Pse kanë rëndësi për Ballkanin zgjedhjet e vitit 2024 në BE? - Kosovo 2.0

Pse kanë rëndësi për Ballkanin zgjedhjet e vitit 2024 në BE?

Vendet e rajonit do të ndikohen, anipse qytetarët/et e tyre nuk kanë të drejtë vote.

Qytetarët/et e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do t’u drejtohen qendrave të votimit në qershor të vitit 2024 për të vendosur se kush do t’i përfaqësojë në Parlamentin Evropian (PE). Me afro 400 milionë njerëz me të drejtë vote, zgjedhjet për PE janë zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë.

720 deputetë/e të PE do të zgjidhen për t’i përfaqësuar qytetarët/et e 27 vendeve anëtare të BE. Pavarësisht këtij sovraniteti popullor, votuesit/et në të gjithë BE duket se janë shkëputur çdo ditë e më shumë nga PE. Pjesëmarrja në votim ka rënë vazhdimisht, pas zgjedhjeve të para të vitit 1979, në të cilat pjesëmarrja e përgjithshme ishte rreth 62%. Zgjedhjet e vitit 2019 — në të cilat votuan pak më shumë se 50% e qytetarëve me të drejtë vote — ishin të parat që nga viti 1994, me një pjesëmarrje të mbi gjysmës së votuesve.

Dezinformatat

Grupet e interesit që kërkojnë të zvogëlojnë besimin tek institucionet duke delegjitimuar rezultatet dhe/ose duke shkurajuar votimin, po zhvillojnë fushata dezinformimi në rrjetet sociale. Komisioni Evropian (KE) po i shtyn firmat e mëdha të teknologjisë t’i përforcojnë përpjekjet e tyre për ta luftuar dezinformimin dhe për ta respektuar Aktin e Shërbimeve Digjitale (AShD). AShD është rregullore e BE e vitit 2022 për ndërmjetësuesit dhe platformat në internet, përfshirë rrjetet sociale. Qëllimi i tij kryesor është parandalimi i dezinformatave.

Megjithatë, moderimi i përmbajtjes mungon veçanërisht në disa nga gjuhët më pak të folura të bllokut, pasi kompanitë e rrjeteve sociale investojnë në mënyrë disproporcionale në moderimin e përmbajtjes në gjuhën angleze. Po ashtu, raportet e fundit kanë dhënë hollësi rreth operacioneve të ndikimit rus që shënjestrojnë eurodeputetët/et, duke u ofruar pagesa në këmbim të deklaratave pro-ruse përpara zgjedhjeve.

BE synon t’i afrohet apo ta tejkalojë këtë pjesëmarrje në vitin 2024. Për ta bërë këtë, zyrtarët/et e BE u kanë bërë thirrje pop yjeve si Taylor Swift — e cila, për aq sa K2.0 ka hulumtuar nuk ka të drejtë vote në asnjë vend të BE — për t’i ndihmuar që t’i bindë të rinjtë e të rejat se votimi është diçka që ia vlen. 

Lidhja e rinisë me PE ka qenë prioritet edhe për disa shtete anëtare individualisht. Gjersa shumica e vendeve anëtare kërkojnë që votuesit/et të jenë 18 vjeç, Greqia po i lejon edhe 17-vjeçarët/et të votojnë, ndërkaq Austria, Belgjika, Gjermania dhe Malta e kanë ulur moshën e lejuar për votim në 16.

Përtej rezultateve zgjedhore, vetë niveli i pjesëmarrjes është tregues i rëndësishëm se ku qëndron politika e BE dhe nëse votuesit/et e shohin PE si të vëmendshëm ndaj shqetësimeve të tyre. Pjesëmarrja e lartë do të dëshmonte se PE shihet si institucion i aftë dhe i rëndësishëm, që mund ta përmirësojë jetën e qytetarëve/eve që përfaqëson; pjesëmarrja e ulët do ta dëshmonte të kundërtën. Pjesëmarrja mund të ndikohet gjithashtu nga rrjetet sociale, një hapësirë të cilën akterë/e të ndryshëm/me po tentojnë ta përdorin për t’i çuar përpara agjendat specifike ose për ta minuar legjitimitetin e zgjedhjeve.

Ulëset në PE shpërndahen bazuar në popullësi. Sa më e madhe popullësia në një shtet të caktuar anëtar, aq më shumë ulëse ai shtet merr. Secili vend anëtar i BE organizon individualisht zgjedhjet e veta për PE, gjatë një periudhe katër-ditore — për këtë cikël zgjedhor janë caktuar datat 6 deri më 9 qershor 2024 — dhe kandidatët/et e emëruar/a nga partitë kombëtare konkurrojnë për ulëse në PE. 

Numri i deputetëve/eve që merr një parti është proporcional me numrin e votave që fiton partia. Pasi t’i fitojnë vendet eurodeputetët/et, shumica e partive kombëtare u bashkohen grupeve transkombëtare, me parti nga vende të tjera me të cilat ndajnë qëllime të përbashkëta politike dhe rrënjë ideologjike.

Në spektrin ideologjik, partitë më të mëdha dhe në pushtet në vendet anëtare të BE zakonisht marrin më pak vota në zgjedhjet e PE sesa në zgjedhjet kombëtare, për dallim nga partitë më të vogla apo kundërshtare. Këto rezultate tregojnë se votuesit/et priren t’i përdorin zgjedhjet e PE për t’i shprehur pakënaqësitë me qeveritë e tyre aktuale vendore, ndoshta për t’i ndëshkuar për politika të dështuara ose jo të duhura. Një pjesë e arsyes pse ndodh kjo është se votuesit/et duket se i shohin zgjedhjet e PE si më pak të rëndësishme sesa zgjedhjet kombëtare ose lokale dhe kështu ndihen më rehat të votojnë për partitë për të cilat nuk do të votonin në një kontekst politik kombëtar.

Përgjegjësitë e PE

 

PE ka tri fusha qendrore të përgjegjësisë: buxhetore, legjislative dhe mbikëqyrëse.

Sipas Traktatit të Lisbonës të vitit 2009, PE ndan përgjegjësinë për të gjithë buxhetin e BE me Këshillin e Bashkimit Evropian, duke shtuar një komponent të mbikëqyrjes demokratike në procesin e shpërndarjes së fondeve të BE.

Në aspektin legjislativ, siç përcaktohet me Traktatin e Maastricht të vitit 1992, PE dhe Këshilli Evropian (KE) vendosin bashkë për miratimin e legjislacionit të ri. Megjithatë, një vendim i përbashkët i tillë është për procedurat e zakonshme legjislative, ndërsa për procedurat e veçanta legjislative, PE ka rol konsultativ. PE luan rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e BE me vendet jo-anëtare të BE, duke vendosur zyrtarisht për marrëveshjet ndërkombëtare dhe çështjet e zgjerimit.

Roli mbikëqyrës i PE mund të shihet në kryerjen e detyrave si zgjedhja e presidentit/es të KE, miratimi dhe shkarkimi i KE dhe zbatimi i kontrollit demokratik në të gjitha institucionet e BE.

PE është institucion kyç në peizazhin më të gjerë politik evropian. Rezultati i zgjedhjeve përcakton se cilat grupe vendosin agjendën dhe përcaktojnë kushtet intelektuale mbi të cilat debatohet dhe miratohet legjislacioni. Kjo është sidomos e rëndësishme kur grupet kryesore që garojnë me njëri-tjetrin kanë pikëpamje thellësisht të ndryshme politike.

Në kontekstin aktual të zgjedhjeve të vitit 2024, çështje si kriza klimatike, përgjegjësia morale dhe financiare ndaj migrimit në bllok dhe e ardhmja e zgjerimit të BE nxisin debate të mëdha.

K2.0 pyet: pse dhe si kanë rëndësi këto çështje për Kosovën dhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor? Ne shqyrtojmë tri fusha kryesore të politikave në të cilat ajo çfarë ndodh në nivel të PE ka rëndësi: politika e migrimitt, zgjerimi i BE dhe zbutja e krizës klimatike. Megjithatë, për t’i kuptuar këto fusha, është e rëndësishme të ofrohet kontekst lidhur me akterët kryesorë në PE.

Cilat janë grupet kryesore parlamentare?

PE përbëhet kryesisht nga shtatë grupe politike me prapavija të ndryshme ideologjike. Grupet financohen nga buxheti i PE dhe kanë qasje në ulëset e komiteteve, duke nxitur partitë individuale të bëhen bashkë rreth objektivave të përbashkëta politike.

European People’s Party (Partia Popullore Evropiane), njohur me akronimin EPP, është grupi më i madh në PE që nga viti 1999 dhe numëron si anëtare parti të tilla si Bashkimit Demokristian i Gjermanisë, të cilës i përkiste Angela Merkel dhe Platforma Qytetare e kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjithashtu parti anëtare vëzhguese. Presidentët/et e fundit të Komisionit Evropian (KE), përfshirë atë aktuale, Ursula von der Leyen, kanë ardhur nga EPP. Presidenti/ja i/e KE, i/e cili/a udhëheq degën ekzekutive të BE, votohet nga PE dhe zakonisht vjen nga grupi më i madh i PE.

EPP mbështeti kandidimin e von der Leyen për rizgjedhje në fillim të marsit 2024. Edhe pse EPP parashikohet të humbasë ulëse, vazhdon të jetë shumë e gjasshme që të vazhdojë ta ruajë statusin si grupi më i madh. Kjo nënkupton se von der Leyen ka gjasa ta sigurojë një mandat tjetër pesë-vjeçar si presidente e KE, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur fushata e saj për rizgjedhje.

Aktualisht, EPP — von der Leyen dhe presidentja e PE, Roberta Metsola — ka nën udhëheqje dy nga katër pozitat kryesore institucionale të BE, me dy pozitat e tjera — Presidenti/ja i/e Këshillit Evropian dhe Përfaqësuesi/ja i/e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët — që shkojnë te partnerët e koalicionit, Renew Europe (Rinovoni Evropën), e njohur me akronimin RE, dhe Progressive Alliance of Socialists and Democrats (Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve), e njohur me akronimin S&D.

S&D është njëra nga sfidueset kryesore të EPP. Përfaqësuesi i lartë në largim, Josep Borrell, është anëtar i S&D. Partia Socialiste e Spanjës dhe Partia Socialdemokrate e kancelarit gjerman Olaf Scholz janë anëtare kryesore, ndërsa partia aktuale në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e lidhur me S&D.

Përjashto ngjarje të papritura, EPP dhe S&D, rehatshëm, duhet të mbesin dy partitë më të mëdha në PE, me EPP që pritet t’i fitojë afërsisht një të katërtën e ulëseve dhe S&D pothuajse 20%. Historikisht, PE është dominuar nga një koalicion udhëheqës midis EPP dhe S&D, duke reflektuar një konsensus të përgjithshëm ideologjik të qendrës dhe institucional. Cikli zgjedhor i vitit 2024 mund ta prishë këtë, pasi EPP dhe partitë më nacionaliste dhe populiste në të djathtën e saj pritet të shënojnë fitore të dukshme dhe të çojnë drejt një koalicioni më konservator në krye të PE.

Gara për vendin e tretë po zhvillohet ashpër mes tri grupeve tjera. Nga këto, RE, një grupim liberal, shpesh i asociuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, ishte më i madhi gjatë mandatit 2019-2024 të PE. RE përbëhet kryesisht nga Partia Pan-Evropiane Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, me të cilën është e lidhur Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

RE rrezikon të tejkalohet nga dy grupe të ndryshme në të djathtën e EPP. I pari prej tyre është The European Conservatives and Reformists (Konservatorët dhe Reformistët Evropianë), njohur me akronimin ECR, një grup partish euro-skeptike të krahut të djathtë, si Ligji dhe Drejtësia (PiS) e Polonisë dhe Vëllezërit e Italisë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni. 

Themeli demokratik konservator dhe anti-liberal i ECR e vendos atë fuqishëm në të djathtë të EPP. Grupi tjetër, Identity and Democracy (Identitet dhe Demokraci), njohur me akronimin ID, një grup i ekstremit të djathtë që, të paktën deri në fund të këtij mandati, ka numëruar Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen në Francë si anëtarë. ID përfaqëson pikëpamje edhe më tej ekstreme ksenofobike dhe anti-institucionale.

Më 18 maj 2024, kandidati kryesor i AfD i tha një gazete italiane se ai nuk i shihte të gjithë ish-anëtarët e SS — gardës naziste që mbikëqyrte policinë, inteligjencën dhe administrimin e kampeve të përqendrimit — si kriminelë, gjë që e shtyu Le Pen të shprehej se Tubimi Kombëtar nuk do të bashkëpunonte me AfD në PE tash e tutje.

Më 23 maj 2024, AfD zyrtarisht u përjashtua nga ID. On May 23, 2024, AfD was officially expelled from ID. Më pas, Le Pen ka kërkuar të ndërtojë një grup të djathtë të fortë me Melonin, e cila tash është bërë figurë kyçe në këto zgjedhje, e kërkuar prej të gjithëve, nga Le Pen deri te von der Leyen. Në kohën e botimit, mbetet çështje e hapur nëse ID do të ekzistojë në formën aktuale — minus AfD — në mandatin e radhës ose nëse do të shpërndahet në rast se Tubimi Kombëtar dhe partitë tjera që kanë votuar për përjashtm të AfD nga ID do të kenë mundësi t’i bashkohen ECR ose një grupi të ri të djathtë ose të ekstremit të djathtë.

Ngjarje të tilla, në një kohë në të cilën sistemi gjyqësor gjerman ka vendosur po ashtu zyrtarisht se AfD është e dyshuar për ekstremizëm, janë mundësi e dobishme për partitë e ekstremit të djathtë të grupit ID si Fronti Kombëtar dhe Partia Popullore Daneze e Danimarkës që të distancohen nga AfD, duke portretizuar veten si relativisht më pak ekstreme — mbrojtja e nazistëve duket se konsiderohet si strategji humbëse elektorale. Mbetet të shihet se a do ta mbajnë votuesit këtë qëndrim të guximshëm moral se anëtarët e SS ishin njëmend kriminelë si shenjë se Fronti Kombëtar dhe të tjerët nuk janë aq në skaj të së djathtës sa pretendojnë kritikët e tyre.

Grupet më të vogla të mbetura janë Greens (Të Gjelbërit/Aleanca e Lirë Evropiane), njohur me akronimin GUE/NGL, Left in the European Parliament (E Majta në Parlamentin Evropian), njohur me akronimin GUE/NGL dhe Non-Inscrits (Të paasociuarit), njohur me akronimin NI dhe që përbëhet prej partive që nuk janë të lidhur me asnjë grup.

Sondazhe të ndryshme parashikojnë rritje të konsiderueshme të numrit të ulëseve që mbahen nga eurodeputetët e krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë. Pyetja është se sa në të djathtë do të shkojë PE. Kjo do të formësojë vendimet e EPP kur të krijohet një koalicion qeverisës — a do të mjaftojë një kombinim i EPP, S&D dhe RE për një shumicë edhe një herë? Apo fitimet e mëdha të ECR dhe ID do ta detyrojnë EPP t’i ndryshojë përllogaritjet e veta?

Cilat janë koalicionet e mundshme që mund të burojnë nga zgjedhjet?

Para se të përjashtohej AfD nga ID,, EPP, ECR dhe ID, në teori do të kishin mundur ta formonin një koalicion qeverisës të qendrës së djathtë tek e djathta ekstreme, në të cilin qëndrimet institucionaliste dhe centriste të EPP do të ishin sfiduar nga anëtarët më radikalë të krahut të djathtë, që synojnë shkëputje thelbësore nga status quo-ja e e politikave evropiane. Rishpërndarja e re e ndikuar nga përjashtimi i AfD nga ID ngritë mundësinë e formimit një grupi krejt të ri, të përbërë nga ECR plus Tubimi Kombëtar dhe mbase edhe nga partia Fidesz e kryeministrit hungarez Vimtor Orbán. Një grup i tillë mund të bëhet i dyti më i madhi në PE, duke i shkundur grupet tjera dhe duke i ngarkuar me nevojën për të punuar bashkë që t’i shmangin eurodeputetët e ekstremit të djathtë në koalicionin udhëheqës. Sidoqoftë, pengesa të mëdha, shpesh të formësuara nga politikat e brendshme vendore mbesin të pranishme.   

Me më shumë gjasa të ndodhë është që koalicioni tradicional centrist i EPP, S&D dhe RE të mbledhë mjaftueshëm vota për ta mirëmbajtur shumicën e vet. Megjithatë, trendet që po ndryshojnë dhe rritja e parashikuar e deputetëve/eve të djathtë dhe të ekstremit të djathtë mund ta detyrojnë EPP t’i ndryshojë llogaritjet e saj dhe të bashkëpunojë me ECR. Baza e tillë për një koalicion —  EPP, ECR dhe RE, për shembull — mund të çojë në miratimin dhe normalizimin e mundshëm të më shumë politikave anti-migrim dhe më të përqendruara në idetitetin kombëtar.

Përbërja aktuale e Parlamentit Evropian pasqyrohet më sipër. Sondazhet parashikojnë që zgjedhjet e vitit 2024 do të rezultojnë në një rritje të ulëseve për partitë e djathta dhe ato të ekstremit të djathtë. Megjithatë, përbërja e saktë e grupeve pas zgjedhjeve mbetet të shihet.

Edhe para përjashtimit të AfD nga ID, ECR, nga ana e vet, shihej si një pikë potenciale aderimi për partinë Fidesz, e cila ka qenë e paasociuar tri vitet e fundit dhe gjithashtu është ftuar t’i bashkohet ID. Këto përllogaritje politike mund t’i ndryshojnë përmasat e sakta të grupeve, por nuk do ta ndryshojnë faktin qenësor të një rritjeje të konsiderueshme të deputetëve të djathtë, të djathtës së fortë dhe ekstremit të djathtë.

Për më tepër, në mandatin 2019-2024 të PE, 11 eurodeputetët që kishin më shumë gjasa të votonin kundër grupeve të tyre, ishin të gjithë pjesë e ID ose ECR. Kjo e vendosë në pikëpyetje edhe më shumë aftësinë e së djathtës ekstreme për ta mirëmbajtur disiplinën partiake dhe për të qenë një subjekt qeverisës i besueshëm dhe koherent.

Shembuj të tillë shërbejnë si rikujtim se edhe një lëvizje kah e djathta — ose një ndryshim në ndonjë drejtim të caktuar politik — nuk do të thotë që politika e humb rëndësinë dhe që të gjithë anëtarët e grupit kanë të njëjtat prioritete. Kjo është posaçërisht e qartë kur bëhet fjalë për çështjen e zgjerimit të BE.

EPP duhet të përballet me sfidën e një rritjeje potenciale të krahut të ekstremit të djathtë në PE. Megjithatë, duke bërë këtë, rrezikon t’i rehatojë më tutje palët dhe t’i legjitimojë objektivat e politikave në nivel të BE që më parë do të konsideroheshin ekstreme.

Politika e emigracionit është shembull kryesor i kësaj dinamike. PE miratoi një projekt-ligj për reformën e emigracionit në prill të vitit 2024 që synon ta shpërndajë përgjegjësinë e përpunimit të “ardhjeve të parregullta” në të gjithë anëtarët e BE dhe përshpejtimin e procesit të dëbimit të azil kërkuesve, të cilëve u refuzohen kërkesat për azil. Kur reforma kaloi, presidentja e PE Roberta Metsola, anëtare e EPP, deklaroi se “Kemi dëgjuar, kemi vepruar dhe kemi përmbushur njërin nga shqetësimet kryesore të njerëzve në të gjithë Evropën”, duke u përpjekur që ta arsyetojë kritikën e partive kryesore politike të ekstremit të djathtë, duke nënkuptuar se ato nuk janë të vetëdijshme për shqetësimet e njerëzve të zakonshëm.

Cili është roli i PE në debatin për zgjerim? Po në dialogun Kosovë-Serbi?

Marrëdhënia e PE me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është e ndikuar në masë të madhe nga perspektiva e zgjerimit të mundshëm të BE në rajon. Roli qendror i PE në procesin buxhetor të BE, nënkupton se PE ka mbikëqyrje të drejtpërdrejtë në shpërndarjet financiare për Instrumentin të Asistencës së Para-pranimit, njohur me akronimin IPA, mekanizmi kryesor përmes të cilit vendet kandidate dhe kandidate potenciale në BE sigurojnë ndihmën financiare për përmbushjen e reformave të kërkuara.

PE gjithashtu mbikëqyr mekanizmat financiarë që ndërlidhen me procesin e anëtarësimit, siç është Plani i Rritjes i BE, i cili ofron 6 miliardë euro kredi dhe grante për t’i ndihmuar reformat në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Përtej mbikëqyrjes financiare, PE gjithashtu luan rol në procesin teknik përmes të cilit anëtarët e rinj anëtarësohen në BE. PE miraton çdo pranim të mundshëm përpara se një traktat pranimi të mund të nënshkruhet mes anëtarit të ri potencial dhe anëtarëve ekzistues dhe më pas të ratifikohet përfundimisht nga secili shtet anëtar veç e veç.

Ndikimi i një PE të përbërë më shumë nga krahu i djathtë, në zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor nuk është menjëherë i qartë. Kjo vjen, pjesërisht, për shkak se partitë kombëtare, qëndrimet e të cilave formësohen nga këndvështrimet politike kombëtare, mund të kenë pikëpamje dukshëm të ndryshme për zgjerimin e BE. Për shembull, mjedisi i brendshëm politik në Holandë është historikisht skeptik ndaj zgjerimit të BE, duke i lënë politikanët/et holandezë/e me më pak kapital politik për ta përdorur kur është fjala te çështja e zgjerimit, sesa politikanët në vende të tjera si Polonia apo Rumania.

Partia e ekstremit të djathtë, Fidesz e Orbán, e pasqyron më tutje këtë qëllim: Orbán ka qenë historikisht avokues i zëshëm për zgjerim, përveç rastit të Ukrainës. Hungaria do ta mbajë presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian për gjysmën e dytë të vitit 2024 dhe ministri i jashtëm hungarez, Péter Szijjártó ka dhënë shenja se zgjerimi, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, do të jetë prioritet gjatë presidencës. Kjo e çon tutje mbështetjen e zëshme të mëparshme të Hungarisë për ta shtyrë përpara procesin e pranimit në BE për Serbinë.

Ndërsa ka nuanca brenda qëndrimeve të grupeve të PE për zgjerimin e BE, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor, të gjitha grupet përveç ID, shprehin mbështetje. Politika e jashtme është fushë kyçe në të cilën e djathta dhe e djathta ekstreme kanë dallime; teksa partitë e grupit ECR përgjithësisht orientohen drejt institucioneve euroatlantike dhe arkitekturës së sigurisë dhe mbështesin Ukrainën, të paktën përmes retorikës, partitë e ID me shumë gjasa mbështesin heshturazi ose hapur presidentin rus, Vladimir Putin.

Kjo nënkupton se për sa i përket ndikimit të drejtpërdrejtë në procesin e anëtarësimit në BE, zgjedhjet e qershorit 2024 nuk kanë gjasa të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor të situatës; në përgjithësi, pjesa më e madhe e eurodeputetëve e shohin pozitivisht zgjerimin, me të gjitha paralajmërimet e zakonshme për kushtet që duhen përmbushur.

Ngjashëm ishte situata gjatë mandatit të von der Leyen si presidente e KE. Von der Leyen vazhdimisht ka bërë thirrje për “një të ardhme ku Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor janë pjesë e Bashkimit Evropian”. Gjatë udhëtimeve të saj të ndryshme në Kosovë, ajo ka nënvizuar se Kosova “vazhdon të dëshmojë përkushtim të madh në rrugën evropiane”, teksa ka këmbëngulur që Prishtina ta formojë ligjërisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Ohrit.

Von der Leyen ka qenë po ashtu një zë i vazhdueshëm, duke deklaruar se “[BE dëshiron] që Serbia të bëhet pjesë e bashkimit tonë”. Në një vizitë në Beograd në vitin 2022, ajo tha “E di që e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian. E di që Bashkimi ynë Evropian nuk është i plotë pa Serbinë”, megjithëse gjithmonë me paralajmërimin se Serbia duhet që fillimisht t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Pas një kohe, vazhdimësia e këtyre deklaratave nëpër kontekstet e ndryshme politike në të cilat ato u shprehën, shtrojnë pyetje se sa seriozisht duhet të merren ato. Kur flet von der Leyen a ka njëmend ndonjë rëndësi? Çka nënkupton von der Leyen kur thotë se “ekziston një momentum i njëmendtë” drejt zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor? A do të ishin gjërat ndryshe nën drejtimin e një presidenti/eje të ri/e të KE?

KE ka mbajtur retorikën se Ballkani Perëndimor i përket të ashtuquajturës familje evropiane për dekada. Viti 2024 shënon po ashtu dy dekada prej kur Maqedonia e Veriut paraqiti aplikimin e saj, i cili është penguar nga çështjet bilaterale me Bullgarinë dhe Greqinë.

Ilustrimi: Dina Hajrullahu / K2.0.

Pasi Greqia vendosi veto për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE — dhe NATO — për Maqedoninë e Veriut, për shkak të shqetësimeve se emri i vendit nënkuptonte ambicie territoriale mbi Greqinë veriore, shteti eventualisht u pajtua që ta ndërrojë emrin zyrtar prej Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Maqedonisë së Veriut më pas iu lejua t’i hapte negociatat, por procesi u bllokua nga Bullgaria, para se të fillonte, për shkak të mosmarrëveshjeve historike që kanë të bëjnë më shumë me politikën e brendshme bullgare sesa diçka tjetër. Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia gjithashtu shpresojnë të bashkohen, por përballen me një rrugë të pasigurt përpara, bashkë me Kosovën, e cila zyrtarisht dorëzoi kërkesën për anëtarësim në vitin 2022.

Duket sikur, derisa premtimi për zgjerim të BE po zbehet, qytetarët/et e këtyre vendeve po e vënë në dyshim gatishmërinë e BE për t’i kthyer fjalët në hapa konkretë drejt anëtarësimit. Në një anketë së fundmi, vetëm 34% e të anketuarve nga Maqedonia e Veriut janë përgjigjur me po në pyetjen “A është serioz Bashkimi Evropian në synimin e tij për të ofruar anëtarësim për vendet e Ballkanit Perëndimor?” Në Serbi, 30% thanë po, ndërsa ky numër ishte 44% në Bosnjë e Hercegovinë, 54% në Shqipëri, 59% në Mal të Zi dhe 62% në Kosovë.

Në teori, anëtarësimi në BE është i hapur për çdo vend në Evropë që përmbush kriteret e Kopenhagës, por në realitet, procesi i zgjerimit i BE shpesh formësohet nga faktorët gjeopolitikë.

Kriteret e Kopenhagës

 

Në vitin 1993, Këshilli përcaktoi kriteret e mëposhtme të anëtarësimit që vendet kandidate duhet t’i përmbushin për t’u bërë një shtet anëtar:

  • kriteret politike: stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave;
  • kriteret ekonomike: një ekonomi tregu funksionale dhe kapaciteti për t’u përballur me konkurrencën dhe forcat e tregut;
  • kapaciteti administrativ dhe institucional për të zbatuar në mënyrë efektive nenet acquis dhe aftësia për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit.

Pavarësisht nga sa përmbushen kriteret e më sipërme, BE rezervon të drejtën të vendosë se kur është gati ta pranojë anëtarin e ri. 

Pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 e vendosi Ukrainën në plan të parë në diskutimin për zgjerim. Anketat e shumta tregojnë se qytetarët/et e BE e shohin kandidaturën e Ukrainës si më të favorshme se atë të çdo kandidati tjetër apo kandidati potencial, veçanërisht në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Disa në Ballkanin Perëndimor kishin frikë se Ukraina — bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë — do t’i linte mbrapa vendet e Ballkanit Perëndimor në listën e prioriteteve të BE për zgjerim.

Megjithatë, derisa çështja e anëtarësimit të Ukrainës ka marrë vëmendje të konsiderueshme dhe është cilësuar si çështje e mundshme zgjedhore përpara zgjedhjeve të PE, nuk është e qartë se vëmendja ndaj Ukrainës në retorikë do të përkthehet në një proces më të shpejtë të pranimit. Dhënia e statusit të kandidatit, siç tregon situata me vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është garanci se procesi i pranimi është afër.

Kosova është shtet kandidat potencial. Kjo do të thotë se mbi gjysma e nëntë vendeve kandidate aktuale, shto Kosovën, e vetmja kandidate potenciale e mbetur, janë në Ballkanin Perëndimor.

Për shkak që çdo mundësi që Kosova dhe Serbia mund ta kenë për t’iu bashkuar BE varet nga normalizimi i marrëdhënieve, dialogu Kosovë-Serbi luan rol të rëndësishëm në këtë kontekst.

PE mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë, i cili mbikëqyret nga përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë dhe po zhvillohet që nga viti 2011. Përfaqësuesi i lartë — Borrell për pesë vitet e fundit — i raporton PE. Përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor shërben nën përfaqësuesin e lartë. Këtë rol e mban Miroslav Lajčak që nga prilli i vitit 2020.

Për Kosovën, katër vitet e fundit kanë qenë të vështira. Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 rezultuan fitore të thellë të LVV së Albin Kurtit, dikur lëvizje politike që kundërshtonte në tërësi negociatat. Që kur është bërë kryeministër, Kurti ka bërë thirrje që Kosova të trajtohet si palë e barabartë në dialog, duke këmbëngulur në rëndësinë e masave reciproke me Serbinë.

Kurti nisi në shtator të vitit 2021, duke e bërë të obliguar që automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë të paguajnë për targa të përkohshme, njëllojm me atë që Serbia ka bërë me automjetet me targa të Kosovës që hyjnë në Serbi që nga viti 2011. Kjo bëri që serbët e Kosovës të ngrinin barrikada në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Brnjak për disa ditë dhe nxiti BE të bënte thirrje për shtensionim apo deeskalim të situatës përmes dialogut — thirrje kjo që ka qenë e zakontë katër vitet e fundit. Pas një sërë takimesh, çështja e targave të automjeteve u zgjidh me një marrëveshje të ndërmjetme, ndërkohë që situata vazhdoi të jetë e tensionuar.

ZGJERIMI

 

1. EPP, e cila e quan zgjerimin “një nga sukseset më të mëdha të BE”, e sheh integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si “jashtëzakonisht të rëndësishëm”. EPP e sheh zgjerimin e BE si “garancia më e mirë për paqen, demokracinë dhe prosperitetin” në Evropë dhe e konsideron atë “padyshim si një investim gjeostrategjik”. Ndërkohë, qëndrimi i S&D është se “mbështet fuqimisht integrimin evropian dhe një të ardhme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

2. Edhe për grupin ECR, i cili përgjithësisht është euroskeptik, prioriteti kryesor i të cilit në Ballkanin Perëndimor është kufizimi i migrimit dhe fuqizimi i “sigurisë”, e sheh pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si “proces natyror që do ta bashkojë Evropën dhe do ta bëjë Bashkimin të plotë”.

3. RE zyrtarisht favorizon “zgjerimin dhe një angazhim të zgjeruar me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre brenda Bashkimit Evropian sipas strategjisë së zgjerimit”. Kësisoj, disa eurodeputetë nga vende si Franca, ku elektorati ka pikëpamje më pak të favorshme për zgjerimin e BE, i bashkohen ID skeptikë të zgjerimit.

4. Skepticizmi ndaj zgjerimit i ID synon veçanërisht Turqinë. Për më tepër, partitë e veta përbërëse kanë histori angazhimi islamofobik me Ballkanin Perëndimor dhe duke i bërë jehonë pretendimeve të Vučić se Perëndimi po synon padrejtësisht Serbinë.

Në qershor 2022, qeveria e Kosovës filloi një politikë të re të zëvendësimit të dokumenteve të identifikimit, të lëshuara nga Serbia, për këdo që hyn në Kosovë përmes një forme të përkohshme deklarimi — po ashtu një procedurë që Serbia e ka aplikuar për qytetarët e Kosovës që nga viti 2011. Qeveria gjithashtu urdhëroi që të gjitha automjetet me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia, të regjistrohen me targa kosovare. Kjo shkaktoi zhurmë në Bruksel. Pas një takimi të gjatë mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vučić në nëntor 2022, Kurti refuzoi ta pranojë propozimin e BE për zgjidhjen e çështjes së targave dhe akuzoi Borrell se ka hequr dorë nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfundimisht, vendimi u pranua, duke u bërë vend tensioneve të reja.

Kjo s’ishte e vetmja ngjarje që ndodhi në nëntor të vitit 2022. Pezullimi i Nenad Đurić, drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës në veri, si rezultat i refuzimit të zbatimit të vendimit për targa, rezultoi me dorëheqje masive të serbëve të Kosovës nga institucionet publike. Kjo përfshiu dorëheqeje edhe nga pozitat e kryetarëve të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Zgjedhjet për plotësimin e këtyre pozitave, që u mbajtën më 23 prill 2023, u bojkotuan në masë të madhe nga kandidatët dhe votuesit serbë. Kjo bëri që pjesëmarrja e përgjithshme të ishte vetëm 3% e të gjithë votuesve dhe çoi në fitoren e katër kandidatëve nga partitë me shumicë shqiptare. Rezultati i zgjedhjeve nxiti protesta në të katër komunat.

Në këtë kontekst, Lajčak dhe Borrell mbajtën takime të ndara me Vučić dhe Kurtin, por pa ndonjë përparim drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme. Kjo shkaktoi kritika nga delegacioni i Kosovës, ku Kurti tha se Lajčak ka qëndrim të qartë kundër Kosovës. “Këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin”, tha Kurti pas një takimi, duke shtuar se do t’i shprehte pakënaqësitë e tij te kryeministrja italiane Meloni, kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.

Çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), e cila është shfaqur sërish si çështje e debatuar shpesh, është shembull tjetër i një teme të diskutuar në dialog që ka mbetur pezull. BE parashikoi zbatimin e AKS në kuadër të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse as Kurti dhe as Vučić nuk e nënshkruan atë marrëveshje, Borrell e prezantoi atë si të dakorduar, bazuar vetëm në fjalët e tij dhe e cilësoi si hap të rëndësishëm në dialog. Një vit më vonë, AKS ende nuk është zbatuar dhe mbetet një temë kundërthënëse mes Kurtit, BE dhe shteteve kyçe të BE.

Mungesa e përparimit në dialog dhe përshtypja në rritje se BE po e përkëdhelë Vučić dhe po ushtron presion të padrejtë ndaj Kosovës për të bërë koncesione, i ka shtyrë eurodeputetët të vënë në dyshim besueshmërinë e Lajčak dhe efikasitetin e BE në dialog. Disa eurodeputetë shprehën shqetësimet e tyre veçanërisht në një takim të Komitetit të Punëve të Jashtme (AFET) më 22 qershor 2023. BE kishte prezantuar masa kundër Kosovës në fillim të atij muaji.

mbledhjen e AFET, eurodeputeti Michael Gahler nga EPP e kritikoi Lajčak për animin krah Serbisë dhe që nuk po e kritikon publikisht Vučić. “Kosova po kërkon ndërmjetës të ndershëm që nuk e ledhatojnë presidentin serb dhe nuk ushtron presion mbi viktimën”, tha Gahler.

Për më tepër, Tonino Picula nga S&D shtroi një sërë pyetjesh nëse do të ketë masa negative kundër Serbisë dhe për ndikimin rus në Serbi. Kolegu i Picula nga S&D i Picula, Thijs Reuten, kërkoi një qëndrim më të fortë dhe moral nga BE, duke e quajtur Vučić autokrat dhe duke kritikuar përfaqësuesit e BE për një pikëpamje të pabaraspeshuar. “Nuk ishte as edhe dyanëshmëria e tmerrshme”, tha Picula.

Ilan Kuychyuk nga RE shprehu shqetësim shtesë nëse qasja e BE do të kishte pasoja negative te qytetarët e Kosovës.

Eurodeputeti nga radhët e të Gjelbërve, Thomas Waitz, po ashtu kritikoi qasjen e BE, duke thënë se BE la një përshtypje të keqe, duke mbrojtur autorët dhe duke sulmuar viktimat e agresionit, diçka që Waitz e pa si minim të besueshmërisë së BE në të gjithë rajonin. Një tjetër eurodeputet i të Gjelbërve, Romeo Franz, gjithashtu bëri thirrje për t’i dhënë fund përkëdheljes së Vučić, duke thënë se ai beson se ndërmjetësimi i BE ka dështuar plotësisht.

Kritikat e eurodeputetëve për strategjinë e Borrell dhe Lajčak në dialog u shtuan pas sulmit terrorist të shtatorit të vitit 2023 në Banjskë në veri të Kosovës, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. S&D, RE, ECR, EPP dhe të Gjelbërit u bashkuan në një rezolutë që dënonte sulmin dhe etiketonte autorët e sulmit “terroristë”. Rezoluta gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga modeli i saj i përsëritur i përshkallëzimit. Megjithëse rezoluta nuk kishte efekt ligjërisht të detyrueshëm, ajo u bëri apel Borrellit dhe Lajčakut të jenë më proaktivë në lehtësimin e dialogut. Rezoluta gjithashtu i bëri thirrje BE që ta përditësojë qasjen e saj të përgjithshme ndaj normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

Në prill të vitit 2024, Borrell emëroi Lajčak për t’u bërë ambasador i BE në Zvicër. Nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajčak si përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun Beograd-Prishtinë. Kushdo që do ta marrë postin — ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor është përmendur si një kandidat i mundshëm — do ta gjejë dialogun të pezulluar dhe do të ketë punë të rëndësishme për të bërë duke pasur parasysh stagnimin dhe zhgënjimin që ka sjellë qasja e Lajčak e të të ushtruarit më shumë presion mbi Kosovën.

Për më tepër, EPP i von der Leyen lëshoi një projekt-manifest më herët në vitin 2024, duke argumentuar se KE i ardhshëm duhet të krijojë një post të veçantë të komisionerit të mbrojtjes dhe ta transformojë detyrën e përfaqësuesit të lartë të mbajtur aktualisht nga Borrell në një “ministër të jashtëm të BE”, i cili do t’i mundësonte BE të reagonte ndaj krizave ndërkombëtare më shpejt.

Nëse këto kriza pritet të lindin në Ballkanin Perëndimor apo diku tjetër, këdo që PE e emëron si zëvendësues të Borrell, së bashku me përfaqësuesin e ri të posaçëm, do t’i duhet të përballet me një punë të vështirë. Atij/asaj do t’i duhet të hartojë një qasje të re për lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe të sigurohet që BE të shihet si shtytëse e reformave dhe ndryshimeve pozitive në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, veçanërisht nëse zërat e ekstremit të djathtë armiqësor ndaj Kosovës, siç është Tubimi Kombëtar i Le Pen, fitojnë më shumë rëndësi në nivel të PE.

Ku qëndron PE në politikën e migrimit?

Migrimi është çështje politike për të cilën debatohet ashpër në të gjithë BE, veçanërisht në periudhën kur pati numër të paprecedentë të ardhjeve të emigrantëve dhe refugjatëve në vendet e BE në vitet 2015-2016. Përveç koordinimit të politikës së saj të brendshme për migrimit, BE është përqendruar gjithnjë e më shumë në arritjen e marrëveshjeve me vendet jo-anëtare të BE vitet e fundit.

Kështu, në vitin 2019, PE miratoi një rregullore zgjeron mandatin e Agjencisë së Rojës Kufitare dhe Bregdetare të BE (Frontex) për të përfshirë bashkëpunimin me vendet e treta. Që atëherë, Frontex është rritur në aspektin financiar, në kompetenca dhe personel. Frontex ka buxhetin më të madh krahasuar me të gjitha agjencitë e BE dhe ai buxhet është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit. Për shembull, në vitin 2020, buxheti i Frontex ishte 364 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 u rrit në 854 milionë euro, një rritje prej mbi 130%.

Në kuadër të rregullores së vitit 2019, Frontex ka nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Të gjitha këto vende janë pjesë e së ashtuquajturës “Shtegu Ballkanik”, një nga rrugët kryesore të migrimit drejt BE.

Marrëveshjet i sigurojnë Frontex kompetenca ekzekutive në kufijtë e këtyre vendeve me vendet e BE, duke lejuar që ekipet e menaxhimit të kufijve të Frontex të dislokohen në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Duke qenë se secili prej këtyre vendeve është kandidat për anëtarësim në BE, pranimi dhe gatishmëria ndaj Frontex mund t’i afrojë ata në rrugën e gjatë dhe të mundimshme për në BE. Nëpërmjet këtij eksternalizimi të kufijve të saj, BE po rrit mundësinë e shkeljeve të të drejtave të njeriut në pragun të vet.

Pas zgjedhjeve, prania e Frontex mund të rritet tutje. Në një draft-manifest përpara zgjedhjeve të vitit 2024, EPP vendosi objektivin e trefishimit të numrit të rojeve kufitare të BE nga 10,000 sa janë tani — një numër i cili synohej të arrihej deri në vitin 2027 — në 30,000 për të përpunuar më shumë kërkesa për azil jashtë BE dhe për të arritur më shumë marrëveshje me vendet jo-anëtare të BE për t’i mbajtur larg migrantët.

Disa nga këto ide tashmë kanë filluar të vendosen në praktikë në rajon. Në nëntor të vitit 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Meloni nënshkruan një marrëveshje që lejon Italinë t’i ndërtojë dy qendra përpunimi që do t’i strehojnë emigrantët e sjellë me anijet italiane nga ujërat jashtë BE.

Antagonizmi i Melonitk ndaj emigrantëve s’është diçka e re dhe opozita politike dhe grupet e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Itali dhe më gjerë e kritikuan marrëveshjen si “çnjerëzore” dhe të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Tani që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur që marrëveshja është e ligjshme, asgjë nuk e pengon zbatimin e saj.

Ndërkohë që nuk u nevojit shumë kohë që ndërtimi i qendrave të fillonte në Shqipëri, BE iu deshën tetë vjet negociata ndërinstitucionale për ta miratuar paktin e ri të migrimit në prill të vitit 2024.

Pakti përbëhet nga 10 tekste të veçanta legjislative dhe nënvizon disa fusha kyçe, duke përfshirë ekzaminimin e emigrantëve, mbledhjen e të dhënave biometrike, ndërtimin e objekteve kufitare dhe “solidaritetin e kombinuar” mes vendeve të BE. Vendet anëtare të BE ose do të duhet të pranojnë azilkërkues ose të ndajnë fonde. Një nga temat më të diskutueshme është përshpejtimi i procesit të kthimit të emigrantëve që konsiderohen se s’i përmbushin kushtet për azil nga vendi përkatës ku ata aplikojnë.

Eurodeputetët e krahut të majtë dhe të djathtë të PE e kundërshtuan paktin, ndonëse për arsye të ndryshme. Për ata në të majtë, pakti është i pamjaftueshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa nga këndvështrimi i krahut të djathtë, pakti nuk është mjaft rigoroz në shtypjen e migrimit. Kjo do të thotë se pakti, në thelb, ishte një kompromis mes dy grupeve më të mëdha të PE, EPP dhe S&D.

Miratimi mezi i paktit, i mundësuar pjesërisht nga fakti se eurodeputetët, që kundërshtuan disa pjesë të paktit e që në fakt donin të kalonte, abstenuan, vjen në një kontekst të rritjes së konsiderueshme të kërkesave për azil të pranuara nga BE. BE pranoi 1.1 milion aplikime në vitin 2023, numri më i lartë që nga viti 2016 dhe një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2022.

Për më tepër, pakti vjen në një kohë kur kapaciteti dhe angazhimi i bllokut për të garantuar mirëqenien, sigurinë dhe mbrojtjen e emigrantëve po vihet thellësisht në pikëpyetje. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), 4,046 emigrantë vdiqën apo u zhdukën gjatë përpjekjes për të arritur në Evropë në vitin 2023. 1,100 njerëz vdiqën ose u zhdukën në pesë muajt e parë të 2024.

Ilustrimi: Dina Hajrullahu / K2.0.

Një nga shtyllat e marrëveshjes është “solidariteti i detyrueshëm”, i cili detyron të gjithë anëtarët e BE të marrin pjesë në përpunimin e ardhjeve të përditshme të emigrantëve dhe azilkërkuesve, edhe nëse pranimi i azilkërkuesve të rishpërndarë nga vendet e tjera do të jetë vullnetar. Gjeografia e thjeshtë përndryshe nënkupton se kjo përgjegjësi mund t’iu binte mbi supe në mënyrë të disproporcionale anëtarëve të BE në Evropën Jugore si Greqia, Italia dhe Spanja. Përtej pyetjes nëse një gjë që kërkohet nga institucionet dhe nuk bëhet vullnetarisht mund të konsiderohet me të vërtetë solidaritet, ia vlen të merret parasysh se kush njëmend do ta përjetojë këtë solidaritet.

Teksa anëtarëve të BE do të duhet të solidarizohen me njëri-tjetrin, nuk duket se ata janë të detyruar ta shtrijnë një solidaritet të tillë për emigrantët dhe azilkërkuesit. Në dhjetor të 2023, mbi 50 organizata joqeveritare në të gjithë Evropën publikuan një letër të hapur drejtuar BE, duke thënë se pakti do të normalizojë përdorimin arbitrar të ndalimit të migrimit, do ta rrisë profilizimin racor, do t’i përdorë procedurat e “krizës” për të mundësuar shtyrjet dhe kthimin e individëve në të ashtuquajturat “vendet e treta të sigurta”, ku ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës, torturës dhe burgosjes arbitrare.

Si angazhohet PE me Marrëveshjen e Gjelbër? Cila është rëndësia e Marrëveshjes së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor?

Në një përpjekje për ta arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, BE kërkon t’i përshtatë politikat bujqësore, transportin dhe energjinë e bllokut përmes Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Si Frontex edhe Marrëveshja e Gjelbër ka arritur në shtetet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse qytetarët e këtyre shteteve nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet e ardhshme të PE. Veprimi në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Gjelbër është parakusht për anëtarësimin në BE, duke i bërë përpjekjet për përmirësimin e klimës një fushë tjetër në të cilën ajo që ndodh në PE ndikon ndjeshëm në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit.

Dy vjet pas Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Kosova, edhe pse ende s’është vend kandidat në BE, miratoi Strategjinë e Energjisë 2022-2031 në përpjekje për të arritur një “sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët”. Kurti tha se gjatë 20 viteve të fundit Kosova nuk ka pasur asnjë vendim më të mirë për qytetarët në sektorin e energjisë.

Megjithatë, Strategjia e Energjisë nuk është zbatuar në mënyrë adekuate. Raporti i KE për vendin për vitin 2023 vlerësoi se përderisa Kosova ka bërë disa përparime në sektorin e energjisë duke miratuar strategjinë, ajo ka bërë përparim të kufizuar në fushat e transportit, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Zbatimi është sfidë në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës fizike, ligjore dhe administrative për të zbatuar plotësisht angazhimet e tyre mjedisore. Burimi kryesor i prodhimit të energjisë në Kosovë vazhdon të jetë qymyri, siç është rasti me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Shqipërisë. Për më tepër, infrastruktura e vjetëruar energjetike, burokracia e mundimshme dhe mungesa e vullnetit të njëmendtë politik për tranzicion në energji të gjelbër, së bashku me sfidat e reja të energjisë, si çmimet më të larta të energjisë dhe gazit, të nxitura nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia, mbeten si pengesa të mëdha.

Gjersa vendet e Ballkanit Perëndimor hasin në vështirësi në zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër pa pasur një adresë se ku do të mund t’i vënin në pikëpyetje politikat, marrëveshja tani po kritikohet nga EPP e von der Leyen, e cila fillimisht e mbështeti atë, si dhe nga ECR dhe ID. Qëndrimi aktual i EPP është se Marrëveshja e Gjelbër dështon në mbrojtjen e të drejtave të fermerëve dhe “do të shkaktojë më shumë dëm në prodhimin tonë të ushqimit sesa dobi për mjedisin tonë”.

Ndryshimet e propozuara që burojnë nga Marrëveshja e Gjelbër përfshijnë: objektivin e BE për të përmirësuar të paktën 20% të ekosistemeve të saj të degraduara deri në vitin 2050, përgjysmimin e sasisë totale të pesticideve të përdorura dhe uljen e emetimeve të gazeve serrë. Këto propozime shkaktuan një valë mospajtimesh dhe protestash nga fermerët në vende të ndryshme të BE. Protestat e fermerëve kanë ardhur në një kontekst të një inflacioni të përgjithshëm dhe rritjes së çmimeve të energjisë, që rezultojnë nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Marrëveshja e Gjelbër – Ballkani Perëndimor

Në tetor 2020, Komisioni Evropian prezantoi Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor (EIPWB), së bashku me udhëzimet për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor (GAWB). EIPWB paraqet një paketë investimi që grumbullon deri në 9 miliardë euro financime për Ballkanin Perëndimor.

GAWB konsiderohet si pasqyrë e Marrëveshjes së Gjelbër të BE dhe është aspekt i rëndësishëm në negociatat e pranimit. GAWB është organizohet rreth pesë shtyllave: 1) dekarbonizimi: klima, energjia, lëvizshmëria; 2) Ekonomia qarkore: prodhim dhe konsum i qëndrueshëm; 3) Ndotja: ajri, uji dhe toka; 4) Sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe zonat rurale dhe 5) Biodiversiteti: mbrojtja dhe restaurimi i ekosistemeve.

Në nëntor 2020, vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan Deklaratën e Sofjes të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke pranuar dhe përshtatur udhëzimet e Komisionit për GAWB. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, një kuadër bashkëpunimi i udhëhequr nga rajoni dhe i financuar nga BE në Evropën Juglindore, krijoi gjithashtu një plan veprimi për të udhëhequr zbatimin e GAWB.

KE është zotuar për ndarjen e 1.25 miliardë euro si pjesë e Programit EU4Green që nga viti 2021, për ta mbështetur zbatimin e agjendës. Për më tepër, mjedisi dhe energjia e gjelbër janë gjithashtu komponentë të mbështetjes financiare të BE për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-pranimit, (IPA) III, që mbulon periudhën 2021-2027.

Ky reagim bart pasoja të rëndësishme për zgjedhjet e PE të vitit 2024, pasi partitë e krahut të djathtë kundër establishmentit po shfrytëzojnë këtë situatëpër ta riformësuar politikbërjen në shumë vende të BE. Të dhënat e sondazheve tregojnë se në vitin 2019, votuesit e mundshëm të zgjedhjeve të PE në shtatë vende — Suedi, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Belgjikë, Luksemburg dhe Gjermani — identifikuan ndryshimin klimatik si prioritetin kryesor në diskutimet e fushatës. Megjithatë, në vitin 2024, ndryshimi klimatik u identifikua si prioriteti i parë vetëm në Suedi. Në të gjithë BE, ndryshimi klimatik ishte i pesti në mesin e prioriteteve, pas luftës kundër varfërisë, shëndetit publik, mbështetjes së ekonomisë dhe mbrojtjes dhe sigurisë.

Në prag të zgjedhjeve të PE të vitit 2024, politikanët, veçanërisht të së djathtës dhe të djathtës ekstreme, kanë tentuar të përfitojnë nga një pjesë e caktuar e zemërimit dhe frikës së popullsisë se si politikat e Marrëveshjes së Gjelbër do të ndikojnë në jetën e tyre. Si pasojë, kundërshtimi i Marrëveshjes së Gjelbër është bërë kauzë e përbashkët e fermerëve dhe deputetëve të djathtë të PE. Për shembull, Tubimi Kombëtar i Le Pen në Francë, i cili më parë nuk ishte zgjedhja e fermerëve, mund të mbledhë më shumë vota nga fermerët e zemëruar.

Në vitin 2022, bujqësia përfitoi 23% të të gjitha subvencioneve nga buxheti i BE, pavarësisht se përbën vetëm 1.6% të prodhimit ekonomik dhe 4.2% të punësimit në BE. Teksa këto subvencione janë aty për të mbajtur çmime të qëndrueshme të ushqimeve në të gjithë BE, ato gjithashtu krijojnë një situatë në të cilën jetesa e vazhdueshme e fermerëve varet pjesërisht nga subvencionet e BE. Për më tepër, 80% e atyre subvencioneve shkojnë për vetëm 20% të fermerëve, që do të thotë se pavarësisht mbështetjes për sektorin e bujqësisë, shumë fermerë në BE operojnë në margjina të ulëta, rreth ose nën kufirin e varfërisë. Marrëveshja e Gjelbër ishte arritja kryesore e von der Leyen, por tani, kur erërat politike kanë ndryshuar, klima është hequr nga lista si përparësi.

Një parlament i djathtë në një Evropë gjithnjë e më të djathtë

Cikli zgjedhor i PE i vitit 2024 deri më tani është shënuar nga parashikimet për një rritje të krahut të djathtë të fortë dhe partive të ekstremit të djathtë. Teksa shpërndarja e saktë e ulëseve që do të fitohen nga grupet e krahut të djathtë nuk do të dihet derisa të shpallen rezultatet, pjesëmarrja e përgjithshme do të luajë rol të rëndësishëm për të treguar se si votuesit/et e BE e shohin të ardhmen e bllokut.

Historikisht, pjesëmarrja në zgjedhjet e PE ka qenë e ulët, por disa shenja sugjerojnë se viti 2024 mund ta ndryshojë këtë prirje. Në fakt, një sondazh së fundmi tregon se më shumë se gjysma e votuesve të mundshëm në 27 shtetet e BE janë “të interesuar” për zgjedhjet dhe mendojnë të votojnë. Megjithatë, përveç Taylor Swift, që u përmend më lart, është raportuar se BE ka kërkuar ndihmë edhe nga këngëtarë/e si Rosalía, grupi Måneskin dhe Stromae për ta rritur pjesëmarrjen e të rinjve.

Ndikimi zgjedhor i pjesëmarrjes më të lartë të votuesve/eve të rinj/reja është më pak i qartë sesa mund të supozohej më parë, pasi votues të tillë mbështesin gjithnjë e më shumë partitë konservatore. Në këtë kontekst, protesta të mëdha kundër partive dhe politikës së ekstremit të djathtë janë organizuar në vende të tilla si Austria dhe Gjermania në fillim të vitit 2024, ndoshta për të rritur ndërgjegjësimin për rritjen e ndikimit të krahut të djathtë në mesin e njerëzve që ndoshta, me gjasë nuk do të votonin në zgjedhjet e PE.

Mandati i PE nga viti 2019 në 2024 filloi me Brexit si çështje kryesore, pastaj u zhvendos në çështje që varionin nga COVID-19 tek pushtimi i Rusisë në Ukrainë e deri te protestat e fermerëve. Mandati u karakterizua nga gjithçka, nga dalja në pah e korrupsionit të thellë mes eurodeputetëve/eve deri tek një akt teatral nga një mbështetës i Putinit, që lëshoi një pëllumb nga një çantë të vogël e fshehur në kostumin e tij, në sallën e parlamentit, duke iu bërë thirrje kolegëve/eve të tij eurodeputetë/e që “t’i japin paqes një mundësi”.

Tituj dhe veprime të tilla të çuditshme meritojnë vëmendje. Megjithatë, ato nuk duhet të na shpërqendrojnë nga çështja kyçe: rolet e PE në mbikëqyrjen e shpërndarjen buxhetore për mekanizmat e zgjerimit dhe operacionet e Frontex, miratimin e politikës së migrimit dhe hartimin e një udhe përpara sa i përket klimës, nënkuptojnë se çka bën PE dhe nga cilët zëra përbëhet, ka rëndësi për Ballkanin Perëndimor.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.

  • EU – European Union 
  • EP – European Parliament
  • MEPs – Members of the European Parliament
  • EPP – The European People’s Party
  • EC – European Commission
  • RE – Renew Europe
  • S&D – Socialists and Democrats
  • ECR – European Conservatives and Reformists
  • ID – Identity and Democracy
  • AfD – Alternative for Germany
  • Greens/EFA – Greens/European Free Alliance
  • GUE/NGL – Left in the European Parliament
  • NI – Non-Inscrits
  • NATO – North Atlantic Treaty Organisation
  • VV – Vetëvendosje
  • ASM – Association of Serb-Majority Municipalities
  • AFET – Foreign Affairs Committee
  • Frontex – Border and Coast Guard Agency