Të premten më 7 qershor në orën 3 pasdite, shkova tek monumenti Newborn në Prishtinë dhe brenda gjashtë orëve, me ndihmën e dy shoqeve, e mbuluam me portrete dhe citate të 99 grave nga Kosova.
Instalacioni, i titulluar “Reclamation” (Rimarrja), ishte pika kulmore e përpjekjeve për t’i amplifikuar zërat e një mostre të grave të prejardhjeve etnike dhe gjeneratave të ndryshme të cilat po bëjnë ndryshime në komunitetet e tyre dhe me të cilat i kisha kaluar disa muaj, duke i intervistuar dhe fotografuar për këtë projekt dokumentar.
Duke i ndarë historitë personale të tyre apo ato të grupeve të nënpërfaqësuara të njerëzve, instalacioni ishte faza e parë në një projekt që eksploron ndikimin që e kanë historitë që ne i tregojmë, dhe ato që tregohen për neve, në perceptimin tonë për veten dhe vendet në të cilat jetojmë.
Në ditët prej instalimit të tij, projekti ka qenë epiqendër e vëmendjes publike dhe debatit. Ka tërhequr kritika dhe mbështetje, dramë dhe lëvdata; mesazhe të urrejtjes, dhe mesazhe shpresëdhënëse, negativitet që është rrjedhojë e rrëfenjave të përziera dhe të shtrembëruara, si dhe kritika fort të mira dhe me vend.
E kështu, në emër të projektit, dua të ndalem dhe t’i falenderoj të gjithë që e kanë vizituar instalacionin dhe kanë kontribuar në diskutimin publik, si dhe t’i tregoj disa informata të cilat mbase janë fundosur nga vëllimi i reagimeve.
Për ta bërë këtë, së pari do të kthehem prapa për ta shpjeguar se si u konceptua fillimisht projekti.
Në muajt e parë në Kosovë, e pash se konflikti në pozitën time ishte ngujues.
Në 2016, me më pak se një vit përvojë në gazetari, unë erdha në Prishtinë për të marrë pjesë në një program veror për të cilin kisha aplikuar në moment të fundit. Shtatë javët që i kalova në Kosovë ishin ato që do ta përcaktonin trajektoren time profesionale dhe personale në vitet e ardhshme. Ishte një verë e përvojave të para; hera e parë që udhëtova jashtë vendit pa familje, artikulli i parë që e publikova (një blog për K2.0 për frikën dhe të panjohurën), dhe hera e parë që e kuptova për dashurinë dhe afinitetin tim për tregime.
Ishte gjithashtu vera kur shkrimtarja kosovare-kanadeze Hana Marku e publikoi një opinion të titulluar “An Awkward Conversation About Foreigners in Kosovo” (Një Bisedë e Sikletshme për Të Huajt në Kosovë), shkrim ky i cili e shtjellonte mosbalancimin e pushtetit ndërmjet gazetarëve të huaj me platforma të mëdha dhe ata shkrimet e së cilëve gazetarët i ritregonin me shpejtësi, por edhe me pakujdesi. Ai shkrim pati ndikim të madh në marrëdhënien time me punën.
Kur erdha në Kosovë në shtator 2018 me bursë Fullbright për hulumtime studentore, si pjesë e një programit edukativ të shkëmbimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, unë fillova t’i lexoja përsëri shkrimet e Markut. Kishin kaluar më shumë se dy vite prej qëndrimit tim të fundit në Kosovë, dhe pasi isha paksa e befasuar që fitova bursën, tani isha e sfiduar si tregimtare që po punonte në një ambient të huaj.
Kisha përgjegjësinë për ta përdorur kohën dhe hapësirën me mençuri, por më shumë një përgjegjësi ndaj njerëzve dhe vendit për të cilët duhej të shkruaja. Në muajt e parë në Kosovë, e pash se konflikti në pozitën time ishte ngujues, aq shumë sa që i shkrova Markut në Twitter, si dhe shumë autorëve të tjerë në Kosovë* dhe kërkova të flas për esenë time para se ta filloja punimin.Gjatë atyre bisedave të shumta, arrita ta kuptoj plotësisht potencialin për një projekt i cili kërkonte vëmendje për gratë në Kosovë të cilat veçse ishin duke punuar për t’i zgjeruar rrëfenjat për rolin e tyre në shoqëri, për rolin e grupeve të margjinalizuara, dhe për komunitetet në të cilat jetojnë.
Me këtë synim të ri në mendje, gjegjësisht atë për t’i amplifikuar zërat e grave të cilat veçse po punonin si tregtimtare, në vend se ta marr një tregim si të timin për ta ritreguar, u lind “Reclamation”. Si fillim, plani ishte që fokusin ta vendosim mbi gratë që merren me filmbërje, por së shpejti ky fokus u zgjerua për t’i përfshirë zërat e gazetareve, artisteve, sportisteve, akademikeve, politikaneve, studenteve, aktivisteve dhe tjerave.
Gjatë tre muajve e gjysmë, unë u lidha me 99 gra, të reja dhe të vjetra, të prejardhjeve të ndryshme etnike, duke i intervistuar dhe fotografuar për t’i vendosur në një seri interaktive të portreteve që u prezantua në një ekspozitë urbane dhe në një uebfaqe të projektit, ku tregimet më të gjata do të arkivohen në muajt e ardhshëm.
Foto: Lauren Peace.
Raportimi për këtë projekt ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua, jo vetëm për shkak se më mundësoi të njoftohem dhe të lidhem në shkalla të ndryshme me disa gra frymëzuese, por dhe të angazhohem në dialog të hapur dhe të sinqert për të mirën dhe të keqen. Por edhe për shkak se krijoi hapësirë për reflektime domethënëse për mediat dhe shtrembërimin në komunitetin tim, ku si në Kosovë, të huajt rrallë herë tregojnë histori për të tmerrshmen apo ekzotiken.
Në përvojën time, tregimi i tepruar me kohë shpeshherë kontribuon në një apati civile që ka rrënjë në një pesimizëm që buron nga këto rrëfenja. Tregimet për gratë shpeshherë mungojnë, ndërsa ato që janë të pranishme në mainstream vështirë se e përfaqësojnë shumicën.
Në thelb, “Reclamtion” ishte një përpjekje për ta kundërshtuar këtë, duke kontribuar me tregime të forcës dhe qëndresës prej grave të cilat po i përdorin zërat dhe pozitat e tyre për ta luftuar padrejtësinë dhe për ta zgjeruar kuptimin tonë për të vërtetën.
Prej kur u montua instalacioni në Newborn janë shprehur disa kritika të ndryshme. Në mesin e kritikave të dhëna janë përdorimi i Newborn-it si lokacion i instalacionit, mospërfshirja e disa grave të caktuara (dhe përfshirja e disa të tjerave), si dhe shkalla e projektit në hapësirë publike.
“Reclamation” nuk është, as kurrë nuk kishte për qëllim të jetë, një listë “Top 100”.
Të premten në mbrëmje, pasi u instalua projekti, prej meje u kërkua t’i largoj portretet e pesë grave, pozitat profesionale dhe personale e të cilave ishin kompromentuar për shkak të simbolizmit politik që e mban monumenti Newborn.
Përderisa në qershor ato dhe gratë e tjera të përfshira në instalacion u informuan se projekti do të prezantohej në një “ekspozitë urbane të punimeve në Prishtinë” dhe do të lidhej me një uebfaqe, dhe ato dhanë leje verbale për përdorim të tillë në kohën e intervistave, specifikimi i përdorimit të monumentit Newborn nuk u diskutua kurrë për shkak se në kohën e intervistave, lokacioni i projektit ende nuk ishte caktuar. Kur mësuan për lokacionin, pesë gra e tërhoqën lejen, dhe u larguan nga instalacioni dhe uebfaqja pak kohë më pas.
Kur vendosa ta kërkoj Newborn-in për ta përdorur për projekt, po mendoja vetëm në kontekstin e hapësirës që do t’i jepte më së shumti vëmendje zërave, që ishte synimi i “Reclamation”, dhe aspak nuk i konsiderova interpretimet politike që mund t’i sjell përdorimi i këtij monumenti. Kishte mungesë të madhe të vëmendjes nga ana ime, e kjo ishte rrjedhojë e injorancës të cilën projekti kishte për synim ta kundërshtonte. Pavarësisht qëllimeve më të mirat të mia, u shfaq në këtë gabim. Për këtë, e pranoj gabimin dhe e shprehi kërkim faljen më të sinqertë për të gjitha gratë e prekura.
Prapëseprapë, nuk jam penduar për këtë punim e as vëmendjen që e ka tërhequr, pavarësisht zemërimin që e ka shkaktuar.
“Reclamation” nuk është, as kurrë nuk kishte për qëllim të jetë, një listë “Top 100”. Kjo mendësi është rrjedhojë e keqinformimit dhe reagimeve automatike që kanë marrë fuqi në rrjete sociale, duke demonstruar rrezikun e mendimit grupor.
Interpretimi i këti projekti si renditje e grave është angazhim në një bisedë për atë se kush duhet apo nuk duhet të përfshihet, dhe përcaktim i shkallave të ndryshme të vlerës së përvojave të qenieve njerëzore. Zëri i kujt meriton të dëgjohet, dhe i kujt jo?
Kështu që unë nuk mundem dhe nuk do të kërkoj falje për diçka që nuk kisha qëllim të krijoja: Fotografitë e 99 grave kurrë nuk do të kishin mundësinë t’i përfshijnë çdo grua dhe vajze në Kosovë, pa marrë parasysh ndikimin që e kishin në komunitetet e tyre.
Mund të mësojmë shumë për veten duke i analizuar reagimet që i kemi ndaj punimeve të ndryshme, dhe pastaj duke ndarë kohë për ta pyetur veten pse kemi reaguar në atë mënyrë.
Gratë e theksuara u theksuan për shkak se ishin një grup i shumëllojshëm i tregimtareve dhe krijuesve të ndryshimit, të reja dhe të moshuara, në shkalla të vogla dhe të mëdha, dhe unë shpresoj se duke e vizituar uebfaqen apo instalacionin dhe duke kaluar kohë duke lexuar llojllojshmërinë e citateve, njerëzit do ta gjejnë veten duke u identifikuar me disa, dhe duke u kundërshtuar prej disa të tjerave. Ato janë thjesht një mostër e vogël, përfaqësuese e shumë të tjerave. Këtë qëllim e bën të qartë përshkrimi i projektit të cilin mund ta gjeni te instalacioni si dhe online. Thjesht duhet të ndani pak kohë për ta lexuar.
Për më tepër, nuk do të kërkoj falje që një ndërhyrje e cila i lartëson gratë në Kosovë po shkakton shqetësim; reagim ky të cilin e shoh si dëshmi për atë se pse gratë duhet ta rimarrin hapësirën publike. Përderisa instalacioni ka sjellë valë të frymëzimit dhe krenarisë, njëkohësisht ka sjellë edhe valë të indinjatës, zilisë dhe revoltës. Mund të mësojmë shumë për veten duke i analizuar reagimet që i kemi ndaj punimeve të ndryshme, dhe pastaj duke ndarë kohë për ta pyetur veten pse kemi reaguar në atë mënyrë.
Përderisa jam deri diku e zhgënjyer që një pjesë e madhe e qëllimit të projektit është humbur në këto reagime, në fund të fundit reagimet janë ato që e vërtetojnë më tej ekzistencën e projektit dhe rëndësinë e prezantimit të tij në një hapësirë publike.
A do t’i kishit kushtuar vëmendje “Reclamation” po të ishte shfaqur me qetësi në një galeri? A do ta kisha shkruar këtë shkrim?
Kështu që me gjithë polemikat, një gjë është e sigurt; “Reclamation” ka krijuar hapësirë për diskutime shumë të nevojshme publike për monumente dhe nacionalizëm, për motivet tona dhe fiksimin për të marrë mirënjohje personale, për aftësinë për t’iu qasur mediave si dhe për t’i analizuar, vlerësuar dhe krijuar ato, dhe mënyrën se si reagojmë ndaj sendeve që na bëjnë të ndihemi në siklet, si dhe për nevojën gjithnjë më të madhe për përfaqësimin e grave dhe komuniteteve të margjinalizuara në skenën publike.
Nuk është vonë që ta bëjmë këtë bisedë dobiprurëse.
Lehtë mund ta humbasësh kuptimin e projektit dhe potencialin e tij për të mirën që është bërë, kur fillojnë kritikat.
Të dielën pasdite, për herë të parë prej kur u lansua zyrtarisht projekti, e pata mundësinë të shkoj tek Newborn-i dhe ta shoh ekspozitën, jo si kuratore e panikuar, duke punuar dëshpërimisht për t’i rregulluar me shpejtësi gabimet, por si vëzhguese e rastit, e cila kishte dalë për të shëtitë. Si gazetare, artiste apo person punimet e së cilës janë në dispozicion për botën, lehtë mund ta humbasësh kuptimin e projektit dhe potencialin e tij për të mirën që është bërë, kur fillojnë kritikat, por deri sa po i lexoja fjalët e grave që ishin përfshirë në projekt, m’u kujtuan të dyja.
Ishte një citat nga një adoleshente që shkruante: “Nuk duhet t’i ulim gratë e tjera vetëm që të ndihemi se jemi në pozitë më të lartë. Shuarja e një flake tjetër nuk e bën flakën tënde të shëndrit më shumë. Kur e tejkalova këtë xhelozi, fillova t’i shoh njerëzit si frymëzim. E shoh çfarë po bëjmë dhe ndihem e frymëzuar dhe krenare. Nga kjo e kam një ndjenjë të mirë”.
Citati i një shkrimtareje shkruante: “Mendoj se mund të arrijmë tek një koncept më i shëndetshëm i lidhjeve motërore, me të vërtetë të bashkohemi për çështje kritike, por edhe të jemi të afta për ta kritikuar në mënyrë dobiprurëse punën dhe perspektivat e njëra tjetrës në mesazhet që i shprehim”.
Ndërsa citati i një redaktoreje: “Mendoj se kemi tendencë të harrojmë sa e rëndësishme është ta frymëzojmë njëri/a tjetrin/ën”.
Dhe për fund, nga një artiste dhe aktiviste, citati i së cilës ishte shumë i përshtatshëm për kohën: “Nëse e krijon një punim, duhet ta mbështesësh atë”.
E pra këtë po e bëj unë: po i mirëpres kritikat që janë me vend, po i dëgjoj komentet dhe po mësoj prej gabimeve, po e mbështes vendosmërisht punimin tim me besimin që kur të qetësohet stuhia dhe të hapet qielli, “Reclamation” do të shihet si diçka që ka ndihmuar ta ndriçojë nevojën për një bisedë më të gjërë.
Foto kryesore: Lauren Peace.
*Shënim redaktorial: Pas publikimit të artikullit është bërë një ndryshim për të sqaruar se projekti është krijuar gjatë një periudhe kohore dhe ka dalë si rezultat i shumë bisedave me individë të ndryshëm.