Në janar 2013, institucionet e Kosovës u zunë në një moment të papritur. Rritja disproporcionale e çmimeve të energjisë elektrike nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) para privatizimit të saj u përball me protesta civile.
- Qytetarët u nxitën nga një postim i një gazetari në Facebook. Për herë të parë që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në hapësirat publike të Prishtinës ndodhi një mobilizim i cili nuk u thirr nga ndonjë parti politike dhe nuk ishte për ndonjë çështje që lidhet me shtetësinë e vendit. Përkundrazi, ai u thirr për të kërkuar shërbime të mira publike.
“Deri më 2013, veç Vetëvendosja është ndërlidhur me fjalën ‘aktivist’. Aktivisti ka qenë i identifkueshëm me Vetëvendosjen sepse kanë qenë shumë aktivë me jetën publike në Kosovë dhe me të gjitha çështjet që i kanë ngritur”, thotë Rron Gjinovci, i cili tani është drejtor në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).
Prej vitit 2005 kur u themelua si lëvizje politike, protestat masive të Lëvizjes Vetëvendosje kundër komunitetit ndërkombëtar dhe ndërhyrjeve të Serbisë në politika vendore i kishin zaptuar sheshet, rrugët e madje edhe kufijtë, duke u bërë kështu kanali më i fuqishëm për zërat e aktivistëve në vend.
Vet Gjinovci ishte pjesë e Vetëvendosjes deri në vitin 2012. Vetëm një vit më vonë, gjatë mobilizimit kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, ai për herë të parë e gjeti veten të angazhuar në një tubim si aktivist i pavarur.
“Mendoj që ka qenë edhe një ndërtim i një kulture të re e protestimit dhe aktivizmit, që vazhdon edhe sot”, thotë Gjinovci. “Ajo përballet shpesh me sfida për shkak se ende ekziston [mendësia] – që aktivisti duhet të jetë pjesë e një organizate, partie, dhe institucioni politik, formal dhe joformal që i bën pak dëm aktivizmit. Dhe mendoj që në masë të madhe i kemi thyer këto paragjykime”.
Gjinovci u bë figurë e njohur kur si pjesëtar i Vetëvendosjes e gjuajti me ngjyrë të kuqe rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, si reagim ndaj kushteve të këqija në institucion kryesor arsimor në Kosovë; ndonëse shumëkush e mbështeti motivin prapa kësaj proteste, ajo gjithashtu shkaktoi polemika, sepse disa e konsideruan këtë veprim si tepër radikal.
Edhe më pas, si aktivist i pavarur, përgjatë viteve ai ka ndihmuar me organizimin e veprimeve dhe protestave të ndryshme, duke u përpjekur t’i ndajë me të tjerët njohuritë e aktivizmit që i kishte mësuar në Vetëvendosje. Por, ai thotë se gjithashtu është munduar vazhdimisht të largohet nga Vetëvendosja duke përdorur në demonstrata fjalime që e përfaqësojnë zërin e shumicës dhe jo të personit që e lexon, dhe duke përjashtuar gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës.
Pavarësisht shkëputjeve nga kjo parti politike, ai thotë se aktivizmi është gjithmonë politik në thelb. “Unë mendoj që nuk mund të jetë aktivizmi jopolitik”, reflekton ai. “Mund të jetë jopartiak, por gjithçka që trajtohet në sferën publike është politike, dhe në këtë rast, edhe aktivisti është politik”.
Përshtatje tranzicionale
Pjesëmarrja civile e Gjinovcit është pjesë e veprimeve shoqërore që adresojnë çështje që shqetësojnë publikun, dhe jo vetëm që e kanë ridefinuar aktivizmin në Kosovë në pesë vitet e fundit, por edhe i kanë dhënë një dimension krejtësisht të ri shoqërisë civile si tërësi.
I gjithë koncepti i shoqërisë civile është i tillë që përcaktohet dhe perceptohet në forma të ndryshme: si qytetarë dhe organizata të pavarura nga Qeveria që i mbajnë nën vrojtim institucionet, ose bëhen bashkë për një kauzë të përbashkët, në disa raste në formë të një nismeje të bazuar në komunitet – si për shembull, kur bëhen bashkë fqinjët për ta pastruar lagjen.
Në shtetet e Europës lindore, kjo tërhoqi shumë vëmendje pas rënies së komunizmit, pasi që shoqëria civile filloi të shihej si një organizim i qytetarëve dhe i grupeve – qoftë në organizata formale apo joformale – me synim të mbushjes së sferës në të cilën Qeveria nuk kishte më qasje, dhe të ofrimit të një lloj barazpeshe kundrejt institucioneve shtetërore.
“Një prej argumenteve në shkenca politike ka qenë që për t’u krijuar një shoqëri demokratike ka nevojë të krijohet shoqëria civile”, thotë Nita Luci, ligjëruese në Programin për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, e cila e shtjelloi këtë koncept si studente e antropologjisë në vitet e ‘90-a.
Por Luci dhe studiuesit tjerë theksojnë se nga një pikëpamje antropologjike, është gabim të thuash se nuk kishte shoqëri civile para rënies së komunizmit apo socializmit.
“Në fund të viteve të ‘80-a, fqinji të ka treguar kur dyqani është furnizuar me sendet bazike ushqimore dhe ti ke shkuar për t’i marrë. Kjo mund të merret si formë angazhimi për nevoja të përbashkëta”, thotë ajo. “Mund të duket si shembull i thjeshtë, në atë kuptim se çka shoqëria civile sot punon: ligje, komente, protesta. Por edhe në atë përditshmëri kur je i ballafaquar me kualitet të dobët të jetës, dhe mungesë të gjërave esenciale për jetë, kjo mund të jetë shumë e rëndësishme. Të njëjtën kohë ka pasur disidentë, organizime të ndryshme nëntokë”.
Kur u hoq statusi autonom i Kosovës brenda Jugosllavisë në vitin 1989, shoqëria civile u bë pjesë e lëvizjes së rezistencës ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Shërbimet alternative të shëndetësisë, mirëqenies dhe të arsimit – në bashkëpunim të afërt me qeverinë paralele – e zëvendësuan funksionin e ministrive. Por, dekada e shtypjes zor se lejoi shpalosjen e zërave të ndryshëm. Elita politike brenda LDK-së – partisë kryesore politike që udhëhoqi rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-a – shtypi çfarëdo zëri që kundërshtonte unitetin dhe interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.
Nga viti 1999, komuniteti ndërkombëtar u bë nxitësi kryesor i rindërtimit të shoqërisë civile. Pas lutfës, një prej detyrave të institucioneve të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ishte funksionalizimi i shoqërisë civile. Kjo ishte njëra prej fushave të para që u rregullua me ligj dhe u zhvillua jashtëzakonisht shumë nëpërmjet projekteve të mundësuara prej donatorëve. Kështu, organizatat joqeveritare (OJQ-të) u bënë forma dominuese e organizimit.
Driton Zeqiri, hulumtues dhe kandidat për doktoraturë në degën e sociologjisë, e sheh administratën e UNMIK-ut si vazhdimësi të shtypjes së zërave të pavarur. Ai beson se UNMIK-u nuk ishte i interesuar ta shihte shoqërinë civile duke vepruar si kundërpeshë e shtetit, dhe se UNMIK-u vet nuk iu përgjigj nevojave të qytetarëve, por i dha llogari vetëm selisë së tij në Nju Jork.
“Ne kemi pasur një ndërtim të shoqërisë civile prej dikujt tjetër, në këtë rast prej UNMIK-ut, që ka ofruar krijimin e OJQ-ve; ka krijuar infrastrukturën ligjore. Por në thelb, ato OJQ nuk kanë realizuar efektin që e kanë pasur, sidomos në raportin e kundërshtimit të strukturave qeveritare dhe të pushtetit, në këtë rast UNMIK-ut”, thotë Zeqiri.
Por Luci thotë se UNMIK-u megjithatë u sfidua gjatë administratës së tij, veçanërisht nëpërmjet zërit të organizatave që punonin për të drejtat e grave, të cilat kërkonin zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1325 bën thirrje për miratimin e një perspektive gjinore që i merr parasysh nevojat e veçanta të grave dhe vajzave gjatë rimëkëmbjes pas konflikteve, dhe për pjesëmarrje të grave në përpjekjet për paqe dhe siguri.
Luci thotë se duke ngritur zërin e tyre aktivistët e bënë të qartë se UNMIK-u nuk ishte arbitri i vetëm që po e përcaktonte dhe po e formësonte shoqërinë civile në Kosovë, por që tashmë i kishte pasur rrënjët e veta.
“UNMIK-u ka harresë në shumë nivele, për atë se çka ka qenë historia para intervenimit dhe instalimit të tij”, thotë Luci. “Dhe protesta e grave aktiviste dhe tentimet që i bëjnë kundrejt nivelit më të lartë të UNMIK-ut tregojnë moslejim të fshirjes së historisë dhe angazhimit të tyre”.
Ndonëse zërat e aktivisteve hasën shpesh në rezistencë të madhe gjatë procesit të ndërtimit të shtetit – Qeveria miratoi një plan veprimi për zbatimin e Rezolutës 1325 tek në vitin 2014 – OJQ-të feministe gjithashtu kanë kontribuar shumë në formësimin e shoqërisë civile dhe kanë përbërë një pjesë të madhe të pakos së të drejtave të njeriut që janë mbështetur shumë nga organizatat ndërkombëtare gjatë procesit të demokratizimit.
Por diskursi i përhapur publik i të drejtave të njeriut si pjesë thelbësore e shoqërisë demokratike u zhvillua paralelisht me procesin e gjatë të privatizimit që la mijëra njerëz të papunë, duke i kontribuar edhe më shumë varfërisë së përhapur në masë të madhe. Nevojat e ish-punëtorëve dhe mbrojtja sociale e njerëzve të papunë nuk morrën asnjëherë trajtim adekuat, pjesërisht për shkak të historisë së gjatë të ndikimit politik në sindikata, pjesërisht për shkak të interesimit selektiv për të drejtat e njeriut nga ana e donatorëve ndërkombëtarë.
Progresi ekonomik është prioritetizuar në dëm të luftimit të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, ndërsa Luci pohon se procesi i tranzicionit nga socializmi në kapitalizëm ka bërë që sindikatat të trajtohen si organizata të cilat me gjasë e rrezikojnë tregun e hapur, dhe që shoqëria civile t’i trajtojë simptomat në vend të shkaktarëve të pabarazisë.
Huti dhe skepticizëm
Derisa vitet e pasluftës u shndërruan në vitet e pavarësisë, nocioni i shoqërisë civile në Kosovë shpeshherë u pa gjithnjë e me më shumë skepticizëm.
Një arsye për këtë ka qenë kalimi i zërave të rëndësishëm të opozitës nëpër parti politike dhe Qeveri; sot, në mesin e ministrave, këshilltarëve, kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë ka shumë njerëz që dikur ishin zëra kritikë brenda mediave dhe organeve të tjera që kërkojnë llogari nga Qeveria.
“Sigurisht kjo rrallëherë ka rezultuar në bashkëpunim më të madh”, thotë Venera Hajrullahu nga Fondacioni Kosovar i Shoqërisë Civile (KCSF). “Pjesa më e madhe e liderëve që dikur ishin pjesëtarë të shoqërisë civile tash janë bërë politikanë tipikë, të gllabëruar nga sistemi i mbyllur i politikave partiake, pa ndikim real në vendimmarrje ndërkombëtare”.
Hajrullahu thekson se kalimi nga një sektor te tjetri nuk është domosdoshmërisht problematik, por mungesa e progresit si rrjedhojë e kësaj ka kontribuar në një perceptim që shumë liderë të shoqërisë civile e përdorin atë thjesht si hap të karierës politike. “Pra, sa më kritik të jenë ndaj shoqërisë civile, aq më e lartë iu ofrohet pozita nga partitë rekrutuese politike”, thotë ajo.
Por është edhe një faktor tjetër, ndoshta edhe më rrënjësor, që ndikon te mosbesimi ndaj shoqërisë civile në Kosovë: Në masë të madhe, nocioni ‘shoqëri civile’ është shkrirë me OJQ-të dhe kështu është lidhur në mënyrë të pakthyeshme me arritjet e tyre – por veçanërisht me dështimet e tyre.
Kjo ide përforcohet nga mediat dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë. Gazetarët në debate televizive i përmendin përfaqësuesit e OJQ-ve vetëm kur përdorin termin ‘përfaqësues të shoqërisë civile’, dhe stafi i misioneve e bën të njejtën gjë në takime dhe ngjarje të ndryshme.
Ç’është e vërteta, në shumë mënyra OJQ-të e kanë dominuar sektorin e shoqërisë civile pas rritjes masive në numra pas luftës, dhe sot ekzistojnë më shumë se 9,000 organizata të tilla të regjistruara në Kosovë. “Gjatë asaj kohe [menjëherë pas luftës] nevoja për veprim, rindërtim dhe pajtim ishte shumë e madhe, dhe prandaj donatorët e huaj dhanë shumë mbështetje financiare”, thotë Hajrullahu, e cila shpjegon se menjëherë pas luftës fokusi ishte në reagime emergjente, pajtim dhe grupe të margjinalizuara, e pas pavarësisë u zhvendos në promovimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit.
Pas pavarësisë dhe krijimit të institucioneve të Kosovës, OJQ-të luajtën rol të rëndësishëm duke ndihmuar me politikëbërje dhe hartimin dhe shqyrtimin e legjislacionit; kjo në masë të madhe konsiderohet se e ka ngritur nivelin e transparencës institucionale.
Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, shpjegon se si mekanizmat e barazisë gjinore, duke përfshirë Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtje Kundër Dhunës në Familje, u krijuan si rrjedhojë e identifikimit të problemeve nëpërmjet një kombinimi të hulumtimeve në terren, protestave dhe bashkëpunimit me institucione.
“Ne kemi protestuar dhe përsëri Qeveria nuk e ka marrë dhunën në familje seriozisht. Pastaj kemi bërë hulumtime dhe kemi treguar që ajo ekziston. Dhe gradualisht kanë krijuar mekanizma”, thotë ajo. “Ne kemi trokitë aty, ne kemi shtyrë proceset para”.
Gjinovci thekson gjithashtu se një ndër faktorët e përdorimit të gjërë të nocionit ‘shoqëri civile’ si sinonim për OJQ-të është fakti se elementet e tjera të shoqërisë civile po bënin shumë pak.
“Faktori më aktiv për shoqëri civile në Kosovë prej pasluftës kanë qenë OJQ-të”, thotë Gjinovci.
“Mos i ke dëgjuar ndonjëherë akademikët, ose një grup profesorësh, duke ngritur ndonjë shqetësim shumë të rëndësishëm në kohë reale? Ose ndonjë sindikatë? Do të thotë krejt këto faktorët e tjerë të shoqërisë civile kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të heshtur”.
Por ekziston edhe një besim i përhapur që vet OJQ-të nuk kanë bërë sa duhet për ta përdorur ndikimin potencial të tyre, dhe se për shkak të modelit të financimit të tyre, një pjesë e madhe e aktivizmit që ka buruar prej tyre nuk është parë si organike ose si aktivizëm që ka potencial për të sjellë ndryshime sociale.
Linda Gusia, sociologe në Universitetin e Prishtinës, pajtohet se pavarësisht punës së mirë të OJQ-ve, projektet e mundësuara nga donatorët kanë bërë që shumë njerëz t’i shohin OJQ-të me skepticizëm, “që ata që punojnë në OJQ e bëjnë këtë punë vetëm për pare, vetëm për donatorë”.