Blogbox | Demokraci

Interesimi i Rusisë për zgjedhjet në Kosovë

Nga - 23.08.2017

Moska po i përcjell nga afër sfidat dhe pasigurinë.

Ndonëse BE-ja i priti zgjedhjet në Kosovë dhe shpresoi që ky proces do të çonte në krijimin e një qeverie më stabile, e cila do t’i trajtonte problemet e vërteta të këti entiteti që dikur i përkiste Jugosllavisë, negociatat e fundit ndërmjet partive politike i kanë shuar këto shpresa. Vetë lojërat politike që po i luan koalicioni PAN, që udhëhiqet nga PDK-ja, dhe fuqia që e ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, po dëshmojnë se Kosova me gjasë po hyn në një krizë që lehtë mund ta largojë vendin nga rruga europiane.

Përgjatë historisë, rajoni i Ballkanit ka shfaqur një aftësi të pakrahasueshme për të tërhequr vëmendjen e “akterëve dëmtues”, falë tensioneve lokale dhe paaftësisë për të krijuar shtete stabile. Në qoftë se modelet historike dhe tendencat aktuale e ndjekin të njejtën rrugë, Rusia në të ardhmën e afërt mund të jetë në avantazh në Ballkan.

Kapaciteti për të mobilizuar sasi më të vogla burimesh me rezultate më të mëdha dhe për t’i shfrytëzuar frikat e atyre që nuk janë edhe aq të gatshëm për t’iu bashkuar organizatave euroatlantike, mund të rritet shumëfish në këtë periudhë. Pavarësisht faktit që ekonomia e saj ka filluar të dobësohet, dhe përkundër ndarjeve që i ka me Perëndimin, Rusia e ka forcuar zërin e saj në Ballkan. Kjo mund t’i shkaktojë asaj ballafaqime me akterë tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë. Kosova mund të duket si vendi i fundit në të cilin mund të shtohet ndikimi i Moskës, por historia thotë se Rusia nuk heq dorë lehtë nga synimet e saj.

Të paktën për të ardhmen e afërt, Rusia do të përpiqet ta mbajë këtë situatë jostabile në Kosovë. Moska vazhdimisht ka theksuar gjatë viteve të fundit se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit ka stagnuar dhe se situata në Kosovë është e ndërlikuar, por zgjedhjet e fundit mund ta nxisin Rusinë t’i vlerësojë më tej proceset politike, sa i përket Kosovës, dhe në fund të kërkojë marrëdhënie më të ngrohta.

Nëse BE bëhet më e paarritshme, Rusia në fakt mund ta zbusë tonin dhe të tregohet dashamirëse ndaj Prishtinës, në mënyrë që të tejkalohet ngërçi.

Meqë koalicioni fitues e mbështet ish-komandantin e UÇK-së, Ramush Haradinajn, Rusia mund të përpiqet ta shfrytëzojë rastin e ta portretizojë Kosovën si të rrezikshme për stabilitetin në rajon; si rrjedhojë, kjo mund të ketë ndikim te disa akterë brenda BE-së, duke i shtyrë ata që ta zvogëlojnë presionin që e ushtrojnë mbi Beogradin për ta njohur Kosovën. Kështu mund të bëhet më e lehtë rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE, ose të paktën mund të ketë ndikim sa i përket kushteve të procesit të normalizimit të marëdhënieve.

Nëse BE-ja bëhet më e paarritshme, Rusia në fakt mund ta zbusë tonin dhe të tregohet dashamirëse ndaj Prishtinës, në mënyrë që të tejkalohet ngërçi. Kjo dashamirësi ndoshta nuk do t’i kalonte vijat e kuqe të lidhjeve sllave, por do t’i jepte Moskës mundësi që të luajë rol në një vend që aktualisht është pak a shumë bastion antirus.

Nëse në fund Lëvizja Vetëvendosje del më e fortë se PDK-ja dhe LDK-ja (që tradicionalisht janë të orientuar drejt Perendimit), mesazhi që përçohet nga një situatë e tillë mund të jetë nxitje e mëtejme për përmirësimin e dialogut Prishtinë-Moskë. Kërkesa për më shumë pavarësi nga organet ndërkombëtare, e cila promovohet nga Vetëvendosje, mund ta distancojë më tej Kosovën nga BE-ja, dhe me gjasë edhe nga NATO-ja. Diskutimi publik gjithnjë më i përhapur për ricaktimin e kufijve në Ballkan mund t’i joshë përsëri disa në Kosovë, dhe nëse BE-ja dhe NATO-ja e refuzojnë këtë ide, Rusia mund ta mbështesë atë.

Sidoqoftë, Rusia përballet me pasiguritë e veta zgjedhore, meqë zgjedhjet e përgjithshme i ka në plan t’i mbajë në pranverë. Ndonëse shumë po shpreson që fitues të dalë Aleksey Navalny, që në dukje është liberal, raportet e fundit tregojnë se Partia Komuniste ka përjetuar ndryshime të mëdha. “Të kuqtë” po i joshin të rinjtë, dhe me gjasë mund ta kundërshtojnë aleatin e afërt të Vladimir Putinin, Rusinë e Bashkuar, njëlloj siç Lenini e kundërshtoi Carizmin.

Komunistët e rinj, të cilët kanë mësuar se si t’i adresojnë më mirë masat, po ngulin këmbë në faktin që Revolucioni Bolshevik shënoi sukses kundër Carizmit të plotfuqishëm. Ata po lënë të kuptohet se në vitin e ardhshëm mund të ketë ndryshime në skenën politike. Çfarë domethënie mund të ketë kjo për Kosovën?

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Cosmin Ionita
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO