Blogbox | Kulturë

Shën Gjergji i luleve, hithave e Erdhlezetit

Nga - 19.05.2023

Festimi i ardhjes së verës ndër gjenerata.

Nuk e mbaj mend se prej cilës moshë ia kemi nisë mos me dalë ma me mbledhë lule për Shën Gjergj –– festën e ardhjes së verës. Si fëmijë, nuk e kam pasë fort të qartë as çka nënkuptonte kjo festë. Ama e prisja me ëndje, për praktikat që e përcillnin.

Me 5 maj, çdo vit, grupi i vajzave të familjes bëheshim bashkë, të udhëhequna nga më e madhja. Ajo na printe për te livadhi e deri te lumi Sitnicë, që e përshkon komunën e Lipjanit. Shkonim drejt ekspeditës së mbledhjes së luleve edhe shelneve (shelgjeve). Ishte me rëndësi me i pasë të mbledhmet të përzieme, lulet e çeluna edhe hithat. Nuk kisha fare dijeni se si ndërlidheshin këto të fundit me mirëqenien teme fizike a mendore. 

Shpeshherë ndodhte që livadhi të ishte i vërshuem, prej reshjeve të shiut, gjë që na e vështirësonte kalimin tek pjesa ku ndodheshin lulet më të freskëta –– lulet “dremiqarka”. 

Po, bënim si bënim, e kalonim pjesën e vërshueme me ujë, që shpesh na binte deri te beli. Tash e kujtoj që çka atëherë më dukej thellësi e madhe, duhej të ketë qenë, në fakt, thjeshte një vërshim i cekët, por atëherë isha njëmend e vogël. 

Sidoqoftë, të gëzueme, mbushnim krahët me lule dhe të njëjtat i çonim në shtëpi. Duhej të kishim kujdes, lulet nuk duhej prekë tokën. Me grushta tejet të vogël, fiksohesha me e shtrëngu tufën dhe mos me e lanë assesi me prekë në tokë. Lulet i varnim në një pemë gjatë tërë natës, që të nesërmen, në ritualin e banjos me lule, ato të kishin efektin e vet të plotë të përçimit të mirëqenies. 

Më 6 maj, nanat edhe gjyshet tona na shpëlanin me rend me lulet edhe hithat e mbledhun. 

“E fortë si hekuri, e shnetshme si hithi”, e përsërisnin shpesh ato. 

Tash e di më mirë ndërthurjen e kësaj fraze, e cila nënkuptonte përzierjen e kultit të bimësisë, që besohej se sjelle shëndet, më atë të kultit të metalit (hekurit), për të cilin besohej se ofronte mbrojtje dhe nënkuptonte qëndrueshmëri.

Po atë ditë, vizitonim Teqen e Janjevës, përkatësisht tyrben e Isak Babës, të cilin banorët aty thonin se e mbajnë mend si shenjtor e bamirës. Në mënyrë rituale silleshim rreth tij disa herë, për të na sjellë fat përgjatë vitit. Më kujtohet turma e madhe e njerëzve që mblidheshin, duke lënë të mira materiale përreth tyrbes e duke llogaritë që të njëjtat do t’u kthehen në shëndet e mbarësi.

Tash, shelnet shihen të varuna në oborre të shtëpive rrallë. Rrallë e hiç. Moti nuk llogaritet ma me arritjen e Shën Gjergjit. 

Ardhja e verës sot

Ritualet me të cilat rritemi, na përcjellin një kohë të gjatë në nënvetëdijen tonë. Nganjëherë kemi tendencë t’u japim më shumë hapësirë shprehëse e ndonjëherë tentojmë t’i shtypim, duke pretenduar që ato nuk na përfaqësojnë më. 

Teksa po tentoj t’i theksoj edhe kultivoj disa rituale në rrafshin personal, po i rikthehem ngadalë edhe njohjes më të thellë të atyre, të cilat i kemi praktikuar edhe në nivel kolektiv, me gratë e vajzat e familjes teme, në një kandvështrim më të theksuem mbi praktikat në ditën e Shën Gjergjit. 

Ama është e vështirë tashma me gjetë vende ku kjo ditë shënohet si në të kaluarën. Kultura edhe festat tona kanë marrë shumë plagë viteve të fundit. Njëra ndër to është dukshëm migrimi i të rinjve, burra e gra kosovare/ë jashtë vendit, drejt një jete ma të mirë. 

Lulet, hithat e shelnet, sikur ndaluan së qeni kulte premtuese. Besimi në këto të fundit, sikur është reduktu, teksa me kalimin e kohës, nuk janë plotësu ma as dëshirat bazike për një jetë të denjë.

Në Prizren, dita e Shën Gjergjit festohet zhurmshëm më 5 maj, te varrezat e qytetit. Shën Gjergjin në Prizren e quajnë edhe “Karabash”, për shkak të tyrbes së Karabashit, tek e cila deri disa vjet më parë mbledheshin vizitorët, për të bërë nderimet e tyre. 

Këtë vit, nuk kishte shumë sosh te tyrbet, ndërsa parku i qytetit gumëzhinte nga kallabllëku. Në këndet e fushës ku festohej, shiteshin gurabijet ose sheqeret e Karabashit. 

Vendasit shqiptarë, romë e turq flisnin plot mall për të kaluarën e shënimit të kësaj feste. Në bisedë me disa gra, të cilat kishin dalë për të shitur gurabije, ato riafirmonin dhimbjen e migrimit të djemve e vajzave të tyre. Njëra më tha: “Shën Gjergji don hyzmet! Ma, nuk po ka kush me ia ba hyzmetin! Asnjë fëmijë nuk e kam në Kosovë. Asnjë nip a mbesë nuk ka mbetë me dalë me i mbledhë lulet e Shën Gjergjit, një natë para.”

Dukej sikur të gjallë e të vdekun po e festonin bashkë ngjalljen e natyrës.

Por prapë, ato i gëzoheshin festës. “Të paktën, kemi njëra-tjetrën,” thoshte njëra nga tri plakat e ulura në një batantije në fushë, duke iu referuar shoqeve të saj. Pohonin se gurabijet i shisnin me gjenerata, vetëm për Shën Gjergj. Gurabijet e Karabashit kishin një pasqyrë të ngjitur në to. 

Ndonjëherë, problemi me përsëritjen e një riti për një kohë të gjatë është se praktikuesit e ritit fillojnë ta praktikojnë atë mekanikisht, shpesh duke ia harru kuptimin. 

“Pse kanë gurabijet pasqyrë?”, pyeta unë me kurreshtje.

“Nuk e di”, më tha njëra nga to. “Plakat kanë ditë diçka. Për mësysh, me siguri”. 

I bie që pasqyra të jetë një lloj amulete, apo “mësysh” siç e quajnë në disa treva kosovare, që të ruan nga “syri i keq”.

Jo fort larg Prizrenit, në Dejnë të Rahovecit, Shën Gjergji manifestohej ngjashëm. Gra e burra vizitonin tyrben e Dervish Brahimit, në fushën ku mbahej festa, puthnin derën e hymjes së tyrbes me të hyrë e me të dalun. Dervish Brahimi po ashtu, bartej ndër gjenerata si figurë e shquar fetare.

Gratë, sidomos, linin tyrben me lot në sy. “Kam ardhë për me u lutë, me iu çelë udhtë djalit t’em, se i ka punët ngushtë”, thotë njëra prej tyre, pasi puthë dyert e tyrbes. 

Qytetarët e Rahovecit, dukej sikur festonin Shën Gjergjin bashkë me të vdekunit. Batanijet e tyre i kishin shtruar fare pranë varrezave. 

Nuk ma do mendja që ishin varreza të të afërmve të tyre e as nuk ishin të gjitha varreza të shenjtorëve. E tanë fusha të jepte një ndjenjë të rëndueme. Ishte njëfarë këmbimi midis jetës dhe vdekjes. Dukej sikur të gjallë e të vdekun po e festonin bashkë ngjalljen e natyrës. Ajri ishte i mbushun me lutje, të cilat i drejtoheshin nëntokës, të vdekurve të shenjtë dhe atyre familjarë, të cilëve u dërgoheshin dhurata: këmisha, peshqirë, çorapë. Dhuratat nuk kanë ndonjë vlerë të madhe materiale, por janë simbolikë e njohjes dhe nderimit të personave të shenjtë, me shpresë plotësimin e dëshirave të vizitorëve.

Edhe unë nuk u kurseva nga rituali. Diku 20 vjet më vonë, u solla përsëri tri herë rreth tyrbes së Dervish Ibrahimit në Dejnë, veç tash isha ma e vetëdijshme për çka po bëja. Njëra nga gratë, që ruante tyrben brenda e priste vizitorët, më vuri një fije peri rreth dorës, siç e don rituali, duke më uru fatin e shnetën.

Teksa prisja për t’u kthy prapë në Prishtinë, disa qytetarë të Rahovecit, të cilët e kuptuan që isha duke marrë shënime, sikur kërkonin afirmimin tim për të festu lirshëm Shën Gjërgjin. “Nuk ka të bëjë kurrgjë me asnjë fe, apo jo? Ne jemi këta! Ne gjithmonë kemi festu natyrën, ardhjen e verës!”   

Kjo nuk do të thotë që ne aktivisht e mbrojmë natyrën. Edhe në ditën e Shën Gjergjit, tek festohej ngjallja e natyrës, festa ishte e mbushur me mbeturina e plastike. Shiteshin lodra, ose thënë më mirë, armë plastike. Një vendas i Prizrenit më tregon që armët fëmijëve u blihen kaherë në këtë ditë. Ishte absurditeti më i madh, të shihje katër-pesë vjeçarë me gurabije e sheqere në njërën dorë  e me një armë plastike në tjetrën. 

Në mënyrë paradoksale, e festojmë natyrën dhe e dëmtojmë atë njëkohësisht. 

Por, ndoshta ka një fije shprese në zgjimin e një vetëdijeje mbi marrdhënien tonë me natyrën, ndër brezat e ardhshëm. Permakultura, si qasje që synon arritjen e harmonizimit të marrëdhënieve mes njerëzve, natyrës dhe burimeve që rrjedhin prej saj, është duke zënë vend ditë e më shumë në aktivitetet e organizatave të ndryshme, edhe hapësirave të të rinjve. 

Qendra e komunitetit në Prishtinë “Termokiss”, shpesh organizon aktivitete të kultivimit të kopshtarise. Mirëpo, edhe ritet janë duke ndërruar formën e tyre. 

Teksa në disa zona Shën Gjergji festohej nëpër fusha, në Prishtinë, të rinjtë festuan Shën Gjërgjin, duke u mbajtë fort për një elementi kryesor të tij: kangës.

Më 5 maj, komuniteti  “Diskogrupi” organizuan ndejë nën temën “Spring Affair” tek Menza “Ramiz Sadiku”, ku një turmë të rinjsh u mblodhën, për të festu zbarkimin e verës, nën tinguj të diskos.

Ndërsa, në Prishtinë që prej vitit 2013, organizohet festivali “Erdhlezeti”, nën konceptin dhe frymën e ardhjes se verës, ngjalljes së natyrës.

Bajram Kinolli, i njohur nga plot si Kafu dhe njëri nga ideatorët edhe organizuesit e këtij festivali, thekson nevojën për vazhdimin e kultivimit të mëtutjeshëm të kësaj feste, si mjet për tolerancë ndëretnike. Për të festivali është mënyrë për ”me i kujtu ditët e mira të festës kur të gjitha etnitë kanë jetu edhe festu bashkë”. 

“Në Gjakovë është festu prej shqiptarëve, romëve, turqve, serbëve, etj. Festa e Shën Gjergjit është unifikim i etnive”, thotë Kafu. “Vera, m’duket që vjen për te tanë njejtë. Nuk vetë flamur, gjuhë a besim. Për këtë, edhe e kemi bë thirrjen e përbashkët: erdh lezeti. Se lezeti i verës vjen për te tanë.”

Shën Gjergji u festua edhe këtë vit. Nuk e di edhe për sa kohë, ose në çfarë mënyrash do t’vazhdojë me u manifestu kjo festë në të ardhmen. Sidoqoftë, transformimet e këtilla të shpejta kulturore na e bëjnë me dije që ekziston një nevojë urgjente për zhvillim të vetëdijes individuale e kolektive, drejt ruajtjes së trashëgimisë sonë shpirtërore, në të gjitha format e saj. 

Imazhi i ballinës: Valmira Rashiti / K2.0