Biseda | Film

Sami Mustafa: Bota e filmit mund të jetë më e fuqishme se politika për ndryshimin e jetës së njerëzve

Nga - 24.04.2018

Filmbërësi i shpërblyer flet për portretizimin e gabuar të romëve në filma dhe për brezin e ri i cili po bën përpjekje ta ndryshojë këtë dukuri.

Për aq kohë sa ka ekzistuar bota e filmit, nuk kanë munguar filmat që i kanë portretizuar romët si të pastrehë, hajna, falltarë, lypës apo muzikantë të rrugës. Por një platformë e re synon ta portretizojë komunitetin rom në mënyrë më gjithëpërfshirëse, me rrëfime ndryshe dhe realitete të jetëve të zakonshme të cilat shkojnë përtej këtyre karakterizimeve ‘ekzotike’ dhe ‘viktimizuese’ të romëve.

Bashkë me një staf të vogël të filmbërësve dhe producentëve, filmbërësi i shpërblyer Sami Mustafa së fundmi krijoi platformën FOCUS! Roma Youth Cinema Project me një përzgjedhje prej 100 filmave që trajtojnë tema në lidhje me komunitetin rom apo janë të prodhuar prej pjesëtarëve të këtij komuniteti. Ky projekt është i bazuar në idenë se filmi ka potencial të luftojë për të drejtat e njeriut. Ka për synim kundërshtimin e stereotipeve dhe të racizmit kundër komuniteteve rome nëpërmjet ngritjes së një sërë ngjarjesh cilësore filmike dhe aktivitetesh arsimore që lidhen me këtë sektor.

Mustafa, rom nga Kosova i cili aktualisht jeton në Francë, ka prodhuar, ka shkruar skenare dhe ka bërë regjinë për më shumë se 10 dokumentarë, dokumentarë artistikë dhe filma promovues për komunitetin e tij, të drejtat e njeriut dhe projekte të OJQ-ve në Kosovë, Serbi, Slloveni, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Francë. Me filmat e tij ai ka fituar disa çmime, të cilat i ka shfaqur nëpër festivale prestigjioze të filmit – duke përfshirë këtu Festivalin e Kanës në vitin 2007 (me filmin “Road to Home”).

FOCUS! është kulminacioni i punës së Mustafës me Rolling Film Festival, nismë e krijuar fillimisht nga OJQ-ja Romawood, të cilën ai e drejton, dhe Balkan Sunflowers. Ky drejtor artistik e ka luajtur rolin kyç, duke i ndihmuar festivalit të bëhet njëra prej ngjarjeve kulturore më të vlerësuara në Kosovë. Tani kjo ngjarje shërben si skenë për mbështetje të shprehjes artistike të të rinjve romë dhe njëkohësisht për të sjellë filma që trajtojnë tema në lidhje me komunitetin rom, ose janë të prodhuara prej tyre. Edicioni i ardhshëm pritet të mbahet në tetor, ndërsa projekti i ri mund të përdoret si referencë për festivale të tjera ndërkombëtare dhe njerëzit të cilët duan të mësojnë më shumë për filmbërësit romë apo temat që e përfshijnë këtë komunitet.

Përveç databazës së filmave të prodhuar nga romët dhe me tema të tyre, projekti FOCUS! gjithashtu përfshin shfaqje edukative për tema të ndryshme të cilat edukatorët dhe profesionistët e filmave mund t’i shkarkojnë pa pagesë për të ndihmuar me hartimin e një programi edukativ me një shfaqje, kurrikulë të trajnimeve për njerëz të cilët punojnë me të rinj (5 ditë), dhe këshilla për organizimin e shfaqjeve filmike dhe festivaleve të filmit për çështje të romëve.

Filmat e Sami Mustafës janë shfaqur në festivale të mirënjohura të filmit, duke përfshirë këtu Festivalin në Kanë. Foto nga Sami Mustafa.

K2.0 bisedoi me Mustafën në Skype për ta diskutuar idenë e projektit të tij të ri, mënyrën se si filmbërësit mund t’i portretizojnë më saktësisht realitetet e romëve dhe potencialin që e ka filmi për t’i luftuar stereotipet e rrënjosura.

K2.0: ‘Filmat e prodhuar nga romët dhe filmat që trajtojnë tema të tyre’ kanë qenë në fokus të festivalit Rolling Film Festival prej vitit 2009 – tani është gjithashtu thelbi i platformës FOCUS! Roma Youth Cinema Project. Si ndodhi ky tranzicion?

Sami Mustafa: Projekti FOCUS! në thelb nis me idenë e festivalit Rolling Film Festival. Sepse me të vërtetë pjesa më e vështirë e organizimit të një festivali të tillë është qasja tek filmat e tillë. Ndonjëherë, para edicioneve [të festivalit] njerëzit kalojnë shumë kohë duke i kërkuar filmat – me muaj. Kështu i njohin më mirë filmat dhe u shkruajnë njerëzve, institucioneve dhe qendrave kulturore, vetëm për të mësuar më shumë për këta filma.

Pas edicionit të parë, të dytë, të tretë, filmat filluan të mblidhen. Ka shumë filma, shumë tema të rëndësishme të cilat duhet të jenë në dispozicion të të gjithëve, prandaj menduam ‘Çka do të bëjmë?’

Shumë njerëz na kanë kontaktuar për t’u konsultuar për filmat romë për llojet speciale të programeve të tyre. Dhe pjesën më të madhe të kohës këtë e bëja unë në kohën time të lirë – u ndihmoja festivaleve të tjera – dhe kjo më merrte shumë kohë. Në fund… neve [OJQ-të Romawood në Kosovë, Somany në Francë, dhe Phiren America në Hungari] na erdhi ideja për krijimin e një qendre burimore, që këta filma të jenë në dispozicion të të gjithëve. E gjithë kjo punë është bërë për t’i zbuluar këta filma.

Këta filma nuk janë thjesht një koleksion apo databazë. Ata tregojnë histori dhe tregime, na bëjnë t’i kuptojmë më mirë këto tema, dhe na mundësojnë të krijojmë diskutime. Dhe disa prej tyre janë filma shumë, shumë të bukur.

"Pra, në parim i kemi mbledhur 100 filma nga vitet e ‘20-a e më tej; problemi është se deri në të ‘70-at shumë pak filma i përfshinë romët."

Çfarë qasje në filma kanë vizitorët e uebfaqes? A marrin vetëm informacione kryesore për ta, apo edhe mund t’i shohin këta filma?

Për momentin e kemi vetëm një listë të filmave, dhe ka informata teknike për filmat. Gjithashtu mund t’i gjejnë kontaktet e filmbërësve apo të kompanive të distribuimit, domethënë kanë qasje tek filmbërësit. Disa filma janë online dhe në YouTube. Por për momentin, është realisht një platformë në të cilën ka informata për qasje tek këta filma.

Uebfaqja thotë se përfshin 100 filma. Çfarë simbolike ka ky numër?

Numri 100 është për t’i kremtuar 100 vjet të romëve në botën e filmit. Domethënë nis nga [Charlie] Chaplin-i, sepse shumë njerëz konsiderojnë se Chaplin-i kishte prejardhje rome. Në fakt ne u munduam ta krijojmë një lloj përfaqësimi kronologjik grafik të filmave romë i cili nis nga filmi i tij i parë – një prej filmave më të njohur të tij, i cili quhet “The Vagabond”.

Pra, në parim i kemi mbledhur 100 filma nga vitet e ‘20-a e më tej; problemi është se deri në të ‘70-at shumë pak filma i përfshinë romët. Dhe shumë filma janë prodhuar pas vitit 2000, veçanërisht dokumentarë.

Pse mendoni se filmbërësit kanë qenë më të interesuar të trajtojnë tema në lidhje me romët pas vitit 2000? A lidhet kjo me faktin se janë zhvilluar më shumë filmbërës romë në vitet e fundit?

Mendoj se kjo është lehtësuar nga pajisjet e reja të filmbërjes të cilat janë më shumë në dispozicion të njerëzve, si dhe nga numri i shtuar i filmbërësve të pavarur dhe të aktivistëve. Gjithashtu janë zhvilluar edhe disa filmbërës romë, por numri i filmave të prodhuar nga romët nuk është edhe aq i madh. Nga viti 2000, rreth 300 (apo më shumë) filma janë prodhuar për komunitetin rom, dhe ndoshta 7 deri në 10 filma të vlerësuar ndërkombëtarisht dhe të prodhuar prej romëve, duke përfshirë këtu ato të Tony Gatlif-it.

Shumë kritikë të filmit argumentojnë se portretizimet e protagonistëve romë shpeshherë karakterizohen nga hiperbolat, stereotipet dhe romantizimet.  Si e komentoni këtë?

Kjo ishte një nga arsyet për themelimin e Festivalit [Rolling Film]. Shembulli më i mirë janë filmat e [Emir] Kusturicës. Filmat e tij janë shfaqur para një audience masive, dhe kanë krijuar imazhe negative për romët, të cilat nuk lidhen fare me realitetin. E edhe pse ulemi dhe i shikojmë filmat e tij, qeshim shumë, na pëlqejnë, i duam karakterët, kur mendon më pas… ky nuk është realiteti.

"Shumë filmbërës kanë tendencë t’i shfaqin pjesët më të këqija — klishetë të cilat i dinë të gjithë."

Dhe për këtë arsye ne nuk kemi shfaqur kurrë, për shembull, filma të Kusturicës [në festival] – e kam shfaqur “Time of the Gypsies”, sepse ky film ka lidhje politike, jo për shkak të mënyrës së interpretimit të romëve në të.

Koleksioni i filmave të cilat i shfaqim ne përfshin filma të cilat nuk janë të romantizuar dhe të ekzotizuar. Ky është fokusi kryesor i festivalit. Dhe sigurisht ka shumë filma, dhe realitete të ndryshme. Varfëria portretizohet shumë në to, si dhe njerëzit e paedukuar të cilët janë në situata të tmerrshme; ky është realiteti të cilit nuk mund t’i shmangemi në këto lloje të filmave. Por me filma si “Spartacus dhe Cassandra” i njohim më mirë këta njerëz duke i shikuar. Fillon t’i duash, sepse kënaqesh me ta – kaq. Nuk ka asgjë për romët, nuk ka asgjë për gjeneralizimet, nuk ka asgjë për shënjestrim të njerëzve. Nuk i fusim të gjithë në një thes.

Në parim këtë mundohem ta bëj edhe në filmat e mi. Si filmbërës rom, unë e kam bërë “Trapped by Law”, një film që tregon një histori për dy vëllezër. Por unë nuk e theksoj çështjen që janë romë. Thjesht tregojmë se si ata mbijetojnë dhe si e kalojnë jetën. Dhe fatkeqësisht kjo mungon shumë; të gjithë duan… shumë filmbërës kanë tendencë t’i shfaqin pjesët më të këqija – klishetë të cilat i dinë të gjithë. Kemi nevojë të shfaqim diçka ndryshe, jo vetëm ekzotizime dhe romantizime.

Në vitin 2015, Mustafa e publikoi filmin dokumentar “Trapped by Law”, i cili tregon për vështirësitë e dy vëllezërve të internuar në Kosovë nga Gjermania në vitin 2010. Foto e Kafaet Prizreni nga xhirimet e filmit “Trapped by Law”. Nga Sami Mustafa.

Megjithatë ekzotizimet dhe romantizimet e komunitetit rom i karakterizojnë shumë filma. A mendoni se ky lloj portretizimi e ka larguar vëmendjen nga realiteti, dhe se e nënvlerëson diskriminimin sistematik?

Jo vetëm që ka ekzotizim dhe romantizim, por komuniteti rom portretizohet edhe në mënyrë viktimizuese, e kjo pastaj i shërben sistematizimit të diskriminimit. Prandaj vetëpërfaqësimi është i rëndësishëm. Në disa pjesë të Europës, romët ende jetojnë në karavanë, në disa vende të tjera u ndalohet të jetojnë në karavanë, e në disa shtete jetojnë në geto dhe varfëri ekstreme, e kjo e provokon ‘frymëzimin’ e filmbërësve/artistëve të cilët shkojnë përtej realitetit.

Shumë filma jugosllavë e trajtojnë jetën e romëve. Dhe shumë konsiderojnë se në Jugosllavi romët për herë të parë kishin më shumë dukshmëri si rrjedhojë e përfshirjes në filma të tillë. Por në përgjithësi a mendoni se filmat jugosllavë i përfaqësuan romët në mënyrë të drejtë? Apo kontribuan më tej në paragjykimet e rrënjosura?

Mënyra e jetesës dhe kultura e romëve i ka frymëzuar shumë filmbërës për të prodhuar filma për ta. Ka të tillë që e kanë portretizuan realitetin e romëve, si “Skuplijači Perja” (“Kam Njoftuar edhe Ciganë të Lumtur”) nga Aleksandar Petrović, por në filmin “Crna Mačka, Beli Mačor” (“Macja e Zezë, Maçoku i Bardhë”) të Emir Kusturicës, ciganët e imagjinuar të cilët na ‘pëlqen’ t’i shohim në ekranet tona janë në një nivel krejtësisht të ri – qesharakë, magjikë dhe kriminelë – e kjo buron nga imagjinata jonë sistematike e stereotipeve dhe diskriminimit.

Ju thatë se nuk duhet domosdoshmërisht vetëm filmbërësit romë të trajtojnë tema që lidhen me komunitetin rom. A mendoni se dallon qasja ndaj rrëfimeve tek filmbërësit romë dhe filmbërësit e tjerë?

Vështirë është të dallohet kjo ndonjëherë, sepse ka një numër të jashtëzakonshëm filmash për romët të cilët janë prodhuar prej filmbërësve që nuk janë romë, dhe fatkeqësisht ka regjisorë që i portretizojnë komunitetet rome si hajna dhe kriminelë. Ndjeshmëria e këtyre temave është e bazuar në stereotipe dhe ata mbështeten në referencat e tyre personale.

Pra mendoj se ndonjëherë është vështirë të dallohen, e ndonjëherë ka dallime të mëdha. Dhe për shkak se tregu i filmave është shumë i madh dhe ka shumë konkurencë në të, ata 10 filmbërës të vlerësuar nëpër botë të cilët janë të komunitetit rom mund të mos bëjnë dallim të madh, por ata do ta shtrojnë rrugën për gjeneratën e re të filmbërësve.

Filmat në projektin FOCUS! ndahen në tri kategori tematike: asimilimi, holokausti i romëve dhe aktivizmi i grave rome. Sa mendoni se po diskutohen dhe prezantohen këto tema në media?

Nuk mendoj se kjo ndodh shumë. Unë e shoh sepse jam i përfshirë në këto punë. Jam në atë grup të njerëzve të cilët gjithmonë i qarkullojnë informatat e njëjta. Kemi informata për këtë. Por ka shumë njerëz që nuk kanë, nuk e dinë se çfarë do të thotë të jesh aktivist rom.

Ky grup i ngushtë i njerëzve e shohin çfarë po ndodh dhe e kuptojnë. Për shembull, nëse flasim për internimin me forcë të romëve nga Gjermania në Kosovë [pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve]… në Kosovë ne e dimë se romët po kthehen nga Gjermania. Kjo dallohet, sepse papritmas shohim fytyra të reja në fshatra.

Por, për shembull, njerëzit në Gjermani nuk dinë gjë për internimin e romëve nga Gjermania në Kosovë. Dhe, për shembull, kur unë isha duke e prodhuar “Trapped by Law”, e vërejta se askush nuk din gjë për këtë çështje. Lexova disa artikuj, njerëzit po shkruanin për të, e po demonstronin kundër kësaj, por megjithatë ky është një rreth i ngushtë.

Mustafa i portretizon realitetet e ndryshme të romëve në punën e tij. Por ai thekson se me këtë film iu largua këtij parimi. Foto nga Selami Prizreni gjatë xhirimit të “Trapped by Law”. Nga Sami Mustafa.

Dhe nuk po flasim vetëm për dy vëllezërit të cilët janë internuar [në film]. Janë më shumë se 10,000 njerëz, dhe ende po internohen të tjerë. Nuk mendoj se njerëzit po e shpërfillin këtë çështje, por mediat nuk po i kushtojnë rëndësi të mjaftueshme.

Njëjtë është me viktimat rome në Holokaust. Kjo është bërë shumë temë e madhe në vitet e fundit, sepse po punojmë që të njihet Holokausti Rom gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe kjo [luftë për njohje] është zhvilluar me vite – nga disa njerëz të cilët e kanë këtë aspiratë. Dhe tek tani më në fund disa shtete e kanë njohur Holokaustin [Rom]. Por prapëseprapë, njerëzit nuk kanë njohuri për këto lloj çështjesh.

Kur qeveritë nuk arrijnë ta përmirësojnë jetën e njerëzve, pavarësisht prodhimit të disa dokumenteve dhe politikave, a mund të ndihmojnë filmat ta mbushin këtë boshllëk në luftën kundër padrejtësive dhe përjashtimit?

Besoj se po. Unë besoj vetëm në art dhe kulturë, duke përfshirë këtu filmat në këtë rast. Është e vetmja mënyrë për t’i kuptuar njerëzit e ndryshëm, për ta kuptuar pozitën e komuniteteve të ndryshme, minoriteteve të ndryshme dhe njerëzve që vinë nga shtetet e ndryshme.

Pastaj sigurisht se e ke çështjen politike, atë se si të përmirësohen kushtet e njerëzve. E ata gjithmonë shkruajnë sende në dokumente, dhe kanë shkruar shumë në dokumente dhe ende janë të shkruara. Romët në Europë kanë qenë prej Epokës së Mesjetës, dhe janë një prej komuniteteve më të mëdha në Europë. Madje edhe sot, kjo që po ndodh në Francë, që po më tranon krejt, dhe që nuk ndodh në Kosovë… e dimë se njerëzit janë krejtësisht të ndarë, janë krejtësisht jashtë shoqërisë.

"Ke gjithë ato tregime; është vegël e fuqishme për ndryshimin e mendësisë së njerëzve, sepse u tregon histori të ndryshme, shohin njerëz të ndryshëm."

Kjo ka ndodhur me vite dhe dekada, dhe ende është njëjtë. Nuk ka ndryshuar gjë. Po kalon koha – njerëzit po bëhen më të moshuar, dhe të rinjtë po rriten, e përpjekjet e qeverisë [franceze] për përmirësimin e jetës së romëve janë absolutisht zero. Në Kosovë është çështje politike, sepse në Kosovë shumë njerëz janë të papunë. Por në Francë mendoj se është krejtësisht ndryshe.

Nuk besoj në politika. Mendoj se ata duhet t’i zbatojnë ato që i thonë. Në botën e filmave… ke gjithë ato tregime; është vegël e fuqishme për ndryshimin e mendësisë së njerëzve, sepse u tregon histori të ndryshme, shohin njerëz të ndryshëm; kjo i prek jetët dhe zemrat e njerëzve. Sepse nuk është thjesht ta shikosh një film për njerëz të tjerë, por pjesën më të madhe të kohës, reflekton për jetën e këtyre njerëzve. Prandaj filmat janë vegël shumë e fuqishme sepse e luajnë një rol në shoqëri dhe krijojnë më shumë mirëkuptim për njerëz dhe komunitete të tjera.

Shumë filmbërës në botë, nëpër intervista të ndryshme, e përmendin vendlindjen si burim frymëzimi, dhe kujtimet e fëmijërisë si diçka që ndikon shumë tek puna e tyre më vonë gjatë jetës. E ju? Çfarë ndikimi ka Plemetini në punën tuaj?

Të gjithë jemi të ndërtuar apo jemi rritur me ndikime të ndryshme, dhe ato na formësojnë. Filmbërësit dhe artistët kanë tendencë t’i tregojnë këto dallime sepse është referencë e sigurtë për besimet tona. Edhe ne besojmë se jeta është më shumë se getot e lagjet e vogla.

Unë jam ky që jam sot për shkak se jam rritur në Plemetin. Kam jetuar me komunitetin rom, serb dhe shqiptar, secili në qoshin e vet, dhe mua më dukej mjaft normale, deri kur erdhi lufta. Atëherë u krijuan getot, na ndaluan të dalim nga fshatrat tona, dhe të gjithë e fajësuam njëri-tjetrin. Që atëherë, me filmat që i kam bërë, me festivalet që i kam organizuar, jam munduar t’i bëj bashkë njerëzit, për t’ua kujtuar se kush ishim, dhe për të krijuar më shumë mirëkuptim.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën angleze.

Foto kryesore nga Sami Mustafa.