkollat fillore e të mesme.

Me gjasë, përfaqësuesit e Kosovës në këtë projekt kanë dorëzuar materiale për historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës, por si duket në fund s’i ka pyetur askush se çfarë duhet të përfshihet e çfarë jo dhe se për këtë kanë vendosur historianët e vendeve fqinje. Duket se për historianët tanë e rëndësishme ka qenë pjesëmarrja, që do të thotë honorari dhe ‘pasurimi’ i CV-së me botime jashtë vendit (këto janë të vetmet botime të tyre jashtë vendit). Kjo tregon për mungesë të tmerrshme të profesionalizmit, por edhe për komplekse të rënda të inferioritetit.

 Kjo mënyrë e prezantimit e dëmton rëndë imazhin e shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër vendet ku këto tekste do të përdoren si tekste alternative për shkollat fillore e të mesme. E këto tekste, të shkruara origjinal në anglisht, përveç në shqip, janë përkthyer e do të përdoren në shkollat fillore e të mesme të edhe të këtyre vendeve: Turqi, Greqi, Qipro, Bullgari, Rumani, Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Sërbi, Mal të Zi, Maqedoni, por edhe më gjerë pasiqë këto tekste tashmë janë përkthyer edhe në japonisht. 

Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë për këtë keqprezentim të shqiptarëve e të Kosovës nëpër këto tekste alternative dhe të përdorin gjithë ndikimin e tyre që ky keqprezentim të ndryshojë sa më parë që të jetë e mundshme. Do të ishte mirë që të angazhohet ndonjë nga historianët ndërkombëtarë që është marrë me historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës, që teksti për shqiptarët dhe Kosovën në këto vëllime të përmirësohet e të plotësohet, e më pas të përkthehet dhe të faqoset në të gjitha gjuhët e vendeve të Ballkanit.

Seria e artikujve nga autori janë shkruar në kuadër të projektit “Analizë teksteve mësimore alternative të CDRSEE-së” të organizatës ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Departamenti Federal Zviceran i Punëve të Jashtme, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Imazhi i ballinës: Marrë nga libri “Mësimdhënia e historisë moderne të Europës Juglindore” dhe përpunuar nga K2.0.