Pikëpamje | Politika

Reformimi i sistemit zgjedhor përmes asamblesë së qytetarëve?

Nga - 30.05.2019

Qytetarët, e jo vetëm partitë, duhet të përfshihen në procesin e rizbulimit të demokracisë.

A do të ishte normale sikur rregullat për tregti të mallrave dhe çmimet e produkteve në supermarkete t’i vendosin, ta zëmë, vetëm kompanitë e mëdha si Viva Fresh, ETC dhe Emona?

Me siguri shumë prej marketeve të vogla apo konsumatorëve do të reagonin për shkak të konfliktit të qartë të interesit dhe mundësisë që këto kompani të arrijnë marrëveshje që do t’iu mundësonte ruajtjen e rolit dominant në treg.

Jo vetëm që marketet e vogla do të pësonin, që së bashku punësojnë më tepër punëtorë (me kontrata dhe pa to) se supermarketet e mëdha, por edhe konsumatori do të mund të pësonte nga ngritja e çmimeve të produkteve si rrjedhojë e marrëveshjeve të kartelit tregtar.

Pra, procesi i tillë i vendimmarrjes do të kontestohej pasi që nuk do të merrte domosdoshmërisht parasysh të mirën e konsumatorëve dhe akterëve tjerë në sektore, por kompanitë e mëdha do të çimentonin rolin e tyre dominant dhe do të krijonin kartele mes rrjeteve të supermarketeve të mëdha.

Pak a shumë kështu i bie nëse e gjithë përgjegjësia dhe barra për reformimin apo përcaktimin e sistemit të ri zgjedhor bie vetëm mbi partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Pashmangshëm, partitë politike në Kuvend do të drejtohen nga synimet e ngushta partiake për të vënë në jetë sistemin zgjedhor që siguron kapitalizim të rezultatit të tyre zgjedhor në zona ku kanë mbështetje më të madhe. Poashtu, partitë politike jo domosdoshmërisht do të përcaktohen për sistemin zgjedhor që do të adresonte krizën e përfaqësimit dhe legjitimitetit më të cilën sot ballafaqohen vet ato dhe Kuvendi i Kosovës.

Që nga viti 2011, përpjekjet për reformimin apo ndryshimin e sistemit zgjedhor kanë dështuar në vazhdimësi.

Nëse këtu i shtohen brengat rreth mënyrës së funksionimit të brendshëm të partive politike — mungesës së demokracisë dhe llogaridhënies — si dhe ndikimin në rritje të oligarkëve apo rrjeteve të krimit të organizuar mbi partitë politike, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja, a duhet lejuar që vetëm partitë politike në Kuvend të merren me përcaktimin e rregullave kyçe të lojës politike — sistemit zgjedhor?

Që nga viti 2011, përpjekjet për reformimin apo ndryshimin e sistemit zgjedhor kanë dështuar në vazhdimësi. Si përkujtim, pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga në vitin 2011, PDK, LDK dhe AKR patën arritur marrëveshje për formimin e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Si rrjedhojë, Kuvendi i Kosovës pati miratuar deklaratën politike si dhe pat krijuar komisionin parlamentar për reformën zgjedhore.

Ndonëse ky komision parlamentar pat punuar në drejtim të përgatitjes së ndryshimeve në ligjet zgjedhore (për Kuvendin e Kosovës, dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kosovës), ato kurrë nuk kanë arritur në agjendën e Kuvendit apo të miratohen nga akterët politik.

Nisma më e re dhe formimi i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore në vitin 2019 paraqet vazhdimësinë e qasjes së njëjtë. Kjo nismë po synohet të jetësohet në kohën kur opozita në Kuvend thotë se qeveria i ka ditët e numëruara, si dhe partnerët e koalicionit qeverisës mezi po presin divorcin politik për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Andaj, duket se ky komision parlamentar nuk do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion dhe mundësinë që të arrijë deri te konsensusi politik mes akterëve kyç në Kuvendin e Kosovës dhe miratimi i ndryshimeve në sistemin zgjedhor.

Prandaj, nevojitet të mendohet për qasje tjetër, për krijimin e një mekanizmi dhe procesi kredibil që do të prodhonte propozime për ndryshimin e sistemit zgjedhor që ka si pikënisje dhe reflekton pikëpamjet e qytetarëve për sa i përket legjitimitetit dhe adresimit të krizës së përfaqësimit në institucionet publike.

Asambleja e qytetarëve

Një nga mënyrat për të mbushur bateritë e demokracisë përfaqësuese në Kosovë është përdorimi i mekanizmave inovativ në vendimmarrjen demokratike që shkon përtej sistemit aktual të përfaqësimit përmes partive politike. Kjo nënkupton krijimin e asamblesë së qytetarëve (citizens’ assembly) për të hartuar propozime për tema që shkaktojnë polarizim të skajshëm dhe debat jokonstruktiv në shoqëri.

Idea e asambleve të qytetarëve është përzgjedhja rastësore e një numri të qytetarëve (ta zëmë 120 syresh) që do të ishin pasqyrë e vlerave përfaqësuese në vend në aspektin shoqëror dhe demografik (gjinia, mosha, vendbanimi, përkatesia etnike etj.).

Kushti i vetëm për përzgjedhjen e qytetarëve si anëtarë të asamblesë së qytetarëve do të ishte mospërfshirja në strukturat vendimmarrëse të partive politike ekzistuese. Qytetarët do të angazhoheshin në punimet e asamblesë së qytetarëve në baza vullnetare. Pas shqyrtimit të hollësishëm të çështjes së reformimit të sistemit zgjedhor, ky trup do të përgatiste një raport me përfundimet dhe rekomandimet e saja.

Procesi i arritjes deri tek propozimet konkrete për ndryshimet në sistemin zgjedhor është po aq i rëndësishëm sa dhe vet mekanizmi inovativ (asambleja e qytetarëve). Kjo përfshin ofrimin e kohës së mjaftueshme për njoftim me temën, procesin e shqyrtimit të propozimeve, përgatitjen e raportit me rekomandime dhe vendimmarrjen përfundimtare mbi propozimin e asamblesë së qytetarëve.

E gjithë puna e asamblesë së qytetarëve do të mund të përmbyllej brenda një viti. Për të siguruar që anëtarët e asamblesë kanë informatën e duhur, atyre në dispozicion do t’iu ofrohej ekspertiza teknike e fushës. Kështu, ekspertë të sistemeve të ndryshme zgjedhore do të prezantonin përparësitë dhe mangësitë e secilit sistem zgjedhor. Kjo fazë do t’i mundësonte anëtarëve të asamblesë së qytetarëve të sigurojnë informacion të paanshëm dhe profesional mbi sistemet zgjedhore, para se të fillojë procesin e shqyrtimit se cili prej tyre është më i përshtatshëm për kontekstin e Kosovës.

Përdorimi i asamblesë së qytetarëve paraqet mundësinë për rikthim te vendimmarrja që ka pikënisje dhe pikësynim qytetarët.

Përfaqësuesit e partive aktuale parlamentare dhe joparlamentare, si dhe të organizatave joqeveritare do të mund të ftoheshin në dëgjime publike të asamblesë së qytetarëve që të prezantojnë qëndrimet e tyre rreth ndryshimeve të sistemit zgjedhor.

Pas përmbylljes së procesit të konsultimeve publike, asambleja e qytetarëve do të fillonte procesin e diskutimit të brendshëm rreth propozimeve konkrete për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Si rrjedhojë e shterimit të debatit të brendshëm, asambleja do të votonte mbi propozimet konkrete për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Të gjeturat e saja, asambleja e qytetarëve do t’i prezantonte përmes raportit, i cili do të detajizonte gjithë punën e bërë dhe argumentet mbi të cilat janë nxjerrë përfundimet dhe rekomandimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pasi që do të arrihej tek propozimi konkret për ndryshimin e sistemit zgjedhor, i njëjti do të vendosej për votim në Kuvend të Kosovës apo drejtpërdrejtë tek qytetarët përmes referendumit.

Praktikat e delegimit të çështjeve politike për shqyrtim nga kuvendet kombëtare tek asambletë të qytetarëve po promovohet në shtetet e Evropës Perëndimore dhe Amerikës Veriore si mjet për shtimin e besimit në institucione dhe demokracinë përfaqësuese përmes transparencës, si dhe në tejkalimin e polarizimit politik dhe politikave populiste përmes shqyrtimit të fakteve.

Thelbi i këtij mekanizmi inovativ të vendimmarrjes është përzgjedhja rastësore e qytetarëve në asamblenë e qytetarëve dhe shqyrtimi i detajizuar i çështjes së ndryshimit të sistemit zgjedhor, pa presion nga konsideratat e partive politike dhe procesi aktual i vendimmarrjes (së bllokuar) në Kuvendin e Kosovës. Kjo në vetvete nënkupton marrjen dhe ndarjen e përgjegjësisë për çështje delikate politike nga qytetarët e rëndomtë dhe ikja nga diskursi publik “ne” kundruall  “atyre” që promovohet nga forcat politike populiste.

Në kohën kur shumë prej vendimeve të rëndësishme politike po merren nën diktatin e këtyre forcave politike populiste, përdorimi i asamblesë së qytetarëve paraqet mundësinë për krijimin e një procesi vendimmarrës që ka pikënisje dhe pikësynim qytetarët në demokracinë përfaqësuese dhe institucionet publike.

Foto kryesore: Faton Selani / K2.0.