S`fundmi | Bisedë e Shkurtë

Çka e pret tash sportin në Kosovë?

Nga - 22.03.2017

Epoka e pas njohjeve të sportit diskutohet në bisedën e shkurtër të K2.0.

Sporti në Kosovë për një kohë të gjatë ka qenë në një pozitë të margjinalizuar, i harruar për shkak të mungesës së njohjeve ndërkombëtare. Por kohëve të fundit gjërat kanë ndryshuar. Gjatë dy viteve të fundit, pranimet në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik, si dhe në organet përkatëse qeverisëse të futbollit, hendbollit dhe basketbollit, i larguan pengesat e vjetra.

Në Rio verën e kaluar, xhudistja Majlinda Kelmendi na tregoi se sa e ndritshme mund të jetë e ardhmja për sportin në Kosovë, duke e fituar medaljen e parë të artë Olimpike, e kështu duke sinjalizuar edhe fillimin e një epoke të re.

Pavarësisht suksesit të Kosovës në Olimpiadën e parë të saj, sidoqoftë e presin shumë pengesa tjera. Si mund të garojnë ekipet kombëtare të Kosovës me shtete shumë më të mëdha? Si mund të kanalizohen më së miri fondet për t’i plotësuar nevojat e sportistëve aktual dhe atyre të së ardhmës? Çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar infrastrukturën e dobët sportive në vend? Kosova tash mundet të luajë – por si mund të rritët nëpërmjet sportit?

Biseda e Shkurtër u moderua nga Xhemail Rexha (majtas) i KTV. Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Për të na ndihmuar me gjetjen e përgjigjeve të këtyre pyetjeve, K2.0 e mbajti një Bisedë të Shkurtër të shtunën në mbrëmje në MIQT Pub në Prishtinë, të titulluar “Vrapo Kosovë, vrapo!” Në këtë diskutim të moderuar nga moderatori i emisionit Interaktiv të KTV-së, Xhemail Rexha, morrën pjesë Albert Bunjaki, menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës në futboll; Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës; James Montague, gazetar ndërkombëtar i sportit; dhe Ibër Alaj, drejtor i Departamentit për Sport në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky diskutim ishte vazhdimësi e Monografit tetë-pjesësh të K2.0 për Sportin, që u lansua javën e kaluar.

Në një diskutim të gjallë dhe ndërveprues me audiencën u trajtuan tema të ndryshme si ofrimi i mbështetjes më të madhe për gratë në sport dhe adresimi i problemeve me infrastrukturë sportive dhe objekte të trajnimit.

Anëtarët e audiencës morrën pjesë në diskutim gjatë Bisedës së Shkurtër 90-minutëshe. Foto: Atdhe Mulla/ K2.0.

Duke reflektuar për pozitën aktuale të Kosovës në sport, Bunjaki, i cili ka qenë në krye të ekipit futbollistik të burrave të Kosovës tash e tetë vite gati, tha se gjatë vitit të fundit Kosova ka filluar të ndihet si ekip ndërkombëtar. “Është bërë një hap i vërtetë”, tha ai. “Realiteti [më parë] nuk ishte aq i mirë, por duhet të ndihemi pozitiv”.

Ish-basketbollistja Dushku u pajtua se Kosova i ka bërë disa hapa pozitiv, veçanërisht prej kur filluan njohjet. Ajo shpjegoi se si për rreth një dekadë kishte rënë entuziazmi për basketbollin e grave në Kosovë, por se tani është duke u shtuar përsëri prej njohjes ndërkombëtare të federatës së basketbollit, FIBA, në vitin 2015. Ndonëse ekipet e Kosovës po detyrohen që të nisin nga fillimi i strukturave të ligave të tyre përkatëse rajonale, ajo shpreson se shumë shpejt mund të përparojnë nëpër divizione.

Montague, që ka raportuar për sportin në rajon me vite, e ofroi një pikëpamje të jashtme, duke shpjeguar se çfarë rrëfenje e mkreullueshme romantike ka qenë udhëtimi sportiv i Kosovës në dy vitet e fundit, pavarësisht disavantazhit që e kishte ky vend. Tani, argumentoi ai, Kosova duhet të arrijë një pikë ku njerëzit nuk flasin më për atë tregim, por ku pjesëmarrja e Kosovës në gara sportive normalizohet.

James Montague e përshkroi tregimin romantik të progresit të Kosovës në sport nga pikëpamja e një të huaji, por tha se ky shtet tani duhet të vijë në një pozitë ku vet sporti bëhet tregim. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ai theksoi se si sporti dhe politika kryqëzohen, dhe se si sporti ka bërë më shumë se gjithë tjerat për Kosovën, sa i përket shtetndërtimit në vitet e fundit. “Më duket se ishte [diplomati i SHBA, Henry] Kissinger ai që kishte thënë: ‘Për të qenë shtet, të duhet një ushtri, një valutë dhe një ekip kombëtar i futbollit”, tha ai. “Fatkeqësisht vetëm njërën prej këtyre e kemi aktualisht në Kosovë, dhe kjo të tregon se sa e rëndësishme është për ndërtim të kombit. Për mua është tregim magjepsës, kur e shohim se çfarë dallimi e bënë sporti”.

Alaj tha se shteti ka bërë shumë në krahasim me mjetet buxhetore që i kishte në dispozicion, nëpërmjet subvencioneve për federatat e sportit dhe individë të ndryshëm, si dhe me forma tjera të financimit. Ai e pranoi se duhet shumë më shumë punë, veçanërisht pas njohjes së Kosovës në botën e sportit, meqë tani duhet t’i përmbahet standardeve ndërkombëtare.

Përmirësimi i infrastrukturës

Një prej temave që nxitën më së shumti diskutim në mesin e panelistëve dhe anëtarëve të audiencës ishte zhvillimi i stadioneve. Meqë Stadioni i Qytetit në Prishtinë është duke u rinovuar për t’i arritur standardet e FIFA-s, në tetor Kosova u detyrua që ndeshjen e parë garuese si ‘nikoqire’ kundër Kroacisë ta luajë në Shqipëri. Pavarësisht faktit se rinovimet fillimisht u planifikuan që të përfundohen me kohë për ndeshjen kualifikuese për Kupë Botërorë kundër Turqisë në qershor, ky afat kohor tani nuk është i arritshëm.

Alaj argumentoi se nuk ka nevojë për të nxituar me ndërtimin e stadionit; shumë më e rëndëisshme është që të garantojmë se stadionit do t’i arrijë standardet ndërkombëtare, tha ai.

Bunjaki u pajtua se është më mirë që të presim që stadioni të përfundohet si duhet, se sa të ngutemi e t’i bëjmë gjërat shkel e shko; por ai e pranoi se mungesa e stadionit në Kosovë ka patur ndikim në lojtarët. “Sigurisht se ka ndikim. I ndikon psikologjikisht”, tha ai. “Lojtarët e kanë një gatishmëri për ta përfaqësuar shtetin brenda shtetit”. Bunjaki vazhdoi duke thënë se sfida e ardhshme pasi të përfundohet stadioni do të jetë përshtatja me rrethanat e reja të lojës brenda vendit.

Albert Bunjaki tha se lojtarët futbollistik të Kosovës po presin me ëndje që të luajnë në stadionin e ri të Prishtinës, sapo të përfundohet. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Montague dhe anëtarët e audiencës u munduan që ta nxjerrin një datë nga Alaj, sa i përket përfundimit të stadionit, por përfaqësuesi i qeverisë ngurroi që të cekte një datë definitive.

Montague argumentoi se prioritet numër një duhet të jetë një stadion futbollistik kombëtar në Kosovë, sepse stadioni nuk është vetëm ndërtesë ku mund të luajnë ndeshje futbollistike lojtarët – gjithashtu simbolizon një arritje të mrekullueshme në historinë e Kosovës. Kosova mund të mos i ketë burimet sa i përket parave ose numrit të popullsisë, tha ai, por është e bekuar me një bollëk të aftësive natyrore. “Talentin e keni, tash mbetet vetëm ta bëni hapin e ardhshëm”, argumentoi ai.

“Kosovës tani i duhet investim – investim i barabartë për burra e gra, jo proporcional, por i barabartë… nëse mendoni për prestigjin ndërkombëtar që i jep sporti Kosovës, e gjejmë më shumë në ekipet e grave se kudo tjetër”.

Kur u pyet se a mendon ajo se basketbolli mbështetet sa duhet nga shteti, Dushku shpjegoi se sporti i saj përballet me probleme të ngjashme të infrastrukturës si futbolli. “Fatkeqësisht kemi probleme me objekte”, tha ajo.

Elvira Dushku shpjegoi se më shumë investime janë të nevojshme në sportin e grave, veçanërisht sa i përket garantimit që objektet janë të gatshme për përdorim. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ajo i shpjegoi mundimet me të cilat përballen aktualisht basketbollistët në Kosovë, veçanërisht në lojën e grave. Për shkak të mungesës së objekteve adekuate për trajnim, ekipet shpeshherë duhet të trajnohen në salla të ndryshme, në fusha të madhësive që nuk parashihen me rregulla, dhe kosha në lartësi të ndryshme; këto kushte pastaj janë krejtësisht të ndryshme me ato që i përjetojnë në ndeshje zyrtare.

Dushku aludoi se shteti duhet të bëjë më shumë për t’i mbështetur sportistët dhe ekipet, sa i përket problemeve të tilla, dhe të garantojë që Kosova ka infrastrukturë adekuate sportive për t’i përgatitur lojtarët për gara.

Në këtë pikë, Alaj e ndërpreu për të mbrojtur pozitën e qeverisë. Ai argumentoi se qeveria ka plan specifik për të mbështetur sportin e grave, dhe se po investon për t’i ngritur në standarde të FIBA-s objektet si salla e sportit në Mitrovicë.

“Nëse mund të ndodh në West Bank, nëse mund të ndodh në Gaza, sigurisht se mund të ndodh në Kosovë.”

James Montague

Montague e kritikoi progresin e ngadalshëm dhe tha se nuk ka arsyetim për atë se pse nuk ka patur përpjekje të madhe nga qeveria e Kosovës prej kohës së njohjeve ndërkombëtare për të siguruar shpejt objekte adekuate për sportistët e vendit, duke theksuar rastin e futbollit në veçanti. “Nuk ka arsyetim për atë se pse nuk ka stadion që është i gatshëm për t’u përdorur nga FIFA menjëherë, e nuk ka arsye pse të mos ketë fusha 3G të ndërtuara menjëherë në gjithë vendin”, tha ai.

Ai e krahasoi progresin e Kosovës me vende tjera ku ka raportuar ai, që janë detyruar të merren me kushte edhe më të këqija se në Kosovë. Ai e dha shembullin e Palestinës, që arriti të themelojë liga profesionale të burrave e grave, dhe të ndërtojë disa fusha e objekte, si dhe të jetë nikoqire e ndeshjeve ndërkombëtare kundër ekipeve si Afganistani e Jordani.

Pavarësisht pengesave të mëdha, përfshirë edhe ushtrinë që thoshte se ku mund të ndërtojnë e ku jo, si dhe vështirësitë me transportin e ekipeve kundërshtare nëpërmjet pikave të kontrollit të shtetit izraelit, Montague ceku se ata kanë bërë shumë progres. “Nëse mund të ndodh në West Bank, nëse mund të ndodh në Gaza, sigurisht se mund të ndodh në Kosovë”, tha ai, dhe u prit me shumë duartrokitje.

Ky krahasim e frustroi Alaj, i cili theksoi se edhe sa kushte duhet t’i përmbush Kosova për t’i arritur standardet ndërkombëtare.

Për t’i dhënë fund diskutimit, Bunjaki theksoi se nuk ka nevojë vetëm infrastruktura fizike për investime në Kosovë, por kanë nevojë edhe yjet e së nesërmës. Islanda [kundërshtarja e radhës për Kosovën] është shembull i mirë – me vetëm 300,000 banorë, e ka një ekip që kanë luajtur prej moshës 9 vjeçare, pra këto procese janë investime afatgjate që sjellin rezultate”, tha ai. “Duhet të kemi një projekt afatgjatë, meqë Kosova nuk mund të ketë gjithmonë lojtarë që vijnë nga Zvicrra ose Austria… duhet gjithashtu t’i zhvillojmë lojtarët tone”.

Mund ta shikoni tërë diskutimin në faqen tonë në Facebook, këtu.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.