Në thelb | Ambienti

Patriotizmi vjen me eko

Nga - 22.12.2021

Kur Mali i Zi e zhgënjeu natyrën, qytetarëve iu desh të ndërhyjnë.

Dita ishte e vranët dhe meteorologët njoftuan për reshje shiu. “Pavarësisht se çfarë thonë meteorologët, nuk do të na ndalin”, tha Jelena Lacman në telefonatën e shkurtër teksa ecte me dy djem, Nikola dhe Pavle, për në vendtakim në shëtitoren Vito Nikolić nën malin Trebjesa, në kodrën me pamje nga qyteti i vjetër i Nikšić.

Në atë fundjavë nëntori, Lacman, Ivana Čogurić dhe një grup vullnetarësh nga Nikšić — të cilët ia kanë kushtuar kohën e lirë pastrimit të Niksić-it gati që një vit— po mblidheshin për një aksion tjetër. Të bashkuar rreth iniciativave Ekopatriotizam (Eko-patriotizëm) dhe Ekobonton (Eko-sjelljet), e kanë bërë këtë, duke kërkuar nga të gjithë në Mali të Zi ta bëjnë të njëjtën gjë për nëntë muajt e kaluar. Deri tani, kanë kryer mbi 40 aktivitete zyrtare dhe kushedi sa veprime tjera spontane.

Lëvizja filloi rreth një vit më parë, në një kohë paqëndrueshmërie politike për Malin e Zi, kur një konflikt i zgjatur me Kishën Ortodokse Serbe dhe pasojat e pandemisë kishin çuar në një ndryshim të pushtetit. Pastaj një valë e re COVID-19 i dha fund të hershëm debatit përmes mbylljes së re.

Ky ishte momenti kur Jelena Lacman, Ivana Čogurić, Bojana Kršikapa dhe Jelena Jovićević vendosën ta zëvendësonin kafen e përhershme të tyre të mëngjesit, madje edhe kafen e pasdites, me një ecje. Ndonëse prej vitesh jetonin në “qytetin nën Trebjesa”, vetëm tani e kuptuan se sa shumë mbeturina kishte rreth tyre.

Për herë të parë, i panë grumbujt e mbeturinave në rrugën e tyre dhe ato deponi të vogla plehrash në vendet më papritura, siç është kodra që nga njerëzit e Nikšić-it është cilësuar gjithmonë si “mushkëritë e qytetit”. Vendosën t’i zëvendësojnë ecjet e tyre me veprim. Kësisoj, i sollën diçka të re debatit: qese plehrash, doreza pastrimi, gërbujë, lopata dhe kositëse.

Pak para orës 11:00, Lacman arriti tek vendi i dakorduar hapësirën e zbrazët midis kishës dhe muzeut në fillim të shëtitores Vito Nikolić. Këtu fillimisht e nisën pastrimin, gjë të cilën e kishin bërë edhe disa ditë më herët, por ka tepër shumë mbeturina për t’u mbledhur. Një grup njerëzish ishin bashkuar tashmë pavarësisht motit, më të rinjtë në mesin e tyre ishin parashkollorët. Dorezat shumëngjyrëshe vëreheshin lehtësisht nga larg dhe tashmë ndihej energjia pozitive e punës.

Dy ditë më herët, Ivana tha se kishte një seminar të planifikuar dhe se nuk do të ishte në qytet. Megjithatë, erdhi, e veshur me xhup të thjeshtë dhe çantë shpine në vend të veshjes serioze; kishte pirë kafe në shtëpi dhe erdhi me nxitim. Kur e pyeti dikush se a do të duhej të ishte në seminar, u përgjigj thjesht me një buzëqeshje: “E anulova. Seminare tjera do të ketë, si mund ta humbas këtë aksion?”

Krejt ishin aty, ndonëse një pjesë e Klubit të Alpinizmit dhe Skijimit Javorak do të mbërrinte pak më vonë po përgatisnin drekën. Kishin qenë aty që nga fillimi, Nada Tadić me të rinjtë.

“Punën e kujt po e bëjmë?”

Ajo e diel ishte aksioni i parë i pastrimit, të cilit iu bashkuan zyrtarë lokalë të Nikšić-it, të drejtuar nga kryetari i ri i kuvendit Nemanja Vuković, i cili e kishte zëvendësuar kostumin e tij me një xhup dhe atlete.

“Jemi të vetëdijshëm se imazhi mjedisor i Nikšić-it është i tmerrshëm. Besoj se të gjithë duhet të kontribuojmë që qyteti ynë të bëhet një vend më i bukur dhe më i pastër për të jetuar”, tha ai me një gërbujë në duar.

Lacman, nga ana e saj, mendon se çfarë i provokoi zyrtarët lokalë të ndërhyjnë dhe të bëhen pjesë e këtyre aksioneve është fjalia “Punën e kujt po e bëjmë?”.

“Menduan se po u bënim thirrje dhe u ndienë të turpëruar që dikush tjetër po e bënte punën e tyre”, tha ajo. “Kjo nuk ka rëndësi për ne, e kuptojmë se edhe ata kanë nevojë për ndihmë dhe jemi të gatshëm ta ofrojmë atë. Duam të shërbejmë si model dhe t’i ftojmë krejt ata që janë të gatshëm të na bashkohen”.

Ajo dëshiroi ta theksojë se e rëndësishmja është se zyrtarët lokalë më në fund e kuptuan rëndësinë e çështjes. Ekopatriotët, siç e quanin veten e tyre, e kanë pastruar qytetin për tetë muajt e fundit me pak ose aspak ndihmë zyrtare.

Vullnetarët dhe punonjësit e komunës pastrojnë në Nikšić. Foto: Milica Radovanovic

Por, atë ditë në vendngjarje qenë edhe punëtorët e Ndërmarrjes Publike me makineri të ndryshme dhe një kamion, ndërsa drejtori solli sharrën e tij elektrike. Kryetari i kuvendit lokal të Nikšić-it u doli në mbrojtje të punonjësve të tij, duke fajësuar paraardhësit e tij dhe duke premtuar përmirësime thelbësore.

Ankesat për kompaninë e shërbimeve nuk janë aspak të reja. Një herë kërkoi kompensim financiar për largimin e plehrave në liqenin e Krupac-it, pak kilometra larg qendrës së Nikšić, ndonëse kjo është pikërisht detyra dhe funksioni i saj. Kjo, tha Vuković, është një praktikë e së kaluarës.

Autoritetet lokale po luajnë po ashtu me idenë e futjes së një shërbimi specifik të rojeve mjedisore dhe të koordinohen me Policinë Komunale dhe inspektimin komunal për këtë çështje për t’u siguruar që ata që hedhin mbeturina të sanksionohen. Sipas tyre, kjo duhet të ndihmojë në ndërtimin e një “marke mjedisore” për Nikšić-in.

Megjithatë, është e paqartë se sa lehtë këto dëshira do të përkthehen në realitet. Shumë shpesh, premtimet e kaluara politike nuk u pasuan me veprime konkrete nga ata në pushtet. Kjo ndodh, pavarësisht se Kushtetuta e shpall Malin e Zi si Shtet Ekologjik në nenin e saj të parë. Ndërkohë mbeturinat vazhdojnë të grumbullohen.

Në prill, Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit ftoi përfaqësuesit e Ekopatriotizam dhe Ekobonton të bisedojnë me ta. Megjithatë, siç rezulton, vullnetarët besojnë se “na ftuan të bisedonim vetëm për hir të vetëpromovimit të tyre. Shpresoj që e njëjta gjë të mos ndodhë me autoritetet lokale; se bashkëpunimi ynë nuk do të kufizohet në këtë. Nuk mund t’i bëjmë të gjitha vetë”, tha Lacman.

Lëvizjet e gjelbërta

Lacman mendon se arsyeja pse njerëzit u besojnë është se nuk përfitojnë nga aktivizmi i tyre. “Jemi një grup vullnetarësh. Gjithçka që bëjmë e bëjmë për veten tonë, për fëmijët e ardhmja e të cilëve varet nga kjo, për të gjithë njerëzit që jetojnë në qytetin dhe vendin tonë”.

Po ashtu ajo theksoi se bashkëqytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj pune dhe kësisoj kanë dhuruar pajisje, mjete dhe materiale, por se i refuzojnë donacionet monetare. Duan ta shmangin çdo lloj përfitimi material, theksoi ajo, duke shtuar se për këtë arsye nuk deklarohen si organizatë joqeveritare.

Edhe pse  pastrimi i plehrave të njerëzve tjerë ndonjëherë duket i kotë për Lacman, ajo beson se vetëm duke ndryshuar mendësinë individuale mund të ndryshojë diçka. Në fund të fundit, plehrat po i varrosin të gjithë në masë të barabartë.

“Ndonjëherë na duket se e gjithë kjo është e kotë; pas pastrimit të një vendi, ne kthehemi pas shtatë ditësh dhe gjejmë mbeturinat e vjetra dhe të reja në po të njëjtin vend”, u ankua ajo. Megjithatë, shtoi se është e bindur se ia vlen t’i vetëdijsosh të gjithë për rëndësinë e mjedisit, edhe pse nuk është e sigurt se sa kohë mund të marrë.

Jelena Lacman është njëra nga drejtueset kryesore të iniciativës. Foto: Milica Radovanovic

Teksa po ngjitej në shtegun e ngushtë pas kishës së Katedrales, me varrezat e qytetit në njërën anë dhe shëtitoren nga ana tjetër, Nikola 8-vjeçar e takoi atë në një shteg të rrëshqitshëm të bërë nga një grumbull gjethesh të rëna. Ai po e mbante një qese të madhe me mbeturina mbi shpatullën e tij të majtë, gjersa tërhiqte një kuti teneqeje me dorën e djathtë.

“A është kjo pjesë e një arkivoli?”, mërmëriti me vete ndërsa ndaloi, e vetëdijshme se varrezat kryesore janë afër. Kur u kthye dhe e mori teneqen nga Nikola, u trondit jo nga ngarkesa e djalit, por sepse vetëm sa kishin hequr më shumë se 40 thasë të mëdhenj mbeturinash nga i njëjti vend. Dhe jo vetëm, ata madje kishin pastruar këtë zonë të paarritshme diku gjashtë muaj më parë.

Pavarësisht gjithçkaje, të gjithë dukeshin të gëzuar. Ekipi po qeshte dhe po bënte shaka, duke e inkurajuar njëri-tjetrin për të punuar. Në sfond, zhurmës së tyre iu bashkua edhe zhurma e një sharre elektrike dhe një makinë prerëse për të krijuar një kolonë zanore.

"Interesimi ishte shumë më i madh gjatë mbylljes. Tani të gjithë janë ngjitur pas telefonave të tyre"

Ivana Čogurić

Në atë moment, Ivana Čogurić doli nga disa degë të ndërlidhura. Ndonëse kishte pasur një javë të vështirë, gazetarja prapëseprapë u shfaq.

“Nuk mungon vullneti, ndoshta forca nganjëherë, por gjithmonë ka kohë për këtë”. Ajo tha se i sheh këto mbledhje si formë relaksi për javën e ardhshme, duke zëvendësuar ushtrimet fizike në rutinën e saj javore. Sipas saj, të gjithë mund të gjejnë kohë për këto pastrime vetëm me njëfarë vullneti, por vullneti është pikërisht çfarë mungon.

“Interesimi ishte shumë më i madh gjatë mbylljes sepse të gjithë duhej të shfryheshin disi. Aktivitetet tërhoqën shumë njerëz. Në një rast, ishim më shumë se 50 veta në terren”, kujton ajo.

Čogurić fajëson fundin e kufizimeve shëndetësore për pjesëmarrje më të ulët; sipas saj, njerëzit u rikthyen në dojč (emri që malazezët i japin kafesë së madhe me qumësht) dhe telefonave të tyre sapo kafenetë u hapën për qytetarët.

Një zë që vinte nga degët që sapo i kishte kaluar, na la të kuptojmë se pronari i saj nuk mund të shihte asnjë mbeturinë atje, por Čogurić e dinte se aty kishte ende jo vetëm mbeturina, por një deponi. Shumë shpejt, poshtë degëve, një pemë e rënë, një mantel me hala pishe të ndërthurura dhe gjethe të rëna të lagura, u shfaqën shishe plastike me etiketa të zbehura, kanaçe, shporta lulesh të thyera, pjesë monumentesh, jorganë, dyshekë dhe këpucë.

“Është e trishtueshme ta shohësh se deri në çfarë mase po e neglizhojmë natyrën!”, reflektoi ajo teksa vështronte skenën, tejet e zhgënjyer nga çdo gjë që natyra po i tregonte për natyrën njerëzore. “Nuk po bëjmë asgjë për ta përmirësuar situatën për veten tonë. Po kërkojmë që të tjerët të bëjnë diçka teksa ne refuzojmë të bëjmë ndonjë gjë. Është e qartë se institucionet janë përgjegjëse, por megjithatë, një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kemi edhe ne; në fund të fundit, jemi ne ata që i zgjedhim ata njerëz”.

Një herë, formuan një hapësirë ​​banimi me mbetjet e grumbulluara. Një kabinë dushi nxorën nga lumi, pak më larg gjetën një komodë, një kolltuk, një derë të vjetër në pyll, një makineri të varrosur në tokë, batanije të grisura nën shkurre dhe çmime të tjera që kishin gjetur. Me këtë, ngritën një instalacion arti një mini studio në natyrë, pikërisht kur banorët e Nikšić-it u detyruan t’i mbanin dritaret të mbyllura sepse deponia aty pranë në Mislov Do po digjej, duke e bërë ndotjen e ajrit edhe më keq se zakonisht.

Eko-psikologjia

Këtë vit Mali i Zi do ta shënojë 30 vjetorin e Deklaratës për Gjendjen EkologjikeŽabljak, kur parlamenti shpalli se lufta për dinjitet njerëzor kërkon luftë për dinjitetin e natyrës. Vendi krenohet se është “shteti i parë ekologjik” në botë.

“Por bukuria jonë po zbehet. Teksa flas me turistët, jam çdo herë e më e vetëdijshme për shkallën në të cilën po e degradojmë dhe po e ndotim atë. Turpërohemi nga papastërtia e thonjëve tanë, por jo kur edhe kalojmë pranë një deponie që kemi krijuar ose pranuar, apo kur hedhim mbeturina është thjesht një copë letër në fund të fundit”, tha Čogurić.

Teksa vinte nga ana e kundërt, i ngarkuar me çanta, Nemanja Vuković u ndal për ta bërë një pushim të shkurtër. Megjithatë, pushimet janë të papranueshme, kushdo që kapet menjëherë bëhet cak i ngacmimit, pavarësisht nga grada e personit këtu të gjithë janë të barabartë.

“Mendoj se Mali i Zi ende nuk është bërë shtet ekologjik faktik dhe jo vetëm deklarativ. Ne vetëm mund ta zgjojmë ndërgjegjen mjedisore të njerëzve vetëm me një shembull pozitiv dhe duke edukuar të rinjtë”, tha ai para se ta rifillonte punën.

Kjo ide përshkon veprimin e vullnetarëve. Atë ditë ishte hera e parë që Ana 7-vjeçe mori pjesë në aksionin e pastrimit. E solli xhaxhai i saj dhe tha se mezi pret të vijë përsëri. Tetëvjeçari Nikola, një nga aktivistët më punëtorë, mburrej ngase e dinte se çfarë do të thotë “eko”, ndërkohë që kishte dëgjuar vetëm për “patriotizëm” më parë dhe e ia kishin shpjeguar konceptin.

Teksa vazhdon reflektimet e saj, Ivana mendon se në krye të shqetësimeve të njerëzve duhet të jetë natyra dhe jo kombësia, feja apo orientimi seksual i fqinjit.

“Është shumë e trishtueshme kur e kuptojmë që vëmendjen ia kushtojmë një jete të rreme shoqërore, gjersa e neglizhojmë realen. Bëjmë foto të perëndimit të diellit, por nuk e vlerësojmë në vetvete, duam vetëm të marrim një pëlqim”, përfundoi ajo para se të rikthehej tek aksion.

Ivana Čogurić gjeti një trofe të vërtetë nën kaçubë. Foto: Milica Radovanović.

Një tjetër vullnetar i pranishëm, Željko Lucić, kujtoi se si ai shpesh ndiente dëshirën për të ndaluar dhe t’i mbledh mbeturinat që hasi gjatë vrapimeve të tij rreth malit Trebjesa.

“Por, nuk i kisha pajisjet dhe disi nuk mund ta detyroja veten ta bëja vetëm. Tani me kënaqësi angazhohem në çdo aktivitet, posaçërisht sepse pres që institucionet ta bëjnë punën e tyre”.

Adrenalina dhe lodhja e shëndetshme vëreheshin në zërin e tij, megjithëse dukej i pandalshëm. Kur u pyet për ndjenjat e tij lidhur me veprimin, thjesht tha se po bënte “mirë”, por u habit me pyetjen. Në mendjen e tij, por njësoj si të shumicës së aktivistëve të tjerë, nuk po bën asgjë të veçantë.

“Fatkeqësisht, ka probleme të tjera për t’u zgjidhur. Edhe pse kjo është një çështje ekzistenciale, nuk ndalemi të mendojmë për këtë. Është gjendje shpirtërore. Nuk mund të përshkruhet me terma racionalë. Megjithatë, mendoj se ky grup njerëzish tashmë ka ndryshuar diçka në muajt e fundit. Mund të shihet dhe të ndihet”, theksoi ai dhe vazhdoi punën.

“Situata aktuale vjen si pasojë e shëndetit të dobët mendor të njerëzve”

Jelena Lacman

Rrëmuja, neglizhenca dhe mbeturinat janë shpesh manifestime të gjendjes së mendjes dhe trupit, shtoi Lacman. Kjo është arsyeja pse ndryshimi thelbësor duhet të ndodhë brenda individit, sepse ndjenjat përcaktojnë sjelljen, qoftë me vetëdije apo pa vetëdije.

“Situata aktuale vjen si pasojë e shëndetit të dobët mendor të njerëzve. E gjitha buron nga impulset vetëshkatërruese te një person”, këmbënguli ajo. “Kjo është arsyeja pse mendoj se njerëzit duhet të ndryshojnë nga brenda, sepse janë pjesë e natyrës dhe në radhë të parë duhet të kujdesen ta rrisin veten”.

Për të, eko-patriotizmi nënkupton dashurinë dhe kujdesin për zhvillimin e vendit dhe natyrës së tij, njësoj siç bëjmë me veten tonë. Ndonëse ndonjëherë i ishte dukur se sa më shumë që pastronin, aq më shumë plehra shfaqeshin, filluan të ndienin se po bëheshin më të pastër dhe më të lumtur vetë, deklaratë kjo me të cilën ishte dakord edhe Čogurić.

“Eko-patriotizmi nuk përfshin vetëm punën në terren për ta shpëtuar mjedisin. Po e shpëtojmë edhe veten tonë dhe po pastrojmë problemet që i grumbullojmë. Që ne të jemi mirë, natyra duhet të jetë mirë dhe e kundërta. Jemi pjesë e të njëjtit zinxhir që nuk mund të ndahet”, tha ajo teksa Lacman pohoi me kokë në shenjë konfirmimi.

“Gjithçka rreth nesh është reflektim i vetvetes. Është koha e fundit për t’u marrë me këtë. Nëse jo, pasojat do të jenë të pabesueshme në të gjitha aspektet. Ora po shënon dhe alarmet janë ndezur në të gjithë planetin”, deklaroi ajo.

Gjithsesi, besojnë se të gjithë duhet të marrin masa.

“Përgjegjësia nuk duhet t’u atribuohet vetëm autoriteteve dhe atyre që titujt e punës i detyrojnë të veprojnë. Që të gjithë jemi përgjegjës për të qenë të vetëdijshëm për mjedisin dhe për t’i mësuar fëmijët si të sillen”, shtoi Lacman.

Ekopatriotët nuk presin që ndonjë institucion shtetëror ta bëjë punën e vet. Në vend të kësaj, ata po i marrin qeset në duart e tyre. Grupi do të mblidhet përsëri në ndonjë vend jo mikpritës të braktisur nga autoritetet, por ndërkohë, çdo hap i vogël ka vlerë. Mbajtja e një palë dorezash dhe qeseje me vete mund të mos jetë ide e keqe.

Imazhi i ballinës: Milica Radovanovic

 

Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.