Pikëpamje | Mali i Zi

A po kalon nëpër ndryshim Mali i Zi?

Fundi i Milo Đukanović-it?

Nga - 04.09.2020

Pas gati tri dekadash në pushtet, Milo Đukanović dhe Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) përfundimisht u mundën në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Analistët po flasin për “fundin e një epoke” dhe për “lëvizje tektonike”, ndërsa reagimet shkojnë nga ata që thonë se “Mali i Zi ka përjetuar çlirimin”, deri te “Mali i Zi nuk ekziston më”.

Sipas rezultateve zyrtare preliminare, tri parti opozitare kanë fituar saktësisht 41 ulëse, të cilat janë të mjaftueshme për shumicën më të ngushtë të mundshme. Liderët e tyre — Zdravko Krivokapić nga Fronti Demokratik (FD), Aleksa Bečić nga Mali i Zi Demokratik dhe Dritan Abazović nga URA — tashmë janë pajtuar për parimet e koalicionit të ardhshëm.

Pas gati 30 vjetësh në qeveri, PDS-ja ka përdorur punësimet partiake për t’u rritur së bashku me shtetin që drejtonte.

Prej tyre, i pari është formimi i një “qeverie ekspertësh” që duhet ta ndërpresë vazhdimësinë e qeverisjes së PDS-së. Është ende e mundshme që, sikur në serialin Game of Thrones, disa liderë opozitarë ta ndiejnë një shtytje të papërmbajtshme për ta mbështetur qeverinë e kaluar dhe t’ia ofrojnë avantazhin që i duhet, por tani për tani ky mbetet vetëm një vështrim teorik.

Milo Đukanović ka pranuar disfatën, gjë që do të thotë se legjitimiteti i shumicës tjetër parlamentare ende nuk është vënë në pyetje. 

Pas gati 30 vjetësh në qeveri, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) ka përdorur punësimet partiake për t’u rritur së bashku me shtetin që drejtonte. Në vitin 2020, Freedom House e klasifikoi regjimin e Đukanović-it si “hibrid”, një eufemizëm i ngulitur për regjimet autokratike properëndimore ku demokracia kryesisht reduktohet në mbështjellës lara-lara. 

Dy faktorët

Megjithatë, as korrupsioni e as lidhjet me krimin e organizuar deri më tash nuk kanë ndalur PDS-në që t’i fitojë zgjedhjet mjaft lehtë. Në 2020 doli ndryshe, sepse barrës politike të regjimit të Đukanović-it iu shtua një kombinim i dy faktorëve.

I pari është koronavirusi, i cili e shpartalloi stinën turistike dhe varfëroi shumë njerëz. I dyti është konflikti me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) që është shndërruar në protesta masive publike, të cilat janë bërë pikëtakim kyç për shumicën e atyre që kundërshtojnë sundimin tredekadësh të Đukanović-it.

Meqë pandemia nuk mund të ndikohej nga qeveria e tij, vendimi për ta ndaluar hyrjen e qytetarëve serbë në Malin e Zi gjatë stinës turistike u pa si pjesë e politikëbërjes që goditi financiarisht tërë vendin dhe në fund të fundit e zvogëloi mbështetjen për PDS-në në zgjedhje.

Banorët e rajonit kryesisht e shpërfillin faktin që mandati presidencial i Milo Đukanović-it do të skadojë pas tre vjetësh.

Rezultatet e votës treguan se Đukanović-i ka bërë gabim me përshkallëzimin e konfliktit me KOS-i më pak se një vit para datës së zgjedhjeve. Në vend se ta krijonte një atmosferë referendumi për shtetësinë e rrezikuar, gjë që do të mund të përdorej për t’i tubuar malaziasit rreth vetes, ai grishi një ballë të gjerë kundërshtarësh që nuk bazonin votat thjesht në identitetin kombëtar. 

Dëshmi të forta për këtë mund të gjenden në Podgoricë, ku rreth 23% e popullatës identifikohet si serbe, por ku opozita prapëseprapë fitoi 58% të votave.

Pra PDS-ja u mposht po ashtu nga malaziasit e pakënaqur.

Sidoqoftë, situata nuk është fare e thjeshtë.

Banorët e rajonit kryesisht e shpërfillin faktin që mandati presidencial i Milo Đukanović-it do të skadojë pas tre vjetësh, duke ia siguruar një pozitë të rëndësishme rezervë. Nuk duhet të pritet që ai do të lihet në baltë nga të gjithë ata që kanë arritur pozitat dhe kanë bërë pasurinë krah për krah me të gjatë tri dekadave të fundit, sidomos nëse mbështeten në mbrojtjen e tij në qoftë se PDS-ja kthehet sërish në pushtet.

Edhe pa këtë, koalicioni i ardhshëm ka një numër pengesash serioze në shtegun e vet. E para është vetë opozita.

Edhe pse — në letër — ato përbëjnë vetëm tri lista zgjedhore, në fakt ngërthejnë gati 20 parti dhe lëvizje prej skajeve të kundërta të spektrit politik, nga liberalët dhe intelektualët deri te konservatorët e devotshëm, antivakserët dhe ithtarët e teorive konspirative. Një koalicion i tillë është i paqëndrueshëm nga natyra dhe është e paqartë se a do të arrijnë në fund të mandatit njëherësh.

Duke i balancuar interesat e listës Serbe, e cila është e afërt me Beogradin dhe KOS-in, partia qytetare dhe sovraniste URA ka një detyrë të ndërlikuar, ndërsa pritjet e qytetarëve janë tmerrësisht të mëdha dhe do të jetë e pamundur të realizohen të gjithat.

Perëndimi apo Rusia?

Qeveria e re po ashtu do të ballafaqohet me një varg problemesh praktike. Çfarë do të ndodhë nëse do t’u duhet të marrin pjesë në një panel ndërkombëtar me përfaqësues nga Kosova? Mali i Zi ka njohur pavarësinë e saj por FD-ja është kundër. Kush do ta ndryshojë qëndrimin, FD-ja apo Mali i Zi?

Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s, ndërsa FD-ja është e orientuar nga Rusia. Si do të duket bashkëpunimi i ardhshëm mes shtetit dhe NATO-s, dhe çfarë do të bëhet me të dhënat e ndjeshme të sigurisë?

Një nga katër parimet e qeverisë së re është që kahja e politikës së jashtme të Malit të Zi do të mbetet e pandryshuar, sidomos sa i përket anëtarësisë në NATO, procesit të anëtarësimit në BE, por gjithashtu edhe një çnjohjeje të mundshme të Kosovës. Këto politika sigurisht nuk do të nxisin entuziazëm te një numër i madh i mbështetësve të FD-së.

Gara me kohën tashmë ka filluar për qeverinë e dikurshme dhe për atë të ardhshme.

Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të dihet se si do ta etiketojë veten koalicioni i ri. Provokimet shoviniste paszgjedhore dhe incidentet në Pljevlja dhe Rozhajë drejtuar boshnjakëve mund të jenë provë e mirë për këtë.

Megjithëse ata ende nuk e kanë marrë detyrën, udhëheqësit e mëparshëm të opozitës tashmë janë të detyruar të kritikojnë drejtpërdrejt dhe pa mëdyshje çdo dukuri të tillë në fillesat e saj, dhe jo vetëm t’ua lënë fajin përpjekjeve të PDS-së për të “shkaktuar kaos”. Nëse ata nuk arrijnë të veprojnë, ky mund të jetë sinjali i parë që mandati i tyre do të njolloset nga nacionalizmi dhe revanshizmi dhe se në rastin më të mirë, lufta kundër korrupsionit do të jetë pjesë e atij arsenali.

Gara me kohën tashmë ka filluar për qeverinë e dikurshme dhe për atë të ardhshme. Qëllimi i vetëm që mund të sigurojë koalicionin e sapoformuar për një periudhë afatgjatë do të jetë fillimi i hetimeve për regjimin e kaluar, arrestimi i zyrtarëve të korruptuar dhe i kriminelëve të organizuar, si dhe zbatimi i proceseve gjyqësore shoqëruese.

Nëse lufta e ndërsjelltë për primatin ose vrapimi pas vendeve të lira i shtyn këto qëllime mënjanë, Đukanović-i do të ketë një shans t’i minojë ata dhe të kthejë PDS-në në pushtet para fundit të mandatit të tij presidencial.

Qytetarët nuk votuan për ndryshim të thjeshtë nga një qeveri në tjetrën, as për ekzibicionizëm të politikës së jashtme; arsyet kryesore të rënies së PDS-së janë ekonomia dhe korrupsioni. Suksesi i qeverisë së ardhshme do të varet drejtpërdrejt nga aftësia e saj për ta kuptuar këtë dhe për të ofruar zgjidhje për këto dy tema.

Sidoqoftë, nëse ata vendosin të kridhen në klerikalizëm, të flirtojnë me Kremlinin ose të përfshihen në popullizëm të rangut të tretë, le të mos mësohen me kabinetet e ministrave sepse nuk do t’iu bie t’i përdorin për shumë kohë.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO