Kanë kaluar dy javë prej kur Gjykata Kushtetuese e Polonisë njoftoi që pothuajse të gjitha llojet e abortit janë ilegale në këtë shtet. Ky vendim ka ndezur greva dhe zemërim masiv, ndërsa protestat nuk u ndalën edhe pasi qeveria vendosi të shtyjë zbatimin e vendimit.
Përkundër supozimeve të shumta, vendimi kontravers teknikisht nuk e ndalon abortin në tërësi, por thotë që procedura do të jetë e qasshme vetëm në raste të përdhunimit, incestit apo rrezikut ndaj jetës së grave.
Në të njëjtën kohë, pandemia COVID-19 ka vazhduar të përhapet me më shumë se 6,000 të vdekur dhe 19,364 të infektuar deri më 3 nëntor, duke e futur Poloninë në listën e pesë shteteve më të ndikuara nga virusi në Evropë.
Përderisa zemërimi vazhdonte, Kryeministri Mateusz Morawiecki thirri për qetësi dhe fokus në luftën kundër pandemisë. Ai gjithashtu tregoi gatishmëri për dialog me protestuesit, të cilët në ndërkohë i dhanë qeverisë ultimatum për t’u dorëhequr para fundit të ditës.
Polonia duket që është në telashe me të vërtetë.
Kush e vodhi hënën në Poloni?
“Macja mund të qëndrojë”, “Largohuni”, “Më 1962 e vodhe hënën, tash e ke vendin ku dreqin të shkosh” janë disa nga parullat e protestuesve drejtuar Jaroslaw Kaczynski-t, udhëheqësit të partisë në pushtet për Ligj dhe Drejtësi, një parti populiste dhe djathtiste.
Kaczynski në vitin 2015 u bë personi numër një në të gjithë vendin e në atë kohë nuk mbante asnjë rol zyrtar në qeveri. Pesë vite më vonë duket që gjërat për Kaczynski-n kanë shkuar shumë larg — vija e kuqe e hollë është tejkaluar. Polakët nuk e duan strategun politik beqar që po shkon duke u moshuar dhe që ndan shtëpinë e tij në Varshavë me një mace.
Parullat që i drejtohen atij në protesta janë të mbushura me sarkazëm. Turma i kërkon Kaczynski-t të zhduket dhe i referohet jetës së tij personale — macja e dashur që “mund të qëndrojë”, dhe filmi “Ata dytë që vodhën hënën” me protagonistë Jaroslaw-in dhe vëllanë e tij binjak, Lech, në vitin 1962. Filmi ishte i bazuar në një roman të famshëm me të njëjtin emër nga Kornel Makuszynski, i cili tregon avanturat e dy mashtruesve, vëllezër binjakë të cilët vodhën hënën dhe u futën në telashe për atë arsye.
Në tetor, menjëherë pas vendimit të gjykatës, i gjithë shteti u ndez në flakë. Qindra-mijëra njerëz dolën në rrugët e më shumë se 100 qyteteve rreth e përqark Polonisë. Lëvizja “Greva e Grave të tërë Polonisë” (Ogólnopolski Strajk Kobiet) me fillim në 2016 si reagim ndaj një vendimi kontravers të qeverisë i cili kufizonte të drejtat e grave, njoftoi që më shumë greva priten në vazhdimsi.
Më 1 nëntor Lëvizja krijoi Këshillin Konsulativ, me synimin që të zhvillojë strategji për të zbatuar qëllimet e protestave. Së pari, ata kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. Njëherazi është duke u përgatitur një listë e kërkesave dhe të gjithë qytetaret ftohen të marrin pjesë në proces.
Në ndërkohë, protestat vazhdojnë.
Për dekada, që nga rënia e komunizmit në Poloni në vitin 1989, aborti në këtë vend është bërë çështje tejet politike. Në diskutime publike, gratë rrallë janë lejuar të flasin për veten e tyre. Edhe sot, në dekadën e tretë të shekullit 21, është e vështirë ta gjesh një debat televiziv në Poloni ku gratë janë të përfshira.
Në shumicën e rasteve dukshmëria u jepet politikanëve meshkuj dhe zyrtarëve të kishës katolike.
Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë të dhëna shqetësuese. Në 2019 për shembull, 1,110 aborte legale janë performuar në Poloni dhe sipas ekspertëve shumë më shumë të tjerë janë përformuar ilegalisht në fshehtësi apo jashtë vendit.
Hera e parë që ngjalli zemërim ishte në vitin 1993, kur një ligj mbi planifikimin familjar hyri në fuqi duke lejuar abortin vetëm në tri taste: atë të incestit, përdhunimit apo kur testet prenatale dhe indikatorët tjerë mjekësorë tregojnë mundësi të lartë të dëmtimit të madh dhe të pandreqshëm të fetusit apo ndonjë sëmundje të pashërueshme dhe kërcënuese për jetën. E megjithatë, disa vite më vonë në 1997, Gjykata Kushtetuese mori vendim që aborti mbi baza sociale — si varfëria — ishte jokushtetues.
Vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese i 22 tetorit të këtij viti i ndalon edhe ato opsione të ofruara nga vendimi i viteve të 90-ta. Kjo automatikisht e bën abortin të pamundur.
Siç pritej, vendimi ka shkaktuar zemërim. Edhe vendimi i ri nga Andrzej Duda, Presidenti polak, që ekipi i tij të përgatisë një ligj shtesë që do të definojë në detaje në cilat raste aborti është kundër kushtetutës polake, nuk e ndaloi zemërimin. Sipas disa informatave të pakonfirmuara, Duda dëshiron ta ndalojë abortin përveç në rastet ku ka mundësi të lartë për gjenin e sindromës Down.
Shumë pak, shumë vonë
Pas një jave me protesta, qeveria vendosi të shtyjë zbatimin e provizionit të ri ligjor. Por, kjo nuk i ndali revoltat. Ky hap i vogël drejt kompromisit duket që nuk mjafton.
Koordinatorja kryesore e grevave, Marta Lempart, u tregoi mediave që organizata e saj është duke planifikuar të vazhdojë protestat. Në pyetje nuk është vetëm aborti, ata gjithashtu duan ta rrëzojnë qeverinë e drejtuar nga partia e Ligjit dhe Drejtësisë.
Sipas saj, çfarë po ndodh në Poloni është luftë që ka zgjatur me dekada në të cilën të drejtat e grave janë shtypur.
Komenti i Lempart-it doli pasi Prokurori i Përgjithshëm i Polonisë u dërgoi një letër prokurorëve rajonalë duke u thënë që pjesëmarrja në protesta dhe ofrimi i mbështetjes dhe miratimit konsiderohet krim.
Më 27 tetor, Kaczynski, udhëheqësi i partisë së Ligjit dhe Drejtësisë, thirri për luftë kundër aktivistëve, duke i thirrur grupet konservative që të mbrojnë kishat që, sipas tij, janë nën sulm. Dhe me të vërtetë janë shënuar disa raste të hyrjeve në kisha gjatë meshës si dhe protesta para tyre. Si kundërpërgjigje shfaqeshin anëtarët e organizatave tç djathta nacionaliste si Shoqata e Pavarur e Marshit, Falanga e të tjera.
Më 30 tetor, dy gazetare janë rrahur nga huliganët, ndërsa aktivistët raportojnë që policia është duke zënë prita të paligjshme, megjithatë numri i saktë mbetet i panjohur.
Përkundër kësaj, Marta Lempart u ka thënë mediave që nuk është duke planifikuar të dorëzohet dhe që Polonia — herët apo vonë — do të bëhet shtet i ri.
Ndryshime shumë të nevojshme
Për momentin aktivistët janë duke mbledhur ide në rrjete sociale rreth gjërave që duhet të ndryshojnë në vend. Çdo qytetar është i mirëpritur të flasë.
Ata gjithashtu kanë krijuar një Këshill Konsultativ që do të jetë i ngjashëm me një organ të krijuar në Bjellorusi nga udhëheqësja opozitare Svetlana Tikhanovskaya. Këshilli përbëhet nga 20 njerëz, shumica e tyre me përvojë paraprake të aktivizmit. Megjithatë, lista e kandidatëve nuk është përfundimtare dhe aktivistët e Grevës së Grave kërkuan që më shumë ekspertë dhe aktivistë t’u bashkohen.
Të shtunën më 31 tetor, Këshilli u takua për herë të parë. Anëtarët propozuan 13 fusha kritike që duhet të ndryshojnë në Poloni, si edukimi, e drejta e ligjit, të drejtat e grave dhe LGBTIQ+, e kështu me radhë. Këshilli ka formuar grupe punuese të dedikuara ndaj secilës temë dhe aktivistët janë duke mbledhur ide nga qytetarët përmes email adresave të dedikuara.
Këshilli, siç ia kanë shpjeguar anëtarët publikut, do të punojnë rreth një rruge të re për të shtyrë Poloninë përpara. Ajo rrugë nuk e përfshin partinë e Ligjit dhe Drejtësisë.
Imazhi i ballinës nga Justyna Kisielewicz.