U zgjova herët më 24 shkurt 2022. Hyra në Facebook dhe pashë që ishte i mbushur me lajme për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia. Nuk më besohej. Më thyhej zemra teksa shihja njerëzit në Ukrainë duke i lënë shtëpitë e tyre, vendin e tyre dhe gjithçka që kishin ndërtuar për kaq shumë vite. Ndjenja të tmerrshme, të cilat mendonim se i takonin të kaluarës, u kthyen.
Gjatë kësaj kohe dëgjoja njerëzit në shtëpi, sidomos nënën, teksa flisnin për Ukrainën dhe u ktheheshin kujtimeve të tyre nga lufta në Kosovë. Në kanale televizive shfaqeshin pamje të grave shtatzëna dhe foshnjave duke u fshehur e duke ikur. Këto pamje e tmerruan nënën time. Dikur edhe ajo ishte një grua e re shtatzënë që fshihej nga të shtënat me armë zjarri dhe ushtarët. U ndie sikur po përjetonte edhe një herë atë tmerr dhe vuajtje.
Muajve të fundit edhe te unë u ngjallën shumë emocione. Ndonëse isha vetëm një vjeçe gjatë luftës në Kosovë, kur nisi lufta në Ukrainë, më dukej sikur mbaja mend gjithçka nga lufta në vendin tim, ndoshta për shkak të traumës së trashëguar apo ndoshta për shkak të të gjitha ngjarjeve që m’i ka treguar nëna.
Më ka rënë t’i dëgjoj këto histori gjatë rritjes dhe kanë lënë gjurmë në mua.
Jam lindur më 29 maj në vitin 1998 në një spital të vogël në Drenas. Isha fëmija i parë. Nënës sime i kujtohet se dhoma ku qëndronte ishte plot me gra të tjera të reja shtatzëna, të cilat, njëlloj si ajo, përballeshin me një makth. Frika nga përdhunimet, vrasjet, bombardimet dhe zjarret diskutohej gjithkund.
I kujtohet se ka pasur shpërthime dhe të shtëna me armë në zonën përreth pak pasi jam lindur. Flitej se forcat paramilitare serbe po luftonin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se për shkak se forcat serbe nuk mund të vinin nën kontroll një zonë të caktuar, kishin filluar të hakmerreshin duke vrarë civilë.
Kur shpërthimet filluan të shtoheshin, të gjithë ikën nga dhoma e spitalit ku qëndronim unë dhe nëna ime dhe shkuan në vende më të sigurta. Menjëherë pas lindjes sime, e vetmja infermiere e mbetur në spital më kishte vendosur në një shtrat pranë disa dritareve të mëdha –– ajo infermiere kishte ndihmuar nënën edhe gjatë lindjes. Nëna thotë se rrinte e ulur në një krevat tjetër pranë meje dhe mundohej të më afronte, por mezi lëvizte, për shkak të dhimbjeve nga lindja, mungesës së ushqimit dhe shumë vështirësive të tjera që kishte përjetuar para se të më lindte.
I kujtohej se qante tërë kohës dhe vazhdimisht u kërkonte disa grave që dilnin nga dhoma të na ndihmonin — apo të paktën të më merrnin me vete. Por s’na ndihmuan; as që e kthyen kokën pas teksa iknin. Nëna më tha se në ato momente nuk kishte asnjë fije shprese. Ndihej aq e dobët dhe aq e pafuqishme që s’mund ta largonte fëmijën e saj nga dritaret, që mund të thyheshin nga plumbat në çdo moment.
Pasi u përpoq për disa minuta, ia doli ta mbërrinte shtratin tim. Për shkak s’mund të kthehej prapë te shtrati saj, u shtri mes meje dhe dritareve.
Për një çast u duk se të shtënat pushuan. “Jemi të sigurta”! Kishte menduar. Ishim krejt të vetme, veç ne të dyja në atë dhomë të zbrazët të spitalit.
Pas disa ditësh ia dolëm të shkonim në shtëpi, por na u desh të largoheshim përsëri. Forcat paramilitare serbe kishin filluar të digjnin gjithçka në zonat përreth. S’kishim ku të shkonim përveçse në male. Jeta në male ishte jashtëzakonisht e vështirë, veçanërisht për foshnjat e porsalindura, që ishin shumë. Secili vazhdimisht kishim mungesë të ujit, ushqimit dhe gjërave më elementare. Gjithçka që unë dhe nëna kishim ishte njëra-tjetra dhe rrobat në trup.
Më tregoi se qaja vazhdimisht, sidomos kur të shtënat shtoheshin dhe kur isha e uritur. Këto momente ishin më të vështirat, jo vetëm për mua, por edhe për nënën time, e cila s’mund të bënte asgjë tjetër veç të shpresonte që situata të ndryshonte sa më parë. Jeta për të në atë kohë ishte e mjerë dhe e padurueshme.
“Ka pasur raste që kur shkonim të kërkonim ushqim apo gjëra që kishim nevojë, shihnim trupa të vdekur, të vrarë apo të masakruar”, më tregon nëna. “Ishte tmerruese të hasje në skena të tilla të tmerrshme Rrinë në mendjen time edhe sot”. Akoma më keq, shumë shpejt do ta përjetonte vdekjen e miqve dhe familjarëve të saj.
“Jeta u kthye në makth për të gjithë ne”, kujton ajo, “një ëndërr e keqe që s’do të mbaronte kurrë”. Fatmirësisht kjo ëndërr e keqe përfundoi më 11 qershor të vitit 1999. Por plagët dhe kujtimet mbeten të freskëta edhe sot.
Kur nëna dhe unë i pamë pamjet e luftës në Ukrainë, këto trauma dolën prapë në sipërfaqe. T’i shihte gratë shtatzëna në spitalet e rrethuar dhe fëmijët e vegjël duke qarë, ia ktheu kujtimet, të cilat i kishte futur në një qoshe të kujtesës.
Pas luftës, bashkë me nënën u kthyem në shtëpi dhe nisëm jetën nga fillimi. Gjithçka ishte e djegur: rrobat tona, fotografitë tona, shtëpia jonë. S’kishte mbetur asgjë. Të gjithë filluan t’i rindërtonin shtëpitë dhe jetën e tyre. Por shumë gjëra s’mund të rindërtoheshin kurrë më. Gjatë luftës, ajo humbi disa miq dhe anëtarë të familjes.
“Ishin vitet më të këqija të jetës sime. Të dashurit tanë ikën përgjithmonë”, më tha ajo. Edhe pse ajo dhe familja e saj ishin në gjendje të dobët emocionale dhe financiare, paqen dhe rehatinë, më thotë ajo, e gjeti tek unë, te fëmija i saj. Ndoshta unë përfaqësoja njëfarë shprese për të ardhmen.
Si fëmijë kam dëgjuar tregime për luftën nga nëna ime dhe njerëzit e tjerë në lagje dhe familje. Edhe pse e re në moshë, më interesonin shumë, por gjithmonë aty ishte një pikëllim i brendshëm, sidomos kur fliste për njerëzit që humbi në luftë, përfshirë vëllain e saj.
Ndonëse gjithmonë e kam kuptuar dhimbjen të cilën e përjetoi nëna ime dhe shumë njerëz të tjerë, ndjenja u thellua edhe më, kur pashë pamjet nga lufta e tmerrshme në Ukrainë. Edhe pse lufta në Kosovë ka mbaruar, kujtimet dhe dhimbja mbeten. Tash me luftën në Ukrainë, miliona të tjerë po i përjetojnë këto tmerre. A do të mbarojë ndonjëherë kjo ëndërr e keqe?
Imazhi ballinës: MagneG via CC.