Korriku i vitit 2023 ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në planetin Tokë, duke kaluar rekordet historike të temperaturave. Emetimet e serrave ishin faktori kryesor.
Gjersa miliona njerëz vuajnë nga valë të paprecedentatë të nxehtit, ekspertët/et kanë ardhur me ide të ndryshme në përpjekje për ta reduktuar dëmin që aktiviteti njerëzor po i shkakton planetit. Aktivistët/et e mjedisit prej kohësh kanë argumentuar se veprimet e tanishme nga qeveritë dhe institucionet botërore nuk po mjaftojnë për ta ndryshuar situatën.
Një zgjidhje që është propozuar relativisht së fundmi është “çrritja” [degrowth]. Ndonëse shpesh keqkuptohet, çrritja bën thirrje për ndryshime të thella strukturore në metodat e prodhimit dhe shpërndarjes, si mjet për të arritur qëndrueshmëri mjedisore dhe drejtësi shoqërore.
Predrag Momčilović është njëri nga studiuesit, që i bën thirrje botës ta shqyrtojë seriozisht konceptin e mosrritjes. Si drejtor ekzekutiv i Qendrës për Politika të Gjelbërta, fondacion politik i gjelbër në Serbi, studimet e Momčilović përqendrohen në ekologjinë politike, çrritjen, aspektet shoqërore të ndryshimeve klimatike dhe prodhimin e ushqimit. Është autor i “Ajri, si i përbashkët” dhe “Qëndrueshmëria, Çrritja dhe Ushqimi”.
Muajin e kaluar, Momčilović ligjëroi rreth çrritjes dhe ekologjisë politike, gjatë akademisë për politikë publike dhe sociale të organizuar nga instituti për politika sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë.
K2.0 foli me Momčilović për konceptin e çrritjes dhe se si mund të përdoret në vendet e Evropës Juglindore.
K2.0: Çfarë përfshin çrritja? Çka nënkupton koncepti?
Predrag Momčilović: Çrritja është diçka mjaft e re në rajonin tonë, madje edhe për vendet anglishtfolëse. Rrënjët e konceptitj vijnë nga fundi i viteve të ’70-ta dhe fillimi i viteve të ’80-ta. Mendoj se ishte André Gorz, filozof dhe ekolog francez, ai që përdori për herë të parë fjalën “décroissance”, duke iu referuar mënyrës se si mund të jetojmë mirë përbrenda kufijve ekologjikë të planetit.
Kjo ishte edhe periudha kur u botua “Limits to Growth” [shqip: “Kufijtë e rritjes”], nga Klubi i Romës dhe botime të tjera, të cilat ndikuan që njerëzit të diskutonin shumë më shumë për këto tema. Pastaj u harrua për vite të tëra.
Në fillim të viteve 2000, njerëzit filluan të flasin përsëri rreth saj dhe ta rimendojnë se sa mund të rritemi dhe ku duam të shkojmë me këtë rritje. Ideja e çrritjes është të vësh në pikëpyetje dogmën e rritjes materiale dhe rritjes që matet me bruto produktin vendor (BPV), sepse e kemi përbrendësuar atë në vete dhe në ideologjinë tonë. E ndiejmë nevojën të rritemi gjatë tërë kohës, në nivel personal dhe ekonomik. Nëse nuk je duke u rritur në nivel personal, do të thotë se je duke vdekur. Gjatë pandemisë, sa ishim të mbyllur në shtëpi, kishim presion të vazhdueshëm për të mësuar gjuhë të reja, për të punuar me veten dhe për t’u rritur.
Kjo vërehet edhe në diskutimet për ekonomitë e vendeve.
Politikanët/et e matin suksesin duke përdorur rritjen e BPV. Presidenti i Serbisë gjithmonë e potencon se këtë vit do të kemi rritje prej 2% deri në 3%. Askush nuk e vë në pikëpyetje se çka realisht tregon kjo rritje e BPV.
Edhe teoricienët/et fillestarë/e të BPV në vitet e ‘30-ta paralajmëruan se duhet të jemi të kujdesshëm me përdorimin e këtij termi si matje e rritjes, pasi mat vetëm disa aspekte të aktivitetit ekonomik.
Rritja e BPV mat sa produkte prodhohen në një territor, por nuk mat gjëra të tjera të rëndësishme, si marrëdhëniet njerëzore, aktivitetet vullnetare apo punët shtëpiake.
Në librat kryesorë për çrritjen, kam hasur në kritikat që i ke përmendur, lidhur me mënyrat se si përdoret BPV për ta identifikuar aktivitetin dhe rritjen ekonomike. Në anën tjetër, është e saktë kur dikush përdor BPV për ta paraqitur rritjen ekonomike. Mbështetësit e çrritjes e paraqesin nevojën për ta ndërruar paradigmën në këtë drejtim. Si duhet të bëhet kjo?
Mendoj se duhet vetë ne ta vëmë në dyshim këtë, ne kemi përjetuar një periudhë të gjatë të rritjes ekonomike në Evropë, por çka na solli? Na solli më shumë degradim të mjedisit dhe përsëri nuk zgjidhi problemet sociale. Kemi ende pabarazi të madhe dhe varfëri. Duhet ta bëjmë pyetjen nëse rritja ekonomike do të na sjellë diçka tjetër.
Është me të vërtetë e vështirë të mendosh jashtë kësaj kutie të rritjes, sepse ajo e dominon narrativën rreth ekonomisë. Kjo është po ashtu e rëndësishme në teorinë e çrritjes. Ne duhet ta dekolonizojmë imagjinatën tonë dhe të mendojmë se si mund ta zhvillojmë shoqërinë tonë pa nevojën e vazhdueshme për rritje.
Si e majta ashtu edhe e djathta e spektrit politik janë besimtarë të rritjes. Duhet të bëhemi më agnostikë rreth rritjes ekonomike dhe materiale. Sigurisht, disa sektorë duhet të vazhdojnë rritjen, si arsimi dhe kultura. Nuk është se na duhet ta ndalojmë rritjen e gjithçkaje.
Cilat janë fushat kryesore ku çrritja është e nevojshme?
Kemi nevojë ta ulim zhvillimin e industrisë e karburanteve fosile, industrive që shkaktojnë dëme mjedisore dhe shtimin e njerëzve tepër të pasur. Por në disa fusha kemi nevojë për rritje, si në arsim, kulturë dhe kushtet ekonomike të Jugut Global.
Por s’ka të bëjë vetëm me rritje dhe çrritje, por si t’i prodhojmë dhe konsumojmë gjërat ndryshe. Ne jetojmë në gjysmë-periferinë e Evropës, pjesë që konsiderohet e varfër dhe ende përdorim më shumë burime materiale sesa mund t’i riprodhojë planeti brenda vitit. Kjo nënkupton se nuk po i përdorim këto burime në mënyrë efektive. Thjesht po i konsumojmë dhe po i hedhim në deponi.
"Njerëzit e barazojnë çrritjen me varfërinë, gjë që nuk është e vërtetë, lidhet më shumë me mjaftueshmëri”.
Duhet t’i prodhojmë dhe konsumojmë gjërat ndryshe, si dhe t’u japim përparësi gjërave që janë afatgjate dhe të domosdoshme për njerëzit. Për momentin po prodhojmë shumë gjëra për të cilat njerëzit, në fakt, nuk kanë nevojë, për shkak të ndikimit të reklamave që krijojnë kërkesë artificiale.
Siç e përmendët, rajoni ynë karakterizohet me rritje të ulët ekonomike, jemi shumë mbrapa vendeve të Bashkimit Evropian. Të flasësh për çrritje në këtë kontekst, duket pak paradoksale pasi rritja konsiderohet e nevojshme. Pra, si duhet t’i qaset rajoni ynë çrritjes?
Njerëzit e barazojnë çrritjenme varfërinë, gjë që nuk është e vërtetë, lidhet më shumë me mjaftueshmërinë.
Ballkani është pikënisje me të vërtetë e mirë për parimet e çrritjes, sepse ne nuk po i përdorim burimet në nivelin e vendeve të zhvilluara dhe kësisoj, nuk kemi nevojë të çrrisim aq shumë ekonominë tonë.
Tashmë kemi disa parime të mira, të cilat në thelb janë parime të çrritjes, si prodhimi i ushqimit për veten tonë ose shkëmbimi jo komercial i ushqimit. Njerëzit kanë bahçe të vogla në periferi të qyteteve ose kanë gjyshërit në fshat që i ndihmojnë me ushqime. Njerëzit shkëmbejnë mes vete shumë ushqime, që është një praktikë e mirë.
Por këto praktika janë trashëgimi e së shkuarës dhe rezultat i varfërisë në rajonin tonë.
Kemi disa pikënisje të tjera të mira. Në disa nga qytetet tona njerëzit përdorin shumë transportin publik dhe në fshatra njerëzit përdorin biçikleta. Ballkani mund të transformohet më lehtë në një shoqëri të qëndrueshme në një linjë me çrritjen, sesa ShBA, ku përdorin rreth pesë herë më shumë burime sesa Toka mund t’i përballojë.
Çrritja duket e lidhur ngushtë me vdekjen e kapitalizmit. Por derisa çrritja është e nevojshme, kapitalizmi po lulëzon.
Kjo është kritikë shumë e zakonshme nga e majta lidhur me çrritjen, se nuk përmend mjaftueshëm rolin e kapitalizmit. Por në fakt, shumica e teoricienëve/eve ose praktikuesve të çrritjes e potencojnë hapur se kapitalizmi nuk mund të ndahet nga rritja. Kapitalizmi nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa rritje.
Kapitalizmi duhet të rritet gjatë gjithë kohës, kështu që është e pamundur të kemi një shoqëri që bazohet në çrritje përbrenda kapitalizmit. Por për çrritjen ky nuk është problemi qendror, ka pasur edhe sisteme reale socialiste që bazoheshin në rritje.
Përmendët kopshtarinë dhe përdorimin e biçikletave si veprime specifike, por cilat janë parimet kryesore të çrritjes? Si mund të veprojë një shoqëri për t’iu përafruar këtyre parimeve?
Një nga parimet është që njerëzit duhet të veprojnë në nivel lokal sa më shumë që të jetë e mundur. Megjithatë, nuk ka modele të qëndrueshme në rajone të ndryshme. Parimet e çrritjes në Prishtinë do të dallonin nga ato në Kinshasa. Ato gjithashtu do të dallonin nga një fshat i vogël në Kosovë, nga ato diku në Polin e Veriut, për shembull.
Shpesh dëgjojmë kritika se çrritja është koncept perëndimor, por në fakt nuk është. Ka shumë lëvizje që përpiqen ta imagjinojnë një jetë cilësore përbrenda kufijve ekologjikë të planetit — Buen Vivir në Amerikën e Jugut, Ubuntu në Afrikën e Jugut dhe ekonomia ekologjike në Indi.
Ka propozime të tilla si Marrëveshja e Re e Gjelbër që shtyhen përpara, kryesisht nga e majta. A janë në përputhshmëri me çrritjen apo jo?
Këto propozime janë të gjitha të mira, por janë modeste dhe janë në linjë të njëjtë me rritjen. Ekziston ideja se duhet të jemi në gjendje të kemi rritje ekonomike, por në mënyrë të gjelbër, që është qasje e miratuar nga Komisioni Evropian. Ideja është që ne do ta shkëpusim rritjen ekonomike nga energjia dhe prodhimi material, gjë që është teorikisht e pamundur. Kjo ka ndodhur vetëm në disa vende evropiane, sepse ata kanë kontraktuar nga jashtë prodhimin e tyre.
Çrritja është në përputhje me shumë nga këto gjëra. Ne kemi nevojë për tranzicion energjetik dhe masa të tjera, por këta hapa duhet të mendohen pa rritje të vazhdueshme. Për shembull, edhe nëse kalojmë plotësisht në energji të ripërtëritshme, do të na duhen shumë materiale për ta prodhuar energjinë e erës dhe diellit. Kur ka rritje, tranzicioni është gjithmonë më i vështirë.
Çdo vit ka 3% deri në 5% rritje ekonomike dhe shpesh njerëzit nuk e kuptojnë se sa e shpejtë është kjo rritje eksponenciale. Nëse ka rritje prej 3% në vit, që është mjaft modeste për ekonominë e tanishme, ekonomia do të dyfishohet brenda 21 viteve.
Marrëveshja e Re e Gjelbër shpesh përmendet si një “modernizim ekologjik i kapitalizmit”.
Nuk është e mundur të bëhet kjo brenda kufijve ekologjikë të planetit — ky është i vetmi problem për mua. Sigurisht, unë e mbështes idenë në parim. Janë më të mira se politikat që kemi për momentin, por nuk janë zgjidhje të qëndrueshme në periudha afatgjate.
Gjithashtu jam pro-modernist. Nuk jam duke avokuar për një shoqëri parahistorike, ku njerëzit mbijetojnë duke mbledhur ushqim, por duhet të synojmë ta ndryshojmë shoqërinë në një mënyrë të qëndrueshme.
Shumë nga këto propozime, si Marrëveshja e Re e Gjelbër, ende i përmbahen idesë se ne duhet të vazhdojmë të rritemi dhe secili do ta ketë atë që dëshiron. Kjo s’është as demokratike, demokratike është kur vendosim kolektivisht se çka duam dhe çka kemi nevojë. Jo secili mund të ketë krejt çka dëshiron pa dëmtuar të tjerët.
Pra, duhet një rishpërndarje e mallrave në mënyrë që të gjithë të jetojnë më mirë dhe planeti të mbetet i paprekur. Por kjo ngjanë me një utopi të pashpresë. Siç e kemi përmendur më parë, t’i detyrosh politikanët të shtyjnë përpara barazinë është shumë e vështirë, shpesh e pamundur. A nënkupton kjo se çrritja është e pamundur?
Do të argumentoja që ne tashmë e kemi parë se ndryshimi është i mundur. Gjatë Covid-it, kemi parë teksa gjithë ekonomia ndaloi dhe vëmendja ishte në gjëra të tjera, të tilla si investimet e mëdha për t’i zbuluar vaksinat.
E pamë këtë ndryshim brenda një periudhe të shkurtër kohore, që na dëshmoi se është e mundur që ekonomia të drejtohet krejtësisht ndryshe. Për fat të keq, shumë shpejt gjithçka u kthye siç ishte.
Njerëzit po e kuptojnë se është e pamundur të vazhdojmë kështu. Edhe në qoftë se çrritja është utopike, mendoj se na nevojitet më shumë utopi në të menduarit tonë. Mund të gjejmë shumë libra distopikë, që na thonë se është më lehtë ta imagjinojmë fundin e botës sesa një utopi.
Unë angazhohem në lëvizjen majtiste të gjelbër në Serbi. Shpesh përfundojmë duke u përqendruar në betejat dhe politikat e përditshme. Për shembull, diskutojmë shumë se si ta përmirësojmë transportin publik, por shpesh harrojmë pse ndodh kjo. Duhet ta kujtojmë se për çka po përpiqemi në terme afatgjate.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
“Pandemia na dëshmoi se qeveritë mund të prezantojnë masa që ne i mendonim si të paimagjinueshme më parë”.
Sa transformuese do të ishte çrritja për jetën tonë? Sa transformuese do të ishte për individët?
Në nivel individual varet se ku qëndron ekonomikisht. Nëse je pjesë e 1% e më të pasurve, çrritja do ta ndryshonte shumë jetën tënde. Normalisht, është mirë po ashtu që disa nga praktikat e klasave të mesme ose të ulëta të ndryshojnë. Çrritja parashikon ta ketë të njëjtën sasi prodhimi ose më pak, por do të kemi shumë më shumë kohë në dispozicion.
Kjo është gjëja më e vlefshme e çrritjes. Njerëzve u pëlqenta kalojnë kohën në natyrë, të lexojnë, të kalojnë kohë me të dashurit e tyre, në vend se të punojnë vetëm për të prodhuar dhe konsumuar më shumë. Me çrritje, do të kishim shumë më shumë kohë të lirë për t’i bërë këto gjëra dhe kjo do të çonte në shoqëri më të larmishme.
Për momentin, mund të blejmë kaq shumë gjëra, të markave të ndryshme, por në fund, përfiton një shoqëri mjaft uniforme. Me çrritje, ku njerëzit kanë më shumë kohë të lirë, mund të prodhojnë gjëra që janë ende të paimagjinueshme ditëve të sotme.
E përmendët pandeminë dhe mësimet që morëm apo që mund t’i kishim marrë prej saj. Çka mendoni se kemi mësuar nga ajo periudhë, lidhur me planetin?
Çrritja nuk ka të bëjë vetëm me shpëtimin tonë, por edhe mbrojtjen e natyrës. Ne e përjetuam këtë pandemi, por pandemi ka pasur edhe më parë, ku viruset erdhën nga speciet e egra te njerëzit. Aktualisht po jetojmë në periudhën e gjashtë të zhdukjes masive.
Vetëm 15% e sipërfaqes së Tokës është ende e paprekur, sasi e vogël të cilën po vazhdojmë ta shkatërrojmë. Për aq kohë sa vazhdojmë, viruset do të vazhdojnë të kalojnë nga kafshët te njerëzit dhe të shkaktojnë pandemi.
Pandemia na dëshmoi se qeveritë mund të prezantojnë masa që ne i mendonim si të paimagjinueshme më parë. Megjithatë, ne dhe ekonomia ia dolëm të mbijetojmë. Por kjo dëshmoi se mund të ndërmarrim masa drastike, që është praktikë që mund ta përdorim në fusha të tjera për ta ndihmuar shoqërinë tonë të bëhet më e qëndrueshme.
Narrativa e rritjes thotë se njerëzit kanë nevojë për më shumë sepse varfëria ende ekziston dhe kështu që ekonomia duhet të rritet. Nga ana tjetër, njerëzit më të pasur e kanë përqendruar pasurinë e tyre dhe po konsumojnë shumë më shumë se që kanë nevojë — një problem i qartë i shpërndarjes.
Mendoj se realiteti tregon se sistemi aktual nuk po funksionon. Për një kohë të gjatë jemi ushqyer me narrativat që mbështesin politikat si ato që favorizojnë klasat e pasura dhe korporatat, por në fakt të pasurit po bëhen më të pasur dhe asgjë nuk po shkon tek më të varfërit, kështu që edhe rritja e vazhdueshme nuk po i zgjidh problemet tona. Tani po e përjetojmë pabarazinë më të madhe në histori, e cila vetëm sa po rritet.
Mbështetësit e çrritjes thonë se ka pasuri të mjaftueshme, por ajo thjesht nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Edhe pse nuk ka më imperializëm klasik, ka neoimperializëm.
Ekziston kjo ideja se Veriu i pasur Global duhet të heqë dorë nga shumë pasuri të tyre për Jugun Global. A mund ta shpjegoni se si nevoja për t’i ndryshuar marrëdhëniet ekonomike midis dy hemisferave lidhet me çrritjen dhe shëndetin e planetit?
Kjo është vërtetë e rëndësishme, sepse historikisht dhe aktualisht, Veriu Global konsumon shumë më shumë burime dhe posedon më shumë pasuri të akumuluar. Kjo vjen për shkak të qindra viteve të eksploatimit. Veriu Global është përgjegjës për pothuajse të gjitha emetimet e dioksidit të karbonit, që shkaktojnë ndryshimet klimatike.
Kjo është pjesa më e vështirë, njerëzit dhe vendet e pasura s’janë gati të heqin dorë nga pasuria e tyre; ata mendojnë se e meritojnë. Njerëzit e pasur shpesh paraqiten si novatorë që nisën gjithçka nga e para, diçka që shpesh nuk është e vërtetë. Për shembull, prindërit e Elon Musk thuhet se zotëronin një minierë smeraldi në Afrikën e Jugut dhe ata veç ishin të pasur.
Tash për tash, ka pak lëvizshmëri sociale. Nëse ke lindur i/e pasur, ndoshta do të qëndrosh i/e pasur, ose nëse lind i/e varfër, do ta kesh të vështirë ta tejkalosh varfërinë.
"Nëse vazhdojmë të bëjmë ndryshime vetëm sipërfaqësore, kozmetike, një ditë do t'i prekim kufijtë”.
Çka do të ndodhë me planetin nëse vazhdojmë në këtë mënyrë duke mos bërë ndryshime thelbësore?
Do të shkatërrohemi. Nëse vazhdojmë të bëjmë ndryshime vetëm sipërfaqësore, kozmetike, një ditë do t’i prekim kufijtë.
Njerëzit e imagjinojnë ndryshimin e klimës si ngjarje masive që do të shkatërrojë gjithçka, por s’është ashtu. Në vend të kësaj, do të ndodhin ngjarje më të vogla, si thatësirat dhe përmbytjet, të cilat do të ndodhin shumë më shpesh. Cilësia e jetës do të ulet shpejt, si dhe vendet që do ta vuajnë më shumë janë në Jugun Global. Vende të tilla si Mauritius janë tashmë nën kërcënimin e zhdukjes.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.
Përkthimet e titujve janë bërë nga K2.0 për ta ndihmuar lexuesin/en dhe si të tilla, nuk janë përkthime zyrtare.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha.