Pikëpamje | Migration

Italia nuk duhet ta bartë menaxhimin e emigrimit në Shqipëri

Nga - 22.12.2023

Marrëveshja Rama-Meloni është pjesë e një prirjeje shqetësuese të eksternalizimit të kufijve.

Numri i njerëzve të zhvendosur me forcë në mbarë botën preku një rekord prej 108.4 milionë në fund të vitit 2022, si rezultat i ndryshimeve klimatike, konflikteve të reja dhe atyre të vazhduara, si dhe formave të tjera të dhunës politike. Kjo rritje e përgjithshme, e kombinuar me fortifikimin dhe mbikëqyrjen e kufijve të Bashkimit Evropian (BE), ka çuar në më shumë përgjime të tentativave për të hyrë ilegalisht në kufijtë mesdhetarë të bllokut.

BE ka shtuar përpjekjet e saj për t’i kontrolluar rrjedhat e emigrimit si reagim ndaj një krize të perceptuar të migrimit të parregullt. Disa shtete anëtare të BE po përpiqen ta bartin menaxhimin e emigrimit tek shtetet joanëtare të BE, përmes marrëveshjeve dypalëshe. Marrëveshja e nënshkruar më 6 nëntor 2023 nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënkupton se Shqipëria mund t’i bashkohet listës së fqinjëve të BE, që i nënshtrohen dhe janë bashkëpunëtorë në eksternizimin e kufijve të BE.

Më 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pranoi kërkesë nga opozita parlamentare për rishikimin e marrëveshjes Rama-Meloni, duke pezulluar përkohësisht ratifikimin e saj. Një seancë dëgjimore publike është planifikuar të zhvillohet më 18 janar 2024, për të vlerësuar nëse marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.

Marrëveshja ia lejon Italisë t’i ndërtojë dy qendra mbajtjeje në Shqipëri, një në Shëngjin dhe një në Gjadër. Qendrat do të strehojnë emigrantët e sjellë në bordin e anijeve italiane nga ujërat jashtë BE. Emigrantët që arrijnë në Itali ose që shpëtohen nga grupet humanitare nuk do të mbahen në Shqipëri. Qendrat pritet të presin emigrantë në pranverën e vitit 2024.

Një nga qendrat do të pres  emigrantët që do të sillen në Shqipëri nga autoritetet italiane. Pasi të përfundojnë procedurat bazë të identifikimit, shumica e emigrantëve do të aplikojnë për azil dhe do të zhvendosen në kampin e dytë, i cili do t’i strehojë azilkërkuesit që presin shqyrtimin e kërkesave të tyre. Çka do të ndodhë me personat e ndaluar që nuk kualifikohen për azil mbetet ende e paqartë. Personeli italian do të jetë përgjegjës për përpunimin e aplikimeve dhe autoritetet shqiptare do të jenë përgjegjëse për sigurinë në hapësirën jashtë qendrave dhe mbikëqyrjen. Kjo marrëveshje shënon herën e parë që një shtet anëtar i BE do t’i kryejë procedurat e azilit në një shtet kandidat për të hyrë në BE.

Kjo marrëveshje shënon herën e parë që një anëtar i BE do t’i kryejë procedurat e azilit në një vend kandidat për në BE.

Marrëveshja u kritikua nga disa grupe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut menjëherë pasi u bë publike. Sipas Amnesty International, marrëveshja shkel parimin e moskthimit, një parim thelbësor i ligjit të BE për azilin. Kthimi (refoulement)  nënkupton dërgimin me forcë të dikujt në një vend ku ata janë në rrezik të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut. Duke qenë se ligji i BE për azilin nuk mund të zbatohet jashtë BE, transferimi i azilkërkuesve në një vend të tretë është i pafuqishëm, i paligjshëm dhe cenon ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE. Për më tepër, opozita parlamentare në Shqipëri ka vënë në pikëpyetje nëse marrëveshja është në përputhje me kushtetutën shqiptare.

Sipas detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për moskthim, individët që kapen në det nga autoritetet italiane janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të transferohen me forcë në një vend tjetër përpara se të zgjidhen kërkesat e tyre për azil. Edhe pse Meloni u zotua se njerëzit në mbajtje do të mbeten nën juridiksionin italian nëse transferohen në Shqipëri, ekspertët/et e emigrimit kanë ngritur shqetësime për mundësinë që marrëveshja ta anashkalojë ligjin kombëtar, ndërkombëtar dhe të BE, duke qenë se zbatimi i ligjit evropian përtej kufijve të BE nuk është i mundur. Por më e rëndësishmja, a është Shqipëria gati për të pritur emigrantë/e dhe azilkërkues/e?

​Termat "refugjat", "azilkërkues" dhe "migrant"

​Termat "refugjat", "azilkërkues" dhe "migrant" nganjëherë përdoren në mënyrë të ndërsjellë, gjë që s’duhet të ndodhë, pasi të gjitha kanë kuptime të ndryshme.

- Refugjat është një person që ka ikur nga vendi i tij për shkak të luftës, dhunës ose persekutimit, siç përcaktohet nga Konventa e OKB për Refugjatët e vitit 1951 dhe Protokolli i vitit 1967. Përkufizimi është zgjeruar në kontekste specifike rajonale në Afrikë (Konventa e OAU 1969) dhe Amerikën Latine (Deklarata e Kartagjenës mbi Refugjatët e 1984).
- Azilkërkues është një person që është larguar nga vendi i tij dhe kërkon mbrojtje ndërkombëtare, por që ende nuk është njohur ligjërisht si refugjat dhe është në pritje të një vendimi për kërkesën e tij për azil.
- Nuk ka një përkufizim ligjor të pranuar ndërkombëtarisht për migrantin. Termi u referohet individëve jashtë vendit të tyre të origjinës, të cilët nuk janë azilkërkues ose refugjatë.
- Njerëzit në lëvizje është një term gjithëpërfshirës që synon t’i shkurtojë përkufizimet kufizuese ligjore dhe të theksojë nevojën themelore për të mbrojtur të drejtat e njerëzve në tranzit, pavarësisht nga kategoria ligjore në të cilën mund të bëjnë pjesë.

Autoritetet shqiptare dhe dhuna kufitare

Dërgimi i azilkërkuesve në Shqipëri, një shtet me korrupsion endemik në sistemin e vet të drejtësisë, me zbatim të dobët të ligjit dhe i njohur për praninë e grupeve të trafikimit, shton dyshimet lidhur me gjasat për respektimin e masave mbrojtëse. “Raporti i Trafikimit të Njerëzve për vitin 2022: Shqipëri” i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se Shqipëria “nuk arrin t’i përmbushë standardet minimale për eliminimin e trafikimit”. Popullatat e cenueshme si njerëzit në lëvizje që kalojnë nëpër Shqipëri mbeten në mënyrë disproporcionale të ekspozuara ndaj trafikimit, shfrytëzimit dhe punës së detyruar.

Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare (RrMDhK), një grup organizatash jo-qeveritare (OJQ) që monitorojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në kufijtë e jashtëm të BE, ka regjistruar raste të shumta të personelit shqiptar dhe të Frontex (Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare) duke ushtruar dhunë ndaj njerëzve në lëvizje, që kanë qenë duke kaluar ilegalisht në Shqipëri. Në maj të vitit 2020, një grup prej tetë individësh nga Algjeria, Egjipti dhe Maroku u kërcënuan me armë nga autoritetet vendore dhe u shtynë të ktheheshin në Greqi. Njëri nga të intervistuarit nga grupi kujton se njëri nga policët e paralajmëroi: Herën tjetër nëse vrapon, mund të gjuajmë me armë drejt jush; nëse të themi ‘ndal’, ti ndalesh”.

Histori të tjera të abuzimit dhe keqtrajtimit shpërfaqin praktikat e dhunshme të Policisë Kufitare dhe Migracionit Shqiptar, që përfshijnë rrahjen e njerëzve me shkopinj të metalit dhe konfiskimin e gjësendeve personale. Sipas dëshmive të regjistruara në vitin 2021, një burrë algjerian u kap gjatë një bastisjeje të policisë shqiptare në një hotel në Durrës, një vend strehimi jozyrtar, i njohur në mesin e njerëzve në lëvizje që kalojnë tranzit nëpër Shqipëri si vend i lirë për akomodim. “Kur po e rrihnin, ata thanë: ‘Jemi policia shqiptare, mirë, apo jo?’, dhe e rrahën, “ta merr mendja se policia shqiptare është e mirë, apo jo!?’ dhe vazhduan rrahjen”, kujton ai. Pas bastisjes ai dhe rreth 40 të tjerë janë transferuar në stacionin policor. Disa u liruan vetëm pasi kishin lënduar veten.

Në një tjetër keqtrajtim të regjistruar, një 19-vjeçar me paterica, për shkak të këmbës së thyer u shty prapa nga autoritetet kufitare shqiptare pavarësisht paaftësisë së tij. Dëshmi të ndryshme të mbledhura nga RrMDhK, referojnë vdekjen e tre burrave marokenë, që tentuan t’i kalonin malet shqiptare rreth shkurtit të vitit 2021. Autoritetet shqiptare ende nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë publike lidhur me këto vdekje.

Kjo dhunë e përhapur shtetërore ilustron dobësinë e strukturave shqiptare në trajtimin e njerëzve në lëvizje pa i privuar ata nga të drejtat e tyre themelore të njeriut. Prandaj, kontraktimi i infrastrukturës për kontrollim migracioni në një vend me histori të dobët të zbatimit të ligjit si Shqipëria, vë në rrezik jetën e azilkërkuesve.

Diplomacia e imigrimit dhe bartja e menaxhimit të imigrimit

Menaxhimi i migrimit është bërë pikë qendrore në bisedimet e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në librin e tij të fundit “White Enclosures: Racial Capitalism and Coloniality Along the Balkan Route” (shq. Rrethojat e bardha: Kapitalizmi racor dhe kolonialiteti përgjatë rrugës ballkanike), studiuesi Piro Rexhepi shqyrton në mënyrë kritike ndërmarrjen në rritje të sigurisë kufitare së BE dhe prirjen për ngritjen e kampeve burgosëse për emigrantët përgjatë rrugës ballkanike. “Marrëveshjet e fundit të ‘ndërhyrjes së shpejtë kufitare’ me vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE, kanë kërkuar ta negociojnë lirinë e tyre të lëvizjes brenda BE, në kurriz të kontrollit të lëvizjes së emigrantëve përgjatë rrugës ballkanike”, argumenton Rexhepi.

Nën vëzhgimin e Frontex, Shqipëria pritet ta forcojë menaxhimin e kufirit dhe t’i luftojë në mënyrë aktive kalimet ilegale kufitare. Në vitin 2019, Shqipëria u bë vendi i parë jashtë BE që priti një operacion të përbashkët të Frontex në kufijtë e saj.

Ekziston një prirje shqetësuese botërore e ndalimit të imigrimit në det të hapur. Vendet perëndimore përdorin gjithnjë e më shumë eksternizimin e kufijve për t’i parandaluar njerëzit në lëvizje t’i arrijnë juridiksionet e tyre ligjore. Transferimi dhe ndalimi i azilkërkuesve nëpërmjet marrëveshjeve të vendeve të treta të sigurta është praktikë shqetësuese që rrezikon t’i bllokojë individët e vendosur në kampe mbajtjeje në harresë, pa status të përhershëm ligjor dhe në pamundësi për t’u kthyer në shtëpi.

Gjithnjë e më shumë, vendet perëndimore përdorin eksternizimin e kufijve për të parandaluar njerëzit në lëvizje të arrijnë juridiksionet e tyre ligjore.

Personat që ikin nga lufta ose nga mjediset e vështira ekonomike teksa marrin udhëtime të rrezikshme për të arritur në Evropë, nuk duhet të trajtohen si çështje të rregullimit administrativ. As politikanët si Rama nuk duhet ta pranojnë rolin e rojës kufitare të BE dhe nuk duhet t’i instrumentalizojnë azilkërkuesit për të fituar pikë tek komuniteti ndërkombëtar, edhe në qoftë se marrëveshja përfundimisht shpallet kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe ratifikohet në parlament. Linjat ajrore, qendrat e paraburgimit të imigrimit dhe kompanitë e tjera private, pjesë e industrisë së sigurisë kufitare duhet të ndalojnë së trajtuari njerëzit në lëvizje si mallra të tregtueshme për përfitimin e tyre. Si shtet nënshkrues i Konventës së OKB për Refugjatët, Italia duhet ta respektojë parimin e moskthimit dhe t’i mbrojë ata që duan të arrijnë në brigjet e saj.

Imazhi ballinës: K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.