Pikëpamje | Pajtimi

Pajtimi nuk është cool

Nga - 03.03.2017

Procesi i pajtimit i cili filloi shumë herët në Kosovë, tani përqeshet si shakaja.

Shkrimi duhet të nisë kështu. Me këtë premisë. Premisë mjaft të përgjithësuar, të largët e të mjegullt, si vetë koncepti i pajtimit. Pajtimit ndërmjet popujve që i kanë shkaktuar njëri-tjetrit (njëri më shumë se tjetri) dhunë, vrasje, shkatërrim, dëbim, vuajtje të paharrueshme, tmerre…

Në hapësirat e ish-Jugosllavisë kanë ndodhur ndër gjakderdhjet më të kobshme në historinë e shekullit XX, mu në përfundim të mijëvjeçarit të dytë të matjes së civilizuar të kohës.

Nëse provojmë ta nxjerrim në pah fajtorin dhe të pafajshmin, dhunuesin dhe viktimën, nuk do të bëjmë më shumë seç kanë bërë historianët e politikanët përgjatë historisë, të cilët atë e kanë shkruar dhe intepretuar nga një këndvështrim i tyre. Nuk është se ky këndvështrim duhet kritikuar, por as nuk mund të konsiderojmë se këto narracione të pastërtisë sublime karshi të papastrit, të pafajësisë totale karshi fajtorit absolut i kanë sjellur ndonjë dobi super të madhe mirëqenies së gjithëmbarshme në nivel të vendit, e të mos flasim për nivelin rajonal.

Kosova, për fat të keq, gjithashtu ka qenë njëra prej vatrave të luftës së përgjakshme me të cilën edhe i është dhënë fund gjakderdhjes në ish-Jugosllavi. Pasojat kanë qenë të tmerrshme, me mbi 10,000 të vrarë, me qindra mijëra shtëpi të shkatërruara, me qindra mijëra persona të zhvendosur, me mbi 1,500 persona që ende konsiderohen të zhdukur…

(Dikush më pati thënë: Kosova ka kaluar shumë mirë me diku 15,000 të vramë. Këqyr qysh ka kalu Bosnja!)

Pas kësaj hyrjeje të cilën veç e kemi dëgjuar shumë herë në këtë apo atë mënyrë, me këto përmbledhje të gjeneralizuara për Kosovën e ish-Jugosllavisë dhe për Kosovën e tashme, duhet të kthehemi të premisa e këtij shkrimi: pajtimi.

Është filluar shumë herët të flitet për pajtimin.

Në Kosovë është filluar shumë herët të flitet për pajtimin. Menjëherë pas përfundimit të luftës, këtij vendi të shkretë i janë vërsulur me mijëra organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare. Patjetër, Kosova ka pasur nevojë të pamohueshme për ndihma, rindërtim, si fizik ashtu edhe shoqëror. Shumë organizata kanë filluar të japin donacione të ndryshme për rindërtim të shtëpive të shkatërruara, si dhe kanë ofruar ndihma të ndryshme teknike e logjistike për të cilat ka pasur aq shumë nevoje populli i Kosovës, i cili sapo e kishte kaluar tmerrin e luftës.

Por, krahas këtyre ndihmave, t’i quaj infrastrukturore, shumë organizata kanë filluar të ofrojnë edhe ndihma psikologjike, sociale, e shpirtërore, dhe këtu hyjnë edhe ato nisma të cilat për qëllim kishin ta nisnin procesin e dialogut, procesin e ballafaqimit me të kaluarën në mënyrë që populli i dalë nga lufta t’i lë pas përjetimet e tmerrshme dhe të shikojë përpara drejt një të ardhmjeje më të mirë.

Kjo punë ka filluar tepër herët!

(Ndoshta dikujt prej jush në moshën e adoleshencës, në kohën e eksplorimit të identitetit dhe përvetësimit të sjelljeve të “të rriturve” i ka ndodhur të kapë të lexojë libra që janë për “të mëdhenjtë”, e të cilët nuk e kanë përfillur sugjerimin e “të mëdhenjëve” kur ju kanë thënë të mos i lexojnë ato libra tash, se kur të jenë rritur sa duhet për t’i lexuar ato libra, ata do të thonë: uh, atë e kam lexuar moti!)

Shërimi i plagëve merr kohë. Disa plagë kurrë nuk shërohen, por njeriu mësohet të jetojë me to, siç jeton me sëmundjet kronike. Me një trajtim të duhur, me kujdes, e me doza të caktuara barnash, njeriu i menaxhon disa sëmundje që kurrë nuk shërrohen.

Kështu është edhe puna e plagëve të luftës. Njerëzit i kanë humbur më të dashurit e tyre, janë dëbuar, kanë mbetur pa kulm mbi kokë, e kanë përjetuar shumë tmerre tjera që nuk kanë fund. Këto dhimbje nuk maten me fjalë. As me numra. Megjithatë, njeriu mësohet të jetojë me ato dhimbje dhe të shikojë përpara pasi ta kuptojë që nuk ka kthim mbrapa. E për të kuptuar që nuk ka kthim mbrapa i duhet kohë. Më shumë se një vit; më shumë se tre vjet.

Ata që janë marrë me pajtimin kanë dështuar! Big time!

Lulëzimi i organizatave të cilat janë marrë me pajtimin shkel e shko, kanë bërë që koncepti i pajtimit të zhvlerësohet, të përqeshet, të përdhoset, të vihet në pyetje, të klasifikohet si absurditet i llojit të vet, të konsiderohet marrëzi dhe i pamundur duke pasur parasysh se me kë e me çka duhet të pajtohemi…. dhe ata që janë marrë (disa ende vazhdojnë) me pajtimin kanë dështuar! Big time!

Kanë dështuar sepse kanë filluar herët; kanë dështuar sepse nuk kanë ditur si t’i qasen pajtimit ndërmjet grupeve shumë të ndërlikuara; kanë dështuar se nuk e kanë pasur për qëllim pajtimin por vjeljen e fondeve; kanë dështuar sepse ata vetë nuk janë pajtuar…

Kjo ka prodhuar pasoja shumë serioze për shoqërinë në përgjithësi dhe për bashkëjetesën ndërmjet grupeve të ndryshme, popujve të ndryshëm që jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe që do të vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit edhe për shumë kohë. Ka prodhuar pasoja për shkak të dështimit të përpjekjes për pajtim (nëse bën ta quaj ashtu) dhe për shkak se ajo përpjekje në kohë të papjekur ka bërë që koncepti i pajtimit të perceptohet si mision i pamundur, dhe punë hajgare.

Dhe tani, pas dy dekadash, kur guxojmë ta marrim guximin e të themi se ndoshta ka ardhur koha të flasim për pajtimin, askush nuk dëshiron të merret me të.

Pajtimi nuk është cool. Nuk është cool si në vitin 2000, 2001 kur pajtimi ka qenë nismë avangarde e disa individëve (mbase) mendjehapur…

Tash, këto nisma mendjehapurish avangardë kanë të bëjnë me mbrojtjen nga ngrohja globale, konceptet kosmopolitane të heqjes dorë nga identitetet e lindura dhe të ndërtuara e kështu me radhë.

Të gjithë ne duhet të përpiqemi ta zhveshim konceptin e pajtimit nga politizimi dhe përdhosja meskine e individëve shpirtngushtë që në thelb kurrë nuk e kanë dashur pajtimin por veten e tyre.

Të gjithë duhet të përpiqemi t’i bëjmë për veti individët të cilët do të pajtohen se pajtimi, falja me kusht, përpjekja për gjetje të pikave të përbashkëta janë vlera, të cilat nuk duhen zhvlerësuar për shkak të qasjeve të gabuara.

Sepse ato janë vlera njerëzore, përtej kufizimeve identitare e politike.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO