
Për lirinë dhe krahët e këputur
Si e zotërova historinë time dhe e rimora fuqinë time.

Këtu jam unë, para luftës, si pesë-vjeçare.
Duke qenë fëmijë nga Kosova, një vend i dalë nga lufta, herët në jetë e kam kuptuar se çka mund t’i bëjnë njerëzit njëri-tjetrit, sidomos për pushtet. Pavarësisht faktit që pata fatin ta përjetoja luftën tonë përmes dritares së sigurt të mërgimit, pasojat e saj do të jenë gjithmonë pjesë e rrëfimit tim, ashtu siç janë për anëtarët e familjes sime dhe për kosovarët/et anembanë botës.
Shtypja politike e ka karakterizuar popullin e Kosovës për shekuj me radhë. Që nga Perandoria Osmane te epoka jugosllave, luftëa e viteve 1998-99 në Kosovë, e deri te neo-imperializmi i tanishëm i fuqive perëndimore — vendlindja ime ka vuajtur nga okupimi shumë kohë përpara se unë të ekzistoja.
Të qenit e rritur nga prindër që nuk kishin përjetuar kurrë një sistem që ua mëson vetë-reflektimin, kufijtë apo shërimin, bëri që edhe unë ta jetoja jetën gjithmonë e mbingarkuar.
Rrugëtimi i një emigranti/eje është hap besimi dhe kërkon sakrifica të mëdha, guxim dhe faj — faji i të mbijetuarit, i të kërkuarit të një jete më të mirë dhe lënia pas e të tjerëve.

Prindërit e Jehonës kur arritën për herë të parë në Berlin.
Shkëputja kulturore dhe çrrënjosja që përjetuan prindërit e mi, ishte çmimi që paguan për të na siguruar mua dhe vëllezërve e motrave të mi një jetë më të lehtë. Na ofroi kohë dhe hapësirë për t’i kuptuar gjërat. Për atë çfarë sot e konsideroj privilegj, madje luks, mua m’u deshën vite të tëra ballafaqimi me prindërit e mi, me trashëgiminë time kulturore dhe me shoqërinë gjermane.
Ballafaqimi dhe fakti që më duhej ta mbroja veten vazhdimisht, ishte i rrënjosur thellë në qenien time. E kuptova se filli i lëvizjeve të mija të pakontrolluara nuk niste me mua, por kishte të bënte me faktin se vija nga një vend i shkatërruar nga lufta, nga shtypja dhe nga një klasë punëtore e përhershme.
Shpesh, sistemet e shtypjes përsëriten në strukturat dhe dinamikat e një familjeje. Programimi politik ndikon në prindërim dhe fëmijëri më thellë sesa mund ta paramendojmë. Në shumë familje kam vënë re figurën e babait si diktator, sundues dhe “zot shtëpie”, që për mua simbolizon vetë thelbin e patriarkatit.
Sot gjej rehati të ripërtërirë në rrënjët e mia, të cilat me kohë u shndërruan në krahë.
Të bëja paqe me copëza të ndryshme të vetes, më udhëhoqi drejt një rruge të zotërimit, pasi ta merrja nën zotërim historinë dhe dhimbjen time, ishte e domosdoshme për ta lënë pas vuajtjen dhe për t’i dalë ballë viktimizimit dhe traumës.

Jehona Jahaj
Jehona Jahaj është shkrimtare, punëtore sociale dhe themeluese e platformave të diasporës si Marrja Zezë dhe Diaswhora. E lindur në Prizren dhe e rritur në Berlin, ajo ia kushton punën e saj diplomacisë kulturore, shërimit ndërbreznor dhe fuqizimit individual.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.