Pikëpamje | Diaspora

Pse një shqiptar/e do ta mbështeste Giorgia Melonin?

Nga - 13.10.2022

Myslimanët po festojnë për një islamofobe, emigrantët po festojnë për një ksenofobe.

Më 25 shtator 2022, italianët votuan dhe 26.3% të votave i fitoi partia Vëllezërit e Italisë e Giorgia Melonit. Një rezultat historik. Jo vetëm që ajo me gjasë do të jetë kryeministrja e parë grua e Italisë, por gjithashtu është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që një parti italiane me rrënjë në lëvizjen fashiste fitoi shumicën dhe do ta ketë mandatin për ta formuar qeverinë.

Kur u publikuan rezultatet e votimeve, në rrjetet sociale fillova të shoh disa postime nga diaspora shqiptare në Itali dhe nga disa personalitete të shquara myslimane në Kosovë që festonin fitoren e saj. Si një shqiptar nga Kosova, që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Itali, isha i hutuar.

Pse një mysliman në Kosovë, që mendohet të jetë i ndjeshëm ndaj shovinizmit evropian ndaj Islamit, do të festonte për një politikane që flirton kaq hapur me islamofobinë?

Pse një shqiptar në Itali, shumica prej të cilëve përjetuan racizëm dhe ksenofobi ekstreme kur erdhën në vitet e ‘90-ta, tash do të festonte për një politikane që kundërshton emigrantët dhe dëshiron t’i bllokojë migrimet e ardhshme drejt Italisë?

Rastin e parë e kam pak më të lehtë për ta kuptuar. Nëse shikon përtej islamofobisë dhe shovinizmit etnik, botëkuptimi konservator i Melonit — që vë theksin në rëndësinë e familjeve, vlerave dhe identitetit “tradicional” — ndan shumë të përbashkëta me konservatorizmin e disa anëtarëve të komunitetit islam në Kosovë (dhe të tjerëve në Kosovë pa ndonjë fe të caktuar, për më tepër).

Pavarësisht ndryshimeve në dekadat e fundit, ideja klasike e familjes është ende qendrore në shoqërinë kosovare. Qëllimi i jetës? Të martohesh dhe të kesh fëmijë (dhe le të jetë djalë, fëmijët meshkuj ende shihen si bekim shumë më i madh se vajzat, aq sa abortet selektive në bazë të gjinisë nuk janë të panjohura në Kosovë).

Idetë patriarkale për role të ndara shoqërore për burrat dhe gratë ende mbizotërojnë. Burrat supozohet se janë vendimmarrës të natyrshëm, e mbajnë familjen, të vetmit që marrin rol në jetën publike (apo thjesht rrinë nëpër kafene). Gratë, ndërkaq, duhet të kujdesen — më mirë të kenë fëmijë, të gatuajnë dhe të përqendrohen në çështjet e shtëpisë. Sigurisht, ky ideal i supozuar shumë shpesh është mbulesë për t’ua grabitur grave të drejtën e tyre pronësore dhe për t’i trajtuar si shërbëtore pa pagesë.

Ndonëse ka shumë njerëz jofetarë apo që e praktikojnë pak fenë që jetojnë sipas këtyre kodeve patriarkale, duket se sa më i etur të jetë dikush ta pohojë veten si autoritet fetar në Kosovë, aq më shumë ka gjasa që të veprojë sipas këtyre parimeve, parime këto që përshtaten mirë me elementet kryesore të politikës së Melonit, të cilat theksojnë pikërisht këto ide për familjet “natyrale” dhe “tradicionale”.

Pse një mysliman në Kosovë do të festonte për një politikane që flirton kaq hapur me islamofobinë?

Diçka specifike që duket se i tërheq disa kosovarë në anën e Melonit është mbrojtja që ajo i bën “traditës” dhe mënyra se si e paraqet veten dhe vlerat e saj si gjoja viktimë e asaj që ajo e quan “fushata LGBT”. Mostoleranca ndaj njerëzve LGBTQ+ që janë të pranishëm dhe të zëshëm në sferën publike është diçka për të cilën Meloni dhe myslimanët konservatorë në Kosovë pajtohen plotësisht.

Por është vërtet mahnitëse që një mostolerancë e përbashkët ndaj njerëzve LGBTQ+ dhe fjalimet sipërfaqësore për familjen dhe identitetin të jenë të mjaftueshme për t’i bërë disa nga këta myslimanë kosovarë ta anashkalojnë qëndrimin e Melonit ndaj islamit. Ajo është cituar të ketë thënë se feja është “kundër lirive tona”. Në vitin 2016 ajo deklaroi se “të gjithë terroristët janë myslimanë” dhe gjatë fushatës së vitit 2018 ajo bëri thirrje “kundër islamizimit të Italisë”.

Dhe edhe më komik është fakti se, Meloni, një grua që kërkon kthimin te vlerat tradicionale të familjes, ka një vajzë me një burrë me të cilin nuk është martuar, akt ky që është i pranueshëm në shoqëri vetëm për shkak të ndryshimeve përparimtare ndaj të cilave ajo e paraqet veten si viktimë. Është e paqartë nëse njerëzit që i shpërndajnë me entuziazëm fjalimet e saj janë të vetëdijshëm për këtë.

Për diasporën shqiptare në Itali që përkrah fitoren e Melonit, gjërat janë pak më të ndërlikuara.

Një aspekt i kësaj mbështetjeje lidhet me historinë politike të Shqipërisë. Diktatura komuniste e Enver Hoxhës ende rëndon shumë në psikikën e kombit. Disa shqiptarë brenda apo jashtë vendit e shohin politikën e majtë si diçka gjithmonë të dëmshme dhe padrejtësisht e barazojnë me regjimin e Hoxhës. Për dikë që jeton në Itali dhe ka atë politikë dhe atë përvojë politike, Vëllezërit e Italisë së Melonit, që i ka rrënjët në anti-komunizmin ekstrem, do të dukej tërheqëse.

Por si mundet dikush që erdhi në Itali si emigrant, shpesh duke e rrezikuar jetën gjatë ndërrimeve të rrezikshme të varkave dhe duke jetuar për vite me radhë si shënjestër e racistëve, si dhe duke u trajtuar si burimi kryesor i problemeve të vendit, t’i harrojë të gjitha këto dhe ta mbështesë dikë që karrierën e saj si politikane e ka ndërtuar mbi një ksenofobi të zëshme?

Shumica e shqiptarëve erdhën në Itali me xhepa bosh, duke iu ikur kushteve që përkeqësoheshin në Shqipëri dhe Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta. Në të gjithë Italinë, burrat paragjykoheshin si përdhunues apo hajdutë, ndërsa gratë si prostituta. Kushte të tilla detyrimisht krijojnë komplekse inferioriteti.

Rezultatet e vazhdueshme të këtyre komplekseve të inferioritetit mund t’i shohësh edhe sot, në mesin e shumë shqiptarëve në Itali, veçanërisht gjatë përpjekjes për t’u integruar dhe asimiluar plotësisht, duke i braktisur shenjat e shqiptarësisë. Këtë e sheh në mënyrën se si disa pranojnë ta kenë një emër italian, për ta shmangur diskriminimin në punë, apo edhe për disa të tjerë, gjetja e një partneri/eje italian/e shihet si formë për përmirësimin e statusit të tyre social.

Pas disa vitesh së jetuari në Itali, lloji i shqiptarit që feston fitoren e Melonit e sheh një mundësi të hapur. Që nga koha kur kanë ardhur, ka pasur rritje të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika ndaj të cilëve Meloni dhe mbështetësit e saj shfaqin armiqësi edhe më të madhe se sa ndaj emigrantëve shqiptarë. Në vend që përvojën shpesh nënçmuese të emigrimit ta marrin si mësim për t’u solidarizuar me të tjerët, që përballen me diskriminim apo poshtërim, shqiptarët në Itali që mbështesin Melonin këtë herë e kanë shansin të rreshtohen me palën dominuese, për t’u pozicionuar më mirë se emigrantët e të sotmes.

E gjithë kjo situatë ma kujton një skeç të humoristit turko-gjerman Kaya Yanar, ku ai e tregon një ankesë të babait të tij, i cili ishte shpërngulur në Gjermani 40 vite më parë:

“‘Ka shumë turq në Gjermani’.

Baba, çka dëshiron të thuash? Edhe ti turk je!

“Jam tjetër lloj turku”.

Pas dekadash pune fizike, nëpër punë shpesh të papaguara, me gjithë përpjekjet për ta mësuar një gjuhë të re dhe për t’iu përshtatur një kulture të re, a ka një mënyrë më të mirë për ta pohuar se je në shtëpinë tënde në vendin tënd të ri, se sa t’i refuzosh të ardhurit njëlloj si të refuzuan ty kur erdhe si i ardhur? Mjerisht, disa bashkëqytetarë të mi shqiptarë në Itali kanë vendosur se kjo është mënyra më e mirë për t’u bërë italian/e i/e vërtetë.

S’kemi shifra rreth përkrahjes apo ndjenjave të mbështetjes së shqiptarëve ndaj Melonit. Postimet që i pashë u shpërndanë nga individë dhe këta individë nuk përfaqësojnë një komunitet të tërë. Por mesazhet në postime përfaqësojnë ide të dëmshme që gjejnë strehim mes disave në komunitet — rikujtim i trishtë i mungesës së solidaritetit. Ata që kanë qenë shënjestër e islamofobisë apo ksenofobisë do të ishte më mirë ta rikujtonin atë dhe të mos rreshtoheshin në krahun e dorasit.

Feature image: K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.