Biseda | Art

S()fia Braga: Dua ta sjell vëmendjen te vulva

Nga - 03.05.2023

Artistja e kineastja e IA flet për identitetet dhe teknologjinë.

Brenda galerisë, tre shtretër të bardhë rrinë të vendosur pranë mureve me ngjyrë rozë të lehtë, që disi ngjajnëi me një dhomë të pastër spitali. Vizitorët ftohen të shtrihen në shtretër, ta zënë një pozicion meditues dhe ta vështrojnë një ekran telefoni të vendosur përmbi, ku do të shohin pamjen e tyre me një vulvë të vendosur mu në mes të ballit të tyre.

Ekspozita, me portretizimin e saj jokonvencional dhe fantastik të pjesëve dhe personazheve të pamundura të trupit, mund të duket si diçka përtej një filmi fantastiko-shkencor. Megjithatë, është vulva e padukshme e trupit të gruas ajo që vihet në qendër.

“Kjo paksa ngjason me konceptin e përrallave, që përfshin përdorimin e përzierjes së trillimeve dhe realitetit për të shtjelluar tema që shpesh nuk diskutohen në shoqëri dhe për ta riformësuar dhe riimagjinuar botën”, tha S()fia Braga, e cila për momentin po e ekspozon veprën e saj “Forehead Vulva Channeling Research” (shq. Hulumtimi mbi kanalizimin e vulvës në ballë) Galeria 17” në Prishtinë.

“Në këtë rast, ideja ka qenë t’i sjellim vëmendje vulvës”, tha Braga. “Trupi i gruas historikisht ka qenë temë tabu dhe shpesh është konsideruar si më pak i rëndësishëm. Vendosja e vulvës në ballë, një vend shumë të dukshëm, i jep dukshmëri këtij organi”.

Në një ekran përballë shtretërve, paraqitet një video e Braga, që vepron si një personazh shumë-formësh, që flet me një zë futurist dhe mekanik, shpjegon se çka është vulva e ballit dhe si ta kanalizojmë atë. Duke qëndruar pranë ekranit, Braga tha për K2.0 se hulumtimi i saj për këtë projekt e njoftoi atë me nderimin e madh që i bëhej vulvës nga fetë e lashta, duke iu referuar një kohe kur trupi i gruas ende nuk ishte bërë tabu.

“Klitorisi më duket interesant sepse është pjesë e trupit, që shumë njerëz nuk e njohin si formë”, tha ajo. Kjo mungesë e njohurive për atë se si duket anatomia bazike “na tregon shumë për mënyrën se si flasim për trupin e grave”, tha Braga. “E dimë se si duket truri, por pse nuk e dimë se si duket klitorisi? Kjo flet shumë për censurën dhe tabunë në përgjithësi”.

“Ideja ishte t’i sillja vëmendje vulvës”, tha Braga. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Braga është artiste italiane transdisiplinare që jeton dhe punon mes Vjenës dhe Linzit. Në punën e saj artistike, ajo eksperimenton me teknologji të reja për të konceptuar përralla spekulative, që trajtojnë tema të tilla si transhumanizmi dhe agjencia jo-njerëzore. Identiteti i saj ndryshon vazhdimisht. Gjatë tri viteve të fundit ka qenë “një artiste, një cyberstalker [përndjekëse në internet], një sipërmarrëse transhumaniste, kineaste e inteligjencës artificiale dhe ka pësuar mutacion disa herë në një krijesë monstruoze”.

Ekspozita e saj, në “Galeria 17” në Prishtinë, u hap më 4 prill dhe do të zgjasë deri më 22 qershor. Ekspozita është një bashkëpunim ndërmjet “Shtatëmbëdhjetë” dhe “Festivalit Ars Electronica”. K2.0 u takua me Braga në “Galeria 17” pas hapjes së ekspozitës së saj për ta diskutuar “Forehead Vulva Channeling Research”, identitetet e shumta dhe rrëfimtarinë transmediale.

K2.0: A mund të ma shpjegoni “Forehead Vulva Channeling Research” dhe atë se çfarë shohim të ekspozuar këtu në galeri.

S()fia Braga: Projekti quhet “Forehead Vulva Channeling Research” dhe është projekt kërkimor spekulativ transhumanist, që synon ta rizbulojë potencialin e ri në trupin e njeriut, konkretisht mundësinë e kanalizimit të vulvës në ballin e njeriut. Projekti bazohet në hulumtimet e mëparshme rreth transformimit të trupit dhe perceptimit të identitetin tënd. Siç mund ta kesh lexuar në biografinë time, unë e përkufizoj veten ndryshe varësisht prej projektit në të cilin punoj. Kërkimet e mia gjithashtu lidhen ngushtë me rrjetet sociale, duke e shqyrtuar se si performojmë me trupin tonë dhe ndërtojmë identitetet tona në internet.

Si mund ta përdorim këtë hapësirë digjitale për të qenë edhe diçka tjetër? Kjo është ajo çka trajton “Forehead Vulva Channeling Research”. Kërkon ta sfidojë idenë e të menduarit binar, veçanërisht lidhur me temat që ndërlidhen me gjininë. Po ashtu, projekti rrit ndërgjegjësimin për faktin se trupat tanë janë të aftë të ndryshojnë dhe të transformohen. E këtu kërkimi im kryqëzohet me transhumanizmin, ideja e të qenit në gjendje ta përmirësosh trupin tënd nëpërmjet përdorimit të teknologjisë.

Për këtë arsye, kam vendosur ta sjell këtë projekt në realitet të shtuar, pasi besoj se është thelbësore t’i përjetojmë ndryshimet në trupin tonë përmes pajisjeve të tilla, siç është theksimi i vulvës ballore. Është interesante se si kjo teknologji mund të na mundësojë ta perceptojmë trupin tonë në mënyra të reja dhe të ndryshme.

“E dimë se si duket truri, por pse nuk e dimë se si duket klitorisi?”, pyeti Braga. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Çka e bën dikë — juve në këtë rast — ta konsiderojë veten artist/e transdisiplinor/e?

E konsideroj veten artiste transmediale, sepse punoj me lloje të ndryshme mediesh. Gjithashtu identifikohem si transdisiplinore sepse nuk e kufizoj veten në botën e artit bashkëkohor apo në ndonjë medium specifik. Për shembull, ky projekt filloi si përvojë e rrëfimtarisë transmediale në internet, e cila më pas u zhvillua në një performancë dhe përfundimisht në një instalacion, që përfshin videon e realitetit të shtuar dhe performancën e trupit. Në këtë projekt, nuk jam vetëm artistja dhe interpretuesja; publiku është gjithashtu pjesë thelbësore e performancës. Publiku bëhet pjesëmarrës aktiv, duke e shndërruar performancën në një përvojë bashkëpunuese.

A mund të na tregosh për hapat që ju kanë çuar aty ku jeni sot dhe tek puna juaj në mediet e reja të artit.

Fillova studimet në Itali dhe kur fillova, nuk kishte asnjë program për artin e medieve të reja, ndoshta në vende të tjera tashmë ka qenë e zhvilluar diçka e tillë. Kështu që, kisha mbajtur kurse shumë fillestare për artin pamor, por gjatë masterit të parë, sepse bëra një master të dytë në Austri, e kuptova se kisha interes në atë se si funksiononte dinamika e rrjeteve sociale.

Ideja për të punuar me rrjetet sociale erdhi nga zemërimi që ndieva për paragjykimet dhe praktikat e grumbullimit të të dhënave të këtyre platformave. Besova se ato shkelnin të drejtat e njeriut, prandaj nisa të punoja me këto platforma për të gjetur mënyra për t’i përmbysur ato. Fillimisht, u përqendrova në projekte që lidhen me përvetësimin dhe projektet që bazoheshin në internet dhe fillova t’i përdorja narrativat spekulative si një mënyrë për ta treguar rrëfimin tim.

Interesohesh në këto tema të teknologjisë së re dhe disi të tregoja strukturat e fshehura të pushtetit, që zakonisht nuk i shohim, por edhe potencialin që këto teknologji mund ta kenë nëse do të përdoreshin nga dikush tjetër. Nëse nuk do të kishte një strukturë pushteti brenda, për shembull, nëse kjo teknologji do të ishte burim i hapur, atëherë thjesht do të përdorej në një mënyrë tjetër.

Kjo është po ashtu një aspekt i përdorimit të realitetit të shtuar në këtë mënyrë. Duhet gjurmim i fytyrës për të bërë ta mundësuar projektin, por këto të dhëna nuk mblidhen. Kjo teknologji duhet të përdoret për ta përmirësuar veten dhe jo për të marrë diçka nga ju.

Është e qartë se studiuesja e njohur feministe Donna Haraway dhe puna e saj mbi cyborg dhe kryqëzimin e teknologjisë, identitetit dhe gjinisë kanë pasur ndikim të rëndësishëm në punën tuaj. Megjithatë, biografia juaj sugjeron që jo domosdoshmërisht identifikoheni si feministe. Cila është pikëpamja juaj rreth identifikimit të vetes si artiste feministe?

Donna Haraway ka pasur ndikim të madh në punën time, veçanërisht idetë e saj mbi rrëfimtarinë. Është një film dokumentar që bazohet në librin e saj, “Story Telling for Earthly Survival”, (shq. Rrëfimtaria për mbijetesën tokësore), i cili ndikoi tek unë në këtë projekt. Mendoj se tregimi është mjet shumë i fuqishëm për t’i diskutuar çështjet, të cilat normalisht nuk diskutohen dhe me të vërtetë mund të të ndihmojë ta shohësh botën ndryshe dhe të krijosh ndërrime në pikëpamje.

Besoj se feministët/et e kanë përdorur këtë mjet, rrëfimtarinë, si mjet për ta shfaqur një botë ndryshe, veçanërisht në të kaluarën, kur shkrimtareve feministe në vitet e ’60-ta dhe ’70-ta nuk u kushtohej i njëjti nivel vëmendjeje si sot. Ka qenë e nevojshme të gjendeshin mënyra për ta [përçuar mesazhin e tyre] përtej thjesht tregimit të fakteve. Si mund të riimagjinojmë diçka ndryshe? Mendoj gjithashtu se është më e lehtë për njerëzit ta kuptojnë se çka është gabim kur u tregon atyre përmes një rrëfimi dhe kur u tregon atyre se diçka mund të jetë edhe utopike dhe distopike.

“Interesohesha në këto tema të teknologjisë së re”, tha Braga, “dhe disi t’i tregoja strukturat e fshehura të pushtetit, që zakonisht nuk i shohim”. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kur lexon biografinë dhe projektet e mia, mund të mos e gjesh termin “feministe”. Nuk e ndjej nevojën për etiketime të tilla, por patjetër jam pjesë e feminizmit. Në këtë kohë, secili duhet të jetë. Sepse feminizmi nuk ka të bëjë vetëm me fuqizimin e grave, por edhe të të moshuarve, minoriteteve dhe është kthyer në një lëvizje shumë më e madhe, që po ndryshon vazhdimisht.

Për shembull, unë nuk e radhis veten në valën e parë të feminizmit. Mendoj se ato janë shumë larg ideve të mia, kam kuptim shumë më bashkëkohor të feminizmit, që shkon përtej asaj që ka qenë më parë, si dhe nuk më pëlqen të etiketohem.

Dua ta shqyrtojmë një pikë specifike nga prezantimet tuaja, atë të një identiteti që ndryshon vazhdimisht. Gjatë tri viteve të fundit ke thënë se ke qenë “një artiste, një cyberstalker, një sipërmarrëse transhumaniste, një kineaste e inteligjencës artificiale dhe ke pësuar mutacion disa herë në një krijesë monstruoze”.

Askush nuk ka vetëm një identitet, sepse ne gjithmonë ndryshojmë dhe zhvillohemi vërsisht përvojave që përjetojmë. Por disi ekzistojnë disa etiketa që vendosim t’i vendosim vetes. Për shembull, s’do të jesh kurrë artist/e derisa të thuash vetë se je artist/e. S’mund të presësh nga dikush tjetër të vijë e të të thotë “je artist/e”, nëse nuk e ke thënë vetë më parë.

Ishte temë e madhe diskutimi gjatë studimeve, me kolegët e mi, pasi duhet t’i tejkalosh disa frika dhe ndoshta edhe sindromën e imposterit, në mënyrë që ta shpallësh veten artist/e. Por në fund, është thjesht një etiketë, që mund ta përdorësh për veten tënde. Mund të vendosësh ta quash veten diçka tjetër dhe në vend të kësaj, të bëhesh ai person.

Kështu që, kur fillova të punoja në këtë proces, që lidhet më shumë me përvetësimin dhe kur xhiroja incizime në ekran nga platformat digjitale dhe i përdorja për qëllime artistike, me të vërtetë u ndieva si një cyberstalker dhe më pëlqeu ideja ta përkufizoja veten si të tillë, për të hyrë në personazh.

Projektet e mia kryesisht bazohen në instalacione, por ekziston gjithmonë ai akti performues, kështu që mendoj se mishërohem më mirë me projektin kur besoj se jam sipërmarrëse transhumaniste. Gjithmonë jemi në një proces ndryshimi dhe më duhet të ndryshoj në këtë mënyrë.

Ekspozita e Braga është e hapur në Galeria 17 deri më 22 qershor. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pavarësisht se kanë identitete të shumta, individët shpesh ndiejnë lidhje të forta me disa aspekte të identitetit të tyre, si gjinia dhe përkatësia e tyre etnike, diçka që nuk është e dukshme në rastin tuaj.

Për shembull, realisht nuk më pëlqen ta përkufizoj veten si grua. Me të vërtetë nuk e ndjej të nevojshme të shenjoj atë hapësirën ku thuhet se jam grua. Nuk më duket se është pjesë e rëndësishme e të dhënave.

Në biografinë time e kam shkruar se jam artiste italiane, por shpesh mendoj se duhet ta largoj. Pse njerëzit duhet ta dinë prej nga vij? Sinqerisht nuk më duket e rëndësishme kur më pyesin prej nga vij.

Pse do ta identifikoj veten në bazë të vendit tim? S’jam unë. Kultura ime vjen prej andej dhe ndoshta më ka përcaktuar, por unë s’jam Italia, s’jam Austria.

Mendoj se, në këtë kuptim, më pëlqen ta përkufizoj veten si artiste. Më pëlqen gjithashtu ta përkufizoj veten me etiketa që njerëzit zakonisht nuk do t’i përdornin, si për shembull kur them se evulova në një përbindësh, gjithashtu për të luajtur me këtë nocion identiteti.

Ju punoni me teknologji të ndryshme në veprat tuaja. Si ndiheni për debatin e fundit mbi implikimet etike të AI (Inteligjenca Artificiale)?

Më shqetëson fakti që teknologjia nuk është neutrale dhe që AI është ndërtuar nga njerëz, që reflektojnë paragjykimet e tyre. Në mënyrë tipike, këta individë janë burra të bardhë nga Kalifornia. Si rezultat, teknologjia diskriminon njerëzit nga Jugu Global dhe gratë. Ky ndikim është dukshëm i qartë.

Kjo është ajo që është tepër e rëndësishme të pranohet, ndonëse puna ime nuk do të ekzistonte pa të. Shpresoj që teknologjia do të vazhdojë të evoluojë dhe të përmirësohet, jo vetëm për ta shmangur punën që nuk të përmbush, por edhe për ta përmirësuar ngritjen tonë personale dhe për të krijuar kohë për aktivitete të tjera. Por, për momentin, është e rëndësishme të theksohet fakti se teknologjia nuk është neutrale.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Përkthimet e titujve janë bërë nga K2.0 për ta ndihmuar lexuesin/en dhe si të tilla, nuk janë përkthime zyrtare.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.