Pikëpamje | Dialogu

Pretendimet se Asociacioni do të avanconte të drejtat e komunitetit serb në Kosovë janë çorientuese

Nga - 25.06.2021

Idetë e kamotshme do të çonin në ndarje më të madhe etnike dhe do të rrezikonin gjasat e integrimit.

Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel javën e kaluar në mënyrë të parashikueshme pushtoi shumë kryetituj në rajon. Kjo ishte, tekembramja, hera e parë që Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti po takohej me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vučić rreth tryezës së dialogut dhe të gjithë sytë ishin kthyer nga ajo si do t’i afrohej kokëçarjes më të madhe të Kosovës në politikën e jashtme.

Kurti u kthye nga takimi — të cilin BE-ja e përshkroi si “jo të lehtë” — duke thënë se i kishte bërë katër propozime delegacionit serb, nga një marrëveshje rajonale e tregtisë së lirë deri te njohja reciproke. “Qasja e re” e palës kosovare bëri që shumica e diskutimeve dhe analizave përcjellëse të fokusoheshin këtu.

Por pala serbe iu kthye një teme të njohur që meriton vëmendje në vetvete: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Rrënjët e çështjes

Shpallja e Pavarësisë e Kosovës në vitin 2008 solli një marrëveshje të re sociale për popullin e saj. Përkundër kundërshtimit të vazhdueshëm të komunitetit serb të Kosovës ndaj shtetit të Kosovës, të shtyrë nga qeveria serbe, Kushtetuta e Kosovës dhe e tërë korniza ligjore u garanton atyre të drejta të avancuara dhe përfaqësim në të gjitha nivelet e qeverisjes.   

Megjithatë, refuzimi i Serbisë për të njohur sovranitetin e Kosovës përmes kontrollit dhe ndikimit të saj mbi serbët e Kosovës dhe avokimit të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare ka ngritur pikëpyetje në lidhje me funksionalitetin e Kosovës si shtet multietnik.   

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011 është përpjekur të ofrojë zgjidhje teknike që do të mbështesnin integrimin e veriut të Kosovës – kryesisht të kontrolluar nga sistemi paralel i Serbisë – në sistemin qeverisës të Kosovës, duke përmirësuar kështu jetën e qytetarëve dhe përmbushjen e të drejtave të tyre. Sidoqoftë, pak progres është bërë në këtë drejtim, duke pasur parasysh që qëllimet kryesore të palëve në dialog kanë qenë mbajtja e kontrollit territorial dhe sigurimi ose parandalimi i konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.  

Kjo do të garantonte vazhdimësinë e segregimit etnik në zonat vitale të Kosovës, duke penguar dhe rrezikuar kësisoji natyrën multietnike të Kosovës.

Marrëveshja e parë midis Kosovës dhe Serbisë mbi parimet e dialogut të Brukselit u nënshkrua më 2013 dhe pasqyron qartë këto tendenca. Pikat e saj të para kërkojnë krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë me një kornizë të përcaktuar dhe kompetenca të nënkuptuara ekzekutive një kompromis i bazuar në synimin e Serbisë për të pasur kontroll efektiv mbi komunitetin serb në Kosovë si mjet për të parandaluar shtetin e Kosovës nga funksionimi; pjesa tjetër e parimeve të saj kërkon integrimin e policisë, gjyqësorit dhe energjisë dhe telekomunikacionit – siç synohet nga pala kosovare.   

Por arsyetimi për Asociacionin, si platformë që parashikon avancimin e të drejtave të komunitetit dhe interesave të serbëve të Kosovës, ka qenë çorientues.   

Marrëveshja parashikon që Asociacioni të ketë kompetenca siç është “mbikëqyrja e plotë” e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit urban dhe rural në zonat me shumicë serbe. Kjo do të garantonte vazhdimësinë e segregimit etnik në zonat vitale të Kosovës, duke penguar dhe rrezikuar kësisoji natyrën multietnike të Kosovës.   

Siç dëshmoi Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, parimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i pasqyruar në Marrëveshjen e Brukselit ishin në kundërshtim me parimet e barazisë si vlerë themeltare e rendit kushtetues. Kësisoji, ato rrezikojnë bazën mbi të cilën të drejtat e komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera pakicë mund të sigurohen dhe të vihen në praktikë.   

Pasojat e vazhdimit të arsimit të ndarë në vija etnike

Kosova ka pasur sistem të ndarë etnik të arsimit që nga vitet 1990 kur shqiptarët krijuan sistem paralel arsimor pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Pas luftës, komuniteti serb i Kosovës vazhdoi sistemin e vet paralel arsimor në emër të kundërshtimit të shtetit në ardhje të Kosovës.   

Ligji për Arsimin në Komunat njeh të drejtën e komunitetit serb për arsim në gjuhën amtare dhe lejon shfrytëzimin e kurrikulës dhe teksteve shkollore të Serbisë. Ligji po ashtu i jep Universitetit në Mitrovicën e Veriut statusin e universitetit publik autonom dhe garanton njohjen e diplomave të tij.

Megjithatë, asnjë përpjekje nuk është ndërmarrë as nga shqiptarët as nga serbët e Kosovës për të krijuar një sistem të integruar arsimor. 

Duke u bazuar në parimin kushtetues të barazisë, Ligji për Arsimin e Lartë kërkon nga Ministria e Arsimit të ofrojë mundësi të barabarta për regjistrim në të gjitha aspektet e arsimit të lartë. Megjithatë, asnjë universitet publik që vepron përbrenda sistemit arsimor të Kosovës nuk ofron mundësi për studime në gjuhën serbe, derisa ndërtimi i një ndërtese të re universitare në Mitrovicën e Veriut së fundmi ka nisur me financim të qeverisë së Serbisë. 

Integrimi i sistemit arsimor është parakusht për ndërtimin e kapaciteteve shtetërore për t'u siguruar komuniteteve etnike gëzimin e të drejtave të tyre në praktikë.

Zbatimi i kufizuar i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës është theksuar vazhdimisht si shkelje e rëndë e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe si pengesë e tyre kryesore për të pranuar shërbime dhe për t’u integruar në institucione publike. Në të vërtetë, me një histori njëdekadëshe të një sistemi arsimor etnik që ka përjashtuar të mësuarit e gjuhëve të tjera etnike, Kosova nuk ka burime njerëzore për të zbatuar të drejtat e garantuara të përdorimit të gjuhëve zyrtare.    

Probleme të ngjashme janë shfaqur me mbështetjen e një sistemi të integruar arsimor. Përveç mungesës së përkthyesve profesionalë, ka edhe mungesë të juristëve profesionalë nga komuniteti serb të cilët janë të trajnuar në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës. Kjo dije nuk mund të mësohet nga arsimi i bazuar në kurrikulën serbe, dhe nuk ka asnjë program juridik në gjuhën serbe që ofrohet nga universitet e tjera publike në Kosovë.

Është e qartë se krijimi i burimeve profesionale kërkon kohë, dhe se sigurimi i kompetencës profesionale në gjuhë të dytë nënkupton përfshirjen e mësimit të gjuhës si pjesë e arsimit parauniversitar. Andaj, integrimi i sistemit arsimor është parakusht për ndërtimin e kapaciteteve shtetërore për t’u siguruar komuniteteve etnike gëzimin e të drejtave të tyre në praktikë.  

Në këtë drejtim, një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe me mbikëqyrje të plotësuar të sektorit tër arsimit që kërkon të ruajë ndasitë etnike rrezikon sigurimin praktikt ë të drejtave për komunitetin serb dhe nuk i avancon ato.   

Sistemi shëndetësor paralel paradoksi i standardeve të dyfishta

Sistemi shëndetësor i komunave me shumicë serbe financohet nga Beogradi përkundër Ligjit të Kosovës për Vetëqeverisje Lokale që u jep komunave kompetenca ekskluzive për menaxhimin e shëndetit dhe sigurimin e alokimit të duhur të buxhetit.  

Një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe me mbikëqyrje të plotë të shëndetësisue do të siguronte vazhdimësinë e sistemit shëndetësor paralal në të gjitha komunat. Këmbëngulja për një sistem shëndetësor që funksionon jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës i pengon autoritetet kosovare të përmbushin obligimet e tyre për të siguruar qasje në shërbime shëndetësore cilësore për komunitetin serb të Kosovës.  

Pandemia Covid-19 ka shpërfaqur dukshëm pengesat e qeverisë kosovare drejt përmbushjes së obligimeve të saj karshi komuniteteve etnike. Shumica e informatave lidhur me masat për menaxhimin e pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë nuk ishin në dispozicion në gjuhën serbe. Ndërsa kërkesat dhe kritikat nga komunitetin serb që u drejtoheshin qeverisë së Kosovës lidhur me mungesën e informatave në gjuhën serbe lidhur me masat për menaxhimin e pandemisë ishin të dukshme, këto nuk u përkthyen në kërkesë, apo synim, për t’iu qasur shërbimeve shëndetësore të Kosovës.  

Vazhdimi i refuzimit për t’u integruar në sistemin shëndetësor përmes Asociacionit do ta pamundësonte thirrjen në përgjegjësi të qeverisë së Kosovës për të siguruar qasje në shërbimeve shëndetësore për komunitetin serb të Kosovës.

Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës është obligim qenësor i institucioneve kosovare dhe hapi i parë drejt sigurimit të qasjes së komunitetit serb në shërbime.

Ngjashëm me sistemin gjyqësor, sistemi shëndetësore mbetet cak i ndikimit të pafavorshëm të sistemit arsimor paralel. Kjo i kufizon kapacitetet shtetërore për të siguruar informata të shëndetit publik në gjuhën serbe si hap drejt ofrimit të qasjes në shërbime shëndetësore, apo drejt investimit në arsimimin e profesionistëve shëndetësorë nga komunitetit serb duke siguruar kësisoji ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për komunitetit serb të Kosovës.   

Mungesa e vazhdueshme e informatave në dispozicion nga qeveria e Kosovës në gjuhën serbe bashkë me këmbënguljen e sistemeve të segreguara arsimore dhe shëndetësore, vë në pah paradoksin e kërkimit të të drejtave të komunitetit serb të Kosovës. 

Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës është obligim qenësor i institucioneve kosovare dhe hapi i parë drejt sigurimit të qasjes së komunitetit serb në shërbime. Për ta përmbushur këtë obligim, qeveria e ka edhe një obligim tjetër të refuzojë të miratojë çfarëdo mekanizmi që pengon mundësitë e saj për të bërë një gjë të tillë.  

Implikimet e planifikimit urban dhe rural të bazuar në etni

Komunat e Kosovës kanë kompetenca të mbikëqyrjes së plotë të hartimit të zhvillimit komunal, zonimit dhe planeve rregulluese në përputhje me planin hapësinor të Kosovës. Megjithatë, politikat e ndarjes etnike dhe diskriminimit kanë qenë të dukshme në këtë drejtim. 

Në komunat me shumicë serbe, ndërtimi i shtëpive shqiptare nuk është lejuar, duke penguar kësisoji kthimin e shqiptarëve të zhvendosur derisa në komunat me shumicë shqiptare ka pasur rezistencë nga komuniteti ndaj kthimit të personave të zhvendosur dhe refugjatëve serbë, përkundër zotimeve financiare të qeverisë së Kosovës.    

Menaxhimi i monumenteve fetare dhe monumenteve të tjera kulturore, si dhe ato të resurseve natyrore ka qenë çështje shumë kundërthënse që ka ushqyer politikat e ndarjes etnike.

Një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të harmonizimit të masave të planifikimit rural dhe urban përgjatë zonave me shumicë serbe vetem sa do të avanconte politikat ekzistuese diskriminuese dhe ndarjen etnike gjeografike duke siguruar një politikë uniforme përgjatë zonave me shumicë serbe. Kjo do ta pengonte qeverinë e Kosovës të përmbushë obligimet e saj të sigurimit të mundësive të barabarta për të kthyerit dhe qytetarët e tjerë, pavarësisht përkatësisë etnike.  

Tutje, kjo do t’i mbante serbët e Kosovës gjeografikisht të izoluar dhe larg nga qasja në shanset dhe mundësitë për të gëzuar të drejtat e tyre në komunat e tjera dhe për të zhvilluar marrëdhënie etnike.  

Zhvillimi ekonomik mbi parimet e diskriminimit

Përgjegjësia e Kosovës për të siguruar investime ekonomike që përmirësojnë jetën e qytetarëve të saj nuk kufizohet brenda përkatësisë etnike. Duke i dhënë Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kontroll të plotë mbi ekonominë, qeverisë së Kosovës do t’i pamundësoheshin gjasat praktike për investime të barabarta apo zhvillim ekonomik, ndërsa obligimet pozitive të shtetit nuk do të pushonin.   

Duke i dhënë autorizim për shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe resurseve të tjera publike në dobi të një etnie të caktuar, shteti do të bëhej pjesëmarrës i diskriminimit etnik. Pagesa e faturave të rrymës elektrike të serbëve nga qytetarët e Kosovës për shkak të refuzimit të tyre të vazhdueshëm për të përmbushur obligimet e tyre për shërbimet e marra nga institucionet e Kosovës është shembulli më i mirë për këtë.   

Kjo praktikë diskriminuese ka vazhduar me vite me radhë përmes politikave të miratuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka kërkuar që kostoja e ofrimit të rrymës elektrike për serbët në komunat veriore t’u faturohej qytetarëve të tjerë.  Pasi një vendim i Gjykatës së Apelit i vitit 2017 e shpalli këtë prakikë ilegale, qeveria e Kosovues mori përsipër përgjegjësinë për të marrë përsipër këtë faturë, ndërsa zgjidhja afatgjatë ende e pakapshme vazhdon të kërkohet. Megjithatë, kjo nuk e zhbëri natyrën diskriminuese të kësaj praktike, duke qenë se qytetarët serbë në veri të vendit nuk paguajnë taksa dhe qytetarët e tjerë vazhdojnë të ngarkohen me kostot.

Ndërsa synimet e qeverisë serbe mund të mos jenë eksplicite, thirrja në të drejtat e pakicave është çorientim.

Përmbushja dhe avancimi i të drejtave të një komuniteti etnik nuk mund të bëhet në kurriz të shkeljes së të drejtave të komunitetit tjetër apo qytetarëve që respektojnë ligjit, pavarësisht përkatësisë etnike, që jetojnë në pjesën tjetër të vendit. 

Pavarësisht kornizës së avancuar ligjore dhe institucionale të Kosovës që i garanton të drejta komunitetit serbe, qeveria serbe ka këmbëngulur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja vetëm si mjet për të siguruar kontrollin e saj territorial dhe për të kundërshtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës përmes ndarjes etnike, dhe jo si platformë që synon të përfaqësojë interesa të mirëfilltë të serbëve të Kosovës.  

Ndërsa synimet e qeverisë serbe mund të mos jenë eksplicite, thirrja në të drejtat e pakicave është çorientim. Efektet negative të përpjekjeve të tyre janë krejt të qarta dhe i ndien mjaft mirë komuniteti serb – që duhej të ishin përfituesit e synuar të këtyre formave të veprimtarisë afirmuese – si dhe qytetarët e tjerë.   

Dihet tashmë që të drejtat e komuniteteve etnike nuk mund të lulëzojnë brenda një shteti etnikisht të ndarë dhe jofunksional i cili pengohet të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare që i nxisin dhe i mbikëqyrin ato të drejta. Sa më shpejt që paluet në dialog pranojnë parime të caktuara dhe i quajnë përpjekjet e rreme me emrin e tyre të vërtetë, aq më të mëdha do të jenë gjasat për të pasur propozime kuptimplota të cilat mirëfilli përqendrohen në komunitetet që preken nga ato.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0. 

Kjo Pikëpamje është shkruar fillimisht për Reconciliation Empowering Communities (REC) dhe është ribotuar këtu me pëlqim.