Përgjimi politik: Vegël për korrupsion?
Databaza e Partisë Socialiste dhe liritë tona të shtypura.
Enkelti* u zgjua vonë një të premte. Ishte ditë me diell, siç është e zakonshme për motin mesdhetar të Gjirokastrës, qytetit jugor të Shqipërisë ku ai jeton. Ai po kalonte nëpër rutinën e tij të përditshme kur e mori në telefon një numër i panjohur. “Përshëndetje, ju thërrasim nga Bashkia — dëshiron t’ju takojë kryebashkiaku”. Ishte e papritur.
I kujtohet se të nesërmen kishte marrë një thirrje tjetër ku i ishte thënë se zyrtarët më të lartë të bashkisë po pritnin ta takonin. Këtë herë vendosi të shkonte në takim. Ai thotë se aty iu ofrua një kontratë e menjëhershme e punësimit — dhe kjo ndodhi vetëm një ditë para zgjedhjeve parlametare që u mbajtën të dielën e 25 prillit.
“Gjatë bisedës isha i acaruar”, më thotë. “Jo vetëm se ma kërkuan votën në mënyrë të padrejtë, por edhe sepse dinin aq shumë për mua, përfshirë përkatësinë partiake dhe numrin e telefonit. Unë s’i njihja thuajse fare”.
Megjithatë, mënyra se si miku im Enkelti është thirrur nga anëtarë të Partisë Socialiste (PS) dhe si kanë marrë kontaktin e tij nuk është e rastësishme. Kjo është pjesë e një politike që ka shënjestruar mprehtësisht votuesit e pavendosur në shkëmbim me vende pune dhe favore politike.
Rasti i Enkeltit nuk është i izoluar. Disa javë para ditës së zgjedhjeve, qytetarët e Tiranës u tronditën kur zbuluan se PS-ja kishte krijuar një databazë prej gati 1 milion qytetarësh që përfshinte informata sikur numrat e letërnjoftimit, numrat e telefonit, parapëlqimet politike, si dhe informata shtesë sikur problemet dhe konfliktet familjare ose të dhënat e punësimit në administratën publike.
Për më shumë, është zbuluar se secilit qytetar i ishte caktuar një “patronazhist” që ka qenë përgjegjës për mbledhjen e detajeve të tyre personale dhe monitorimin e përkatësisë së tyre politike, si përpjekje për t’i bindur të votojnë për Socialistët.
Tridhjetë vjet pas zhbërjes së Sigurimit famëkeq, i cili ishte një institucion totalitar që mbajti shqiptarët nën mbikëqyrje për më se pesë dekada me më se 22,000 spiunë dhe bashkëpunëtorë në Shqipëri, një koncept i vjetër është rishfaqur në arenën politike — përgjimi.
“Përgjimi” përbën kushtimin e afërt dhe të vazhdueshëm të vëmendjes ndaj një personi tjetër. Është ndryshe nga një vëzhgim i shkurtër i tipit të “shikimit të njerëzve” sepse vijon për një kohë të caktuar. Kur motivi i përgjimit është politik, ngrihen akoma më shumë pyetje për atë se a është me vlerë neutrale që mund të përdoret për të mirë a për të keqe, si dhe a është problematik dhe në çfarë mënyrash. Ç’është më me rëndësi, kush përfiton në këtë proces dhe me çfarë çmimi?
A e kanë qytetarët të drejtën e privatësisë?
Argumenti kryesor kundër përgjimit është se kërcënon privatësinë. Shumica e njerëzve çmojnë privatësinë — e drejta jonë për të pasur një hapësirë private për mendimet, opinionet dhe vendimet tona. Na duhet të kemi një hapësirë që është larg nga sfera publike ku mund të definojmë vetveten dhe të ndërtojmë lidhje të ndryshme përmes një procesi të zbulimit preferencial të informatave.
Ky nivel i privatësisë na mundëson të kemi autonomi — të drejtën dhe aftësinë për të qeverisur vetveten. Dhe është autonomia që na jep lirinë personale, pa të cilën jemi më të cenuar nga shqyrtimi, presioni dhe marrëdhëniet asimetrike.
Është privatësia ajo që jo vetëm na jep më shumë hapësirë për të lulëzuar si individë, por edhe shërben si rrjetë sigurie. Cenueshmëritë tona i mbajmë për vete, sepse shfaqja e tyre do të na bënte më të cenushëm në raport me të tjerët. Për shembull, dhënia e numrit të letërnjoftimit na bën më të rrezikuar nga ngacmimi nga njerëz me të cilët nuk duam të kemi kontakt; zbulimi i etnisë ose orientimit seksual na bën më të rrezikuar nga diskriminimi, ndërsa të ardhurat nga krahasimi.
Për këtë arsye, zbulimi i cenueshmërive ose informatave tejet personale me të gjithë do të krijonte marrëdhënie asimetrike, me rrezikun që informatat tona personale do të përdoren për dobinë e dikujt tjetër. Meqë roli i një partie politike është përdorimi i institucioneve dhe propagandës për të ndikuar sjelljen e njerëzve në një mënyrë të tillë që t’ua fitojnë votën, pasja e një databaze të kontakteve të tyre, historisë së votimit dhe informatave personale sikur statusi i punësimit dhe cenueshmëritë përbën problem; kjo nënkupton që partia politike ka gjasë të përdorë këto informata për të targetuar, për të ushtruar trysni ose për t’i ofruar favore politike elektoratit, me qëllim të ndryshimit të vendimeve të tyre politike.
Databaza nuk është vetëm kërcënim ndaj privatësisë dhe dinjitetit personal, por edhe ndaj demokracisë.
Ngaqë Shqipëria ka një histori të njohur problematike me njerëz të lidhur politikisht që kanë përdorur para, pagesa të drejtpërdrejta, premtime politike dhe punësime politike në shkëmbim me vota, është e mundshme që databazat e tilla të shpërdorohen për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.
Kjo ndodhi në zgjedhjet e prillit.
Zyrtarët e lartë gjirokastritë nuk e kontaktuan Enkeltin rastësisht — janë disa faktorë të caktuar që e bëjnë atë të cenueshëm.
Së pari, ai është një nga votuesit e pavendosur. Së dyti, e ëma e tij është personi i vetëm i punësuar në familjen e tij, si dhe ka të ardhura nën minimale. Veç kësaj, për shkak të tregut të punës në Shqipërinë rurale, ai ka hasur telashe në gjetjen e një pune të qëndrueshme në vitet e fundit. Siç i kanë thënë edhe anëtarët e Partisë Socialiste: “Ku tjetër do të gjesh mundësi më të mirë?”
Sikur ai ka pasur edhe shumë njerëz të cilëve u janë ofruar premtime për punë në administratën publike dhe favore. Në një kontekst të ngushtë politik — ku kryeministri i tanishëm Edi Rama fitoi votën e Bashkisë së Tiranës me epërsi prej vetëm 10 votash në zgjedhjet bashkiake të vitit 2011 — partia e tij ka kuptuar se një mekanizëm i tillë ka fuqinë të kthejë zgjedhjet në favorin e tyre. Kësisoji, databaza nuk është vetëm kërcënim ndaj privatësisë, dinjitetit tonë personal dhe të drejtës për të mos iu nënshtruar presionit ose frikësimit për ideologji politike, por edhe ndaj demokracisë në përgjithësi.
Në çfarë mënyrash është i pavend ky përgjim?
Ndërsa ky proces po hetohet nga gjyqtarë të lartë në Shqipëri për të shqyrtuar ligjshmërinë e tij, ka arsye për të besuar se databaza nuk është vetëm ilegale, por edhe pa bazë morale.
Ajo i shkel parimet e zgjedhjeve të lira, lirisë individuale dhe privatësisë personale.
Së pari, mënyra e marrjes së të dhënave kapërcen kufijtë personalë të të gjithë qytetarëve të shënjestruar sepse të dhënat janë mbledhur nga censuset, të dhënat e administratës publike dhe nga “patronazhistët” e caktuar, të cilët janë njerëz që monitorojnë informatat personale të qytetarëve dhe i regjistrojnë pa leje. Kjo nuk dëmton vetëm besimin që qytetarët kanë te “të tjerët” — meqë patronazhistët janë fqinjë, miq dhe kolegë — por edhe besimin që ata kanë te institucionet.
Së dyti, të dhënat janë mbledhur pa pëlqimin ose vetëdijen e njerëzve të shënjestruar. Ato të dhëna jo vetëm që janë regjistruar pa leje, por edhe janë publikuar në një mënyrë që ua mundëson të gjithëve të gjejnë informata të ndjeshme, përfshirë numrat e njerëzve të shënjestruar. Kjo listë përfshin gjyqtarë të lartë, zyrtarë të qeverisë dhe oficerë ushtarakë, gjë që e bën kërcënim për sigurinë kombëtare.
Së treti, përdorimi i databazës është i dëmshëm për individët, shoqërinë dhe demokracinë në përgjithësi. Qëllimi kryesor i databazës është të mblidhen informata për qytetarët për t’i shënjestruar gjatë zgjedhjeve në mënyrë që të votojnë për Partinë Socialiste, e cila ishte partia qeverisëse deri në zgjedhje. Kjo i jep një përparësi të padrejtë njërës parti, e cila tashmë kontrollon shumicën e mediave të rrjedhës qendrore, nivelin lokal dhe atë qendror të qeverisë, gjyqësorin, ndërsa tash edhe jetët private të gati 1 milion qytetarëve (për aq sa dimë).
Enkelti grisi kontratën që ia ofruan para zgjedhjeve duke ruajtur parimet dhe vlerat e veta pavarësisht trysnisë.
Kryeministri Rama komentoi se “Patronazhi” ka bërë “punë të shkëlqyer”.
Për një figurë politike që është akzuar për korrupsion, ka mbyllur mediume dhe ka ua ka treguar gishtin e mesëm zgjedhësve më shpesh se një herë, etika nuk duket se është fort e rëndësishme. Ai madje ka të drejtë sepse “Patronazhi” do të thotë “mbështetje që i jepet një organizate”, në këtë rast Partisë Socialiste.
Por në gjuhën angleze, “Patronazh” do të thotë edhe “fuqia që ka një person për t’ia dhënë dikujt një punë ose pozitë të rëndësishme”. Në rastin e PS-së së Ramës, është kuptimi i dytë që s’është përmendur kurrë, por që së fundi është dëshmuar.
Në fund të bisedës, Enkelti më tha se kishte grisur kontroatën që i kishin dhënë para zgjedhjeve dhe se nuk kishte votuar për Partinë Socialiste. Ai ka ruajtur parimet dhe vlerat e veta pavarësisht nga trysnia e madhe.
Sidoqoftë, ai nuk mund ta ndryshojë vendimin e shumicës, e cila duket se vazhdon të jetë e pashqëtësuar nga korrupsioni, klientelizmi dhe autoritarizmi i Ramës. Opozita është e dobët pas humbjes së tretë me radhë, ndërsa shumë kritikë kërkojnë dorëheqjen e liderit të opozitës dhe nuk ka kush ta zëvendësojë.
Media është nën kontrollin e qeverisë dhe mediumet kritike mbyllen dhe detyrohen ta lënë vendin. Mediat online monitorohen nga një ligj i ri që kufizon ato që kryeministri i quan “lajme të rreme” — zakonisht lajme që janë kundër tij. Shumica e bashkive dhe institucioneve qendrore janë në pëllëmbën e Ramës dhe qeverisë së tij.
Teksa të rinjtë dhe të shkolluarit braktisin vendin çdo vit, mbetet një pyetje.
Kush do ta ndalojë?
*Emri Enkelt është psedonim për ta mbrojtur identitetin e personit në fjalë. Autori ka kontaktuar Bashkinë e Gjirokastrës për një përgjigje rreth pretendimeve, por nuk ka marrë përgjigje para botimit të artikullit.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.