S`fundmi | Politika

Ramush Haradinaj merr postin e kryeministrit

Nga - 10.09.2017

Seancë e jashtëzakonshme pas zgjedhjes së qeverisë Haradinaj.

Sot (10 shtator) prej orës 12:00 ka filluar seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga partitë opozitare, VV, LDK dhe Alternativa, për të debatuar rreth “parimeve programore të Qeverisë së Kosovës 2017-2021”. Ndërsa deri tani në Kuvend nuk ka mbërritur asnjë deputet i koalicionit qeverisës. 

Dje, me 61 vota pro dhe një abstenim janë ato që e zgjodhën kreun e ri të Qeverisë, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kabinetin e tij në seancën parlamentare të mbajtur dje, më 9 shtator, e që zgjati rreth katër orë.

“Na priftë e mbara në punë”, ishte e vetmja fjali që kryeministri Haradinaj e tha para përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvend, e që në fakt ishin vetëm deputetët nga koalicioni PANA (Partia Demokratike e Kosovës, PDK; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK; Nisma; dhe Aleanca Kosova e Re, AKR) dhe nga partitë minoritare. Deputetët e opozitës nga Lëvizja Vetëvendosje, koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Alternativa, së bashku me deputetin tashmë të pavarur Korab Sejdiu, e lëshuan sallën kur kabineti i ri qeveritar u vu në votim.

Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër me 61 vota, një abstenim, dhe pa pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Qeveria e re e Kosovës u formua pas më shumë se dy muaj bllokadë në konstituimin e Kuvendit, pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, që nxorën koalicionin PAN (asokohe PDK, AAK, NISMA), si fituese të zgjedhjeve. Ky koalicion ishte i vetmi që mund të propozonte kandidatin për kryeparlamentar, pa zgjedhjen e të cilit nuk mund të konstituohej Kuvendi, dhe respektivisht nuk i hapej rruga edhe formimit të ekzekutivit.

Por PAN nuk e bëri nominimin e tij deri të enjten e kësaj jave, ngase i mungonin numrat për ta zgjedhur Kadri Veselin, liderin e PDK-së për kryetar Kuvendi. Këta numra PAN-i i siguroi vetëm pasi AKR-ja e Behgjet Pacollit lëshoi koalicionin me LDK-në dhe Alternativën për të ju bashkëngjitur PAN-it më 4 shtator.

Më 4 shtator u arrit marrëveshja ndërmjet AKR-së së Pacollit dhe PAN-it, që i garantoi PAN-it zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe hapi rrugën për votimin e Haradinajt për kryeministër. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përbërë nga 22 parti politike, kabineti i ri qeveritar i Haradinajt do të jetë më i madhi që Kosova të ketë pasur ndonjëhere. Ai do ketë pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra (prej të cilëve vetëm dy janë gra) dhe 50 zëvendësministra. Zëvëndëskryeministrat e tij janë: Behgjet Pacolli (AKR), Enver Hoxhaj (PDK), Fatmir Limaj (Nisma), Dalibor Jevtiq (Lista Serbe) dhe Dardan Gashi.

Por votimi për qeverinë e Haradinajt u bë i mundshëm dje vetëm pas katër orësh pritje të kthimit të Listës Serbe prej Beogradit, atje ku ky grup parlamentar i shumicës serbe në Parlament mbajti takim me *presidentin serb Aleksandar Vuciq.

Më 4 shtator u arrit marrëveshja ndërmjet AKR-së së Pacollit dhe PAN-it, që i garantoi PAN-it zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe hapi rrugën për votimin e Haradinajt për kryeministër. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Si rezultat, partitë opozitare kanë akuzuar koalicionin PAN që është i varur nga qeveria e Beogradit. I pyetur rreth kësaj gjatë konferencës së parë për media si kryeministër i vendit, Haradinaj tha: “Ne kemi marrë besimin e deputetëve në Kuvend, sipas Kushtetuës dhe do të shërbejmë sipas Kushtetutës”.

Haradinaj kishte shërbyer si kryeministër në vitin 2004-2005, në të ashtuquajturat “100 ditët”, mbase kishte dhënë dorëheqje për t’u dorëzuar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), për shkak të akuzave për krime lufte nga  Serbia. Më 3 prill, 2008, ai u lirua nga të gjitha akuzat. Në vitin 2010 me apel të prokurorisë ai u kthy në Hagë për rigjykim të pjesshëm, dhe në 29 nëtor 2012 u lirua për herë të dytë nga të gjitha akuzat. K

*Shënim i redaksisë: Ky artikull ka pësuar një ndryshim. Fillimisht, në artikull thuhej se Aleksandar Vuçiq është Kryeministër. Ai është President.

Kabineti qeveritar:

Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha (AAK)
Ministria e Infrastrukturës, Pal Lekaj (AAK)
Ministria e Financave, Bedri Hamza (PDK)
Ministria e Shëndetësisë, Uran Ismaili (PDK)
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi (PDK)
Ministria e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha (PDK)
Ministrja e Drejtësisë, Abelard Tahiri (PDK)
Ministria e Inovacion dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj (PDK)
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica (Nisma)
Ministria e Arsimit, Shyqeri Bytyqi (Nisma)
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë: Bajram Hasani (Nisma)
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka (AKR)
Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor,Albena Reshitaj (AKR)
Ministria e Diaspora dhe Investimeve, Dardan Gashi
Ministria për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq (Lista Serbe)
Ministria e Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq (Lista Serbe)
Ministria e Bujqësisë, Nenad Rikalo (Lista Serbe)
Ministria e Zhvillimit Rural, Rasim Demiri (Vakat)
Ministria e Administratës Publike, Mahir Jagxhillar (TDP)

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.