Pikëpamje | Ekonomia

Politikëbërja e PAN e fokusuar vetëm tek burrat

Nga - 26.09.2019

Administrata në largim, si ato para saj, nuk ka bërë politika për gra.

Sivjet, e gjihë bota u rrëmbye duke lexuar librin e Caroline Criado Perez, “Invisible women” (Gratë e padukshme), i cili analizon se si ndikon mungesa e të dhënave gjinore në gjithçka, prej politikave qeveritare, te temperaturat në zyra, e te zgjidhjet teknologjike. Rezultati? Politika tamam për të gjihë burrat.

Për dikë që merret me të dhënat dhe i analizon nga një perspektivë gjinore, shumë nga gjetjet në këtë libër nuk janë aq të befasishme, por këto ilustrime ishin të rëndësishme për ta konfirmuar anësinë gjinore që e dimë se ekziston.

Përveçse ilustron anësi të përditshme në të dhëna, Criado Perez tregon edhe se si politikat e hartuara pa analiza paraprake gjinore japin rezultate që shpesh ndikojnë ndryshe te burrat e ndryshe te gratë, duke shpërfillur ndikimin e këtyre politikave mbi gratë.

Këto vendime politike janë normë botërore, e Kosova nuk është fare ndryshe. Rrallëherë në dy dekadat e fundit është marrë parasysh nga politikëbërësit e shtetit tonë mënyra se si politikat ndikojnë tek gratë – nën administratën në largim të koalicionit PAN, asgjë nuk ka ndryshuar.

Qeveria në largim e ka vazhduar trendin e favorizimit të investimeve kapitale para investimeve në mirëqenie.

Jo vetëm se shpërfillen gratë nga drejtimet e përgjithshme politike, por shpesh ndodh që edhe politikat që “synojnë” ta përmirësojnë jetën e grave nuk ia dalin, meqë nuk i adresojnë si duhet problemet thelbësore.

Politikat potenciale, si investimi në arsimin parashkollor – që do të ndihmonte me lehtësimin e punës së papaguar të kujdesit për fëmijët që ende u mbetet kryesisht grave – nuk kanë qenë prioritet i qeverive shtetërore ose lokale. Politikat afirmative vepruese, si përfshirja e grave në borde të korporatave, po ashtu janë pritur me rezistencë nga politikëbërësit.

Ndërkohë, qeveria në largim e vazhdoi trendin e favorizimit të investimeve kapitale para investimeve në mirëqenie, duke e bërë ndërtimin e rrugëve përparësinë numër një.

Kur bëhet planifikimi i politikave, kjo zakonisht përfshin një numër aktorësh qeveritarë të cilët propozojnë nisma politike dhe demonstrojnë domosdoshmërinë për këto ndryshime ose për prurje të reja. Vështirësia për të bërë ndryshime të tilla varet pjesërisht nga shtrirja e politikës, por edhe nga ndikimi i mundshëm që ajo do ta ketë mbi votuesit në rundin e ardhshëm të zgjedhjeve.

Qeveritë e Kosovës në këta 20 vjet nuk kanë marrë gjithmonë vendime politike që reflektojnë analiza të detajuara të nevojës a të ndikimit. Duke marrë parasysh mandatet jetëshkurtra të qeverive të Kosovës (asnjë administratë nuk e ka përmbushur një mandat të plotë 4-vjeçar), vendimmarrësit shpeshherë e ndjejnë nevojën të bëjnë sa më shumë që munden në kohën e shkurtër sa janë në krye, për të siguruar mbështetje sa më të madhe nga votuesit kur t’u ndërpritet rundi i qeverisjes.

Ky lloj i të menduarit afatshkurtër ka bërë që të zbatohen plot politika në një administratë, e pastaj të rishikohen dhe të ndryshohen në tjetrën. Ndryshimet në strategjitë e zhvillimit nënkuptojnë se ndryshimet në prioritetet për investim, si dhe ndryshimet në Ligjin e Punës, politikat fiskale dhe prioritetet buxhetore u janë nënshtruar ndryshimeve nga secila qeveri.

Kontributi i grave në ekonomi mbetet një nga aspektet më të nënvlerësuara.

Këto vendime kanë bërë që burimet të lidhen me të njëjtat politika me vite të tëra dhe kanë shkaktuar një qark ndryshimesh të pafundme në politika. Ky qark lë pak hapësirë për politika të shënjestruara mirëfilli, sidomos aso që synojnë t’i përmirësojnë jetët e grave dhe të të rinjve, si grupe të nënpërfaqësuara në qeverisje.

Kontributi i grave në ekonomi mbetet njëi nga aspektet më të nënvlerësuara. Në Kosovë, kontributi i grave sa i përket punës së papaguar nuk matet dhe përfshirja e tyre në punë të paguara është e ulët, kryesisht për shkak të barrës së madhe të punës së papaguar të kujdesit.

Kjo është e rëndësishme, sepse njëra nga pyetjet kyçe që kërkon përgjigje prej atyre që propozojnë politika të reja është: “Sa do të kushtojë kjo dhe si do ta mbulojmë koston?” Politikat dhe veprimet duhet të jenë në përputhje me buxhetin ekzistues, ose të propozohen me kohë, në mënyrë që buxheti i ardhshëm t’i reflektojë këto ndryshime.

Prandaj, element kyç i çdo analize ekonomike të potencialit të politikave duhet të jetë njohja dhe marrja parasysh e vlerës së vërtetë të punës së grave dhe të kostos së përjashtimit të tyre nga tregu i punës.

S’ka mbështetje për gratë në punë

Një mënyrë për t’i përmbushur premtimet që i kanë bërë partitë politike në Kosovë për rritje ekonomike është që të fillojë të matet puna e papaguar e grave si kontribut i vlefshëm për PBB, njëkohësisht duke investuar në reduktimin e asaj barre, në mënyrë që pastaj të rritet pjesëmarrja e grave në punë të paguara.

Sipas statistikave zyrtare, më pak se 20% të grave në Kosovë janë aktive në tregun e punës dhe më pak se 10% të bizneseve janë në pronësi të grave; gratë janë të diskriminuara në punësim dhe në avancim gjatë karrierës. 

Veç kësaj, bizneset në Kosovë pretendojnë se rregullat e rrepta të vendosura nga Ligji i Punës janë njëra nga pengesat për afarizëm.

Ndër çështjet kryesore në Ligjin e Punës që konsiderohen problematike si nga gratë ashtu edhe nga bizneset janë dispozitat për pushimin e lehonisë.

Dispozitat aktuale të pushimit të lehonisë parashohin 12 muaj pushim për nënat, prej të cilëve punëdhënësi duhet ta paguajë 70% të rrogës 6 muaj, Qeveria e Kosovës duhet të paguajë 50% të rrogës mesatare të Kosovës 3 muaj, dhe 3 muaj janë pa pagesë.

Bizneset e konsiderojnë të kushtueshëm punësimin e grave që mund të marrin pushim të lehonisë, ndërsa gratë mendojnë se po diskriminohen, pa marrë parasysh planifikimin familjar, për shkak të pushimit të lehonisë që parashihet nga ligji.

Në përpjekje për ta adresuar këtë pengesë në afarizëm dhe njëkohësisht për ta trajtuar nivelin e lartë të pasivitetit ekonomik në mesin e grave, qeveria e Kosovës ka filluar ta ndryshojë Ligjin e Punës. Kjo përpjekje u nis nga qeveria Mustafa (2015-17), e vazhdoi si punë e pakryer nën qeverinë në largim të koalicionit PAN – dhe ende mbetet e pazgjidhur. 

Studimet tregojnë se pushimet e lehonisë, të atësisë dhe ato prindërore (të ndara) që paguhen mirëfilli, janë jetike për trajtimin e dallimeve gjinore në tregun e punës sa i përket pjesëmarrjes aktive dhe dallimit gjinor në paga. Kosova ka përparuar kur e inkuadroi pushimin e atësisë dhe pushimin prindëror në ligj në vitin 2017; megjithatë, ky përparim përfundon me kaq.

Ky projektligj është lëvduar si hap drejt barazisë gjinore në familje dhe në tregun e punës. Megjithatë, në praktikë nuk është.

Gjatë administratës në largim, dispozitat që rregullojnë pushimin e lehonisë dhe atësisë u hoqën nga Ligji i Punës dhe u prezantuan në një projektligj të ri që mbulon Pushimin e Lehonisë, Atësisë dhe atë Prindëror. Sidoqoftë, ligji i propozuar parashesh ndryshime që janë më së shumti të dobishme në aspektin material, dhe nuk garantojnë përmirësime sa i përket praktikave diskriminuese në punësim. 

Ligji i propozuar cakton që pushimi i lehonisë (që merret vetëm nga nëna) të zgjasë 12 muaj, prej të cilëve për 3 muaj punëdhënësi duhet t’i paguajë 70% të rrogës, për 6 muaj Qeveria e Kosovës duhet t’i paguajë 50% të rrogës mesatare të Kosovës, ndërsa 3 muaj janë pa pagesë. Pushimi i atësisë (që merret vetëm nga babai) parashihet të zgjasë vetëm 10 ditë. Pushimi prindëror (pushim shtesë që mund të ndahet ndërmjet nënës dhe babait) parashihet të jetë i papaguar, çka e bën të pagjasshëm që ta shfrytëzojë ndonjë familje.

Me gjithë këto ndryshime, ky projektligj është lëvduar si hap drejt barazisë gjinore në familje dhe në tregun e punës. Megjithatë, në praktikë nuk është, sepse çekuilibri i madh ndërmjet dispozitave të amësisë dhe atësisë i bën bizneset më të prirura të punësojnë burra sesa gra.

Duke mos i marrë parasysh indikacionet e tregut të punës, qeveria PAN nuk ka arritur ta adresojë shkakun themelor të problemeve për gratë, e as ta përmirësojë situatën në mënyrë që të shtohet pjesëmarrja e grave në tregun e punës. Ndonëse ligji ende nuk është miratuar, ai mbetet si përpjekje e pasuksesshme për ta adresuar një problem të madh.

Politikat e përgjithësuara nuk ofrojnë ndihmë

Dështimi për t’i marrë parasysh gratë gjatë planifikimit doli në pah edhe në Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal. Studimet tregojnë se përderisa mungesa e investimeve në shërbime publike është kursim i fondeve në afat të shkurtër, ajo gjithashtu zhvendos koston dhe barrën nga sektori publik në domenin privat – gratë përfundojnë duke kryer punë të kujdesit që nuk ofrohen nga sektori publik.

Strategjitë e zhvillimit ekonomik lokal duhet të parashohin investime në kujdesin social, që mund të rezultojnë në më shumë vende pune për gratë në këtë sektor (i cili duket se punëson më shumë gra se burra), por edhe në më shumë kohë që gratë të mund të angazhohen aktivisht në ekonomi, meqë do të reduktohej puna e tyre e papaguar.

Megjithatë, strategjia e zhvillimit ekonomik lokal në Kosovë përqendrohet kryesisht në pëmirësimin e mjedisit afarist në përgjithësi, në infrastrukturë, dhe në arsimin e përgjithshëm. Ndonëse këto fusha të përqendrimit janë të rëndësishme, ato trajtojnë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, në vend se të përqendrohen te veçantitë.

Ngjashëm me qeveritë paraprake, e me trendin që me gjasë do të vazhdojë, edhe qeveria në largim ka vazhduar me politika dhe vendime “si rëndom”, të cilat shumë shpesh i shpërfillin gratë si palë e rëndësishme e shoqërisë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.