Pas lindjes së fëmijës së tretë, Donjetë Maloku, 31-vjeçare nga Prishtina, u përpoq ta mbante një peshë të caktuar, por nuk arriti. Maloku, financiere me profesion, u informua përmes rrjeteve sociale për ilaçin Ozempik, i cili përdoret tek personat me sëmundjet e diabetit të tipit 2, por që ka efekt në humbjen e peshës. Vitin e kaluar, ajo vendosi të zgjedhë këtë ilaç si një opsion më të lehtë për menaxhimin e peshës.
“Nuk jam marrë me aktivitete fizike sepse është shumë e lodhshme, kam dashtë diçka më të lehtë dhe të shpejtë”, thotë ajo.
Maloku nuk u konsultua me ndonjë specialist mjekësor për përdorimin e këtij ilaçi, por e bleu në një barnatore në Prishtinë, me rekomandimin e një familjareje të saj, e cila e kishte “siguruar” se nuk do të kishte probleme.
“E kam përdorur vitin e kaluar dhe për tre muaj rresht i kam humbur 18 kilogramë”, thotë ajo, duke shtuar se ka qenë e informuar se Ozempik është ilaç për personat me diabet të tipit 2, por ka besuar dhe shpresuar se nuk do t’i shkaktojë telashe me shëndetin. Por kur filloi ta përdorte ilaçin, i shkaktoi nauze dhe si rezultat, kishte mbetur e shtrirë për disa ditë. “Mandej trupi e pranonte më lehtë, në ditën që e kam marrë për herë të parë veç kam flejtë se ndihesha shumë e lodhur”, thotë ajo.
Në tri vitet e fundit, Ozempik pushtoi mediet sociale si zgjidhje e shpejtë për humbje të peshës, anipse nuk është i destinuar për këtë qëllim. Në vitin 2017, Ozempik u miratua nga Agjencia e Barnave dhe Ushqimit (FDA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të trajtuar diabetin e tipit 2. Ozempik përmban substancën aktive semaglutid, që përveç që rregullon nivelin e sheqerit në gjak, ndikon në kontrollimin e urisë. Semaglutidi ngadalëson zbrazjen e stomakut, gjë që zgjat kohën e tretjes së ushqimit. Ky mekanizëm rrit ndjenjën e ngopjes dhe redukton oreksin, duke çuar në një reduktim natyral të marrjes së kalorive.
Efektet anësore si vjellje, lodhje dhe mungesë e disponimit, bënë që Maloku ta ndërprejë përdorimin e Ozempik pas tre muajsh. Këto efekte anësore janë të listuara edhe në dokumentin e aprovimit nga FDA. Maloku tregon se pasi ndaloi se përdoruri Ozempikun, sërish ka shtuar peshë, por tani jo vetëm që nuk e përdor më, por nuk ia rekomandon askujt.
Në qershor 2021, një dozë më e lartë semaglutide u miratua nga FDA nën emrin e markës Wegovy posaçërisht për menaxhimin kronik të peshës. Me theksimin e rolit të semaglutidës në humbjen e peshës, interesimi për ta përdorur atë u rrit globalisht. Megjithatë, ky ilaç duhet të përdoret vetëm nën mbikëqyrjen e një specialisti/je, pasi mund të ketë efekte anësore dhe kundërindikacione te disa përdorues/e.
Efektet anësore si vjellje, lodhje dhe mungesë e disponimit, bënë që Maloku ta ndërprejë përdorimin e Ozempik pas tre muajsh. Këto efekte anësore janë të listuara edhe në dokumentin e aprovimit nga FDA. Maloku tregon se pasi ndaloi se përdoruri Ozempikun, sërish ka shtuar peshë, por tani jo vetëm që nuk e përdor më, por nuk ia rekomandon askujt.
“Veç erën me ia kujtu me vjen mundim”, thotë ajo. Për shkak të përdorimit të Ozempikut, asaj iu përkeqësua edhe gjendja me dioptrinë e syve.
“Ndonjëherë me turbulloheshin sytë dhe mendoj që dioptria me është rritur pas përdorimit të Ozempik. Nuk e kam vërtetuar se shkaktari ka qenë Ozempik dhe i kam ndërruar syzet, por ashtu mendoj sepse gjatë përdorimit ashtu më terroheshin sytë”, thotw ajo.
Në dokumentacionin e FDA, për efektet anësore të Ozempik, është dëshmuar se gjatë provave dy-vjeçare tek pacientët me diabet të tipit 2, 3% e pacientëve të trajtuar me Ozempik kanë pasur komplikime të retinopatisë, krahasuar me pacientët që janë trajtuar me placebo me vetëm 1.8%. Retinopatia është një dëmtim ose sëmundje e retinës, shtresa e brendshme e syrit që ndjen dritën dhe dërgon sinjale vizuale në tru.
FDA rekomandon që ilaçi fillimisht të përdoret me dozë 0.25 miligram dhe, pas tetë javësh, doza mund të rritet në 1 mg.
Popullariteti i përdorimit të Ozempik vjen si përgjigje ndaj një prej problemeve më të mëdha të shëndetit publik — mbipesha kronike. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka vlerësuar se mbipesha dhe obeziteti janë në rritje në shumicën e vendeve të botës, si tek të rriturit/at ashtu edhe tek fëmijët. Ka disa faktorë që ndikojnë në mbipeshë, mënyra e jetesës, konsumimi i ushqimeve të pasura me kalori dhe yndyrë, mungesa e aktivitetit fizik, jeta sedentare dhe faktorë të tjerë socio-ekonomikë.
Mbipesha është e lidhur me një numër sëmundjesh kronike dhe problemesh shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2, disa lloje të kancerit dhe sëmundje të tjera. Kjo e bën parandalimin dhe menaxhimin e mbipeshës një prioritet të rëndësishëm shëndetësor në shumë vende.
Njerëzit shpeshherë janë në kërkim të metodave më të lehta dhe më të shpejta për të rënë në peshë.
Video nga K2.0.
Ka disa mënyra biologjike për të parandaluar mbipeshën, sikurse ushqimi i shëndetshëm, balancimi i kalorive, konsumimi i frutave dhe perimeve dhe, çka është më e rëndësishmja, aktiviteti fizik i rregullt. Por këto mënyra jo gjithmonë janë opsione për shkak të dinamikës së jetës. Prandaj njerëzit shpeshherë janë në kërkim të metodave më të lehta dhe më të shpejta për të rënë në peshë.
Kështu e filloi përdorimin e Ozempik edhe Blend Zymi, një 38-vjeçar, me profesion tregtar, në Prishtinë, para një viti e gjysmë dhe ende vazhdon ta përdorë. Edhe ai e ka filluar përdorimin e tij pa rekomandim të mjekut ndonëse është i vetëdijshëm që ilaçi është për personat me diabet tip 2.
“Nuk shkoj tek mjeku se tutna ma ndalë”, thotë Zymi duke qeshur.
Zymi është një tifoz i madh i ushqimit. “E dua shumë. E kam nga shprehia dhe tërpia”, thotë ai. Edhe ky e ka zgjedhur këtë ilaç si rrugë më të lehtë për të humbur peshë. Ai s’kishe arritur të humbte peshë as me vrapime në mëngjeset e hershme në parkun e Gërmisë.
“Nuk e kujtoj se kush ma ka përmend Ozempikun, por shkova e bleva në barnatore. Kam fillu me dozë 0.25 dhe pas tetë javësh me 1 mg. Që një vit e gjysmë e përdori”, thotë ai. Ndryshe nga Maloku, Zymi thotë se nuk ka pasur ndonjë problem me përdorimin e këtij ilaçi. Problemet fillestare si diarrea dhe kokëdhimbja i kanë kaluar me kohë.
“Komplet më ka ndryshu jetën. Nuk kam stres, jam shumë më i qetë”, tregon Zymi.
Edhe Maloku edhe Zymi kanë blerë Ozempik në barnatoret në Prishtinë pa përshkrim të mjekut.
Zymi është i vetëdijshëm që Ozempik është për sëmundjen e diabetit, me të cilin nuk ka ndonjë problem, por thotë se e ka ndërmarrë këtë rrezik me vetëdije. Zymi thotë se Ozempikun tash e siguron nga jashtë vendi përmes shoqërisë së tij për shkak se kushton më lirë. Ai e merr një dozë 1 miligramëshe një herë në javë dhe kjo i krijon ndjenjën se është i ngopur gjatë gjithë kohës.
Edhe Maloku edhe Zymi kanë blerë Ozempik në barnatoret në Prishtinë pa përshkrim të mjekut. Për këtë arsye janë zhvilluar inspektime nga Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ky institucion, vihet re se Ozempik ka filluar të shitet nëpër barnatore pa përshkrim të mjekut që nga viti 2022. Në tri vitet e fundit, janë shqiptuar 18 gjoba. Për më shumë, në vitin 2023 janë shqiptuar dy gjoba mbi dyshimin se produkti që është shitur si Ozempik ka qenë ilegal dhe i falsifikuar.
Ozempik përmban lejen për t’u shitur në tregun e Kosovës si produkt medicinal. Agjencia për Barna dhe Produkte Medicinale ka lëshuar Autorizim Marketingun për Ozempik në vitin 2021 për tre doza, 0.25 mg, 0.50 mg dhe 1 mg. Ky produkt shitet në barnatore me çmim 135 euro për një “laps” i cili përmban katër gjilpëra për dozat e përshkruara sipas mjekut për një muaj.
Në dy vitet e kaluar, është raportuar në vazhdimësi për shitjen pa recetë të Ozempik nëpër barnatore të Prishtinës, ku doza shkonte deri në 90 euro. Po ashtu, është raportuar se ilaçi ishte përshkruar nga endrokrinologët për menaxhim të peshës edhe pa u lejuar një gjë e tillë nga FDA apo Agjencia e Barnave të Evropës (EMA).
Ozempik nuk duhet të përshkruhet për humbje të peshës
Ilaçi Ozempik është i dedikuar për personat me sëmundje të diabetit Tip 2 dhe i njëjti nuk përshkruhet nga mjekët ekskluzivisht për humbje të peshës.
Diabeti i tipit 2 është sëmundje kronike komplekse, e cila shoqërohet me rritje të glikemisë dhe shpjegimi i kësaj qëndron nga rezistenca insulinike, e cila më vonë shoqërohet edhe me pakësim të insulinës tek një individ. Faktori kryesor i rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundjeje është obeziteti, faktorët gjenetikë apo përdorimi i medikamenteve që mund të nxisin faktorë të tjerë. Diabeti i tipit 2 mund të shkaktojë edhe komplikime tjera në sy, zemër, gjymtyrë të poshtme, të cilat vijnë si rezultat i hiperglikemisë. Të gjithë pacientët me këtë sëmundje mund të mjekohen edhe me barna të tjera që kanë kosto më të ulët sesa Ozempik.
Merita Emini-Sadiku, specialiste e endokrinologjisë dhe drejtore e Klinikës së Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sqaron se Ozempik imiton inkretinat për nxitjen e sekretimit të insulinës dhe mbajtjen e peshës normale. Në rastin e pacientëve me diabet të tipit 2, këto inkretina janë të paqëndrueshme.
Emini-Sadiku thotë se e vetmja herë kur si klinicistë/e e përshkruajnë Ozempikun te pacientët që nuk kanë diabet të tipit 2, është kur kanë rezistencë në insulinë që mund të çojë në zhvillimin e diabetit të tipit 2. Përshkruarja e Ozempik te këta/o pacientë/e synon uljen e kësaj rezistence.
Merita Emini-Sadiku, specialiste e endokrinologjisë dhe drejtore e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK tregon se kanë kërkesa që ta përshkruajnë këtë ilaç për menaxhim të mbipeshës, por nuk e bëjnë.
Ajo shton se pacientët/et me rezistencë insulinike fillimisht kanë tepricë të insulinës, e cila me kalimin e kohës bëhet joefektive dhe nuk pranohet glukoza brenda qelizave, prandaj edhe rritet niveli i sheqerit në gjak. Emini-Sadiku thotë se kjo gjendje përshkruhet si faktori i parë i diabetit tip 2 dhe personat me mbipeshë, ndonëse kanë rezistencë në insulinë, nivelin e sheqerit e kanë normal. Ajo tregon se kanë kërkesa që ta përshkruajnë këtë ilaç për menaxhim të mbipeshës, por nuk e bëjnë.
Ozempik nuk e ul peshën duke shkrirë yndyrën, por nxit procese tjera në organizëm që shkaktojnë heqjen e kilogramëve të tepërt. Emini-Sadiku e shpjegon kronologjinë e procesimit të Ozempikut si substancë e cila kalon në gjak dhe jep sinjale në qendrën e ngopjes në tru që pacienti/ja, porsa fillon të trajtohet, ndihet i/e ngopur me ushqime dhe kur fillon ta përdorë në javët e para e ka ndjenjën që nuk ka nevojë shumë për ushqime dhe automatikisht nuk konsumon ushqime, duke shkaktuar deficit të kalorive.
“Rrjedhimisht organizmi ka nevojë me djegë substanca tjera dhe fillon me e shfrytëzu indin yndyror. Mirëpo jo në atë masë sa me nxitë ketogjenezë dhe krejt kjo ndodh në mënyrë fiziologjike. E imiton një proces normal”, thotë ajo. Ozempik po ashtu ngadalëson tranzitin e ushqimit, i bën zorrët më dembele në mënyrë që ushqimi të qëndrojë më gjatë aty.
Ajo shton se Ozempik ka edhe efekt tjetër në parandalimin e ngjarjeve serioze kardiake dhe në mirëqenien e veshkës.
Ozempik përmban implikime serioze për shëndetin e personave të caktuar bazuar në historinë e tyre familjare dhe parakushteve të tjera të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ozempik ka edhe efekte anësore, sipas Emini-Sadikut, të cilat janë kryesisht gastrointenstinale, vjellje, nauze, diarre, konstipacion, në rreth 30% të pacientëve. Më të rralla janë pankreatiti akut, përkeqësimi i gurëve në idhëz dhe makulopati në sy.
Mungesa e konsultimit me specialistë/e për marrjen e Ozempik nuk lidhet vetëm me pasjen apo jo të diabetit — Ozempik përmban implikime serioze për shëndetin e personave të caktuar bazuar në historinë e tyre familjare dhe parakushteve të tjera të gjendjes së tyre shëndetësore. Në mjekësi jo çdo procedurë trajtimi dhe ilaç mund të jenë të përshtatshme për të gjithë pacientët. Këto raste njihen si kundërindikacione. Ato ndahen në dy grupe: absolute, kur pacienti nuk guxon të trajtohet me atë metodë ose ilaç sepse rreziku nga dëmtimi është shumë më i lartë sesa përfitimi dhe relative, kur metoda ose ilaçi aplikohet me kujdes të shtuar.
Edhe Ozempik i ka disa kundërindikacione absolute. Emini-Sadiku, thotë se janë pikërisht këto raste që qytetarët/et nuk do të duhej të përdorin këtë ilaç pa konsultim me mjekun/en.
“Ozempik kundërindikohet tek pacientët që kanë rrezik për kancer medular të tiroidesë ose sëmundje neoplazike multiple endokrinologjike”, thotë ajo. “Pra janë këto filtra me të cilat Ozempik është i kundërindikuar totalisht dhe ne gjithmonë mundohemi me evitu mos me shkru tek ata pacientë, të cilët qofshin edhe obezë me diabet tip 2”.
Emini-Sadiku thotë se këto raste identifikohen përmes anamnezës ose historisë familjare dhe me ultrazë të tiroidesë për të parë nëse pacienti ka ndonjë nodus për të cilën mund të mos jetë në dijeni asnjëherë. E përdorimi i Ozempik, ndonëse nuk është shkaktar i kancerit të tiroidesë, do ta përkeqësonte atë në një organizëm që është i predispozuar, në rast se ka histori familjare. Sipas saj, kjo është ndër arsyet kyçe pse Ozempik nuk duhet të përdoret pa rekomandim të endokrinologut/es.
Imazhi i ballinës: K2.0 via cc.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.