Pikëpamje | BE

Çmimi i lartë i anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut

Nga - 23.06.2021

 Pas lëshimeve maqedonase ndaj Greqisë, Bullgaria gjithashtu kërkon të qërojë hesape.

Hyrja e vonuar e maqedonasve në Bashkimin Evropian (BE) i ngjan një sage të pafund, përbyllja e së cilës duket se bëhet më e largët me kalimin e kohës.

Maqedonia e Veriut mori statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE që në vitin 2005, por deri më sot, problemet politike të fqinjëve kanë bllokuar rrugën e saj përpara. E gjitha nisi nga një mosmarrëveshje me Greqinë rreth emrit të vendit, e cila u zgjidh me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në qershor të vitit 2018, duke vazhduar me mosmarrëveshjen e tanishme me Bullgarinë në lidhje me pretendime historike, gjuhën maqedonase dhe dyshimin se qytetarët bullgarë diskriminohen në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve bullgare në prill të vitit 2021, autoritetet vendosën ta bllokonin fillimin e negociatave të Maqedonisë për anëtarësim në BE. Për arritjen e këtij qëllimi u përdorën lobimi dhe sulmet diplomatike ngado e tekdo.

Kur Franca bllokoi rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së në negociatat e kaluara, autoritetet maqedonase mësuan se nuk ishte e mjaftueshme thjesht përmbushja e obligimeve të tyre, kështu që varën shpresën te mbështetja gjermane. Sidoqoftë, kjo ende nuk ka treguar rezultat.

Pa ndryshime pas zgjedhjeve 

Publiku maqedonas përcolli me vëmendje zgjedhjet parlamentare në Bullgari, duke shpresuar se do të vijë një qeveri e përbërë nga politikanë më të arsyeshëm të cilët do të mund ta heqin veton. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe maqedonasit sërish janë në mëshirë të Bullgarisë.

Partia e qendrës së djathtë GERB sërish fitoi zgjedhjet. Sidoqoftë, këtë herë fituan vetëm 24.2% të votave, që do të thotë se e kanë pasur të vështirë formimin e qeverisë. Kompromisi i arritur solli një qeveri të re teknike që do ta ketë pushtetin deri në zgjedhjet e ardhshme.

Pyetja maqedonase ishte thjesht manovër për të siguruar pikë politike në prag të zgjedhjeve dhe jo problem real i qytetarëve të Bullgarisë.

Një zhvillim që vlen të përmendet është fakti se partia nacionaliste VMRO nuk do të kthehet në kuvendin bullgar; kjo ishte partia që kryesisht prodhonte retorikë nacionaliste dhe antimaqedonase. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se politikat kundrejt Maqedonisë së Veriut do të ndryshojnë.

Në anën tjetër, analizimi i fushatës dhe matematikës paszgjedhore tregon qartë se e ashtuquajtura pyetje maqedonase ishte thjesht manovër për të siguruar pikë politike në prag të zgjedhjeve dhe jo problem real i qytetarëve të Bullgarisë.

Si mund të jetë kjo një çështje që i preokupon qytetarët, kur Bullgaria është vendi me shkallën më të lartë të korrupsionit dhe migrimit në mesin e shteteve anëtare të BE-së? Qytetarët bullgarë kanë probleme më të rëndësishme në jetët e tyre sesa të brengosen nëse gjuha maqedonase rrjedh nga bullgarishtja, ose nëse revolucionari Goce Delčev ishte maqedonas ose bullgar. Megjithatë, kjo është ajo për të cilën politikanët duan të flasin.   

Situata e pashmangshme e Portugalisë

Portugalia, e cila është në krye të BE-së, ka trashëguar çështjen e vetos në negociatat e ardhshme. Maqedonasit patën shpresa të mëdha se diçka do të ndryshonte pas Samitit të BE-së më 22 qershor, por vetoja nuk u largua.

Para samitit, Portugalia dha disa propozime, megjithëse ato u refuzuan prerazi nga Bullgaria. Sugjerimi themelor ishte largimi i kërkesave të Bullgarisë nga korniza negociuese dhe vendosja e tyre si pjesë e Procesit të Stabilizim Asociimit.

Bullgaria kundërshtoi pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj në Komisionin për Histori i cili u themelua në vitin 2018 përmes Marrëveshjes për Bashkëpunim të Mirë Fqinjësor. Qëllimi i komisionit ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve në lidhje me pretendimet historike kontradiktore. Bullgaria gjithashtu kërkon të njihet që gjuha maqedonase ka rrënjë bullgare, gjë që është e papranueshme për maqedonasit, si dhe e pabazuar.  

Problem shtesë përbën fakti se qeveria e kaluar e Bullgarisë ka miratuar një deklaratë në kuvend që përfshin të gjitha kërkesat e tyre për Maqedoninë e Veriut dhe e cila është baza e bllokimit. Është vështirë të imagjinohet se qeveria e ardhshme do ta neglizhojë këtë deklaratë në mënyrë që të vazhdohet tutje me negociatat për intergrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Si gjithmonë, interesat e brendshme politike kanë përparësi ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Sugjerimi i Portugalisë mund të shërbejë si mjet për negociim, një sërë hapash rritës dalin nga Marrëveshja për Bashkëpunim të Mirë Fqinjësor, të cilën dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017. Ky proces, që do të përfshinte kontributin nga përfaqësuesit maqedonas, sërish doli të jetë i vështirë pasi maqedonasit refuzojnë të vendosin gjuhën, kombin dhe historinë si çështje për negociim. Pikërisht këto pika janë qendrore në deklaratën e Bullgarisë.

Si gjithmonë, interesat e brendshme politike kanë përparësi ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Një ngjarje e papritur ndodhi javën e kaluar kur Kryeministri Zoran Zaev vizitoi presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili e mbështeti fillimin e negociatave dhe gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen maqedonase-bullgare. Ky përbën një ndryshim të qëndrimit refuzues që Franca kishte për zgjerimin e BE-së dy vite më parë, një vendim që shkaktoi shok në mesin e publikut, pasi pala maqedonase kishte plotësuar pjesën më të madhe të kushteve për fillimin e negociatave për anëtarësim, dhe sërish negociatat nuk u zhvilluan.  

Kryeministri Zoran Zaev së fundi ka vizituar Sofjen, ku u takua me ish-kryeministrin Bojko Borisov, presidentin Rumen Radev, kryeministrin e përkohshëm Stefan Janev, dhe me Kornelija Ninova-n, e cila është kryetare e Partisë Socialiste Bullgare – parti simotër me Lidhjen Socialdemokrate të udhëhequr nga Zaev-i. Sidoqoftë, mikpritësit bullgarë ishin të palëkundur në qëndrimet e tyre, posaçërisht Ninova, se interesat shtetërore janë mbi çdo gjë tjetër dhe se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre.    

Ish-kryeministri Borisov theksoi faktin se nuk është më në pushtet dhe se nuk ka mandat politik, duke përmendur se qeveria teknike bullgare e ka të drejtën dhe përgjegjësinë të negociojë dhe të marrë vendime, por që nuk dëshiron ta pranojë llogaridhënien politike. 

Si pjesë e këtyre vizitave, pala maqedonase paraqiti strukturën e udhërrëfyesit të tyre për negociata, me të cilin publiku maqedonas nuk është i njoftuar gjerësisht. Sipas mediave bullgare, të cilat i referohen burimeve të qeverisë, pala maqedonase ka sugjeruar formulimin se maqedonasit dhe bullgarët e flasin të njëjtën gjuhë e cila ndërkombëtarisht njihet si dy gjuhë të ndryshme. Kryeministri Zaev deklaroi se nëse merr mbështetje nga Bullgaria gjatë samitit, do të bëjë kompromis për mosmarrëveshjet që burojnë nga pikëpamjet e ndryshme mbi historinë.

Para vizitës së Zaevit në Bullgari, partia opozitare VMRO-DPMNE organizoi protesta në qytete nëpër gjithë Maqedoninë e Veriut kundër, siç thoshte, shitjes së identitetit maqedonas në negociatat me Bullgarinë. Gjykuar nga fakti se publiku maqedonas nuk është i njoftuar me sugjerimet e propozuara nga Zaevi për palën bullgare, mund të thuhet që mosbesimi ka themel.

Çfarë mund të presim?

Duke e pasur parasysh faktin se Bullgaria për një kohë të gjatë ka këmbëngulur në bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, nuk pritej që Samiti i BE-së i 22 qershorit të ndryshonte diçka.

Mbështetja deklarative është e pranishme por mungon presioni i vërtetë mbi Bullgarinë. Kjo lejon që interesatat e brendshme politike sërish të diktojnë politikën e zgjerimit të BE-së. Në anën tjetër, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, Zaev në vazhdimësi përsëriste se emri i vendit nuk do të ndryshonte, edhe pse me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, kjo në fakt ndodhi.  

Kryeministri Zaev disa herë ka deklaruar publikisht se nuk ekziston një alternativë tjetër pos BE-së për Maqedoninë e Veriut.

Aktivitetet e qeverisë maqedonase, deri në këtë pikë, nuk janë shpresëdhënëse se me dëshirën e madhe që ka për të hyrë në BE, mund të parandalojë ndryshimin e identitetit, gjuhës dhe historisë së vendit. Në rast se kjo ndodh, e gjithë historia maqedonase do të shlyhet, bashkë me përpjekjen antifashiste në Luftën e Dytë Botërore, një kohë kur Maqedonia ishte e pushtuar nga qeveria e Bullgarisë në aleancë me fashistët.

Kryeministri Zaev disa herë ka deklaruar publikisht se nuk ekziston një alternativë tjetër pos BE-së për Maqedoninë e Veriut. Por, si do të dukej shteti maqedonas nëse do të anëtarësohej në BE pa identitetin, gjuhën ose historinë e vet? Pyetja qenësore është nëse ia vlen anëtarësimi në BE në këmbim me vetëshkatërrimin e plotë.   

Imazhi i ballinës: zyra e BE-së në Maqedoni.

  • PËR AUTORIN/EN Sonja Stojadinović
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO