Në thelb | Jugosllavia

(Nuk) mund të jetosh në kujtime

Nga - 24.02.2023

Projekti arkivor “Ata/o jetojnë” dokumenton jetën e studentëve e studenteve në konviktet nëpër ish-Jugosllavi.

“Në një qytet përgjatë një lumi të ftohtë / s’ka rëndësi cili / ku rrugët zhduken në mjegull / qëndron konvikti i studentëve”. Këto tekste vijnë nga Një Dhjetëshe në Miqësi (“Desetka iz drugarstva”), një ode për  ta shijuar jetën në plotni në konviktet studentore. Autori Miladin Šobić, një kantautor legjendar nga Nikšić i Malit të Zi, njihet në mbarë ish-Jugosllavinë si poet laureat i konvikteve. Fakti që ai gjente frymëzim në jetën studentore s’është rast i izoluar, siç tregon edhe përvoja e shumë të tjerëve përgjatë kohës.

Për shembull, Mijodrag Kujo Novović është i dhënë shumë pas numrave 149, 71, 102, 426 dhe 314. Këta ishin numrat e dhomave të konviktit ku ai kishte qëndruar gjatë studimeve për inxhinieri mekanike në Podgoricë.

“Edhe po ta jetoja përsëri jetën time, askund tjetër nuk do të mund ta gjeja gëzimin dhe lumturinë që e ndieva në konvikt. Ishte shkollë e veçantë e jetës ku të gjithë u bëmë njerëzit që jemi tash” tha ai, duke e kujtuar atë pjesë të jetës me një buzëqeshje të hidhur.

Jeta në konviktet studentore është fenomen i veçantë. Pavarësisht zhvillimeve të tjera shoqërore apo politike, të jetosh në një konvikt studentor do të thotë ta jetosh jetën në miniaturë, përvojë që do ta tregosh gjithmonë, një përvojë e ndërtuar kolektivisht.

Para konvikteve të reja studentore (Podgoricë, 1975—1985). Fotografia: Kujo Novović.

Për Novović, me origjinë nga Pljevlja, i cili filloi studimet në vitin 1975, Podgorica (apo Titograd, siç mbante emrin atëherë) ishte metropol prej së vërteti dhe transferimi aty, për të ishte një shok i vërtetë.

“E kemi pasur një profesor të mrekullueshëm, Vuko Bezarević, që na mësoi se çka të prisnim nga një qytet më i madh; i mbante ato ligjërata me dashuri. Na mësoi edhe gjërat themelore — fillimisht, na mësoi se si të kalonim rrugën, pasi Pljevlja s’kishte asnjë semafor”, tha Novović.

“Diçka tjetër që ndikoi shumë tek unë ishte se babai ishte mjaft i rreptë; ende i frikësohem paksa edhe pse ka ndërruar jetë”, tha ai. “Pasi u çlirova nga kufizimet, që karakterizonin rininë time të hershme, u dalldisa krejtësisht”.

Këto lloj tregimesh i gjurmon ekspozita ndërkombëtare dhe projekti kërkimor “Ata jetojnë: Jetët e studentëve e studenteve përmes praktikave të artit të bazuara në kontekst”. I udhëhequr nga disa institucione publike, universitete dhe organizata joqeveritare nga Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Spanja, projekti ka mbledhur fotografi, dëshmi dhe kujtime për brezat e jetëve të studentëve e studenteve në konviktet studentore.

Njëri nga të intervistuarit e projektit ishte Srpko Leštarić nga Beogradi, anëtar i gjeneratës së parë të studentëve, që ndoqën studimet në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit, i themeluar në vitin 1966. Më vonë ai nisi studimet arabike. Leštarić jetoi në një numër konviktesh, përfshirë të famshmin e tanishëm Studentski grad — i njohur më gjerësisht si “Studenjak”.

“Po të më pyesni mua, jeta studentore është faza më e çmuar në jetën e çdo njeriu. Gjatë studimeve, të rinjve e të rejave u jepen detyra të ndryshme, të cilat u mundësojnë të mësojnë dhe të fitojnë përvojë. Pavarësisht se je i/e uritur dhe i/e etur, duke bërë punë fizike, duke mos pasur para dhe duke u ballafaquar me transportin e dobët publik të qytetit, vitet universitare janë fort të vlefshme dhe të gjithë i ruajnë ato në zemër”, tha Leštarić.

Studentët duke vallëzuar në një kafene (Beograd, 1980). Fotografia: Arkivi i Miodrag Babović.
Një mbledhje në oborr (Beograd, 1968). Fotografia: Arkivi i Radmila Đurđević.

Megjithatë, sipas tij, ka pasur të tillë që e kishin të vështirë të përshtateshin me këtë fazë të re të jetës.

“Shumë nga shokët e mi studentë e kishin të vështirë. Ushqeheshin keq dhe i menaxhonin keq financat e tyre, shpeshherë disa shpenzonin të gjitha paratë e tyre për ushqim ose pije alkoolike brenda një dite. ‘A mund të m’i huazosh 100 dinarë? Më janë harxhuar cigaret’ ishte njëra nga pyetje ikonike”, tha Leštarić.

Ata jetojnë

Projekti “Ata jetojnë” gjurmon jetën e studentëve e studenteve nga Lufta II Botërore e deri më sot, duke shqyrtuar realitetin e përditshëm të jetës në konvikt, zakonet kulturore, kohën e lirë, lidhjet, marrëdhëniet gjinore mes studentëve dhe pjesëmarrjen e tyre në rrymat shoqërore dhe politike.

Projekti, që ka filluar që nga shtatori 2020, është projekt i përbashkët, i drejtuar nga Qendra Kulturore e Qytetit të Studentit, me seli në Beograd, së bashku me Institutin Malazez për Art Bashkëkohor (ICA), Qendrën Ndërkombëtare për Kërkime Arkivore: ICARUS nga Zagrebi, Akademinë e Arteve të Aplikuara “Rijeka” dhe Madrid Rey Juan Carlos Universidad, Fakulteti i Komunikimit Audiovizual. Instituti i Universitetit të Artit të Berlinit për Artin në Kontekst dhe Qendra e Beogradit për Historinë Publike janë partnerë që i janë bashkuar projektit. Projekti zgjat deri në tetor të vitit 2023.

Koordinatorja Milena Prelević nga ICA shpjegoi se ideja lindi nga një projekt më i vogël që Qyteti i Studentit në Beograd e krijoi, me titull “Një portret i Studenjakut”.

Duke kaluar kohë në konvikt (Podgoricë, 1981—1987). Fotografia: Sadija Hodžić.
Të dashurat (Podgoricë, 1981—1987). Fotografia: Sadija Hodžić.
Shoqëria (Podgoricë, 1981—1987). Fotografia: Sadija Hodžić.

“Ishte një ekspozitë me fotografi në të cilën kontribuuan ish-banorët dhe banorët e tanishëm të konviktit të Beogradit. Ekspozita u realizua përmes një punëtorie të fotografisë me titull “Izvan okvira” [‘Jashtë kutisë’] dhe arkivit fotografik të Qendrës Kulturore të Qytetit Studenti, bashkë me mbështetjen nga njerëzit që qëndruan në Studenjak në cilëndo periudhë midis viteve 1950 dhe sot”, tha Prelević.

Për shkak të pjesëmarrjes së madhe dhe reagimit pozitiv të publikut, organizatorët vendosën ta çojnë projektin në një nivel tjetër. Ideja ishte që vendet partnere të krijonin dhe t’i digjitalizonin arkivat e tyre studentore, të prodhonin diskutime mbi këtë temë dhe të krijonin udhëzues se si ta zhvillojnë më tutje publikun studentor.

Lorenzo Javier Torres Hortelano shpjegoi se si Madridi u interesua për këtë storie në dukje rajonale.

“Kur pashë thirrjen për “Ata jetojnë” dhe e lexova se si do të integrohej [arti dhe fotografia], më zgjoi interes, kështu që kontaktova njerëzit në Beograd përgjegjës për promovimin, Maida Gruden dhe Andrija Stojanović”, tha ai, “dhe menjëherë nisëm punën”.

Kur shoqëria të befasojnë në mesnatë (Zagreb, 4 nëntor 2020). Fotografia: Martina Obradović / Arkivi i Ivana Bošković.
Aladdin në pavijonin e gjashtë (Zagreb, 13 gusht 2021). Fotografia: Robert Đaković / Arkivi i Marta Pokos.

Pjesë e projektit ishte edhe Ivana Bošković nga Zagrebi. Si studente e studimeve në arkiva, asaj iu caktua detyra të mblidhte materiale, përfshirë fotografi që vinin nga banorët e dikurshëm dhe të tanishëm të konvikteve studentore të Zagrebit. “Ata jetojnë” është gjithashtu një projekt që e ka për zemër sepse ajo ka jetuar në konviktin studentor “Stjepan Radić” në Zagreb gjatë studimeve.

“Kam lidhje personale me atë konvikt. Ky projekt ma dhuroi një pamje të shkurtër se sa e rëndësishme dhe me ndikim është jeta në kampus. Kam kaluar kohë aq të bukur gjatë jetës në konvikt, kështu që tani jam në gjendje të reflektoj mbi të”, tha Bošković.

Studentët si pararojë?

Përmes bashkëpunimit me studentët e tanishëm dhe atyre të mëparshëm të universitetit, qëllimi ishte të nxirrnim një larmi përgjigjesh në pyetjen se çka do të thotë të jesh student përgjatë historisë.

“Studentët kanë qenë gjithmonë ndryshimi pararojë, udhëçelës”, tha Novović, megjithëse ai mendon se kjo ka ndryshuar gjeneratave të fundit.

Ka pasur disa protesta studentore në Mal të Zi në dy dekadat e fundit — disa prej të cilave rezultuan të suksesshme — por Milena Prelević tha se shumë studentë, që u intervistuan për projektin, e theksuan vetë një mungesë pjesëmarrjeje dhe angazhimi, si dhe një mungesë besimi në mesin e popullatës më të gjerë studentore.

“Kur bëhet fjalë për studentët e studentet e universitetit, aktivitetet e organizuara si pjesë e projektit tonë — duke përfshirë punëtoritë, ekspozita të kuruara dhe turne ekspozitash — synonin të nxisnin interesin e tyre për ta shqyrtuar jetën studentore në Podgoricë duke sfiduar rolin e tyre në kontekstin e sotëm. Shumica e komenteve të tyre silleshin rreth përfundimit se studentët tani janë jashtëzakonisht të painteresuar dhe të pavetëdijshëm për rolin dhe fuqinë e tyre”, tha Prelević.

Një festë (Podgoricë, 1975—1985). Fotografia: Kujo Novović.
Një fjalim (Podgoricë, 1975—1985). Fotografia: Kujo Novović.

Protestat më të rëndësishme të studentëve në historinë e kohës së fundit ndodhën në vitin 1968. Leštarić i kujton shumë mirë protestat e Beogradit të asaj kohe, por është skeptik për ndikimin që patën protestuesit studentorë.

“Në mbarë botën, viti 1968 ishte vit i shënuar jo vetëm për rebelimet e studentëve, por edhe për Lufta e Vietnamit dhe demonstratat e përgjakshme të lidhura me të. Jugosllavia nuk përbënte përjashtim — u derdh gjak, por askush s’fliste rreth kësaj. Pak njerëz e përmendin atë edhe në ditët e sotme; ndonëse qershori i vitit 1968 është subjekt i një numri të madh të letërsisë, që përfshin shumë gjëra, por pa përmendur shtypjet”, tha Leštarić.

Protestat e studentëve dhe përplasjet e vazhdueshme me policinë zgjatën për shtatë ditë para se Josip Broz Tito të mbante një njoftim publik. Kur foli në televizion, ai e konfirmoi se studentët kishin të drejtë dhe jo qeveria.

“E gjitha dukej gjë e mirë, po në fakt ndodhi sa për t’i thyer studentët dhe demonstratat e tyre”, tha Leštarić, teksa shpjegoi se nga këndvështrimi i sotëm është e qartë se ishte thjesht veprim demagogjik dhe se kërkesat e studentëve në përgjithësi u neglizhuan.

Pavarësisht gjithë kësaj, viti 1968 hyri në histori si vit i veçantë që ende kujtohet me mall.

Ekspozita e ka shtyrë Kujo Novović të mendojë për dallimet mes ditëve të tij të studimeve dhe jetës me të cilën përballen studentët sot. Në kohën e tij, tha ai, “përqindja e shtresës së mesme të popullsisë ishte 80%, nuk kishte dallime të konsiderueshme mes njerëzve dhe të gjithë ishim të vetëdijshëm për pozicionet tona përkatëse përbrenda shoqërisë. S’ka qenë asnjëherë e turpshme të mos kesh para, por tash është ndryshe — nëse ke pak para, automatikisht je i/e përjashtuar”.

“A jetoj sot aq sa JETUAN:ATA atëherë?”

Një pjesë e projektit kulmoi me një ekspozitë fotografish të arkivit me titull “A jetoj sot aq sa JETUAN:ATA atëherë?”

“Pyetja e titullit u konceptua si ftesë që të gjithë ne bashkërisht të reflektojmë mbi jetën studentore si fenomen, pikërisht përmes të dhënave arkivore që u mblodhën dhe u shfaqën”, tha Milena Prelević.

Ekspozita është një përpjekje bashkëpunuese kuratoriale e ndërmarrë nga dhjetë studentë, dy nga secili institucion apo organizata që morën pjesë në “Ata jetojnë”. Një përzgjedhje prej rreth 75 fotografish të shkrepura nga fundi i Luftës II Botërore dhe sot, u mblodh nga koleksionet private të banorëve të konviktit të dikurshëm dhe të tanishëm.

“Mund të them se kemi kuruar një koleksion të shkëlqyer fotografish nga periudha të ndryshme; për të gjithë ish-banorët e konvikteve, këto duhet ta kenë një nuancë disi nostalgjike. Është vërtetë bukur dhe interesante të shohësh një mori fotografish të tilla në një koleksion”, tha Ivana Bošković, njëra nga kuratoret.

Milena Prelević shtoi se fotografitë dhe regjistrimet audio, që ata mblodhën u dhanë atyre një pasqyrë shtesë për jetën e studentëve bashkëkohorë dhe atyre të kohës së shkuar.

“Dëshimitë fotografike na tregojnë se si dukej e kaluara atëherë — mbledhjet, dhomat e konviktit, sallat, ballkonet dhe kafenetë — diçka që na mundëson po ashtu të gjurmojmë ndryshimet hapësinore që ndodhën me kalimin e kohës. Mund t’i shohim prirjet mbizotëruese për sa i përket modës, argëtimit, zakoneve ushqimore dhe pikave të takimit, kurse disa fotografi kapin zhvillime me ndikim social-politik”.

Tomi duke studiuar. (Zagreb, 1990). Fotografia: Ivana Ferber.
Revista “Val” (Rijeka, 1 janar 1988). Fotografia: Arkivi i Edi Jurković.
Shalqinjtë (Podgoricë, 2020-2021). Fotografia: Magdalena Tošić.

Në njërin nga njoftimet e tyre të mëhershme, ICA tha se procesi mundësoi që studentët e tanishëm të universitetit të ndërlidheshin me aspekte të ndryshme të jetës së ish-studentëve, në mënyrë që të komunikonin me ta në një nivel më të thellë dhe më kuptimplotë, si dhe kësisoj të mësonin më shumë rreth tyre, po edhe rreth vetë jetës së tyre dhe përvojave studentore.

Për më shumë, Torres Hortelano tha se ishte posaçërisht interesante të shihej se sa e ngjashme është kultura studentore dhe jeta në konvikte mes Spanjës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Meqenëse Ballkani Perëndimor dhe Spanja janë relativisht larg sa i përket kulturës, ky projekt arriti të nxjerrë në pah se si njerëzit e shijuan jetën e tyre në kampus në mënyra shumë të ngjashme. Pra, fotografitë dhe kulturat nuk na ndajnë, por shprehin të njëjtën gjë në mënyra të ndryshme”, tha ai.

Institucionet partnere nga secili vend po planifikojnë ta vazhdojnë projektin dhe ta vazhdojnë atë me koleksione dhe botime shtesë arkivore.

Në vazhdën e këtij hulumtimi, Novović zbuloi se ka një dorëshkrim ende të pabotuar për jetën e tij në konvikt.

“Kam shkruar kujtimet e mia për ditët dhe njerëzit që i kisha në zemër, ndërsa disa prej tyre nuk janë më prej shumë kohësh”, tha Kujo. Ai ndau një fragment nga parathënia e librit të tij.

“Përfshirë kafe të shumta dhe shishe alkooli, lojëra të shumta letrash apo zaresh, si dhe netë të shumta pa gjumë, aq shumë momente të mrekullueshme ndodhën pas mureve ngjyrë gri të konviktit tim, kaq i ftohtë nga jashtë, por kaq i ngrohtë nga brenda”, shkruan ai.

Mes shumë njerëzish me të cilët ndau dhomën e konviktit, Novović kujton me ngrohtësi të veçantë njërin prej tyre, Miladin Šobić, poetin jugosllav laureat të banimit në konvikt. Šobić me siguri ka lënë kujtime të bukura pas vete. Siç thotë kënga e tij: “S’është asnjëherë e lehtë të largohesh nga ai rreth / Çdo dalje më dëshpëron / ‘Sepse po t’i notoja unë ata, shokët e mi do ta merrnin / Një dhjetëshe në miqësi”.

Imazhi ballinës: Një sesion pas-ligjëratash me mandolinë, kitarë dhe flautë (Beograd, 1974). Fotografia nga arkivi i Radmila Đurđević.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.