Pikëpamje | Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut dhe BE-ja

Nga - 04.08.2022

Vranët me mundësi për rreze dielli.

Më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti seancën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian (BE) krahas Shqipërisë. Ndryshe nga Shqipëria, e cila filloi zyrtarisht negociatat për anëtarësimin, Maqedonia e Veriut filloi vetëm procesin për të hyrë në negociata. I përshëndetur si moment historik nga Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, hapja e procesit të anëtarësimit erdhi pas një jave trazirash midis Maqedonisë së Veriut dhe vendit anëtar të BE-së, Bullgarisë. Për një moment, situata në Shkup u tensionua aq shumë saqë u ngritën dyshime nëse do të mund të fillonin negociatat për anëtarësim.

Pavarësisht fillimit (disi) të këtij procesi të merituar e shumëpritur, nuk e kam çelur ende shampanjën. Pse përmbushja e kësaj shprese të shumëpritur nuk më dha kënaqësinë që e prisja?

Kjo mbase është për shkak se vazhdimisht kemi pasur shpresa të mëdha vetëm e vetëm që të na shuhen në fund. Mësuam se procesi i zgjerimit shihet se ka ndryshuar viteve të fundit dhe tani mund të ndërpritet në çdo moment, me sa duket për çfarëdo arsye. Në të njëjtën kohë, ndjenja e të qenit jashtë BE-së nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt se tani.

Kjo ndjenjë është bërë më e fortë në Maqedoninë e Veriut muajt e fundit e veçanërisht në dy javët e fundit kur institucionet e vendit u përballën me propozimin francez për ta zgjidhur bllokimin këmbëngulës të Bullgarisë në rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE. Propozimi sugjeron ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, që shumë njerëz në vend e shohin si ndërhyrje e pavend e Bullgarisë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Dypalëshe apo shumëpalëshe?

Mosmarrëveshja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut na detyron të pyesim se me kë ka të bëjë Maqedonia e Veriut. Me BE-në? Bullgarinë? Francën?

Procesi i integrimit në BE tradicionalisht ka pasur të bëjë me një marrëdhënie të përqendruar te kushtëzimi mes vendit kandidat dhe BE-së, institucionit që përfaqëson shtetet anëtare. Megjithatë, që nga vetoja franceze e vitit 2019 për rrugën e Maqedonisë së Veriut në BE dhe ndryshimet pasuese të udhëhequra nga Franca në procesin e zgjerimit të BE-së, të pasuara nga vetoja bullgare, marrëdhënia e integrimit nuk është më aq e qartë; tani vetë shtetet anëtare mund t’i ngritin mosmarrëveshjet apo hezitimet e tyre të brendshme ose dypalëshe si pjesë e procesit të anëtarësimit.

Ujërat u turbulluan edhe më fort me pretendimet se shumë vende anëtare të BE-së nuk e kishin parë ose nuk ishin konsultuar për propozimin francez. Megjithatë, von der Leyen mbajti një fjalim më 14 korrik ku shprehu zhgënjimin e saj me veton bullgare dhe i kërkoi parlamentit të BE-së ta mbështesë propozimin dhe t’i hapë rrugën negociatave për anëtarësim.

Edhe pas nënshkrimit të protokollit dypalësh midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut më 17 korrik, Bullgaria ende mund ta bllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut nëse maqedonasit nuk e shtojnë përmendjen e pakicës bullgare në kushtetutën maqedonase. Një ndryshim i tillë kushtetues kërkon dy të tretat e shumicës parlamentare dhe partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut ka premtuar se do ta kundërshtojë këtë ndryshim.

Kjo telashe e re për t’u pranuar ka dëmtuar seriozisht legjitimitetin e procesit të integrimit në BE dhe do ta bëjë edhe më të vështirë arritjen e reformave të nevojshme, kurse Maqedonisë së Veriut do t’ia bëjë edhe më të vështira sakrificat.

Si mund të realizohen reformat e vështira kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të goditen veto pas vetoje? Në këtë pikë, vetot nuk duken më si veto të drejtuara ndaj vendit, por ndaj qytetarëve. Në fund të fundit, Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin dhe zbatoi standardet e reformës që kishte për t’i zbatuar. Çfarë duhet të bëjmë më shumë për të ardhur deri te tryeza e anëtarësimit? Kur do të jetë mjaftueshëm?

Këto pyetje kanë krijuar situatë politikisht polarizuese e të rrezikshme në Maqedoninë e Veriut. Teksa ndryshimi i emrit të vendit ishte diçka e zorshme për t’u gëlltitur, shumë progresistë besonin se ia vlente për aq kohë sa Maqedonia e Veriut do të mund të përparonte në rrugën e saj drejt BE-së dhe t’i normalizonte marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Çfarë e bën të ndryshëm debatin e brendshëm kësaj radhe është se edhe progresistët në vend ishin kundër propozimit francez. Ndonëse argumentet e tyre nuk janë të njëjta me ato të forcave nacionaliste, të cilat varen nga frika e humbjes së identitetit maqedonas, kritikët progresistë janë përqendruar tek çështja e paanësisë, si dhe mungesa e transparencës, në çekuilibrin e dukshëm të pushtetit ndërmjet dy vende, si dhe tek refuzimi i BE-së për të ofruar garanci për anëtarësimin.

Debati mes atyre që e mbështetën miratimin e propozimit dhe atyre që nuk e mbështesin është i tensionuar. Më 15 korrik, deputetët ofenduan njëri-tjetrin nga foltorja dhe sa herë partia në pushtet merrte fjalën, u duhej të bërtisnin si rrjedhojë e vuvuzelave të opozitës. Demokracia nuk duhet të duket kështu. 

Historitë politike

Mosmarrëveshja politike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ka marrë formë të re, pavarësisht “rrënjëve të lashta” të saj, siç thuhet. Gjithçka mbështetet tek kontestimi i historisë së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht mënyra se si ligjërohet në shkolla pushtimi bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, statusi i gjuhës maqedonase dhe çështja e pakicave bullgare në Maqedoninë e Veriut, gjë që deri vonë nuk ka qenë një problem.

Vetoja bullgare në rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE citoi specifikisht pretendimet e pabazuara për diskriminim ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe mungesën e progresit të komisionit të historisë, i cili supozohej t’i zgjidhte çështjet dypalëshe.

Maqedonasit janë përballur me veto edhe më herët. E para erdhi nga Greqia që u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2019, e cila bëri që Maqedonia ta ndryshojë emrin e saj në Maqedoni të Veriut. Më pas erdhi vetoja e Francës. Kjo është arsyeja që vetoja bullgare e vitit 2020, e treta brenda një periudhe të shkurtër, ishte posaçërisht e zorshme për t’u gëlltitur. Teksa vetoja greke ishte e pritshme, si rezultat i mosmarrëveshjes që e torturonte vendin që nga pavarësia e tij në fillim të viteve të ’90-ta, Bullgaria nuk dukej e gatshme ta bllokonte rrugën e maqedonasve për në BE.

Pavarësisht disa tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve për çështje të historisë dhe identitetit, Bullgaria në të kaluarën ka qenë mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Tani në vend të kësaj, po përpiqen t’i detyrojnë maqedonasit ta rishkruajnë historinë e tyre zyrtare.

Derisa Maqedonia e Veriut duhet ta rishikojë mënyrën se si ligjëron dhe hulumton historinë, kjo më tepër duhet të vijë si rezultat i reflektimeve dhe ndryshimeve të brendshme, sesa imponimeve nga jashtë. Ndonëse këta hapa janë ende në fillimet e tyre në Maqedoninë e Veriut, vendi ka bërë përparim mbresëlënës në mënyrën sesi e trajton të kaluarën e tij politikisht.

Për shembull, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit fillestar ndëretnik në vitin 2001 mes pakicës shqiptare të vendit dhe shumicës etnike maqedonase, u citua në preambulën e kushtetutës si shtyllë e shtet-ndërtimit kur u bënë ndryshimet pas Marrëveshjes së Prespës. Akademikët dhe historianët e rinj po kërkojnë po ashtu t’i ndryshojnë narrativat e së kaluarës ndonëse me hapa të ngadaltë, duke qenë se këto ndryshime nuk janë pasqyruar në përmbajtjet e teksteve shkollore.

Në vend që ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të ballafaqohet me të kaluarën e saj, kërkesat e Bullgarisë po çojnë në politikë regresive, pasi që kjo po i bën disa maqedonas të ndihen se identiteti dhe shteti i tyre janë nën kërcënim.

Narrativa nacionaliste rreth Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ndonjëherë merr ton shqetësues antishqiptar. Kjo u bë e qartë veçanërisht pas daljes në votim të propozimit, me ç’rast të gjithë përfaqësuesit shqiptarë votuan pro. Debati publik ka po ashtu efekt të kundër-produktiv për sa i përket adresimit të së kaluarës komuniste. Ndonëse njëfarë shkalle e jugo-nostalgjisë është e përhapur në Maqedoninë e Veriut, shumë grupe etnike, sociale dhe politike kanë vuajtur shumë nën sistemin jugosllav, vuajtje, e cila shpesh nuk njihet apo diskutohet publikisht.

Qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet t’i diskutojnë këto çështje, diskutim të cilin s’duhet të bëjnë me Bullgarinë, por me veten.

Përfshirja e BE-së në këto çështje të identitetit ka nënvlerësuar legjitimitetin e të gjithë procesit dhe rruga e re për anëtarësim ofron pak shpresë. Çfarë garanton që ndjenjat dhe politikat nacionaliste të mos e ndryshojnë rrjedhën e procesit përsëri e përsëri e përsëri? Ne, optimistët e BE-së, jemi të lodhur sepse pavarësisht qëndrimit të mëparshëm të BE-së se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë pjesë e procesit të negociatave, propozimi francez e zyrtarizoi pozicionin bullgar në kuadrin negociator për vendin, duke e vendosur kështu Maqedoninë e Veriut në një pozitë të pasigurt.

Diskutimi publik në Maqedoninë e Veriut përgjatë muajve të fundit është përqendruar kryesisht në debate për historinë, identitetin dhe tradhtinë, në vend të diskutimeve përmbajtjesore për sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat përballet vendi ynë. T’i thuash kësaj zhgënjyese është pak dhe BE-ja është kryesisht përgjegjëse.

Zhgënjimi i eurofilëve

Në këtë pikë, evropianizimi siç e njohim duket se po merr frymën e fundit. Nuk është se do të ndalojmë së aspiruari për t’u anëtarësuar në BE ose se anëtarësimi do ta humbasë fuqinë e tij transformuese, por tani është proces dukshëm ndryshe prej atij që vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Bullgaria, iu desh ta ndiqnin.

Ato që do të humbasin më shumë nga këto ndryshime janë qeveritë progresive. Qeveria e tanishme e Maqedonisë së Veriut, mbështetëse e vendosur e anëtarësimit në BE, tashmë mban mbi supe peshën e ndryshimit të emrit. Me kalimin e propozimit francez, do t’i duhet ta mbajë edhe barrën për të bërë çfarë shumë  qytetarë i shohin si koncesione të rënda ndaj Bullgarisë. Nëse përfundojnë duke humbur zgjedhjet e ardhshme ndaj partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, si rezultat, kjo do të sinjalizonte kthim të madh mbrapa në rrugën drejt BE-së.

Ndonëse fillimi i hapjes së negociatave për anëtarësim u sigurua, u festua pak, ndoshta kjo tregon se edhe qeveria është e shqetësuar se si rrodhën gjërat. Ndoshta e kam pasur një version pak si tepër të romantizuar të asaj se si do të dukej një hap përpara në rrugën e anëtarësimit. Pas 17 vitesh duke pritur në prag të derës, mendova se të paktën një psherëtimë lehtësimi kolektive do të justifikohej.

Por s’kishte asnjë psherëtimë kolektive. Në vend të kësaj, ndihemi të destabilizuar nga legjitimiteti dhe transparenca e zbehur e procesit të anëtarësimit në BE dhe të shqetësuar për ndërlikimet që kjo mund t’i ketë për Maqedoninë e Veriut dhe fqinjët e saj. Fakti që Maqedonia e Veriut edhe pas përmbushjes së të gjitha kushteve dhe ndryshimit të emrit, ende nuk ka një rrugë të qartë të anëtarësimit, nënkupton se reformat e tjera të vështira ose ndryshimet në rajon, siç është ajo që Serbia ta pranojë shtetësinë e Kosovës, mund të jenë edhe më të vështira për t’u arritur.

Në Maqedoninë e Veriut, jemi të detyruar ta ripohojmë vazhdimisht evropianizimin tonë, ndërkohë që jemi nën presion për marrëveshje, të cilat bien në kundërshtim me parimet evropiane të demokracisë dhe transparencës. Kjo krijoi një krizë identiteti për eurofilët në rajon dhe për këtë fajin e ka BE-ja. Shampanjës do t’i duhet të presë.

Imazhi i ballinës: Wikimedia via CC.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.