Rezultatet e para të ditës së djeshme (e diel, 22 tetor) treguan se ka ndryshime politike në qytete dhe komuna të ndryshme nëpër Kosovë. Ndonëse rezultatet fillestare ende nuk janë shpallur nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), pjesa më e madhe e votave tashmë është numëruar.
LDK-ja ra në pozitën e tretë në zgjedhjet e përgjithshme të cilat u mbajtën në qershor, por kësaj radhe me sa duket doli mirë, meqë i ruajti katër komuna (Pejë, Lipjan, Viti dhe Fushë Kosovë) pa balotazh, ndërsa në 10 të tjera do të garojë në balotazh.
Lëvizja Vetëvendosje është përmirësuar shumë nga viti 2013, por me sa duket nuk ka arritur të shënojë rezultate mbresëlënëse si në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, kur e shokoi politikën e Kosovës duke u bërë partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës. E kishte vetëm një komunë para këtyre zgjedhjeve – komunën e Prishtinës – dhe asnjëherë nuk kishte qenë në balotazh në komuna të tjera. Ndonëse nuk fitoi në asnjërën komunë në raundin e parë, ajo do të jetë në balotazh në gjashtë komuna, përfshirë këtu edhe kryeqytetin.
Përveç Prishtinës dhe Kamenicës, ku fitoi më së shumti vota, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë kundër PDK-së në Prizren dhe Kaçanik, dhe kundër LDK-së në Gjilan dhe Podujevë.
PDK-ja e fitoi një komunë në raund të parë, bastionin tradicional të saj në Drenas. E para doli në qytetet e mëdha, në Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë, por fituesi do të vendoset përfundimisht në balotazh. PDK-ja do të garojë në balotazh edhe në Rahovec, Kaçanik, Vushtrri, Shtime, Klinë, Malishevë e Dragash.
AAK-ja i ruajti bastionet tradicionale të Deçanit dhe të Junikut, dhe do të garojë në balotazh në Gjakovë, Istog, Obiliq dhe Rahovec. Nisma doli e para në Malishevë, ku do të garojë në balotazh me PDK-në, ndërsa AKR-ja do të garojë në balotazh në Mitrovicë.
Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe. Vetëm në Kllokot do të shkojnë në balotazh. Ndërsa kandidati i Kosova Demokratik Turk Partisi, Abdullhadi Krasniq, fitoi në komunën e vogël me shumicë turke, Mamushë.
Dy kandidatë të pavarur gjithashtu fituan në raundin e parë: Bekim Jashari – nipi i heroit të UÇK-së, Adem Jasharit – u bë kryetar i Skenderajit me 85 për qind të votës pasi PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma vendosën të mos garojnë kundër tij; dhe Rufki Suma i Hanit të Elezit e ruajti pozitën e tij. Në Shtime, një kandidat tjetër i pavarur, Fatmir Rashiti, do të garojë me Naim Ismajlin e PDK-së në balotazh.
Të gjitha balotazhet do të mbahen të dielën, më 19 nëntor, ndërmjet dy kandidatëve të parë në të gjitha komunat në të cilat asnjëri kandidat nuk e ka siguruar më shumë se 50 për qind të votës.
Beteja për qytetet e mëdha
Përveç Pejës, e cila me sa duket është fituar nga kryetari aktual nga radhët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri, gjashtë qytetet e tjera do të shkojnë në balotazh, përfshirë këtu edhe kryeqytetin, Prishtinën.
Meqë në kryeqytet janë numëruar 91 për qind të votave, Shpend Ahmeti i LVV-së (43 për qind), i cili e mposhti Isa Mustafën e LDK-së në balotazh herën e kaluar pasi doli i dyti në raundin e parë, pritet ta fitojë votën e popullit. Ekipi i Ahmetit më parë shprehu besimin se ai mund të fitojë në raundin e parë sivjet, por atij do t’i duhet ta mposhtë Arban Abrashin e LDK-së (36 për qind) në balotazh për ta ruajtur pozitën e tij.
Qytetarët e Pejës me gjasë nuk do të kenë nevojë të votojnë përsëri në muajin e ardhshëm, meqë këtu është shënuar fitorja më spektakulare e qyteteve të mëdha. Tanimë që janë numëruar të gjitha votat, kryetari aktual Gazmend Muhaxheri (50 për qind) me sa duket ka shënuar fitore në raundin e parë kundër Fatmir Gashit të AAK-së (32 për qind). Në vitin 2013 ai e mposhti në balotazh kolegun e Gashit dhe ish-kryetarin Ali Berishën.
Në Prizren pati garë të nxehtë. Shaqir Totaj i PDK-së (30 për qind) dhe Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes (22 për qind) pritet të shkojnë në balotazh, në bazë të numërimit të 93 për qind të votave. Votat e Hatim Baxhakut të LDK-së (19 për qind) me gjasë do të vendosin gjithçka në balotazhin për qytetin e dytë më të madh në Kosovë, për të cilin tradicionalisht kanë luftuar PDK-ja dhe LDK-ja.
Gjilani është një qytet tjetër në të cilin është thyer rivaliteti PDK-LDK. Me 87 për qind të votave të numëruara, kryetari aktual i LDK-së, Lutfi Haziri (aktualisht me 43 për qind të votave) pritet të dalë i pari, por në balotazh do të garojë me Sami Kurteshin e Vetëvendosjes (27 për qind), ndërsa Zenun Pajaziti i PDK-së (18 për qind) ka mbetur në vendin e tretë. Performanca e Kurteshit shënon një përmirësim të madh në krahasim me vëllain e tij, Ismajlin, i cili në vitin 2013 doli i treti me 14 për qind të votave në këtë komunë.
Në Ferizaj, ku janë numëruar 99 për qind e votave, do të përsëritet balotazhi i vitit 2013 ndërmjet Agim Aliut të PDK-së (39 për qind) dhe kryetarit aktual nga radhët e LDK-së, Muharrem Svarqës (30 për qind). Aliu e fitoi raundin e parë edhe në vitin 2013 para se të mposhtej në balotazh.
Në balotazhet e Gjakovës (ku janë numëruar 95 për qind e votave) dhe Mitrovicës (ku janë numëruar 100 për qind e votave) do të garojnë kandidatë të cilët nuk janë pjesëtarë të tri partive më të mëdha.
Liderja e Alternativës dhe kryetarja aktuale e Gjakovës, Mimoza Kusari (31 për qind), do të garojë për pozitën të cilën e siguroi në balotazh në vitin 2013 si pjesë e AKR-së dhe kundër Pal Lekajt të AAK-së. Sivjet pritet që kolegu partiak i Lekajt, Ardian Gjini (40 për qind), ta fitojë votën popullore.
Ndërkohë në Mitrovicë, kryetari aktual nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri (27 për qind), do të përballet me Valdete Idrizin e PDK-së (29 për qind) në një garë të nxehtë.
Nga informatat që i kemi siguruar deri më tani, sivjet me sa duket pjesëmarrja e popullit në zgjedhje ka rënë për 2 për qind kur e krahasojmë me vitin 2013, gjegjësisht nga 46 në 44 për qind.
Numërimi i fletëvotimeve pritet të kryhet në ditët në vijim.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.