Kuvendi i Kosovës përsëri nuk arriti ta përfundojë seancën fillestare meqë deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk morrën pjesë për herë të katërt. Mungesa e vazhduar e deputetëve të koalicionit PAN – së bashku me 20 deputetët e komuniteteve pakicë – e bllokoi Kuvendin dhe kështu e pamundësoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kusht paraprak për formim të qeverisë.
Mungesa e deputetëve të koalicionit PAN, me përjashtim të Milaim Zekës së Nismës, ishte e pritur meqë ata kishin lajmëruar paraprakisht se kanë nevojë për më shumë kohë për konsultime.
Edhe pse u arrit kuorumi me 61 deputetë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve të vitit 2014, vetëm partia ose koalicioni më i madh në Kuvend – në këtë rast koalicioni PAN – ka të drejtë që i pari ta emërojë një kandidat/e për kryeparlamenetar/e.
Prej zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicioni PAN vazhdimisht ka deklaruar se i kanë numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, por kjo është vënë në dyshim prej kundërshtarëve të tyre, të cilët thonë se po t’i kishin me të vërtetë numrat, nuk do t’i ishin shmangur Kuvendit.
Edhe pse kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit nuk është emëruar zyrtarisht, gjerësisht besohet se do të jetë lideri i PDK, Kadri Veseli, zgjedhje jo e pëlqyer në mesin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA).
Glauk Konjufca i Vetëvendosje doli në foltoren e Kuvendit dhe e kritikoi koalicionin PAN për bllokim të jetës institucionale në Kuvend vetëm për hir të Kadri Veselit. “Në dy muajt e fundit jemi lodhur duke e dëgjuar koalicionin PAN duke na thënë se ata janë fitues dhe se i kanë votat për Kryetar të Kuvendit”, tha ai. “Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse nuk po vijnë në seancë?”
Konjufca e akuzoi koalicionin PAN duke thënë se po e mbajnë peng procesin e krijimit të institucioneve, dhe se veprimet e tyre janë të pashembullt në historinë e parlamentarizmit demokratik europian. “Çfarë ndodh kur nuk paraqiten ata që kanë të drejtë ta propozojnë një kryetar?”, pyeti ai. “Edhe sa mund të vazhdojmë kështu? Nuk ka rregulla në Rregullat Procedurale të Kuvendit për një situatë të tillë”.
Ai insistoi se ka nevojë për kompromis dhe e përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes, që ata do ta marrin parasysh cilindo kandidat për krryetar të Kuvendit përveç Veselit.
Kandidati i LAA për kryeministër, Avdullah Hoti, tha në seancë se koalicioni i tij do të vazhdojë pjesëmarrjen në të gjitha takimet konsultative dhe seancat e Kuvendit, duke shtuar se është e qartë kush po i bllokon institucionet. Ai insistoi që koalicioni PAN duhet parimisht të paraqitet, e pastaj të jep propozimin e vet për Kryetar të Kuvendit, në mënyrë që të ketë progres në këtë situatë.
“Veç se kemi humbur shumë kohë – Kuvendi dhe qeveria duhet të ishin funksionale deri më tani”, tha ai. “Deputetët e PAN-it duhet të jenë racional”.
Hoti deklaroi se ky bllokim i Kuvendit nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, dhe se deputetët duhet të jenë të gatshëm që të marrin parasysh mënyra tjera për të parë progres në këtë situatë. “Duhet të marrim parasysh mënyra tjera kushtetuese dhe ligjore për të mundësuar themelimin e Kuvendit”, tha ai.
Kryesuesi i seancës fillestare, Adem Mikullovci, e mbylli seancën duke lajmëruar që deputetët do të lajmëroheshin së shpejti për datën e ardhshme të vazhdimit të seancës.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.