Mall dhe kërkim | Personat e pagjetur

Po kërkoj të vërtetën, qetësinë, paqen

Nga - 03.07.2023

Dragica Majstoroviq

Quhem Dragica Majstoroviq, mbiemri i vajzërisë Jerić, e quajtur ndryshe Dragana. Deri në vitin 1977 kam jetuar në Fushë Kosovë, në shtëpi me nënën Petrija, babain Ivanin, vëllanë Slavkon dhe motrat Miroslava e Danijela. Atë vit u njoha me burrin, Milorad Majstorović, i lindur në Obiliq, po që jetonte dhe punonte në Shkup, prandaj dola të jetoja atje. Punoja në Spitalin Ushtarak të Shkupit.  Atje i linda dy fëmijë. Nikola, djali i madh, më lindi më 1979, kurse Ivani, i vogli, më 1981.

Në Shkup, jetuam dhe punuam deri në vitin 1992. Me tërheqjen e ushtrisë, sepse isha si civil në ushtri, u tërhoqëm në vendlindjen tonë, në Prishtinë. Aty punova në ambulancën e garnizonit ushtarak si punonjëse mjekësore, kurse burri punoi me elektroekonominë në Obiliq. Na dhanë një banesë në Kurriz, ku jetuam dhe i rritëm fëmijët. Djali i madh përfundoi elektroteknikën, i vogli vitin e tretë të shkollës së mesme “Ivo Lola Ribar” në Prishtinë. Unë si vajzë pata mbaruar shkollën e mjekësisë në Prishtinë, kurse të lartën në Beograd. 

Puna ime gjithmonë ka qenë e bazuar në mjekësi. Kisha miq midis shqiptarëve, goranëve dhe serbëve. I ndihmoja të gjitha kombësitë, të gjithë njerëzit dhe gjithmonë jam marrë me punë humanitare. Kështu edhe i kam menduar të gjithë njerëzit rreth meje, sepse edhe ata mendonin si unë.

Nuk kishim ndonjë problem serioz para ngjarjeve të luftës, sepse nuk ishim të lidhur me asgjë, as politikisht, as të angazhuar me gjë tjetër veç punës. Vetë lufta na gjeti në detyrë. Punova gjithë kohën në ambulancën ushtarake, ku trajtonim civilë, persona të siguruar ushtarakë dhe të gjithë që ishin të rrezikuar.

Fëmijët nuk ishin të angazhuar në punë fare. I madhi sa do të fillonte universitetin kurse tjetri sa mbaroi shkollën. Ishte pushimi i verës, shkolla ndërpreu punën dhe ne i morëm me vete. Të gjithë bashkë kryesisht qëndruam në Fushë Kosovë, te prindërit e mi, që fëmijët t’i kemi nën kontroll, të jemi të gjithë bashkë. Gjithë atë periudhë të luftës e pas luftës ishim kryesisht bashkë, mbijetuam së bashku. Pas luftës, vendosëm të qëndronim në Prishtinë, sepse aty kishim banesën, aty kishim jetuar dhe konsideronim se nuk i kishim bërë asnjë dëm askujt dhe mund të rrinim të qetë aty.

Pasi u tërhoq ushtria, pasi u larguan të gjithë, ne qëndruam dhe unë fillova të punoj pak në spital, në kirurgji, pasi isha instrumentiste në sallën e operacionit. Kështu zgjati vetëm dhjetë ditë, pasi filloi terrori në spital. Erdhën shqiptarët që kishin punuar aty më parë, filluan t’i ngacmonin njerëzit aty dhe na dëbuan. E kuptova se nuk kisha vend në spital dhe u ktheva në shtëpi. 

E raportonim vazhdimisht dhunën rreth nesh, por UNMIK-u dhe KFOR-i anglez, na thanë se nuk mund të na siguronin mbrojtje, se duhet të largoheshim. 

Pas rreth dhjetë ditësh, një mëngjes erdhën njerëz, me forcë depërtuan në banesën time dhe thjesht na dëbuan prej saj. Ne morëm dokumentet dhe shkuam në Fushë Kosovë, te prindërit e mi. Unë isha pa punë, burri nuk kishte filluar akoma, fëmijët kishin nevojë, njëri që të mbaronte shkollën, tjetri u regjistrua në kolegj. Pra na duhej të kërkonim zgjidhje. 

Iu lajmërova komandës sime dhe mora ftesën të kthehesha në vendin e punës. Shkova në Leskovc, fillova atje. Burri dhe fëmijët qëndruan me prindërit e mi. Dhe më atë 19 gushtin e kobshëm të vitit ‘99, djali im me fqinjin tonë Dragan Stefanović morën rrugë për në Leskovc, sepse unë e regjistrova atje për ta përfunduar vitin e katërt të gjimnazit. Në vijën Fushë Kosovë-Merdare, ata u rrëmbyen dhe u dërguan në drejtim të panjohur. Më vonë mësuam se Qendra e Grumbullimit kishte qenë Batllava.

Ata qenë nisur me makinën e komshiut. Po i prisnim në Merdare, por ata kurrë nuk e kaluan kufirin. Prindërit e mi dhe burri më thanë se i kishin përcjellë. Në zonën e Llapit me shumë gjasë janë rrëmbyer dhe janë dërguar në drejtim të panjohur. 

Më vonë kemi pasë informacion të saktë nga miqtë tanë shqiptarë. Kemi pasur shumë miq me të cilët kemi bashkëpunuar, me të cilët kemi jetuar mirë, të cilëve u kemi ndihmuar. Njëri prej tyre na tha se ata ndodheshin në burgun hetues në Batllavë dhe se fati i tyre ende nuk dihej. Disa ditë më vonë, ky dëshmitar u vra në mënyrë misterioze. Pas kësaj, nuk kishim informacione tjera. 

Kishte informacione të llojllojshme, se njerëzit ishin transferuar në Shqipëri për organe, se këto qendra grumbullimi ishin në Prishtinë, në Batllavë. U përpoqëm në të gjitha mënyrat e mundshme. E para ishte që burri, nëna dhe babai shkuan në bazën angleze të KFOR-it në Prishtinë dhe raportuan zhdukjen e tyre, treguan se ata nuk arritën kurrë në vendin për ku u nisën. Ata nuk ua morën asnjë të dhënë, vetëm thanë se janë shumë të zënë, nuk kanë kohë të merren me atë problem, dhe u thanë të paraqiten te Kryqi i Kuq. Menjëherë raportuan në Kryqin e Kuq dhe ata vetëm regjistruan rastin e nuk bënë asgjë.

Pastaj jemi përpjekë, përmes lidhjeve tona privatisht, përmes miqve shqiptarë, organizatave të ndryshme joqeveritare, të zbulonim diçka. Thamë se do të jepnim shpagim, do ta shisnim banesën, se do t’i bënim të gjitha këto, por pa sukses. Pastaj iu drejtuam shtetit tonë, qeverisë serbe dhe zyrave përfaqësuese. Në fund, si familje, u bashkuam dhe formuam një shoqatë që ta gjenim më lehtë të vërtetën dhe të mësonim ku i kemi tanët. Bashkëpunuam pandërpre me UNMIK-un, me KFOR-in, çdo javë takoheshim me patologun Jose Baraybar. Atëherë isha në delegacionin e parë, e shkova në Prishtinë shumë kohë para se të formohej qeveria, por kur ata i lanë të lirë këta të dënuarit shqiptarë, ne u larguam dhe unë pata një takim atë ditë. Shtatë nga ne prindërit ishim atje, për të parë çka ka ndodhur me njerëzit tanë.

Për ne ishte e qartë se nuk kishte njerëz të gjallë. Kërkuam, bëmë apel që me lirimin e këtyre shqiptarëve të dënuar për krime, edhe tanët të lirohen, sepse numri i rrëmbimeve ishte rreth 1700, aq sa kishte këtu, ishin 2022 shqiptarë që ishin në burgje. Unë shkova edhe në ato burgje, u kërkova shqiptarëve që i kishin të tyret në burgje që të bëjnë thirrje për tanët, që të jetë një shkëmbim i të gjithëve për të gjithë, që të ndodhë diçka, sepse kishim informacion nga shqiptarët se njerëzit ishin rrëmbyer për shkak të shkëmbimeve. Ky ishte varianti i parë, që ata ishin rrëmbyer, në mënyrë që këta të liheshin të lirë. Por këtu, qeveria Koštunica dhe Đinđić, nuk dëgjuan, sepse ndoshta kishin marrë urdhër që ata duhet të liroheshin, e ne nuk morëm vesh asgjë. 

Vazhduam të endemi, mbajtëm tubime të ndryshme para ambasadave, u takuam së pari me Hækkerup-in, për protokollet e para që u nënshkruan. U takuam me UNMIK-un, me KFOR-in, u dhamë informacione të ndryshme, u përpoqëm në të gjitha mënyrat, por gjithçka ishte dhe ende është e pasuksesshme. 

E për gjithë këta 20 vjet duhej të mbijetonim, ta mbanim familjen. Ndërkohë, të gjithë u sëmurëm, e gjithë familja vuajmë nga gjëndra tiroide, për shkak të stresit. Nëna më vdiq për shkak të kësaj, pastaj babai më vdiq para disa vjetësh, tani më vdiq edhe vëllai. Motra dhe unë jemi duke u trajtuar dhe po marrim terapi për gjëndrën tiroide.

Nuk ishte as fajtor e as borxhli, ishte gjimnazist që po nisej të regjistrohej në vitin e katërt të shkollës së mesme. Thonë në gjuhën tonë, as nuk hante qepë, as nuk mbante erë qepësh. E prapëseprapë, ishte viktimë.

Ndërkohë, unë shkrova një libër, kushtuar të gjithë personave të rrëmbyer dhe të zhdukur, sepse personat tanë që u rrëmbyen, janë ende të shënuar si N.N. Kur të gjenden, ata marrin emrin dhe mbiemrin, por deri atëherë renditen si të panjohur. Librin ua kushtova fëmijëve dhe të vrarëve, madje një vjershë i kushtohet vrasësit. Aty i lutem vrasësit, i them se do t’i falet gjithçka, vetëm të më tregojë ku e kam djalin. Sepse, me jetu tërë jetën dhe mos me ditë se ç’i ka ndodhur fëmijës, është e tmerrshme.

Unë kam bërë punë në ushtri, por si punonjëse shëndetësore, nga ana humanitare, pra kurrë asnjë të keqe. I trajtoja njerëzit që kishin nevojë për ndihmë dhe këtë e bëj edhe sot. Burri ishte i punësuar, pra nuk i kemi bërë dikujt diçka. Të gjithë fqinjët gjithmonë e kanë konfirmuar se vetëm i kemi ndihmuar. Por ka shumë të ngjarë që u gjendëm në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Dhe ishim në anën tjetër dhe feja jonë ishte e gabuar, e kjo na kushtoi me jetë. Pra, fëmija pagoi sepse ishte serb. Nuk ishte as fajtor e as borxhli, ishte gjimnazist që po nisej të regjistrohej në vitin e katërt të shkollës së mesme. Thonë në gjuhën tonë, as nuk hante qepë, as nuk mbante erë qepësh. E prapëseprapë, ishte viktimë.

Më të vështirat për ne janë festat. Kur vijnë, gjithmonë kemi një karrige bosh. Ishte vetëm 17 vjeç kur u nis në rrugë. Tani, më 5 shtator, do të mbushte 39 vjet. Kështu pra, humbi jo vetëm një jetë, por një familje e tërë. Të ishte gjallë, me siguri do të kishte familje. Por ç’të bësh? Në këso problemesh njeriu kryesisht mbetet vetëm. Burri u dorëzua menjëherë, nuk ishte në gjendje ta kërkonte. U dorëzua, qoftë për shkak të fajit pse ne qëndruam, nuk u larguam, sepse ai na thoshte me këmbëngulje, “Duhet të rrimë, nuk i kemi bërë asgjë askujt, do të rrimë në shtëpinë tonë”. Me gjasë kjo po e përndjek gjithë këto vite, që na bindi se duhet të rrinim dhe në mënyrë paqësore të prisnim për tonën. Sepse kështu bënin thirrje njerëzit, “Rrini në shtëpitë tuaja!”. 

Kam qenë dëshmitare e disa takimeve të Mike Jackson-it që na thoshte, “Rrini të qetë në shtëpitë tuaja, askush nuk do t’ju prekë! Kemi ardhur këtu për të bërë paqe, jo për të bërë luftë”. Dhe burri im thoshte, “Dëgjoni se ç’po thonë njerëzit”. I pari i ynë, Milošević, thoshte, “Njerëzit do të vijnë të kujdesen për ju, nuk keni pse të largoheni nga shtëpitë!”. Kur erdhi Mike Jackson, në të gjitha mbledhjet, në të gjitha fshatrat, në Çagllavicë, në Fushë Kosovë e në Obiliq, kudo thoshte, “Nuk keni nevojë të largoheni nga shtëpitë, jeta do të rregullohet, gjendja do të rregullohet, njerëzit edhe më tutje duhet të jetojnë. Nuk mundet tani të dëbohet një komb i tërë!”. Dhe ne udhëhiqeshim nga ideja se ishte vërtet kështu, se ushtria elitë do të kujdeset për të gjithë njësoj. Por, u bindëm për të kundërtën. Së pari gjatë raportimit të zhdukjes, kur një ushtar tha se nuk kanë kohë të merren me këtë, se nuk u interesante kjo. Së dyti, kur u ankuam se njerëzit po dëboheshin nga banesat, e askush nuk donte të vinte. Kështu e kuptuam se nuk ka shpëtim për ne, që do të na duhet të shkojmë diku. Dhe kështu ndodhi.

Dhe sot ja ku jemi të zhvendosur. Kemi lënë Prishtinën, qytetin tonë, ndërtesën tonë, rrugën tonë, njerëzit tanë. Jetojmë këtu tani. Beogradi është i bukur, por siç tha Verica, “Prishtina është në zemrat tona”. Kemi jetuar atje, kemi dashur atje, kemi punuar atje, kemi pasur rrugën tonë të blinjve, kemi pasur miq, kemi jetuar të lumtur, pavarësisht nga të gjitha grindjet që ndodhnin kohë pas kohe. Dhe nuk donim të largoheshim, por donim të qëndronim. Mendonim se mundeshim, meqë ishim të pafajshëm. 

Unë fillimisht punova në Leskovc për tetë muaj më pas. Nuk kisha ku tjetër të shkoja. Isha vetëm, familja më mbeti në Fushë Kosovë. Ivani do të vinte; u nis më 19 gusht ’99 për t’u regjistruar në shkollë e për të qenë me mua, në një dhomë. Kur ai u rrëmbye dhe kur u zhduk, unë qëndrova në Leskovc edhe tetë muaj sepse nuk kisha ku të shkoja. Nuk kisha para, as strehim, nuk kisha asgjë. 

Punova gjatë gjithë kohës. Prindërit e mi qëndruan në Fushë Kosovë deri në vitin 2000 dhe në fund, ky fqinji që jetonte në Zvicër erdhi dhe ofroi të na e blinte pronën, prandaj babai e shiti. Kur e shiti dhe këtu bleu shtëpinë, të gjithë erdhëm tek ai. Në një moment, 16 veta jetonim në një shtëpi. Ata e blenë, por derisa u rregulluan, aty rreth marsit a prillit, erdha edhe unë nga Leskoci dhe pastaj mora familjen, burrin dhe djalin, dhe jetuam me prindërit e mi, derisa unë arrita të shisja banesën në Prishtinë. Atëherë bleva një apartament këtu.

Ivo Andrić thotë, “Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jetosh në një vend përgjithmonë dhe për një kohë të gjatë, sepse ai është qyteti yt, është rruga jote, gjithçka është e jotja”. Pra, shkova në Leskovc fillimisht, isha atje për herë të parë. Nuk ishte larg, por nuk njihja askënd. Ishte shumë e vështirë për mua në Leskovc, për shkak se menjëherë ndodhi që na e rrëmbyen Ivanin. Kështu që atje jetova në agoni, duke kërkuar djalin, duke bërë thirrje, peticione dhe mbi njëqind fotografi të tij me mbishkrimin, “A di ndokush gjë, a ka dëgjuar ndokush  gjë?”. Pastaj kontaktoja miqtë nga Prishtina, njerëz nga Serbia, shtetin, qeverinë, për të bërë diçka. Pra, ata tetë muaj ishin ferr.

Kur erdha në Beograd, ishte edhe më keq, shumë e vështirë, por duhej të ngushëlloja prindërit. Për ta ishte më së vështiri, sepse ata e përcollën atë ditë. Nuk mund t’i qetësoja, unë jam nëna e tij e më duhej t’i ngushëlloja prindërit e mi. Ata vazhdimisht vëzhgonin se si reagoja dhe unë vazhdimisht mbahesha me kurajo, duke thënë se ka kohë, se nuk duhet të dorëzoheshim ende, sepse kurrë nuk i dihet. Pastaj ramë në kontakt me njerëz nga Shqipëria, disa miq, të cilët na treguan se si gjatë Luftës së Dytë Botërore xhaxhai im shkoi në Shqipëri. Ishin të robëruar, por njerëzit ishin kthyer. Pra, me njerëz të ndryshëm që mbijetuan në atë mënyrë, vazhdimisht bënim pyetje, dhe kërkonim dëshmitarë, të cilët kishin qenë në një kamp, ​​se a e kishin parë ndokënd a dëgjuar gjë. 

Dhëndri dhe motra ime qëndruan në Kosovë edhe dy vjet për shkak të Ivanit tim, për të marrë vesh diçka. Ndoshta shfaqet dikush, mbase kthehet, mendonim. Pra, kjo është një agoni e tërë familjare, sepse fëmijët ishin të traumatizuar, ne të traumatizuar, dhe gjithë kohës na duhej të punonim, të jetonim. Unë punova në urgjencë, nuk mund të hyja më në sallën e operacionit, në asnjë mënyrë. Puna që e bëja ishte e nivelit të lartë, për ijet, instrumente ortopedike-traumatologjike. Kisha specializuar dhe isha shumë e mirë në këtë fushë. Por kur ndodhi kjo, kërkova një punë jo më të lehtë, se nuk ka asgjë më të lehtë te ndihma emergjente, por që nuk ishte e nivelit aq të lartë, sa përqendrimi të duhet të më zgjasë për tri a katër orë. 

Punova gjatë gjithë kohës, nuk kisha pushim mjekësor as për një ditë të vetme. Që nga dita e parë e deri në pension, tani që kam dalë, nuk kisha leje mjekësore, sepse gjithmonë ishte shumë më e lehtë që të punoja, ta kërkoja Ivanin, të shkruaja, të mbështesja familjen. Qëllimin e kisha ta mblidhja familjen, të siguroja një shtëpi, sepse burri menjëherë u dorëzua.

Pastaj negociova me shqiptarët për shitjen e banesës, kërkoja të bjija një banesë diku, dhe përsëri e blemë pranë prindërve, për ta ndihmuar njëri-tjetrin si familje. Po, me marrë pjesë do të thotë me pasë dikë me të cilin me folë, me të cilin me nda dhimbjen.

Falë kësaj shoqate, trokitëm në çdo derë, nuk ka një përpjekje që nuk e bëmë. Këtu do të shihni fotografi, takime me të gjitha ambasadat, të gjithë ambasadorët. Apeluam, bëmë edhe një film, shkruajta librin dhe ia kushtova djalit për të lënë gjurmë, për të mbetur historia.

Familja jonë, pra babai dhe nëna, i kemi pasur atje 20 hektarë tokë, një shtëpi dhe një kopsht. Prindërit ishin në pension, kur po ndodhte e gjithë kjo, kur u nënshkrua ajo paqe. Ata nuk donin të shkonin, donin të qëndronin, por për shkak se të gjithë po largoheshin masivisht, e ne dëgjonim pasivisht se si njerëzit largoheshin, dëboheshin me forcë, vëllai më tha, “Nuk mund t’i lë, do të qëndroj unë me ta”. Kur e morëm vendimin, unë dhe vëllai shkuam në një takim me Michael Jackson dhe ai na bindi të qëndronim. Në anën tjetër ne e shihnim se situata e përgjithshme ishte e keqe. Njerëzit vriteshin, keqtrajtoheshin, rrëmbeheshin, por prindërit nuk donin të linin pasurinë e tyre. Thoshin, “Nëse e lëmë këtë pronë, ju do të mbeteni në rrugë, prandaj ne do të sakrifikojmë. Nëse na vrasin, le të na vrasin, por të paktën do të mbetet diçka prapa që të mund të shisni”. 

Edhe varret e familjes i kishim atje, prindërit e babës, të nënës, të gjitha këto. Nuk mundëm t’i bindnim ata të largoheshin. Ata qëndruan deri te i fundit. Kishin fqinjë të mirë, por edhe prindërit e mi ishin njerëz shumë fisnikë. Vajza e fqinjit tonë të parë shqiptar kishte kryer lindjet me gratë tona, punonte në gjinekologji. Ata kishin ardhë tek babai dhe i kishin thënë, “Nuk mund të kujdesemi më për ty, duhet ta shesësh, sepse një grup njerëzish dëshiron të të vrasë dhe ne po luftojmë për ty, meqë e dimë se je njeri i ndershëm dhe nuk i kë bërë asgjë askujt. Më mirë na e shit pronën dhe shko, sesa të të shohim të vdekur këtu”. 

Kur ky fqinji u tha kështu, nëna dhe babai vendosën të shesin. E kur erdhën këtu, ishte shumë e vështirë për ta. E para për shkak se ishte rrëmbyer fëmija, por edhe pse vinin në një qytet tjetër, në një vend tjetër. Fëmijët duhet të regjistroheshin, dikush në shkollë, dikush për të studiuar. Atë vit, fëmija i vogël i vëllait e përsëriti vitin, se nuk mundi të mësonte. Edhe djali im e përballoi vështirë, shumë vështirë. Ai ende e ka të vështirë. Fëmijëve të tij, sepse është martuar, u dha emrin e vëllait. Pra vajzës Ivana dhe djalit Ivan. Ivani i vogël, nipi, tani i ka mbushë 8 vjet. Emrin e kishte gjyshi, pastaj im bir, tani ky i vogli. 

Ditën kur u dëbova nga spitali në Prishtinë, erdha në Fushë Kosovë dhe u thashë prindërve që për ta mbajtur punën, duhej të shkoja. Djalit tim, miqtë e vet që kishin dalë në Serbi, i thoshin vazhdimisht, “Ne do ta fillojmë shkollën, ti nuk je regjistruar, kur do të vish, si do t’ia bësh?” Dhe kur po largohesha, i thashë, “Do të rrish me mamanë dhe babanë tim, do të jesh me babanë dhe vëllanë tënd, do të presësh derisa të telefonoj”. Dhe ai – Draganče më quante – më tha, “Mos u shqetëso aspak, Draganče, gjithçka do të jetë në rregull”.

U ul para kompjuterit dhe vetëm tha, “Shko, nuk do të themi lamtumirë, se do të shihemi”. Kjo ishte përshëndetja e fundit. Pastaj filloi të më thërriste me telefon, “Të gjithë kanë shkuar”. E thirrin shokët, ç’të bënte? Si do ta përfundonte vitin e katërt? Ai do të përsëriste vitin nëse nuk regjistrohej në shkollë, duhet të organizoheshim për ta regjistruar diku. Unë shkova në gjimnaz, e regjistrova. Pastaj si ta transferoja? Autobusët nuk lëviznin, nuk kishte përcjellje, nuk kishte organizim. Në fund, kur ai njeri kishte për t’u nisur për në Serbi, thashë le të vijë me të. Kështu që të dy u nisën së bashku në një udhëtim pa kthim.

Unë e kam edhe djalin tjetër, por Ivani, jo vetëm pse nuk është më, por gjithnjë ka qenë i veçantë. Si fëmijë, për të kujdesej gjyshja e vet, kështu që e mësoi mirë serbishten. Kur erdhi në Maqedoni, për një vit fliste maqedonishte të pastër dhe shkoi në shkollë maqedonase. I paguaja orë të anglishtes djalit të madh Nikolas, po ai mësoi anglisht më mirë sesa ky që ia paguaja orët. Ishte edhe kampion noti. Të dy notonin për “Vardarin” atje në Maqedoni. Ai ishte i pari në grupin e tij, kishte medalje për not. Notonte dhe ushtronte karate. Një ditë shkonin për anglisht, një ditë për karate, një ditë për not, të dy. Kur erdhëm në Prishtinë, ai ishte jashtë serie. Menjëherë u kyç. Një shqiptar ishte trajner xhudoje, dhe menjëherë e njohu, e çoi në klubin e tij në “Boro dhe Ramiz” dhe e stërviti për xhudo. Në gjimnaz, ka qenë lojtar shahu prej më të mirëve. Nuk luante shah normalisht, vëllai i tij i luante figurat, kurse ai e kthente kokën e ashtu luante shah. Pra, ishte më i përparuar se të tjerët. 

Të jetonte, sot me siguri do të ishte ndonjë lloj doktori. E donte shumë mjekësinë.

Kur erdhi KFOR-i, ishte KFOR-i irlandez, dhe ai më thirri në telefon e më tha, “Draganče, paramendo sa mirë flas anglisht, sa që shoqëroj KFOR-in anglez e KFOR-in irlandez”. Pra, shkonte me KFOR-in irlandez dhe ndihmonte njerëzit. 

Ishte fëmijë që mund të ofronte shumë, prandaj u regjistrua në gjimnaz. Thoshte, “Unë nuk e di se me çka do të merrem. Të gjithë miqtë e mi e dinë tashmë, e mua më pëlqejnë të paktën pesë ose gjashtë degë. Nuk e di se në cilën të shkoj”. I tashë, “Regjistrohu në gjimnaz”. Tha, “Do të shkoj në drejtimin më të vështirë, atë natyror-matematikor, kështu do të jem në gjendje të përcaktohem”. Por, shtatori filloi, vitin e katërt nuk e përfundoi kurrë. 

Të jetonte, sot me siguri do të ishte ndonjë lloj doktori. E donte shumë mjekësinë. Mbasi unë praktikoja mjekësi, edhe ai praktikonte mjekësi, dinte shumë për mjekësinë, interesohej vazhdimisht. Ishte tip sportiv, fliste shumë mirë gjuhën, ishte matematikan i mirë, shahist, e edhe edhe në mjekësi ishte i tillë, pasi ishte shumë i lidhur me mua dhe mendonte se do të shkonte në mjekësi në të ardhmen, meqë vazhdimisht angazhoheshim në punë humanitare, ndihmonim dikë.

Kur shkoj në kishë ndez një qiri për të, sikur të ishte gjallë, dhe poshtë ndez qirinj për të gjithë të rrëmbyerit dhe të zhdukurit, të vrarët që i di dhe nuk i di të vdekur. Për mua, ai është ende gjallë. Do të doja të dija të paktën ku është ai ndërsa jam gjallë, sepse ai më shfaqet në ëndërr. Më thotë, “Jam në Shqipëri, në një kamp shqiptar dhe kam ikur”. Më thërret, e mban telefonin në dorë e më thotë, “Unë ika, por nuk di ku do të shkoj”. Ia kthej,  “Ti je shumë i aftë, do t’ia dalësh kudo, thjesht mos u kthe në Kosovë”. Dhe ai e hedh dëgjuesen, e thotë, “Mirë”. 

Ose, ëndërroj se po e kërkoj në një varrezë, e ai vjen e më thotë, “Për sa kohë do të vazhdosh të kërkosh në varreza, duhet të vazhdojmë tutje edhe unë edhe ti”. 

Kemi qenë në Merdare për të identifikuar veshjet. Dhe pashë një bluzë ngjyrë hiri, sepse ai kishte një të tillë dhe pantallona të shkurtra të zeza me një fjongo. Prandaj thashë, “Le ta kontrollojmë atë bluzë, ndoshta është e tija”. Shkova në UNMIK dhe po prisja. Para kësaj e kisha parë ëndërr. Më thoshte, “Nuk kam vdekur, vazhdojmë tutje”. E unë ulem, dhe zemra më rreh fort. E qetësoj veten duke thënë, “Mos u shqetëso! Nuk është ai, sigurt. Të tha se ishte gjallë dhe se duhet të vazhdonim tutje”. E kur shkova atje, atë gjysmë ore ndërsa isha duke pritë, doli se ishte trupi i një burri 60-70 vjeç. 

Me atë rast, shkrova një poezi me titull “Le të vazhdojmë”. Në poezi, ata që flasin me mua, përfundojnë duke thënë, “Le të vazhdojmë tutje”. Kjo është motoja jonë. Në atë dëshpërim kur nuk dinim ç’të bënim, thashë se duhet t’i vinim titull revistës. Propozova t’ia vinim “E vërteta e rrëmbyer”, sepse edhe njerëzit ishin rrëmbyer, por edhe e vërteta u është rrëmbyer atyre njerëzve. Por e vërteta duhet të dëgjohet, cilado qoftë ajo. Pra, revista jonë quhet “E vërteta e rrëmbyer” dhe motoja jonë “Le të vazhdojmë tutje”.

Dëshirë do të kisha ta gjeja, por nuk besoj më, pas 21 vitesh. Nëse dikush thjesht më telefonon dhe më thotë, “Djalin e ke gjallë dhe është në Australi, por ju duhet të nënshkruani se nuk do ta shihni kurrë”, do të thosha, “Po, pajtohem”. Vetëm ta di se çka ka ndodhë, a është gjallë kund, a ia kanë nxjerrë zemrën, apo e kanë vra menjëherë. Kam të drejtë për të vërtetën, të paktën kaq. Është e vështirë të pajtohesh me faktin se dikush ka vdekë, por faktet flasin, se pas 21 vitesh, nëse dikush është gjallë, do të gjente mënyrë për t’u lajmëruar, për të thënë, “Jam gjallë”. Ka shumë të ngjarë të mos jetë më gjallë, ose ndoshta ia kanë marrë zemrën.

Kur bëhet fjalë për drejtësi, a është drejtësi që unë nuk jetoj sot në Prishtinë, që banesën që mobilova dhe ku jetova e lumtur me familjen nuk e kam më, e që humba një fëmijë të pafajshëm? Unë nuk besoj në drejtësi. Cilado qoftë drejtësia, nuk do të ketë satisfaksion për mua. Ndoshta dikush do të marrë drejtësi, por unë nuk besoj në të. Për mua do të jetë drejtësi të zbuloj se çka ka ndodhur me fëmijën. Kjo është arsyeja pse kam shkruar këtë poezinë, “Vrasës, gjithçka do të të falet”. Sepse, sido që të jetë drejtësia, edhe po t’i varin dhjetë persona këtu tani, unë do të thosha, “Mosni”. 

Do të ishte e vështirë të shihja që po vrasin dikë. Do të thosha, “Kini mëshirë për ta”. Disa habiten kur e them këtë, por nuk mund ta shoh që dikujt t’i bëhet keq. Këtë nuk do të mund ta duroja. Edhe pse ndoshta djali do të më zemërohej, mbase do të thoshte, “Eh Draganče, ti ke falë, kurse unë kam heqë”. Por, nuk mundem. E dini sa i pafuqishëm është njeriu në dhimbjen e vet, çfarëdo që të bëjë. Një burrë më tha, “E pse nuk e vrave veten menjëherë?”. I thashë, “Nëse ai kthehet, kush do ta shikojë? Pse ta vras ​​veten, nuk do të vritem. Nëse vritem do të thotë se jam dorëzuar. Kjo nuk ka asnjë kuptim”. 

Po e lexoj këtë poezinë kushtuar vrasësit: 

 

Vrasës, do të të falet, veç më trego ku ma ke varrosur djalin.

A i ke vënë gur luani në gjoks, apo e ke mbuluar me rërë të Sitnicës?

Mbase e ke hedhur në arën time. Si e ke dënuar?

Si i ke gjetur faj? Çfarë i ke thënë në fund?

A ia ke lidhur sytë, apo e ke shikuar fëmijën guximshëm në fytyrë?

Ai ende nuk e kishte njohur as dashurinë, as brisk nuk kishte blerë,

vazhdimisht priste që vëllai të rritej.

Vrasës, më thuaj, a iu lut Zotit në çastin e vdekjes, a e thirri nënën e vet?

Çfarë lloj vdekje i ke caktuar? A e ke pushkatuar?

Po ai ishte thjesht fëmijë, si ke mundur?

Vrasës, do të të falet, më thuaj vetëm se ku e varrose?

Nën cilën pemë i dhe fund jetës së tij dhe me çfarë bari e gjelbërove?

Dhe kur shkove në shtëpi a i ledhatove fëmijët e tu, pasi vrave fëmijën tim?

Si ke fjetur mbrëmë? A e ke ëndërruar birin tim?

Vrasës, gjithçka do të të falet, vetëm më trego ku ma varrose djalin?

 

Çfarë t’ju them, jeta vazhdon, nuk mund të ndalet, por është vështirë. Kam menduar se do të ishte më e lehtë me kalimin e kohës, por në këtë rast koha nuk do të thotë asgjë. Më duket sikur po ndodh tani, sikur të ishim bllokuar në njëfarë kohe më ‘99. Ndonjëherë kur duhet të shkruaj vitin,  më vjen të shkruaj 1999. Nganjëherë është sikur koha ka ndaluar, derisa të kujtohem se cili vit është.

Me gjasë njeriu gjatë gjithë kohës, deshi s’deshi, mbahet me shpresën se problemi do të zgjidhet. Por me kalimin e kohës gjithnjë e më vështirë, se edhe ata vrasës që ishin, ata tashmë kanë vdekur, sepse ishin sigurisht njerëz të pjekur që kanë luftuar. Pastaj mendoj se nuk do të mbetet kurrkush për ta thënë të vërtetën. Përveç nëse bëhet sipas ndonjë përgjegjësie komanduese dhe të thuhet, “Këta ishin përgjegjës sipas përgjegjësisë komanduese të atij rajoni, këta ishin për këtë rajon, ata për atë.” 

Nuk mund të them se unë e vajtoj fëmijën tim më shumë sesa një grua muslimane ose kroate ose dikush tjetër që vajton fëmijën e vet. Nëna është nënë, dhimbja është dhimbje, pra fatkeqësia është fatkeqësi. Nëse ka pasur luftë, ka protokolle. Unë e para e kam dëgjuar Haradinajn duke u mburrur se ka mbajtur një ditar, pra ai di për pjesën e vet, sepse ka zonën e vet. Unë gjithmonë thosha, “Le të shkojmë nëpër zona për të parë se cili komandant kishte të burgosur, kush ishin të burgosurit, cilët u vranë”. Kanë kaluar kaq vite, gjysma e njerëzve kanë vdekur, madje edhe gjysma e atyre që kanë vrarë, ka vdekur. Por protokollet duhet të hapen për hir të humanitetit, të gjitha situatat duhet të zgjidhen një herë e përgjithmonë, për çdo person të zhdukur, të rrëmbyer dhe të vrarë, që familja ta gjejë qetësinë. 

E dini atë rrëfimin slloven “Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij” eh, unë besoj se nuk ka drejtësi. Dhe nuk po kërkoj aspak atë lloj drejtësie, po kërkoj të vërtetën, qetësinë, paqen. Nëse një fëmijë ka vdekur, ta dimë që ta qajmë në varrin e tij. Dhe jo të marrim një trup që nuk e dimë, sepse dhamë gjakun për analiza të ADN-së, që ta gjejmë fëmijën, ta zbulojmë të vërtetën, nëse kishte vdekur. Nëse është gjallë, i burgosur diku, ose diku duke punuar në Irak, Iran, ose e kanë shndërruar në luftëtar. Së paku ta dimë, është gjallë, atje po lufton, ka vdekur në atë luftë, nuk është më, pra çfarëdo që të jetë ta dijë familja. 

Jeta vazhdon, ju punoni, gatuani, lani, pastroni, kujdeseni për gjithçka, por është një krimb që pyet vazhdimisht, “Ç’është duke bërë ai tani?”. Kur ulem të ha, gjithmonë mendoj, a vdiq i uritur, a ishte i uritur. Çfarë do të mendojë nëna, përveçse si ka përfunduar fëmija, çka ka ndodhur. 

 

Imazhi i ballinës: ForumZFD

K2.0 ka shkurtuar disa nga rrëfimet. Rrëfimet e plota mund t’i gjeni në librin “Fëmijëri të Rrëmbyera”.