Peizazhi politik i Kosovës pritet të ndryshojë, pasi që dy partitë më të mëdha të opozitës nga Kuvendi i kaluar janë shumë para rivalëve të tyre me vota.
Me 100% të votave të rregullta të numëruara në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare*, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka treguar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka fituar 25.5% të votave, pak më shumë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila i ka fituar 24.8%.
Përderisa votat e fundit ishin ende duke u numëruar në naten e zgjedhjeve, lideri i partisë LVV, Albin Kurti, e shpalli fitoren duke thënë se ky rezultat është “festë kombëtare”, para se të festonte me mbështetësit e vet në Sheshin Skendërbe të Prishtinës.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, tha në një konferencë për shtyp se me rezultat kaq të afërt, nuk është e mundur të përcaktohet kush ka fituar derisa të numërohen të gjitha votat.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka qenë në qeveri prej vitit 2007, i fitoi 21.2% të votave dhe e pranoi që me sa duket do ta kalojë një periudhë në opozitë. “Qytetarët e kanë dhënë verdiktin e tyre, dhe ne e pranojmë”, tha lideri i partisë Kadri Veseli.
Koalicioni ndërmjet partisë së Kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe Partisë Social-Demokrate (PSD), është në vendin e katërt me 11.6%.
Partia e mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, përsëri dominoi me votat për partitë serbe dhe është në vendin e pestë në numërimin e përgjithshëm të votave. Asnjë parti tjetër serbe nuk ka marrë më shumë se disa qindra vota.
Me gjasë shumëçka do të varet nga ndarja përfundimtare e votave për koalicionin ndërmjet Nismës dhe Aleancës Kosova e Re (AKR) nëse ajo do ta kalojë pragun 5% që kërkohet për të siguruar deputetë në Kuvend. Nëse nuk e arrijnë pragun prej 5%, LDK dhe VV me gjasë do të kenë mundësi ta sigurojnë një mazhorancë të përgjithshme – me të paktën 61 nga 120 ulëse në Kuvend – duke formuar koalicion së bashku.
Partia që siguron më së shumti vota, kur të çertifikohen rezultatet nga KQZ, do të ftohet nga presidenti për ta formuar qeverinë. Nëse nuk e bëjnë këtë brenda 15 ditëve, presidenti duhet të konsultohet me partitë dhe koalicionet, para se ta nominojë një kandidat tjetër për kryeministër brenda 10 ditëve.
Rezultatet që janë publikuar deri tani nuk i përfshijnë votat nga diaspora. Mendohet se në këto zgjedhje kanë votuar një numër rekord i votuesve nga diaspora. Më shumë se 35,000 aplikime nga diaspora janë miratuar nga KQZ, ndërsa në zgjedhjet e fundit në vitin 2017, vetëm 5,000 votues nga diaspora u regjistruan me sukses për të votuar.
Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet e të dielës ishte mbi 44% nga 1.9 milion votues të regjistruar. Kjo është pjesëmarrja më e lartë që prej vitit 2010. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Shënim i redaktorit: Ky artikull u rifreskua në mënyrë periodike pas publikimit për të dhënë përqindjet më të fundit të votave pasi që numërimi i votave të rregullta ishte ende në duke vazhduar.