Në thelb | Politika

Vetëvendosja është rrugës për fitore të thellë

Nga , - 15.02.2021

Thyhen një varg rekordesh ndërsa paralajmërohet një epokë e re politike në Kosovë.

Vetëvendosja (VV) duket se është në rrugën e duhur për të shënuar fitore të fortë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të përgjithshme të së dielës.

Pas numërimit të 99% të fletëvotimeve të rregullta, partia e Albin Kurtit ka siguruar pothuajse 48% të votave — më shumë se cilado parti në historinë e Kosovës së pasluftës.

Në një cikël zgjedhjesh të afishuar nga VV-ja si referendum për të ardhmen e Kosovës, qytetarët janë përgjigjur në numër të madh për t’i dhënë kësaj partie një fitore të plotë. Deri në orët e para të mëngjesit, VV-ja kishte shënuar rekord më të madh të përkrahjes se secila parti në historinë e zgjedhjeve të Kosovës, duke i tejkaluar 359,851 votat e marra nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës në vitin 2001.

Partitë e tjera të mëdha pranuan humbjen shpejt pasi panë zvogëlimin dërrmues të përqindjes së votave të marra. 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në veçanti pësoi kolaps në përqindjen e votave; me përkrahje prej vetëm 13%, kjo shënon rezultatin më të keq në historinë e kësaj partie, ndërsa rezultatet preliminare tregojnë se LDK-ja nuk prin në asnjë komunë të vendit për nga përqindja e votave.

LDK-ja vjet ka qenë objekt i kritikave të rënda pasi në vlug të pandemisë rrëzoi koalicionin qeverisës që kishin lidhur së bashku me VV-në.

Të hënën, lideri i partisë Isa Mustafa, i cili ka udhëhequr LDK-në nga viti 2010 dhe ka qenë anëtar qysh prej viteve të 90-ta, paraqiti dorëheqjen.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të dalë e dyta, megjithëse përqindja e tanishme e votave prej 17% po ashtu përfaqëson rezultatin më të keq deri tash për këtë parti.

Meqenëse ngjan se Nisma nuk do ta kalojë pragun prej 5% për të siguruar ulëse në Kuvend, e vetmja parti tjetër shqiptare që ka gjasë të përfaqësohet në legjislativ është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), paçka se përqindja e votave prej 7% është po ashtu më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara.

Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, sërish ka dominuar votën ndër subjektet serbe të vendit, ndërsa një nismë e re qytetare Romani Iniciyativa ka siguruar më shumë përkrahje sesa të gjitha subjektet rome së bashku.

VV-ja pritet ta thellojë fitoren më tej në ditët në vazhdim pas numërimit të votave të dërguara me postë nga pjesëtarët e diasporës.

Pasi votoi, udhëheqësi i VV-së Albin Kurti u tha gazetarëve se “qytetarët kanë nevojë për demokraci dhe institucionet për legjitimitet”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Fletëvotimet postare numërohen ndaras nga votat e drejtpërdrejta, ndërsa përfaqësuesit e diasporës kanë paralajmëruar se ky proces mund të zgjasë deri në 10 ditë për shkak të regjistrimit rekord të votuesve nga diaspora sivjet; sipas Germin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 43,447 zarfe me postë deri në afatin e fundit më 12 shkurt, ndërsa secili zarf mund të parmbajë më shumë se një fletëvotim.

Udhëheqësi i VV-së Albin Kurti ka thënë në të kaluarën se dëshiron ta fitojë një shumicë të përgjithshme deputetësh në Kuvend dhe se nuk dëshiron të qeverisë si pjesë e një koalicioni; Presidentja në detyrë Vjosa Osmani — e cila iu bashkua VV-së me listën e saj pasi ishte në krye të listës së LDK-së në vitin 2019 — po ashtu do ta vëzhgojë me vëmendje shpërndarjen e ulëseve meqë ka shprehur vullnetin për ta marrë mandatin e plotë të Presidentes nga deputetët.

Shpërndarja përfundimtare e ulëseve të Kuvendit do të bëhet pas numërimit dhe certifikimit të të gjitha votave nga KQZ-ja, gjë që vjen pas apeleve dhe kontesteve të mundshme ligjore. Në vitet e kaluara, ky proces ka zgjatur disa javë.

Shumë qytetarë të moshuar dhe të tillë me aftësi të kufizuara kanë kapërcyer nëpër infrastrukturë të papërshtatshme krahas temperaturave të acarta për ta dhënë votën. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Dalja në zgjedhje prej 47% ishte po ashtu më e larta në ndonjë zgjedhje që nga viti 2004, paçka se qytetarëve u është dashur të shkojnë në vendvotime nëpër borë, ngricë dhe kufizimet e COVID-19.

Dalja është rritur mjaft në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit — madje në tri prej tyre është më e lartë se 80%. Ka pasur raportime mediatike për parregullsi zgjedhore në këto zona, por ato nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga mbikëqyrësit e zgjedhjeve.

‘Assesi mandat për hakmarrje’

Pak kohë pasi rezultatet e para të projektuara u publikuan nga mediume të ndryshme me mbylljen e qendrave të votimit në orën 7 të mbrëmjes shpërthyen fishekzjarret në Prishtinë, ndërsa mbështetës të VV-së filluan të mblidheshin për të festuar në disa qendra të qyteteve anekënd vendit.

Me përditësimin e rezultateve dhe qartësimin e kahjes së këtyre zgjedhjeve, rrugët e kryeqytetit kumbonin nga zëri i sirenave të veturave dhe brohoritjet për VV-në ndërsa njerëzit bënin xhiro nëpër qytet për ta shprehur mbështetjen e tyre.

Pak para mesnatës, Kurti dhe Osmani mbajtën një konferencë për shtyp në mjedis të hapur ku lexuan fjalimet e fitores para dhjetëra aktivistësh dhe gazetarësh dhe i ftuan njerëzit të festojnë në shtëpitë e tyre.

“Jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që e kemi si rezultat i besimit të madh që na e keni dhënë, por besimi juaj po ashtu do të jetë udhërrëfyesi unë në këtë rrugëtim”, ka thënë Osmani. “Përgjegjësia që na e keni mveshur është po ashtu një nder i madh sepse së bashku po vijojmë punën në zhvillimin e demokracisë që punuam kaq fort për ta ndërtuar”.

Ndonëse ka qenë shpesh cak i sulmeve personale nga kundërstarët politikë — sidomos nga pjesëtarët e partisë së saj të kaluar — Osmani është paraqitur me ton pajtues.

“Ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandat i kthimit prapa”, ka thënë ajo. “Ky është kapitull i punëve që do të kryhen; është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët, kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm e pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësinë e punojmë me zell të madh për barazinë”.

“Secili nga ne duhet ta marrë përgjegjësinë që na takon që ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë."

Albin Kurti, udhëheqës i VV-së

Kurti, i cili po ashtu u është nënshtruar sulmeve personale përgjatë viteve, ka shprehur sentimentin se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm” dhe ka falënderuar kundërshtarët politikë për një garë të drejtë: “Ju uroj reformë të suksesshme sepse demokracia jonë ka nevojë për demokraci të mirëfilltë që e mban në kontroll pushtetin”.

Me tej, ai ka dhënë falënderime për grupet kyçe që kanë ndihmuar për ta siguruar një fitore kaq të thellë dhe ka shtuar se është përgjegjësi e secilit individ të punojë për ta shndërruar Kosovën në vend më të mirë për të gjithë.

“Secili nga ne duhet ta marrë përgjegjësinë që na takon që ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë”, ka thënë ai. “Në veçanti nuk do të fitonim pa gratë, rininë dhe mërgatën, prandaj sonte kanë fituar gratë, rinia dhe mërgata”.

Llogaridhënie dhe reflektim

Kryeministri në detyrë dhe kandidati kryeministror i LDK-së Avdullah Hoti ka pranuar humbjen të dielën mbrëma duke thënë se merr “përgjegjësi të plotë” për rezultatin e zgjedhjeve dhe se do të diskutojë për hapat e ardhshëm me partinë e tij. Ai po ashtu ka theksuar se LDK-ja do t’i mbrojë “interesat e vendit si opozitë konstruktive”.

Pas nxjerrjes së deklaratave nga politikanë brenda partisë që kërkonin reflektim dhe llogaridhënie nga “garda e vjetër” e LDK-së, Mustafa lajmëroi përmes medias pasditen e së hënës se do të japë dorëheqje dhe se ka thirrur mbledhjen sa më të shpejtë të kuvendit të partisë për zgjedhje të brendshme partiake. Mustafa do të vazhdojë ta mbajë formalisht këtë rol deri në emërimin e pasardhësit të tij, por ka thënë se praktikisht do të tërhiqet menjëherë.

Duke folur pas Mustafës, anëtari i kryesisë së LDK-së Lutfi Haziri ka thënë se e tërë kryesia 23-anëtarëshe është “në dorëheqje”.

Kryetari në detyrë i PDK-së dhe kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj ka përgëzuar VV-në për fitorën të dielën dhe ka thënë se vullneti i votuesve duhet të respektohet. Hoxhaj ka mohuar mundësinë e formimit të një koalicioni me VV-në për shkak të mospërputhjes së vlerave dhe orientimeve politike.

“Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë”, ka thënë ai.

Reagimet ndërkombëtare gjithashtu kanë filluar mëngjesin e së hënës.

Ato nga figurat e BE-së janë përqendruar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, një çështje që politikanët — përfshirë ata të listës fitimtare — e kanë përmendur pak në prag të zgjedhjeve të së dielës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë Josep Borrell ka shkruar në Twitter se BE-ja u gëzohet hapave të radhës për formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re, si dhe përcaktimit të presidentit të ri pas zgjedhjeve. Duke përmendur mbështetjen e vazhdueshme drejt “shtegut evropian”, ai ka thënë se duhen reformat dhe se pret që “autoritetet e reja të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Dialogu po ashtu është theksuar nga Miroslav Lajčák, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, i cili ka shkruar në Twitter se “i gëzohem bashkëpunimit me qeverinë e ardhshme dhe vazhdimit të Dialogut”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.