Blogbox | Dhomat e Specializuara

Revoltë, jo inat

Nga - 25.11.2020

Reagim ndaj shkrimit redaksional të Besa Lucit për domosdoshmërinë e përballjes me inatin për Gjykatën Speciale.

Kryeredaktorja e revistës Kosovo 2.0, Besa Luci, ka publikuar një artikull që meriton reagim. Shkrimi “Inati për Dhomat e Specializuara duhet të pranohet – dhe të përballet” ka përfillur dhe ka përmbledhur perspektivat e ndryshme të grupeve shoqërore rreth Gjykatës Speciale. Me njërën prej tyre — inatin e munguar —  qartazi identifikohet autorja. 

Shkrimi fillon me përshkrimin e një ndjesie për Hashim Thaçin. Vazhdon me shifra për disponimin e njerëzve kundër Gjykatës, ndonëse të njëjtët shprehen për trajtimin e krimeve. Prej kësaj kundërthenieje ajo e përfton “inatin” që bëhet nocioni operues i shkrimit. Kur kemi parasysh vëllimin e krimeve që ka kryer Serbia, dhe sa pak përgjegjësi kemi andej kufirit, kuptohet kështu hidhërimi i njerëzve për proceset gjyqësore këndej. Inatçinjtë i kupton autorja, por kurrsesi t’i arsyetojë. Për të, kundërshtimi i njerëzve ndaj Speciales përmblidhet në reagimin e tipit “Pse neve po, e ata jo”.

Jane dy mundësi për ta nisur kritikën: terminologjia që ajo ka zgjedhur për ta shpjeguar situatën (“inati”), dhe mjetet e metodat. Kemi bilanc empirik, në vend të pozicioneve politike. Shohim kronologji, përmbledhje faktesh, por edhe shumë pak interes për historinë. Të dy metodat na shpiejnë në përfundimin e njëjtë.

Artikulli e bën dallimin numerik të pasojave të luftës. Por, prej këtij dallimi, prej kësaj asimetrie që vazhdon edhe sot të shprehet në forma të ndryshme sulmi ndaj Kosovës, kurrsesi të nxjerrim konkluzione politike. Duket sikur ato janë aty si një lloj pranimi që qetëson subjektin për ta vazhduar rrugën e njëjtë.

Si fillim të bie në sy etimologjia e shpjeguar për fjalën. Inati, tregon Besa, është fjalë me prejardhje arabe, e pranuar nga turqishtja, për të ardhur pastaj në Ballkan. Ky sqarim mbetet disi i vagullt dhe shumë i rezervuar. Shkrimi pastaj vijon rrjedhën e tij, por etimologjia sikur nuk ndihmon fare në rrjedhën argumentuese. Nuk është argument qendror as periferik. As përfundim as tranzicion. Ta konsiderojmë tepricë nuk guxojmë sepse etimologjia e marrë nga fjalori ka zënë vend edhe në foton ilustruese pranë titullit. 

T'i mësojmë inatçinjtë që drejtësia është jopolitike, drejtësi e viktimës. Duke ua kuptuar inatin, me përkëdhelje, drejt gjumit.

Një mundësi është të shtrojmë pyetje për mungesën. Çfarë mungon? Çfarë lidhje mund të ketë për tekstin tonë fakti që “inati” ka prejardhje arabe, e pastaj turke? Inati si i tillë është desubjektivues. Inatçiu, gjithë çfarë mund të artikulojë është një ndjenjë primare. Ai është i paaftë të artikulojë, të shtypë, të tjetërsojë a të sublimojë. Është civilizim ky. Aludimi të çon te ligjërimi orientalist, por ajo është kujdesur që kjo të mbetet më shumë si shije e atmosferë sesa si fjalë me shenjues të qartë. Ai nuk është tamam orientalizëm, siç nuk është tjetri ballkanik tamam tjetri oriental. Shkrimi nuk sugjeron se inatçinjtë janë sërë arabi ose turku, por ama këta s’bëjnë drejtësi për inat të njëri-tjetrit. Pra, universalitetin e drejtësisë nuk e kuptojnë. 

Inati në anën tjetër është përshkrim karakterial. Çfarë bën Besa është psikologjizëm kolektiv. Nëse do ta zgjedhnim këtë metodë, shpjegimi është tjetër, instrumentet gjithashtu. Problemi nisë me egon që kuptohet si autonomi e unitet i individit. Në një shpjegim të gabuar dhe me pasoja reaksionare, egoja është mediumi midis instinkteve e biologjisë kafshërore dhe kulturës. Qoftë edhe i pamenduar, ky është implikimi i “inatit” — reagim i egos. Ndaj këtij reagimi, trajtimi i sugjeruar është ai që në psikiatri do të ishte ilaç qetësimi. T’i mësojmë inatçinjtë që drejtësia është jopolitike, drejtësi e viktimës. Duke ua kuptuar inatin, me përkëdhelje, drejt gjumit. Teksti flet për përballje me të vërtetën, por trajtimi aty është mpirje dhe mbytje e simptomës.

Në fakt, plaga është më e rëndë sesa sugjeron Besa. Dhe trajtimi shkon përmes gjuhës te simptoma dhe tutje te çrregullimi që po na çon në përhumbje e çorientim. Egoja si instancë unike e autonome e gjykimit është vetë e tjetërsuar (i.e. e ideologjizuar) shumë kohë më parë. Ajo qysh në krye të herës është marrëdhënie me tjetrin. E ashtuquajtura “fazë e pasqyrës” është momenti i parë kur fëmija në fazën e hershme e njeh veten sepse e sheh që koka, duart e këmbët e tij janë një. Për herë të parë sheh që ky ansambël i fragmentuar në fakt qenka unik dhe përbën personin e tij —  momenti “ky jam unë”. 

“Faza e pasqyrës” është formësimi primar, shquarja e vetes në botë, është filli i imazhit për veten. Vetë ky moment është i mundur përmes tjetrit — është pasqyra që mundëson imazhin, mundet edhe një tjetër i vogël. Këtu duhet gërmuar për ta gjetur nyjen. UÇK në rendin tonë simbolik formëson të kuptuarit e marrëdhënies me Serbinë. UÇK është autenticiteti i përpjekjes çlirimtare, prandaj shenjuesi që na tregon për Kosovën e pushtuar. Kështu e njohim veten, në këto rrethana lindëm. Kur flasim për historinë, fjala është pikërisht për këto raporte, për këtë përmbysje që rrezikon ta thyejë pasqyrën. Kështu, në vend të individit të ideologjizuar përfitojmë subjektin e fragmentuar. Ky është vendi ku duhet të rikthehemi për të gërmuar nëse duam trajtim.  

Temat si kjo kërkojnë punë të lodhshme e rraskapitëse. Një ndjeshmëri altruizmi për të vdekurin është pak. Shumë pak. A nuk është vetë lufta situatë e skajshme e ekzistencës? Ku gjuha e fjala ndeshen me kufijtë e kushtit njerëzor. Ku gjithçka që thua lë mungesë. Bash muri midis gjuhës dhe realitetit. Kjo mungesë e pareduktueshme është pyetja themelore, “dëshira” si kusht për strukturimin simbolik. Më thoni, si mund të mbulohet kjo gjë me diskursin e drejtësisë tranzicionale?!

Frazat që flasin për binomin Adem Jashari - Ibrahim Rugova e që na tregojnë se si pacifizmi dhe rezistenca janë komplementare nuk i shkojnë deri në asht dhimbjes as traumës.

Jo vetëm kaq, gërmimi te subjekti i fragmentuar zbulon edhe fragmentimin brenda nesh. Edhe për këtë, ilaçi që na jep teksti është i njëjtë: mbulim, rrafshim. Shkrimi tenton ta shpjegojë një kohë që shquhet për shumësi kontradiktash të ashpra përmes politikave të konsensusit të ardhura pas luftës, politika këto që janë diskursi dominant ideologjik edhe sot. 

Shkrimi i rendit ngjarjet njërën pas tjetrës dhe i vendos ato në një pirg të madh të përbashkët. Ngjarje me valenca të ndryshme, me rëndësi të ndryshme dhe me bartës që kishin botë, vepër e qëllime të ndryshme vihen rresht njëra pas tjetrës. Të gjitha, bashkë dhe njëjtë. PDK dhe LDK mund të jenë të njëjta sot, mund edhe të shkrihen në një parti; shumë nga ish-lëvizja ilegale mund të thonë se i kanë krejt hesapet e mbyllura me udhëheqjen kosovare të ish-Jugosllavisë. 

Por ky nuk është diskutimi. Pavarësisht të gjitha këtyre, këto do të mbesin rryma ideologjike e tradita politike të papajtueshme. Frazat që flasin për binomin Adem Jashari – Ibrahim Rugova e që na tregojnë se si pacifizmi dhe rezistenca janë komplementare nuk i shkojnë deri në asht dhimbjes as traumës. Ato janë trullosje e terapisë së konsensusit. E njëjta logjikë përvidhet te konceptimi i kohës. UÇK i duket asaj përjashtuese dhe kjo gjë i pengon sepse zhvillimet historike për të nuk njohim zhvendosje as shkëputje, por veçse ecje lineare disi të vetvetishme. 

Për fund, do ta përcjellim përshkrimin karakterial. Jo inat, është çmenduri. Të çmendurit e kanë krijuar një ushtri kur frika deri në palcë përputhej fort me mendimin racional të politikës zyrtare. Kjo është situata singulare, duhej guxim për të qenë i mençur. 

Pasi e kemi parë, e kemi ndier dhe e kemi kuptuar  fragmentimin. Për bindjen time të thellë, termi i duhur për ta përshkruar pakënaqësinë, në përputhje me vetë idenë e UÇK-së, është: “revoltë”. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.