Kur Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt, 2008, vëmendja u kthye kah parlamentet dhe kuvendet e huaja nëpër botë, për të parë se kush do ta njihte shtetin më të ri në Evropë. Deri në fund të vitit 2008, Kosova u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç pesë- përjashtimet ishin Spanja, Rumunia, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.
Tetë vite e gjysmë më vonë, ndonëse 112 shtete nga mbarë bota e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ajo ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe pesë shtete anëtare të BE ende nuk e kanë njohur. Kjo gjendje e njohjes së pjesshme e ka lënë Kosovën në pritje të vuajtshme, shpeshherë duke i ndërlikuar proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe duke e privuar nga përfitimet e zakonshme që ofron shtetësia.
Kundërshtimi ndaj pavarësisë së Kosovës avokohet më së shumti nga Serbia (me mbështetje të fuqishme nga Rusia), që insiston se shpallja unilaterale e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin territorial të Serbisë. Edhe pse në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë GJND dha opinion këshillues ku konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, faktorë të përbashkët që lidhen me qëndrimet e pesë shteteve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën janë çështjet e brendshme.
Drejtë pavarësisë (1)
24 MARS, 1999:
NATO nis fushatën ajrore të bombardimit kundër regjimit të Milosevic në Republikën Federale të Jugosllavisë. Ndërhyrja ushtarake ndodhi si përpjekje për t'i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë dhe përfundon me ndërhyrje tokësore në qershor të po atij viti, që rezultoi me largimin e aparatit shtetëror të Milosevic prej Kosovën.
10 QERSHOR, 1999:
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miraton rezolutën 1244. Kjo rezolutë e vendosë Kosovën nën administrim të përkohshëm të OKB; këto detyra performohen nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). UNMIK-ut gjithashtu i ipet detyra e themelimit të institucioneve të përkohshme të vetë-qeverisjes lokale dhe lehtësimit të procesit politik për të vendosur statusin e ardhshëm të Kosovës.
Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende atë janë zhvilluar në bazë individuale prej vitit 2008, me arritura të ndryshme. Në këtë seri me pesë pjesë, K2.0 analizon faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që kanë ndikuar në lidhjet diplomatike në mes të këtyre pesë shteteve dhe Kosovës.
Kosova dhe Greqia
Prej pesë anëtarëve të BE që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës, Greqia me gjasë ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik me republikën e re; duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, rritur nivelin e tregtisë, dhe duke dërguar e pritur delegacione.
Megjithatë, interesi publik është gjithmonë një prej nocioneve kyçe që ndikojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politika e jashtme e Greqisë drejt Kosovës nuk është përjashtim në këtë aspekt. Ioannis Armakolas është kreu i programit të Evropës Jug-Lindore në Fondacionin Helenik për Politika Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), institut i pavarur dhe jofitimprurës për hulumtime dhe trajnime të orientuara kah politika. Ai tha për K2.0 se çështja e Kosovës nuk është prioritet në politikën e jashtme të Greqisë. “Problemet me Turqinë, Shqipërinë, dhe problemi i emrit me FYROM, janë më të rëndësishme”, deklaroi Armakolas. “Kosova nuk është në agjendën e Greqisë”.
Mungesa e interesit të Athinës zyrtare për njohje të Kosovës, duket të jetë reflektim i pikëpamjeve të përgjithshme të shoqërisë greke. Në vitin 2013, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) bëri intervista telefonike me 1,013 qytetarë grek si pjesë e një hetimi për perceptimeve reciproke të dy shteteve. Ky projekt u titullua “Të Jesh Grek, Të Jesh Kosovar”.
Kur u pyetën ‘Çfarë marrëdhënie bilaterale duhet të kenë Greqia me Kosovën?’; 68 përqind e grekëve të anketuar u përgjigjën se Greqia duhet ‘të përpiqet për marrëdhëniet më të mira të mundshme me Kosovën, por pa e njohur pavarësinë e saj’. 26 përqind të të anketuarve thanë se Greqia ‘nuk duhet të ketë fare marrëdhënie’ me Kosovën.
Drejtë pavarësisë (2)
DHJETOR 2003 - TETOR 2005:
OKB vendosë disa standarde që duhet t'i arrijnë Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes në Kosovë para se të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës. 22 muaj më vonë, një raport i autorizuar nga OKB deklaron që nuk mund të ketë më progres sa i përket standarteve deri sa Kosova të qartësojë statusin përfundimtar politik të saj.
SHKURT 2006:
Statusi i ardhshëm i Kosovës diskutohet në një takim në Vjenë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata ndërmjetësohen nga i Dërguari i Posaçëm i OKB, Martti Ahtisaari. Megjithatë, pas disa takimeve, nuk arrihet ndonjë marrëveshje, dhe kjo bënë që vet Ahtisaari ta formulojë një plan që ka për synim zgjidhjen e ngërçit.
Të Hapur për Kosovën
Pavarësisht kësaj përmbajtjeje të publikut grek ndaj Kosovës, autoritetet greke kanë qenë shumë më të hapura për marrëdhënie bilaterale se autoritetet e shteteve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën. Ata kanë një prej përfaqësive diplomatike më aktive në Prishtinë, dhe e hapën zyrën e parë plotësisht funksionale ndërlidhëse në Kosovë. Qeveri të ndryshme greke gjithashtu janë treguar të hapura për zyrtarë kosovar, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë vizita zyrtare në Kosovë.
Në mars 2013 ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u ftua nga homologu i tij Dimitris Avramopoulos për të diskutuar marrëdhënie bilaterale, çështjen e njohjes, zhvillimin rajonal dhe integrimin evropian. Ishte vizita e parë e një diplomati kosovar në Greqi.
Në atë takim, Dimitris Avramopoulos, ministri i jashtëm grek i asaj kohe, e konfirmoi përsëri mbështetjen e Greqisë për fillimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare. Por ministri nuk dha shenja të njohjes së mundshme të pavarësisë së Kosovës.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, udhëtimi në Greqi ishte i mundshëm për njerëzit me pasaporta të Kosovës nëpërmjet vizave të lëshuara në letër speciale, por gjashtë vite nuk u lëshua në pasaporta kosovare, dhe personat me vizë Shengen nuk u lejuan që të hynë në Greqi. Në 2014 pati ndryshim të kësaj politike, dhe Greqia filloi të lëshonte viza Shengen direkt në pasaporta kosovare. Njohja e pasapportave të republikës së Kosovës e lehtësoi lëvizjen e kosovarëve në Greqi, dhe i rriti shpresat për një ndryshim të mundshëm të qëndrimit grek në lidhje me Kosovën.
Kosovarët kanë gjithashtu mundësi për t’u arsimuar në Greqi. Ka bursa që janë në dispozicion për studentët nga Kosova, që i mundësojnë ata të studiojnë në universitete të ndryshme private të Greqisë.
Drejtë pavarësisë (3)
3 prill, 2007:
Pas më shumë takimeve e negociatave me të dy palët, Ahtisaari prezanton planin e tij për statusin e ardhshëm të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKGB. Plani i Ahtisaarit miratohet shpejtë nga autoritetet në Prishtinë dhe ipen deklarata mbështetëse për gjetjet e këtij plani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Parlamentin Evropian. Megjithatë, refuzimi nga qeveria e Serbisë dhe kundërshtimi i fuqishëm rus e parandalon miratimin e planit.
17 shkurt, 2008:
Të përballur me stagnim në negociata, Kuvendi i Kosovës e shpall vetën unilateralisht Kosovën të pavarur, por serbët e Kosovës e bojkotojnë seancën në Kuvend. Kuvendi e obligon vetën që t'i ndjekë dispozitat e Planit të Ahtisaarit; rekomandimet e këtij plani formuan bazën kushtetuese të Kosovës. Institucionet kosovare gjithashtu pajtohen që t'i pranojnë mbi 2,000 trupa të misionit të BE për Sundim të Ligjit (EULEX), për të monitoruar dhe ndihmuar sistemin e drejtësisë. Misioni është ende operativ, deri në vitin 2018.
Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, tregtia poashtu është rritur dukshëm. Greqia ishte eksportuesja e shtatë më e madhe e të mirave në Kosovë gjatë vitit 2014, me eksporte në vlerë më të madhe se 137 milion euro; një rritje e madhe në krahasim me vitin 2008, kur eksportet greke ishin në vlerë totale 80 milion euro.
Miq të Vjetër
Historia e gjatë e marrëdhënieve miqësore me Serbinë bëri që ndikimi serb të ndikojë kohë pas kohe në diplomacinë greko-kosovare. Në vitin 2015, kur Kosova po bënte fushatë për anëtarësim në UNESCO, Greqia fillimisht u zotua se do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Ministri i ri i jashtëm i Greqisë nga qeveria e sapozgjedhur Syriza, Nikos Kotzias, deklaroi publikisht që Greqia “do ta mbështetë anëtarësimin e Kosovës në organe ndërkombëtare dhe organizata të sigurisë”.
Megjithatë, kjo mbështetje nuk është që rezultoi në votim. Kosova dështoi në përpjekjen e saj për anëtarësim në UNESCO; dhe delegacioni grek abstenoi në votim, pavarësisht premtimeve të mëhershme nga Kotzias. Abstenimi i Greqisë i la të befasuar të shumtë, përfshirë Armakolas. “Po prisja që Greqia të votojë në favor të Kosovës në UNESCO”, tha ai për K2.0.
Pati spekulime që lobimi serb i kishte bërë presion qëndrimit grek në lidhje me aplikimin e Kosovës në UNESCO. Pas deklaratës publike të Kotzias për mbvshtetje të Kosovës, Ministri i Jashtëm serb Ivica Dacic i dërgoi shënim zyrtar homologut të tij grek duke e pyetur për deklarimin e tij mbështetës ndaj anëtarësimit të Kosovës. Një muaj para votimit, Kryeministri serb Aleksandar Vucic i kërkoi homologut të tij grek Alexis Tsipras që të votojë kundër aplikimit të Kosovës.
Efektet gjeopolitike
Megjithatë, nocioni i njohjes së Kosovës nga Greqia duhet të shikohet edhe nga një pikëpamje më e gjërë gjeopolitike. Ngurrimi i Greqisë për ta njohur Kosovën është gjithashtu pjesërisht për shkak të efekteve anësore që mund t’i ketë një lëvizje e tillë në këtë rajon.
Konfliktet rreth kufirit kanë shkaktuar ulej e ngritje në marrëdhëniet greko-shqiptare me shekuj, derisa komuniteti grek vazhdon të banojë në pjesën jugore të Shqipërisë, komuniteti çamë ende banon në Greqinë veri-perendimore. Ekziston ende retorika për zgjerimin e kufijve për t’i përfshirë këto komunitete në mesin e elementeve më nacionaliste të spektrave përkatëse politike të këtyre dy vendeve.
Përpjekjet për njohje
GUSHT 2008 - KORRIK 2010:
Serbia reagon ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke kërkuar opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjegjësisht duke e pyetur këtë të fundit se a ka shkelur Kosova të drejtën ndërkombëtare. Dy vite më vonë konkludimi ishte i qartë, por nuk ishte vendim detyrues: shpallja nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
PRILL 2013:
Dy vite pas fillimit të dialogut teknik,Kosova dhe Serbia kaluan në dialog politik, dhe nënshkruan një marrëveshje, që prej shumë njerzve u konsiderua si "marrëveshje shumë e rëndësishme" për të ndihmuar me normalizimin e marrëdhënieve. Pika 14 e kësaj marrëveshjeje thotë që "u pajtuan që të mos e bllokojnë, e as t'i inkurajojnë tjerët që të bllokojnë, progresin e njëra tjetrës në rrugët përkatëse drejt BE".
DHJETOR 2014 - MAJ 2016:
Kosova pranohet si anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor 2014, dhe si anëtare e plotë e FIFA-s e UEFA-s në maj të vitit 2016. Megjithatë, në nëntor 2015, Kosova dështon për tri vota që të pranohet në UNESCO, pasi Serbia lansoi një fushatë të ashpër shtetërore kundër anëtarësimit të Kosovës.
22 KORRIK, 2016:
Suriname bëhet shteti i 112 që njeh Kosovën si shtet të pavarur në korrik 2016. Megjithatë, Rusia, Kina, India, Brazili dhe më shumë se 80 shtete tjera, ende nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.
“Vitin e kaluar, komuna e Prishtinës festoi ditën e çamëve, dhe për diplomacinë greke kjo nuk pritet mirë”, tha Armakolas, duke shtuar se “ndonjëherë [Athina] është e hutuar, e madje edhe ka frikë që njohja e Kosovës mund të rezultojë në bashkimin e saj me Shqipërinë. Duhet të qartësohen gjërat, dhe është detyrë e diplomacisë kosovare që të lobojë sa më shumë që është e mundur dhe të ndërtojë besim”.
Ndjeshmëria e autoriteteve greke për ‘çështjen çame’ u bë e qartë së fundmi kur Komisioneri i BE për Zgjerim, Johannes Hahn, e përshkroi këtë çështje si ‘ekzistuese’, dhe tha se Shqipëria dhe Greqia duhet ta zgjidhin atë. Athina reagoi me nervozë, duke e akuzuar Hahn për anim të shqiptarëve, e duke ngulur këmbë që çështja çame “nuk ekziston”.
Duke reaguar ndaj kësaj polemike, ministri i jashtëm grek Kotzias tha se “Greqia e tejkalon [Shqipërinë] në çdo fushë, e ka 10-fish PBB të saj [Shqipërisë], dhe ka sisteme të forta të mbrojtjes dhe sigurisë”, e kjo deklaratë u pa nga shumë komentues si kërcënim direkt ndaj Shqipërisë. Në të njejtën intervistë, Kotzias kujtoi pozitën e fuqishme të Greqisë në organizata ndërkombëtare. “T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Disa muaj më parë, Kotzias e kishte vizituar Shqipërinë, e atëherë retorika e tij nuk ishte kaq konfrontuese. Në fjalimin e tij, që e dha në Tiranë, Kotzias përfshiu këto fjali: “Si popujt gjermanfolës të shekullit 20, shqiptarët janë të organizuar në dy shtete dhe kanë pozitë speciale në të tretin: Gjermania, Austria dhe kantonet zvicrrane, në rastin e parë, dhe Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e FYROM, në rastin e dytë”. Përzgjedhja e fjalëve si duket i dha njohje shtetësisë së Kosovës, në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të qeverisë së athinës.
Me rolin konstruktiv që Greqia e ka luajtur me anë të njohjes së pasaportave kosovare dhe me pritjen e tyre të hapur ndaj zyrtarëve kosovar, njohja si duket është faza e fundit e kompletimit të marrëdhënieve bilaterale në mes të Greqisë dhe Kosovës.
Armakolas beson se pavarësia e Kosovës është fakt i pandryshueshëm, dhe se Athina në fund do ta ndajë këtë pikëpamje: “Problemet rajonale do ta bëjnë diplomacinë greke që të kuptojë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në fund [ata do] ta njohin [Kosovën] një ditë”.K
Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0.