“Unë jam Ana Petrov. Jam 23-vjeçare dhe jam në vitin e fundit të studimeve master për arkitekturë. Jam njëra nga ato, të cilave u është thënë se arkitektura s’është për gra”.
“Unë jam Sara Gajović. Jam 25-vjeçare dhe vij nga Kraleva. Jam profesore e gjuhës dhe letërsisë franceze. Jam njëra nga ato, të cilave u është thënë se nuk mund të punojnë në kërkim-shpëtim malor, sepse është ftohtë dhe jam çikë”.
“Unë jam Ana Ninković dhe jam 26-vjeçare. Kam diplomuar si profesore e letërsisë dhe gjuhës serbe. Mua s’më kanë thënë çka mund apo s’mund të bëja”.
Këto janë tri nga 10 devojčica, “çikat e vogla”, të shfaqjes teatrale me të njëjtin emër. Prodhuar nga teatri “Reflektor” me seli në Beograd, shfaqja shënon 10-vjetorin e teatrit. Teatri nisi me një shfaqje të quajtur “Muškarčine” (“Burrat Macho”) dhe i përmbylli 10 vite me “Devojčica”. Ka njëfarë drejtësie poetike në këtë, sepse gjatë kësaj periudhe shumëçka ka ndryshuar, ose të paktën ka filluar të ndryshojë. Lëvizja “MeToo” ka inkurajuar vajzat dhe gratë, të cilat gjithnjë e më shumë po i kërkojnë të drejtat e tyre nëpër rrugë.
“Gjithçka shkoi siç duhet”, tha Milena Minja Bogavac, dramaturge dhe regjisore e shfaqjeve “Muškarčine” dhe “Devojčice”.
“Kur po e punonim ‘Muškarčine’, koncepti i aleatëve burra në feminizëm këtu ishte revolucionar. Patëm një përvojë të rëndësishme duke punuar me të rinjtë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe në atë kohë ishte gjëja më e natyrshme ta përdornim këtë njohuri në një shfaqje për të rinjtë. Është shfaqje që shënoi një pjesë të rëndësishme të jetës sonë, shfaqje që ishte pikënisja e teatrit “Reflektor”, një shfaqje me të cilën u rritëm si ekip, grup… familje”, tha Bogavac.
Në vija të ngjashme, “Devojčice” u përfytyrua si shfaqje dokumentuese se si është të rritesh si grua në Serbinë e sotme. Përmbajtja e shfaqjes u zhvillua përmes një procesi të punëtorisë hulumtuese, që përfshinte aktore të reja që punonin së bashku me ekspertë e eksperte, studiues e studiuese, aktivistë e aktiviste dhe feministë e feministe. Një luftë për ta përmbysur një rend shoqëror armiqësor, për ta njohur armikun brenda vetes, një listë dëshirash, disa frika, si dhe një dozë guximi dhe solidariteti të kombinuara për ta formuar këtë histori teatrale për rritjen.
Duke qenë se pjesë të shfaqjes burojnë nga përvojat e tyre personale, nuk është çudi që aktoret në shfaqje, Jelena Cvetković, Sara Gajović, Anđela Memet, Adrijana Mulić, Ana Ninković, Sara Ostojić, Ana Petrov, Milena Perić, Milena Šibalić, dhe Lena Vujović renditen si autore të shfaqjes, përveç si interpretuese.
Kur thotë se “Gjithçka shkoi si duhet”, e ka fjalën për faktin se tash është pak më e vjetër ose, siç thotë ajo, më e pjekur.
“Më pëlqen fakti që i takova këto vajza pikërisht tani dhe puna që bëmë bashkë ma ndryshoi jetën. Ishte njëra nga përvojat më të ndjeshme që kam pasur ndonjëherë në teatër”, tha Bogavac.
Pjesë e ansamblit të “Devojčice”: Ana Petrov (majtas), Ana Ninković (djathtas) dhe Sara Gajović (në mes). Fotografia: Dejan Kožul / K2.0.
Si regjisore, Bogavac shquhet për metodat e saj eksperimentale, si dhe punën e saj me rininë. Në bashkëpunim me “Gjimnazi i Tretë i Beogradit”, ajo krijoi shfaqjen “Monumentet e padukshme”. Është një shfaqje që paraqet nxënësit e nxënëset e gjimnazit si aktorë e aktore, të cilët e të cilat studionin po ashtu monumente që përkujtojnë viktimat e Luftës së Dytë Botërore, me theks te komuniteti hebre dhe Holokausti.
Për “Devojčice”, përvoja në aktrim nuk ishte thelbësore. Ndoshta përvoja e aktrimit e ndihmoi Gajović Ninković ta hidhte hapin e parë, por Petrov kishte përvojë vetëm si shikuese në publik.
“Kurrë s’jam regjistruar për shkollim në aktrim”, tha Petrov, por kur e pa temën dhe thirrjen e hapur për audicione, dëshiroi të përfshihej.
“E pashë ‘Muškarčine’ në vitin 2014 në Pančevo”, tha ajo, “dhe m’u duk diçka shumë e saktë. Ishim në fazën e pjekurisë, kur këto tema ishin interesante. Dukej se na bënte thirrje, neve, vajzave, për të bërë diçka si ‘Muškarčine’, por nuk prisja që të më pranonin sepse nuk kam aktruar asnjëherë më parë”.
Bogavac thotë se preferon të punojë me të rinjtë/rejat sepse nuk u përmbahen proceseve standarde, ndaj është më e lehtë me ta/o.
“Më së shumti më pëlqen të krijoj procese edukative dhe kreative me të rinjtë/rejat, të krijoj lojëra sociale dhe situata të të mësuarit. Të rinjtë/rejat janë të ndjeshëm/me, i duan lojërat dhe janë të gatshëm/me të mësojnë. Më pëlqen kur të gjithë luajmë, mirëpo unë shënoj dhe regjistroj gjithçka me përkushtim. Sepse, është lojë serioze. Tregime, deklarata, komente, ide… përfundimet tona kolektive dhe individuale — kjo është ajo që unë e përdori më pas për ta formësuar skenarin”, tha Bogavac për metodën e saj të punës.
Çka e bën veçanërisht të lumtur janë arritjet jetësore dhe përparimi artistik e personal i të rinjve e të rejave me të cilët/at punon.
“Rinia është entuziazëm dhe entuziazmi po kalon”, tha ajo.
Më e reja e devojčice është Anđela Memet. Sapo ka mbushur 18 vjet dhe përpos që është më e reja, Anđela është e veçantë edhe për një gjë tjetër të vogël. Përkatësisht, nëna e saj, Jelena Memet, është njëra nga pesë gratë që udhëhoqën punëtorinë “Devojčice”, që synonte t’i drejtonte vajzat dhe interpretueset e ardhshme të teatrit kah lëvizjea feministe. Jelena është aktiviste prej vitesh dhe Anđela ka marrë pjesë në protesta feministe me nënën e saj, prej që e mban mend veten.
“Kam qenë gjithmonë në protesta me nënën kur kam qenë e vogël”, tha Anđela.
Jelena thekson se marrëdhënia e tyre nuk dallon nga marrëdhëniet tjera nënë-vajzë, përveç se ajo u përpoq që në moshë shumë të vogël t’ia ushqente vajzës së saj parimet e jetës dhe ta edukonte në frymën e feminizmit. Anđela shpreh mirënjohjen për këtë gjatë bisedës.
“Thjesht flisja për protestat, sfondin e tyre historik, historinë e grave që u organizuan para se ne të lindnim — asgjë në të vërtetë nuk fillon me ne”, tha Jelena Memet. “Shumë gra dhanë jetën që ne të jemi këtu ku jemi sot. As ne nuk jemi në një pozitë të lakmueshme, por nuk do të ishim këtu po të mos kishin qenë disa nga këto gra nga më parë”.
Sara Gajević, njëra nga pjesëmarrëset, kuptoi se përgatitja për shfaqjen ishte kritike. Ajo theksoi veçanërisht momentin e njohjes dhe identifikimit me feministet e një brezi më të vjetër që udhëhoqën punëtoritë, ndër të cilat ishin Maja Maksimović, Nađa Duhaček, Marija Ratković dhe Adriana Zaharijević.
“Kam një ndjenjë që, kur të kalojnë ato dhjetë vjet, do të dëshirojmë të jemi njësoj si ato”, tha Sara. “Që ta arrijmë këtë nivel të vetëdijes, të të menduarit, zgjuarsisë, inteligjencës, aktivizmit. Gjithçka më frymëzoi”.
Shfaqja “Devojčice” erdhi në një moment interesant. Lëvizja “MeToo” inkurajoi shumë gra që të dilnin në rrugë. Ndodhi në të gjithë ish-Jugosllavinë, së fundmi në Prishtinë dhe Beograd, të bashkuara nën moton: “Nëse tutesh prej territ natën, ia qesim flakën qytetit!”
Kjo është po ashtu një klithmë e Ana Ninković në fund të shfaqjes. Ajo flet për aktivizmin e saj në rrugë si anëtare e kolektivit “Solidariteti i Grave”. Ky grup organizoi protesta të shumta para ambienteve ku punon redaksia e “Informer”. “Informer” është gazetë që kontrollohet nga qeveria serbe, që kohëve të fundit ka botuar një intervistë me një përdhunues serik.
Pjesëmarrja në shfaqje është aspekt i ri i aktivizmit të saj.
“Besoj se arti është pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë, e ndryshimeve shoqërore. Gëzohem që më është dhënë mundësia të flas për këtë në teatër dhe të jem pjesëmarrëse në shfaqje në këtë mënyrë — të përpiqem ta përdor teatrin për të sjellë disa ndryshime”, tha ajo.
Një skenë nga shfaqja “Devojčice”. Fotografia: Ruzhica Ristivojević.
Ndryshimet më të mëdha ndodhin me hapa që duken të vegjël. Përbrenda familjeve.
“Kur u mbajt njëra nga protestat, isha e lodhur dhe nuk kisha shumë dëshirë të merrja pjesë”, tha Ninković. “Këtë ia thashë babait dhe ai ma ktheu: “Pse duhet të shkosh? Edhe ashtu s’do të ketë njerëz”. Qëndrimi i tij më nervozoi fort, sepse nuk më pëlqen kjo ndjenjë e mposhtjes që e ka babai im e edhe nëna nganjëherë. Shkova në protestë dhe njerëzit po mblidheshin në masë. Dhe pastaj, pas premierës së shfaqjes, babai më tha: “Kjo që po e bën është shumë e rëndësishme. Jam krenar me ty”. Dy deklarata të tij të ndryshme me dallim kohor 15 ose 20 ditë. Mjaftoi vetëm një shfaqje”, tha Ana, duke pranuar se qan sa herë që interpretojnë.
Sara Gajović, babai i së cilës është polic, pat përvojë të ngjashme. Në fund të viteve të ’90-ta, gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, babai i saj nuk ndodhej në shtëpi. Në shfaqje, ajo shpreh me shumë gjallëri këtë shqetësim, sepse kur ai hyri në dhomën e saj, ajo nuk e njohu as për shkak të mungesës së tij të gjatë. Dhe kur e çarmatos një zyrtar policor, çfarë mbetet është një person i zakonshëm.
“Ai e përjetoi teatrin me më shumë emocione sesa nëna. Babai është zyrtar policor, një inspektor që është imun ndaj lotëve, nuk preket nga lotët; por kur shikoi shfaqjen u shndërrua në një person që zgjohet në mes të natës dhe qan; më tha se e mbyta atë me këtë shfaqje. Nëse kam arritur të futem brenda një personi që nuk i shfaq ndjenjat, shpresoj se mund ta prek edhe publikun e gjerë”, tha Gajović.
Megjithatë, motivimin kryesor e ka marrë nga motra e saj, e cila është nëntë vjet më e vogël, si dhe po ndjek shkollën e mesme, që për momentin është në një moshë të ndjeshme. Ajo dëshiron t’i tregojë asaj se jo shumë kohë më parë, edhe ajo ishte në ato vite, se kishte dilema dhe probleme të ngjashme, por që të gjitha ato do të kalojnë dhe se mund ta nxjerrësh një shfaqje prej tyre.
Trupa teatrale i jep të gjitha meritat Bogavac, sepse, edhe pse rrëfimet janë origjinale, ato duhej t’i përmbledhnin të gjitha në dhjetë minuta në skenë, me të gjitha aspektet kyçe të jetës së tyre. Atyre iu desh t’i shtronin pyetjet e duhura, për t’ia paraqitur “devojčice” vetes dhe publikut. Ato theksojnë aftësinë e regjisores që ua ofroi atyre lirinë që të mos flisnin për asgjë që nuk ndiheshin rehat ta ndanin me të tjerët.
“Më vjen mirë që nuk e kam keqpërdorur besimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm që kam marrë nga shoqet e mia të reja. Jam përpjekur t’ua paraqes secilës saktësisht se si e kam parë, si dhe në sytë e mi, ato janë jashtëzakonisht të forta, të mençura, të guximshme, kurreshtare, këmbëngulëse, të zëshme … devojčice”, tha Bogavac.
Ajo shtoi se në shfaqje kanë kontribuar edhe miqtë/miket e saj më të dashur/a dhe bashkëpunëtorët e bashkëpunëtoret e saj të vjetër, përfshirë Bojana Vunturišević (në muzikë) dhe Đorđe Živadinović Grgur (në lëvizjet skenike). Ata/o jo vetëm që punuan në muzikë dhe në lëvizjen skenike, por, siç tha Bogavac, demonstruan aftësi të jashtëzakonshme pedagogjike muzikore dhe teatrale, si dhe dëshmuan se dinë të komunikojnë me të gratë e reja.
“Më vjen mirë që nuk e kam keqpërdorur besimin e madh që kam marrë”, tha regjisorja Minja Bogavac. Fotografia: Ruzhica Ristivojević.
“Devojčice” tashmë i ka tejkaluar kufijtë e qytetit të Beogradit. Aktoret po e interpretojnë, po e bëjnë punën e tyre, po tregojnë historitë e tyre dhe historitë e të gjitha vajzave në Ballkan. Siç tha arkitektja Ana Petrov, është në natyrën e vajzave që të mendojnë për ndërtimin e hapësirave të sigurta dhe rrugëve që nuk janë udhë të errëta pe krye. Është në natyrën e tyre t’i konsiderojnë artet marciale, si Sara, e cila ka shiritin e kaltër në karate; është në natyrën e tyre ta konsiderojnë përdorimin e sprejit të piperit, siç bën Ana Ninković dhe vajza të tjera të reja në Prishtinë dhe qytete të tjera. Por gjitha këto gjëra janë të padobishme nëse dorasi vjen nga lagjja e tyre, familja e tyre ose shtëpia e tyre.
Disa prej tyre do ta vazhdojnë aktrimin sepse “Devojčice” i inkurajoi dhe ua tregoi fuqinë që teatri ka. Nuk ishin konkurruese mes vete, por donin t’i rrëfenin historitë e tyre. Siç thotë Bogavac, gjërat më të mira për vajzat në “Devojčice” janë në ardhje e sipër. Ato kanë filluar të pranojnë ftesa për të performuar në Kikinda, Kraljevo, Novi Sad, Vranje dhe qytete të tjera, si dhe e kanë shfrytëzuar këtë shfaqje si moment historik për 10 vjetorin e teatrit “Reflektor”.
“Do të filloj të mendoj për këtë ndryshim vetëm pas një viti. Për momentin, jam pafundësisht e lumtur dhe krenare që vajzat gëzojnë shoqërinë e njëra-tjetrës, respektojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën. Më vjen mirë që shfaqja i afroi më shumë dhe krijoi një motërzim në këto vite kritike dhe të ndjeshme, kur janë në rrugën e pushtimit të qytetit, zërit të tyre dhe vendit të tyre në shoqëri, në brezin e tyre”, na thotë Minja.
Ajo i referohet “çikave të vogla” si vajza të guximshme, punëtore, të dashura, të zgjuara dhe të forta, me shumë talente, ndërsa i konsideron ato zërin e ardhshëm të feminizmit, si aktiviste dhe artiste.
Ato duan ta ndryshojnë botën — dhe mund ta bëjnë këtë.
Imazhi i ballinës: Dejan Kožul / K2.0.